E shtune, 03.05.2025, 03:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Roman mbi ditët që po jetojmë

E merkure, 08.07.2015, 08:00 PM


Një roman mbi ditët që po jetojmë

(Mbi librin “Pretenca” shkruar nga Istref Haxhillari)

Nga Meri Lalaj

Ndërsa hap ato të pakta gazeta me faqe letrare, syri më kap shpesh shkrime të autorëve burra që shkruajnë lëvdata për shokët e tyre burra duke ngritur në qiell e përshkruar me fjalë të mëdha herë për një vëllim poetik dhe herë për një libër me tregime apo romane.

Dikur, në vitin 1988, në përvjetorin e parë të ikjes nga jeta të Lasgushit, në Pogradec u organizua një ceremoni dhe Shtëpia e Kulturës së qytetit mori emrin “Lasgush Poradeci”. Pllakën përkujtimore e zbuloi Isamil Kadare dhe krah tij qëndronte Istref Haxhillari, i cili asokohe ishte shef i seksionit të arsimit të rrethit. Tek libri im kam shkruar: “Istref Haxhillari mbajti një fjalim të përgatitur shumë mirë”. Në atë pasdite shumë të ftohtë me dëborë dhe akull teksa dëgjoja fjalën e Istrefit mendoja me vete. “Po kush ia paskërka shkruar vallë?” (Dihet se fjalimet e shefave i shkruajnë gjithnjë Demkat e Dritëroit). Këto mendoja duke ditur se Istrefi pat studiuar për shkenca ekzakte dhe nuk kish të bënte aspak me letërsinë. Por qenkësha gabuar.

Kaluan vite dhe unë kam lexuar thuajse të gjithë librat që ka shkruar Istrefi, natyrisht në prozë, mbi të gjitha do veçoja romanin “Në peshën e kohës” shumë i veçantë në përshkrimin që i bën krahinës së Mokrës dhe personazheve që ka krijuar. Ky roman bën pjesë në pasurinë e romaneve tona. (Dhe nuk duhet harruar se unë i përkas atij brezi kur duhej të prisnim me vite të tëra që një shkrimtar të shkruante një roman).

Romani i fundit i Istrefit “Pretenca”, botuar në Shkup nga Shtëpia Botuese “Asdreni” më 2014, pasi kaloi dorë më dorë më së fundi më erdhi radha edhe mua për ta lexuar. Së pari, unë do ta kisha titulluar ndryshe me një emër jo kaq prozaik, jo kaq zyrtar, aq më shumë kur jeta jonë po burokratizohet dita-ditës.

Istrefi, nëpër faqet e romanit bën luftë jo kot më kot me mullinjtë e erës, por me guximin qytetar që e karakterizon lufton duke i zbuluar një e nga një plagët e shoqërisë së sotme. Teksa lexoja faqe pas faqeje përfytyroja ngjarje të ndodhura në një qytet të dashur për mua, por cilido që ta lexojë do të mendojë: kështu ka ndodhur edhe në qytetin apo fshatin tim. I tillë është përgjithësimi artistik që bën autori duke rrokur problemet anë e kënd Shqipërisë.

Ngjarjet janë nga më tronditëset dhe autori me kujdesin e kirurgut operon plagët e shoqërisë së sotme një e nga një duke rrëfyer qelbin që kullon dhe infekton shoqërinë e shëndetshme. Në këtë roman përshkruhen me vërtetësi dhe nëpër faqet e tij vërtiten lloj lloj njerëzish nga të gjitha kategoritë e shoqërisë sonë: mësues, nxënës, drejtor shkolle, të papunë, deputetë, mashtrues të tenderave, homoseksualë e të tjerë. Po ashtu ndërthuret tema e familjes e tronditur nga etja për paratë: babai i pasur kujton se vetëm duke i dhënë pare bijës së tij plotëson çdo kërkesë të sajën, ndërsa ajo ka shumë nevojë për përkujdesje dhe dashuri për rrjedhojë merr fund jeta e gjimnazistes Orgeta. Autori gjykon shoqërinë, gjykon mafiozët vetëm me ato mjete që zotëron fjalën e shkruar. A mundet autori të ndalë nipin e droguar të deputetit që të mos zhytet në krim dhe nëna e tij e pacipë kërkon të blejë me para notat e të birit. Seksi zë mjaft vend në këtë libër nuk po them dashuria, madje të vjen keq sepse as gjimnazistja nuk di të dashurojë, por personazhet janë të prirur thjesht drejt epshit. Mund të them se në përshkrimet e seksit ka disi  natyralizëm. Kam lexuar edhe një roman shumë të mirë të Koço Kostës “Nata e Sofie Kondilit” me faqe të tëra mbushur me seks, por shkruar me shumë art.

Nuk është kaq gri e errët jeta tek ne. Shpresojmë që Shqipëria të bëhet. Para disa muajsh lexova romanin e Ilinden Spasses “Pavijoni i “filozofëve”, edhe në këtë libër përshkruhet jeta në ditët që jetojmë, por me një ngjyrim tjetër humori fillim mbarim nuk e pengon autorin që të godasë realitetin. Secili zgjedh mënyrën e vet të të shkruarit.

Edhe një veçanti përsa i përket formës së romanit përveç ndarjes në kapituj të ndryshëm, Istrefi ka bërë edhe një nënndarje duke i quajtur Orë blu, aty autori mediton, grindet me personazhet, ndërpret fillin e rrëfimit apo e lidh me kapitullin vijues.  Diçka e veçantë janë edhe emrat e personazheve: Heis, Rudi, Beka, Kimi, Sava e të tjerë. Istrefi është një njohës shumë i mirë i fjalorit të shqipes veçanërisht të krahinës së tij, Mokrës, por tek ky libër i shkruar në mënyrë më ndryshe nga stili edhe forma, i kanë shpëtuar fjalë të huaja që mund t’i zëvendësonte me fjalë të shqipes.

Gjithsesi Istref Haxhillarit i uroj me gjithë zemër edhe shumë libra të tjerë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx