E diele, 04.05.2025, 03:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Shkupi po ecën në frymën hasaniste

E marte, 07.07.2015, 08:54 PM


Shkupi po ecën në frymën hasaniste

Nga Bedri TAHIRI

Për herë e më shumë po bindemi se paskësh pasur fort drejtë i madhi Hasan Prishtina kur përzgjodhi Shkupin për kryeqytet të shqiptarisë. I lumtë! Vërtet, aty është kërthiza e Ballkanit. Kryqëzim kulturash e traditash qytetërimesh të vjetra. Dhe, edhe sot, e gjithë vëmendja jonë duhet përqendruar aty, ku çdo ditë e më tepër po gjëllin shqip e në frymën hasaniste...

E shtunë, 4 korrik 2015. Ditë e mbarësisë botërore. Amerika ka festë. E, ku është Amerika jemi edhe ne. Festë ka edhe qyteti i lashtë, Shkupi. Jemi të ftuar disa në atë ceremoni të thjeshtë, por shumë madhështore: Në dhënien e dëftesave të para me emrin e ri të shkollës “Hasan Prishtina”.

Që në të aguar, mësyjmë Grykës së Kaçanikut. Delegacioni ynë përbëhet nga pesë veta: Mehmet Prishtina,  Sylë Zhitia, Ferit Idrizi, Hisen Berisha dhe Bedri Tahiri.

Përshëndetjen e parë në qytetin buzë Vardarit na e dha kush tjetër përveç Hasan Prishtina, duke rrezatuar dituri e atdhedashuri, karshi figurave çoroditëse që kanë shëmtuar hapësirat dhe rrugët gjithandej.

Ora fiks 9.00. Oborri i shkollës gumëzhinte nga hareja e nxënësve. Në ballë të saj mbishkrimi: Shkolla fillore “Hasan Prishtina”.

Para shkollës “Hasan Prishtina” në Shkup

Edhe brenda në shkollë, atmosferë festive. Kujdestarët e klasave, me dëftesat e gatshme për tua ndarë nxënësve, sa nuk fluturonin nga gëzimi. Drejtoresha, znj. Luljeta Qerimi na pret përzemërsisht dhe na përcjell në zyrën e saj. Sakaq ia bëhu edhe kryetari i komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti. Erdhën edhe shumë të tjerë, në mesin e tyre edhe historiani i njohur, Dr. Skënder Asani, drejtor i ITKSH, pastaj kryetari i LASH “Naim Frashëri”, z. Nuhi Dardhishta,  znj. Rabije Loku, Drejtoreshë e  Kopshtit për fëmijë, i cili numëron 140 punonjës dhe mbi 740 fëmijë, një kopsht Model në Maqedoni, që vizitohet nga te gjitha Ambasadat e huaja dhe mbahen me vetëfinancim dhe Donacione dhe po ja arrijnë me sukses te ja dalin si dhe shumë drejtorë shkollash, mësues e veprimtarë.

Flasim e kuvendojmë shtruar për problemet e përditshmërisë. Zakonisht, gjuha vete ku dhëmb dhëmbi. Ata na shpjegojnë se kohëve të fundit, edhe këtu, gjërat kanë ndryshuar për të mirë. Shkupit po i kthehet identiteti. Rreth pesëdhjetë rrugë e sheshe janë pagëzuar me emra shqiptarë, intelektualë e atdhetarë që nga Iliria e deri sot...

Unë, drejtoreshës ia dhurova librin “Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare”, ndërkaq kryetarit librin kushtuar Ahmet Delisë, ngase me angazhimin e tij, më 11 mars 2010, qe rregulluar Pllaka e Mursel Ahmetit këtu bri Vardarit, i cili ishte helmuar nga organet maqedonase më 1931.

Autori i këtyre rreshtave u dhuron nga një libër drejtoreshës Luljetë Qerimi dhe kryetarit Izet Mexhiti

Ceremonia festive e ndarjes së dëftesave qe organizuar në një klasë shembullore. Prindër e nxënës kishin mbushur bankat. Drejtoresha dhe kujdestarja kishin bërë të gjitha përgatitjet.

Drejtoresha, fillimisht, përshëndeti dhe falënderoi delegacionin tonë për pjesëmarrje, duke na prezantuar me radhë e pastaj shkurtimisht dha një pasqyrë të shkollës që drejton.  Shkolla me 860 nxënës (30 paralele shqipe e 11 maqedone) deri dje mbante emrin “Cvetan Dimov”, ndërkaq sot, edhe zyrtarisht, e gëzon emrin “Hasan Prishtina”. Kjo na nderon dhe na obligon për punë edhe më cilësore...

Kryetari, z. Izet Mexhit mes tjerash tha: ”Sot bashkë me ju, ndajmë këtë gëzim të ndarjes së dëftesave me emrin e ri të kësaj shkolle, emrin e heroit dhe veprimtarit të madh Hasan Prishtina. Nëse Hasan Prishtina në vitin 1910 edhe magazet i shiti për të hapur shkollë në gjuhën shqipe në Shkup, ne sot emrin e këtij veprimtari duhet ta nderojmë dhe ngritim me sukses, kualitet dhe shumë punë e përkushtim. I falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces, duke filluar nga këshilli i prindërve deri tek MASH”.

Dëftesën e parë e ndau ai që ka bërë mesë shumti për Hasan Prishtinën, biri shpirtëror i tij, i palodhuri, z. Mehmet Prishtina, i cili, i entuziazmuar tha: “Kjo është një e arritur e madhe, që në një shkollë në mes të Shkupit të mban emrin e Hasan Prishtinës. Dua të potencoj se pikërisht Shkupi më së miri po e nderon dhe vlerëson figurën e heroit dhe vizionarit Hasan Prishtina. Shpresoj që këta fëmijë do të ndjekin rrugën e Hasan Prishtinës dhe një ditë do të udhëheqin kombin tonë”.

Mehmet Prishtina ndan dëftesën e parë

Një porosi të fuqishme për vogëlushët kureshtarë, për mësimdhënësit dhe për të gjithë sa ishim aty dhe edhe Hisen Berisha, tek po e ndante dëftesën e radhës. Nga një dëftesë ndan edhe Ferit Idrizi e Sylë Zhitia.

Një dëftesë nderi ndava edhe unë. Në ato çaste, kur nxënësi shembullor ecte drejt meje, në mendjen time vërshuan skena nga historia. Mu kujtua tetori i vitit 1912, kur kryengritësit shqiptarë, të prirë nga Hasan Prishtina çliruan Shkupin. Më erdhi ndërmend edhe Normalja e Elbasanit, ku gjysma e nxënësve ishin nga Kosova, të dërguar e të mbajtur nga Hasan Prishtina. Para sysh më doli edhe nata e 13 tetorit 2012, kur me Mehmet Prishtinën, nëpër një shi imëtak, rregullonim e mbulonim shtatoren e Hasan Prishtinës, për ta zbuluar të nesërmen, këtu, në qendër të Shkupit..

Bedri Tahiri ndan dëftesën për nxënësin shembullor

Në fund, me propzimin e një prindi, i cili me të drejtë tha ky do të mbetet një akt historik, të gjithë tok bëmë një foto të përbashkët

Pamje nga ceremonia

Pjesa e dytë e agjendës sonë u zhvillua në ambientet e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i cili vepron në ndërtesën e ish ambasadës amerikane. Drejtori i tij, Dr. Skënder Asani, një djalosh i thjeshtë e modest, ka bërë mrekullira. Ky punëtor i palodhur, me fakte e dokumente po i sfidon orekset e sëmura maqedonase. Mjafton të përmendim rastin e përmendores së Çaulevit, të vënë së fundi përballë asaj të Hasan Prishtinës. Dhe, kur ky studiues vërteton se Petar (Petrush) Çaulev (1880- 1924) ishte trim dhe veprimtar shqiptar nga Ohri e i cili kishte shkruar veprën “Shqipëria”, ata që bënë përmendoren u bënë për t’i nxjerr sytë e vet.

Takim me kryetarin Izet Mexhiti

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve- Shkup

Kthimin për në shtëpi e bëmë më të lehtësuar e optimistë se brezat e ardhmërisë do të punojnë në realizimin e ëndrrës  që Shkupi të bëhet kryeqendra e shqiptarisë...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx