Kulturë
Odise Gremo: Erdha të të them lamtumirë
E merkure, 08.07.2015, 07:29 PM
POEZI NGA ODISE
P. GREMO
ERDHA TË TË THEM LAMTUMIRË
Më thua se në jetë jemi mysafyrë,
Pse kështu i pret mysafirët jeta?
Vetëm me një kafe të ndyrë?
Të tjerëve u shtronë darka e dreka.
Unë recitoj çdo ditë të njëjtin varg:
O, moj nënë, pse më bëre mua!
Po zërin tim e mbytë një zë nga larg:
O, mami, mami, sa të dua!
Jeta më flet gjithmonë ndryshe:
E di pse erdhe tek unë mysafyrë?...
Unë i përgjigjem pa mëdyshje:
Erdha të të them lamtumirë!
THIRJA E FUNDIT
20 sekonda,
Zgjati thirja ime e fundit me ty...
Kushtoi 40 rahje zemre
Dhe një vizitë në kardiologji.
AI QË E THA
Ashtu si një fjalë e urtë,
Midis nesh hyri e mbeti:
Burri lahet me një lugë ujë,
Gruan nuk e lanë as deti.
Mos u trembni, o ju gra,
Nga kjo proverbë e vjetër,
Se ai burrë që e tha,
Ka dashur që të laj veten!
KOMEDI NË PJATË
Në skenën me lule të pjatës,
Aktorët e njohur, fasulet,
Spektatorët e radhës:
Unë dhe një mizë
Që pranë më ulet...
E turpshme kjo lojë komike,
Është më shumë se një komedi:
Spektatori i ulur në karike,
Ha me lugë aktorët e tij!
Nis pastaj skena finale,
Brenda barkut lufta pëlcetë
Dhe shpërthenë nga vrima anale,
Një fishek, bombë e raketë!
PËR FËMIJËT
Për fëmijët, mundohet kjo dallëndyshe,
Lodhet në ajër të kap një insekt,
Për fëmijët, e futi në xhep një pesëmijëshe,
Nga pacienti i këputur një mjek,
Për fëmijët, kokën në rrezik vë një ujkonjë,
Zvarrit nga gurmazi nje dele,
Për fëmijët, në katin e pestë suvatën,
Mjeshtri hypur majë skele.
Për fëmijët, u bë ai burrë qeveritar,
Që këmbët mos t’u dhembin nesër nga udha…
-Ç’bëre për fëmijët ti shkrimtar?
-Mbarova një libër me aventura!
PUTHJET NËN UJË
S’mjaftonte toka për ne të dy,
U puthëm atëherë në det,
Nën ujë zgjata dorën të kapa në gji,
Të na shihnin të tjerët s’kishte lezet.
I mërzitur shoh detin këtë ditë dimri,
S’dëgjoj as klithmat e tua, as jehona,
Vetëm një varkë e vogël peshkimi,
U përplasë mbi varkat e puthjeve tona.
BRENDA SYVE
Shumë njerëz, shumë njerëz kam strehuar,
Në dhomat e nxehta të syve të mi,
Kur qerpikët tund i gëzuar,
Me qerpikët u bëjë atyre freski.
Ndodh që dikush braktisë strehët,
Largohet papritur drejt varrit,
Unë mbyll kapakët të mos më ikin të tjerët,
Sytë shtrëngoj fort prej të qarit.
KRONIKA E NJË MALI
Nuk pash në atë mal asnjë shqiponjë,
Në rrugë takova një breshkë kafkëqendisur,
Mu duk sikur më tha:
“ Zotëri, shqiponja kërkon?
Mos u lodh kot, se përgjithmonë
Nga ky mal kanë ikur…
Unë jam
E vetmja shqiponjë që ka mbetur!
S’ta mbush syrin?Nuk di të fluturoj?
Ç’më duhen krahët?Jeta është me të ecur,
Ndaj jam këtu dhe mbretëroj!”
Unë qiellin pash dhe me keqardhje qesha:
Kur s’ka shqiponja, shqiponjë bëhet breshka.
NJË KOMPLET GOTASH
Një komlet gotash qelqi tek dollapi,
Qëndrojnë brenda xhamit pa marr frymë,
Ende asnjë dorë miku nuk i kapi,
S’u shtruan njëherë në tavolinë.
Më të bukurat gota gruaja në pazar zgjodhi,
Për miqtë që presim të na vijnë,
Por miqtë kurbeti na i vodhi
Dhe gotat tani qajnë vajzërinë.
POETËT E SARANDËS
I dua vërtet poetët e Sarandës,
Në janë njëzetë, u bëfshin dyzetë,
Që të thonë jë ditë historianët:
Nga poetët e mori emrin ky qytet!..
I çmoj poetët e qytetit tim me rradhë,
Në ka njëzetë, u bëfshin dyzetë,
Por gjithmonë çmimin e parë,
Dua ta marrin vetëm ky det!