Kulturë
Viron Kona: Kruja trime flet me motrën
E shtune, 11.07.2015, 04:17 PM
“Kruja trime flet me motrën:
Gjirokastër shtroje sofrën!”
(Duke lexuar vëllimin e ri “Shqipëria e dashur” të poetit Halim Laçi)
Nga Viron Kona
Halim Laçi, është një emër i njohur dhe i respektuar i artit dibran, krutan dhe i tërë Shqipërisë, është një nga ata emra poetësh e rapsodësh që kanë lënë gjurmë të ndritshme për dekada në “detin” e muzikës, poezisë, koreografisë,folklorit popullor. Ai është një personalitet modest që rrezaton me thellësinë e mendimit të mençur, me ritmin e vargjeve, me figuracionin mbresëlënës artistik, me bukurinë e përshkrimeve, portretizimin e tipave dhe karaktereve që harmonizohen ëmbëlsisht me bukuritë e reliefit shqiptar, të maleve, kodrave, fushave dhe bregdetit të Shqipërisë. Me krijimtarinë e tij Halim Laçi i ka bërë vazhdimisht jehonë madhështisë së kombit tonë.
Të rrallë janë ata artistë, tek vepra dhe repertori i të cilëve afishohen dhe kombinohen aq bukur llojet e artit dhe mjeshtëritë: krijues, koreograf, instrumentist, rapsod, drejtues, udhëheqës artistik, moderator. Është një shumëvlerësh që shumëkush do ta kishte zili e që pasohet me: 250 tekste këngësh, shumë prej të cilave pasurojnë e nderojnë albumet e mjaft këngëtarëve të njohur të Shqipërisë, ndërkohë që ky personalitet artistik, është pjesëmarrës dinjitoz në të gjitha festivalet folklorike kombëtare 1967-2009, i dekoruar shpesh herë si rapsod, valltar, krijues, interpretues. Mbi të gjitha, njeri i mirë.
Halim Laçi është në zemrat e dëgjuesve dhe shikuesve, vepra e tij përmendet në biseda, në avllitë krutane dhe odat dibrane, në Fushë-Krujë dhe kalanë e Krujës, në Reç, Lurë dhe Radomirë, por ai ndodhet mes tyre edhe fizikisht, vazhdimisht i kërkuar, nga këngëtarë e kompozitorë, veçanërisht për tekstet e bukura dhe të frymëzuara, i kërkuar nga populli për ta përjetuar bukurinë e artit të tij:
“Kruja trime flet me motrën:
Gjirokastër shtroje sofrën!
Vijnë krushqit nga anë e anës,
Këndojnë bashkë n`gjuhë të nanës”.
Halimi nuk lë as ditën, as muajin e vitin t`i shkojë kot dhe pa qëllim, ai shkruan dhe boton pareshtur, shkrime, vargje, këngë dhe libra. Vëllimi ”Nuk Harrohen”, një libër me vlera të mëdha ideore dhe atdhetare, libër që i bënë homazh dhe nderim heronjve të kombit, por edhe njerëzve të thjeshtë, që e shprehin heroizmin e tyre në përditshmërinë e jetës, të heshtur dhe të pa fjalë, me vepra. Në 70 vjetorin e çlirimit, ai botoi përsëri, e kësaj here “Shqipëria e dashur” për të cilin po shprehemi.
Te vlerat e Halim Laçit ndrit mirësia, vezullojnë e shfaqen njerëzit e thjeshtë dhe heronjtë. Halimi shkruan mjeshtërisht dhe me ritëm shqiptar, me humor dhe satirë popullore si dibran i mençur, shkëlqen me fjalën dhe mendimin, por edhe me gjuhën e Ezopit, me vargjet e tij kur ligjëron në odat dibrane, në sheshe kuvendesh, në salla koncertesh, në krijime e libra, në valle e këngë.
“Nga trimi lindi trimi,
Si djem të një nane,
Kështu është motivi,
I këngës dibrane”.
Halimi
është nga ata krijues rapsodë që di t`i përgjigjet flak për flak realitetit dhe
jetës, që di të vëzhgojë e të shigjetojë, por që di të mbaj edhe qëndrim,
sikurse pasqyron realisht të bukurën në jetë, të bukurën në shpirt, të bukurën
në artin e popullit, ai sjellë jetën në vargje dhe në krijimtarinë e tij
shumëplanëshe,edhe me diell e furtuna, edhe të qetë dhe me krisma bubullimash,
Halim Laçi thur vargje e ndez këngë:
“Për trojet shqiptare,
Do të shkruaj derisa të vdes,
Jam betuar në gjakun e të parëve,
Penën time nuk e shes”.
Faleminderit Halim Laçi për artin që na dhuron, për kënaqësitë që na fal, për gjurmët e shndritshme dhe vlerat nxitëse e frymëzuese.
“Të bardhë e mbajtëm kësulën,
Me gjak skuqëm gurin,
Një ditë vumë vulën,
N`kala ngritëm flamurin.”
Të bukura poezitë që i dedikohen kolegëve dhe shokëve, drejtuesve dhe njerëzve të thjeshtë në profesione. Të fuqishme poezitë që pasqyrojnë jetën, ndodhitë, ngjarjet, episodet edhe ato me ngarkesë negative apo pozitive, e ku kurdoherë ai di të vendos ekuilibra, di të pikëzojë dhe të krijojë vizione e këndvështrime, por di edhe të hedh sytë nëpër botë, të gjejë miq dhe shokë, di t`i respektojë e nderojë ata, t`u shprehë respektin, mirënjohjen dhe mikpritjen shqiptare. Kështu me shqiptarët në Suedi: Sadulla Zendeli-Daja dhe Sokol Demaku, por, ai, po aq mjeshtërisht dhe me patos i ngre këngë edhe Mikut të Madh të Shqiptarëve, suedezit të shquar, albanologut Ullmar Kvik(Qvick).
“Suedezë edhe shqiptarë,
E kanë gjetur miku mikun,
Kemi zgjedhur krushk të parë,
Të nderuarin Ullmar Kvikun”
Ashtu siç u këndon trimave, ai di t`u këndoj dhe t`u thur himn edhe krijuesve e kolegëve të tij, që me artin e tyre kanë kontribuar për atdheun, kanë lartësuar vlerat e kombit. Është ky nivel arti që na bënë të na mbetet në mendje poezia “Amaneti i Gjok Becit”, apo poezia kushtuar Lekë e Terezina Gega (Grupi i Milotit):
“Ashtu si rrufeja,
Që shkrepi prej motit,
Me këngë të reja,
Vjen grupi i Milotit.”
Halimi është edhe një veprimtar që se ka shokun. Së bashku me mikun tij Mehmet Deliun, dhe të tjerë veprimtarë në Fushë-Krujë, ai organizon dhe zhvillon veprimtari të bukura e tërheqëse për banorët e qytetit dhe të krahinës; sjellë në kujtesë dhe prezanton me artin e valleve dhe këngës, historinë dhe jehonat e shekujve, duke lartësuar në piedestale arti trimat që ranë për liri, dëshmorët e atdheut, por edhe njerëzit e punës dhe të jetës, ata që me shpirt të zjarrtë e zemër të madhe zhvillojnë demokracinë shqiptare drejt vlerave më të mira evropiane.
Poeti Halim Laçi, ky valltar e koreografi i shquar, ky njeri i urtë, fjalë-mençur e fjalë-bukur, i dashur si ai, i vendosur, krenar dhe me kurajë, që respekton më tepër se gjithçka të vërtetën dhe lirinë, edhe tani në moshë disi të thyer, i shërben pa u lodhur dhe me dinjitet atdheut, nderon dhe respekton me fjalë zemre popullin dhe historinë e tij, i ngre himn lirisë, të vërtetave të jetës dhe heroizmit popullor.
Faleminderit, Halim Laçi!