E shtune, 03.05.2025, 02:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Puhizë shpirtërore e Halil Haxhosajt

E premte, 10.07.2015, 08:24 PM


VESHTRIM LIBRI:

HAIKU,  PUHIZË SHPIRTËRORE E HALIL HAXHOSAJT

“Puhizë përjetësie”, poezi  haiku, botoi Klubi Letrar ”Gjon N.Kazazi”

Gjakovë,  nga shtypshkronja”Lena Grafik”, Prishtinë.

NGA TAHIR BEZHANI

Këto ditë doli nga shtypi  libri i njëzet e pestë i autorit  të mirënjohur nga Gjakova, Halil Haxhosaj,  i cili deri me tani ka botuar në të gjitha zhanret e letërsisë shqipe.

Libri i sapo botuar këtyre ditëve, ”Puhizë përjetësie”, është libri i tretë me poezi haiku, ku autori arriti qëllimin e filluar që moti,  për të krijuar një triptik me këtë lloj poezie . Mendoj se në këtë kuptim, na del si i pari triptik  haikian në trevat tona.

Për redaktor  të këtij libri, autori ka zgjedhur njeriun e merituar, poetin tropojan, të dashuruarin në poezinë haiku,  Gjon Neçaj, ndërsa për recensent, poetin e njohur nga Gjakova,  Qemajl Junikun.

Libri “Puhizë përjetësie” i autorit Halil Haxhosaj, ndahet në tre cikle apo  qerthuj, ku haiku valon në forma të ndryshme përmbajtësore, natyrshëm,  në kuptim të vazhdimit të ecjes jetësore, ku baticat e zbaticat përplasen mureve të zemrës poetike haxhosiane.

Pra sipas ndarjes nga autori kemi:

“Puhizë përjetësie”, Afsh përjetësie” dhe “Dritë përjetësie”

Halil Haxhosaj është një krijues i mirëfilltë i letrave shqipe i cili me vite e dekada, shkruan në poezi e prozë,  si tregime, romane, novela, drama, kritika etj.

Ai përherë është pritur mirë nga lexuesit dhe kritika letrare, në trojet shqiptare.  Lëvërimi i poezisë me origjinë japoneze, haiku, është shkruar edhe nga shumë të tjerë dhe është thënë se është poezi e rëndë, ngurtësuse, jo elastike në kuptim të shprehjes…

Porse poeti Halil Haxhosaj, ia del me sukses të trajtojë trevargëshin dhe formon  individualitetin e tij në botën poetike haikiane në trevat tona.

Halil Haxhosaj, tani si personalitet letrar i letrave shqipe, duke njohur edhe aspektet teorike të letërsisë, me lehtë se shumëkush tjetër di të futet skutave embrionale të krijimtarisë letrare për të nxjerrë në dritë një botë karakteristike,  e cila ka shërbesën e dijes dhe pasurisë letrare si qëllim. Kjo pasuri mbetët pjesë e të gjithëve.

Duke shtrydhur me elegancë frymëzimin shpirtëror, pa dyshim se rrjedh edhe e bukura në art. Këtë mendim e konkretizoj me poezitë e autorit që në ciklin e parë, ”Puhizë përjetësie”, ku ai me mjeshtri e elegancë shpërthen:

”Ëndrrat e fjetura zgjohen/Pikturojnë jetën e rritës/Gabimet ikin diku në arrati.”

Ose:

” Në zemrën e tij të butë, /Këndohen këngë e gëzime/Natyra qeshet ëmbëlsisht”...

Pra që në pjesën e parë të librit,  Haxhosaj, na bind për dijen dhe forcën poetike që posedon brendësia e tij vullkanike shpirtërore. Ai ndien thellë moshën e tij, telashet shëndetësore, prandaj përfton melankolia vargjeve padiktueshëm, dhembshëm, por krenare:

” Gjyshi prek kraharorin/Fërkon zemrën me dorë/Stuhia fryn nga katër anë”. Vargje të ndjeshme !...

Trevargëshi tek shpirti haxhosian, nuk kalon vetëm si një lirizëm mbi natyrshmërinë si frymëzim poetik, por penda e mprehtë e poetit, prek thellësive filozofike të jetës njerëzore.

Kjo është e pashmangshme posaçërisht tek krijuesit në kulminacion të pjekurisë krijuese,  e në jetën komplekse ballkanike , atë në vendin tonë pas lirisë…

Lexojmë:

”Bardhësia në heshtje stuhi/Brenda fortune,  jashtë acar/Malli i heshtur moti hesht”, ose:

”Diçka ma përgjon shpirtin/Kambanë malli e pikëllimi/Në rrugët e drejta të jetës”. Me sa mjeshtri poetike ka portretizuar një kohë e situatë me rrjedhat e saj valëve të jetës!  Pos lakmisë për bukurinë e thënë, çka tjetër duhet shtuar?..

Poeti e krijuesi Halil Haxhosaj, duke shkruar pasthënien e librit të tij, sqaron për lexuesin se sa fuqishëm e do  haikun  me të gjitha karakteristikat e tij. Ai shijon vlerat artistike të trevargëshit dhe sqaron shumë arsye në pasthënien e tij.

Por, edhe sikur të mos e kishte  thënë atë sqarim, vetvetiu lexuesi i vëmëndshëm e heton karakteristikën e fuqisë poetike dhe sensin e  dalë nga thellësi e brendëshme. Edhe në ciklin”Afsh përjetësie” si dhe në atë ”Dritë përjetësie”, komponenta e  vargut  është  gjithnjë  e rangut të lartë  të fuqisë shprehëse.

Poeti Halil Haxhosaj, me librin më të ri  me haiku, ka trajtuar  jetën në variante të ndryshme, rininë me natyrën e vet si tërsi, përjetimet e jetës në kohë,  në mënyra të ndryshme, ku gërshetohen botët e ndryshme në aspektin e këndvështrimeve, pra ku zhvillohet ideja për luftën e idesë.

Poezitë e përfshira në librin “Puhizë përjetësie”, kanë edhe filozofinë e jetës në tërsinë tonë në këto hapësira. Poezia haiku, në trojet tona është e vonë, por rrugëtimi i saj brenda nesh,  është pasuri e pashmangshme.

Prandaj, duke  pasur parasysh  vlerën e  këtyre poezive haiku,   si pjesë e këtij libri, mendoj fuqishëm se ky libër poetik , është një pasuri për bibliotekat tona përsonale , shkollore  e  universitare.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx