E diele, 28.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Po tani, të lënça Zotin?!

E shtune, 11.07.2015, 12:13 PM


Po tani, të lënça Zotin?!

"Vajti shyta për brina

La dhe veshtë n'ta"

Popullore  dibrane

Tregim i jetuar

Nga Përparim Hysi

Ra çanga e alarmit. Të gjithë ushtarët vrapuan për në pozicione. Që aty,secili prej komandantëve të kompanisë, i morën dhe i rreshtuan para sheshit të madh të shtabit.

Aty, në sheshpushim ku qemë (unë isha një nga ushtarët që shërbeja në shtab dhe mu  në zyrën sekrete), vumë re se kapter Kola që merrej me prapavijën, me ndihmën e dy ushtarëve të prapavijës, vendosën një tavolinë  dhe tri karrike. Po ç'po ndodh, vallë? Ç'është ky alarm  mu në mes të ditës dhe ç'është gjithë ky grumbullim kaq i përnjëhertë? Në këtë mëydshje, ja tek mbrritën ata, të tre. Komandanti i regjimentit, komisari dhe, mu në mes të tyre, gjenerali që kish ardhur me një frymë nga Tirana. Gjenerali qe komisari i  Forcave Ushtarake Detare që në gjuhën ushtarake quhej FUD. Sa zunë vend kokësit e garnizonit (se në garnizon qe kthyer shtabi ynë  ushtarak),e  mori fjalën Komisari i madh që kish ardhur nga Tirana. Mbasi foli larg e larg për detyrat tona luftarake; për vigjilencën dhe, sidomos në këtë kohë kur jemi dhe nën kërcënimin imperialisto-revizionist, domsdoshmëria jonë bëhej më prezente se qemë skalioni i fundit në ruajtjen e kufrit  detaro-tokësor dhe i pari, në rast invazioni, zu të rritë tempin e fjalëve kur erdh çasti për të treguar se përse qemë mbledhur kështu tak- fap, mu në mes të ditës. Natyrisht, nuk doli drejt e në thela, por për të arritur aty ku duhej, citoi Enver Hoxhën:" Armiqtë na mbajnë në grykën e pushkës, ne i mbajmë në grykë të topit". Për të qenë i drejtpërdrejtë, pati ilaritet si  mbështetje të fjalëve të komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë.

*      *     *

Nuk dua ta vonoj faktin pse kam ardhur nga Tirana. Një ushtar nga reparti juaj i ka  bërë një letër sh. Enver, ku akuzon një oficer të këtij reparti, toger Myzeqarin, si një njeri që do tentojë të arratiset. Ushtarin, para se të diskutohet për akuzën e tij, e falnderoj jo vetëm për vigjelencën, por dhe për guximin: letra e ushtarit nuk është anonime, por me  adresë të plotë. Kështu i do njërëzit partia dhe komanda e  ushtrisë.

Tani këtu janë dhe oficerët, këtu dhe ushtari, por këtu jini dhe ju që do diskutoni, nëse qëndron apo jo akuza.

Ushtari që kish bërë letrën, qe shoku im  i ngushtë dhe, pse ish i tillë, atje tek sheshpushimi ne qemë ulur, pothuaj, ngjitur njëri me tjetrin. Për mua, nuk kish pozicion më të vështirë: nga njëra anë, shoku im që kish bërë akuzën, dhe, nga ana tjetër, i akuzuari, toger Myezeqari, që, në mendësinë time, ishte aq i fajshëm në këtë akuzë, sa mund të akuzohej një jashtëplanetar. Gjenerali priste fjalën tonë dhe situata qe e tillë, sikur mbi shesh, o pritej një hata, o një sihariq.

Nga natyra, unë jam njeri shumë impulsiv: nga ata lloj njerëzish që kanë nevojë për fre dhe jo për shtyrje. Nuk ka patur mbledhje apo takime të çfarëdo lloj, që, nëse kam marrë pjesë, mos e them fjalën time. E them ashtu siç e mendoj dhe as llogarit në ka pasoja pas saj. Gjykuar me gjakftohtësi: gjithmonë i kam hyrë detit në këmbë. Është punë geni, bessoj. Në ma thotë koka që duhet të mbaj iks qëndrim, e bëj dhe nuk kthehem prapa.

Kështu ndodhi dhe në këtë mbeldhje kaq të"nxehtë". E kisha të mbushur mendjen top që akuza që bënte miku im, ishte jo vetëm çështje mllefi, por dhe krejt qesharake. Pa e bërë fare të gjatë, qeshë i pari që kërkova fjalën. Dhashë të dhënat e mia ( qeshë më i besueshëm se  qe favor që një ushtar si puna ime, pa qenë komunist, punoja në zyrën sekrete) dhe gjenerali pashë që më ndiqte me shumë vëmendje.

- Po për ç'arratisje bëhet fjalë? Për toger Myzeqarin? Po kjo akuzë është fare-fare qesharake dhe më vjen rëndë vetëm për një gjë: akuza është ngritur nga ky shoku imi ngushtë. Lexohet lehtë që akuza është rrjedhojë e një mllefi të çastit. Toger Myzeqari ushtarin në fjalë, pra, mikun tim, një ditë prej ditësh,e dënoi me burg. Ky burg (i drejtë apo jo, epo ku diskutohet në ushtri për të tillë gjëra?!), qe kupa e mbushur që derdhi inatin mbi letrën akuzë. Të gjithë e njohin togerin, me ushtarë ,nënoficerë dhe oficerë dhe, nuk ma merr mendja që, qoft dhe ndonjëri prej tyre, të jetë me akuzuesin.

Kjo fjalë imja, më duket qe  si një erë që frynte në favor të togerit i cili, tek e shihja skiç, qe në pozitë shumë diskrete.

Nuk mbaj mend në foli dikush tjetër më,por, kur u ngrit gjenerali, tha:- Më mirë kështu. E diskutuam këtu në "shesh të burrave" dhe ne si komandë të këtij mendimi jemi: akuza ka qenë pak e shpejtuar, por kjo jo vetëm nuk e ngarkon me faj ushtarin, por, përkundrazi, partia na mëson "... që cilido pa frikë të thotë se çfarë mendon për njerëzit". Ja tek e theksoj dhe e lë si porosi:"  Asnjë masë qoft e tërthortë për ushtarin,se ndryshe masa do bjerë mbi vepruesin".

*     *    *

Mbledhja nuk  zgjati shumë dhe, pasi u shpërndamë, reparti veproi sipas orarit të veprimeve. Miku im u ftoh paksa me mua, por tipin ma njihte mirë, por nuk u zëmërua.

Toger Myzeqari, i çliruar nga një akuzë aq e rëndë, në fund të javës (qe ditë e shtunë), më ftoi në klub për një birrë. Unë  me të gjithë oficerët e kisha  grurë. Duke punuar në zyrën sekrete, qeshë si oficer pa rrogë. Duke patur vulën e repartit, mund dhe të abuzoja, po, kurrë, në asnjë rast, nuk e shkela betimin. Toger Myzeqarin e mbrojta me fjalën time se kështu e gjykoja dhe aq. Ftesës për birrë iu përgjigja dhe, kur hymë në klub, pashë që në tavolinën tonë erdhi dhe një civil. Unë njihesha me të gjithë civilët e asaj qyteze të vogël bregdetare dhe , prej tyre, thirresha si "Ushtari i postës". Se merrja postën e repartit dhe me civilët shpërndaja fletët e zborit. Qyteza,aso kohe, qe e vogël dhe nuk kish vështirësi për njohje reciproke. Civili (kështu do ta quaj në tregim), punonte motorist në një anije peshkimi në portin e  qytezës. Erdhën birrat me kriko dhe ia shtruam si në një gosti të vogël e të "nxehtë". Togeri me Civilin qenë shokë, sado që ky i fundit,  qe vendali. Civili kish  një portret si atë të dokerëve anglezë, me një trup Herkuli dhe aq harmonioz,sa, pa frikë, sot mund të qe model i një trupi holliwudian. Kish qenë boksier dhe, në të binte ndeshja me të, jo vetëm e kishe të humbur davanë, por zor pa mbetur me ndonjë cen të përjetshëm. Tek e shihja përballë, thosha: ky, po t'i bjerë një kau me grusht, e lë top në vend. Tek e kthyem për shëndetin tim ( se ja unë kisha marr zjarrin mbi kurriz e ku të di tjetër

?!), togeri më  thotë:- Kjo gostia jonë sot është sa për "nxemje". Nesër, po. Nesër është dasma. Nesër që në mëngjes heret do shkojmë me këtë me anije. Ky do lërë peshkatarët në det që të gjuajnë me grepa dhe ne të tre, do ia shtrojmë në anije: me peshk të pjekur në tjegull; me birrë, me verë. Se ky, miku im,- tha togeri,- është motorist i anijes.

-Aha, - i them,- Shoku toger, unë nuk vij në anije. Peshku më hahet, po nuk rri dot me orë të tëra në një vend. Jam tip impulsiv unë.

- Ça je tuj thanë, more burrë i fortë!- foli Civili. Kush po të le ty pa të marr me vedi? Po vij veta mu aty ke reparti, po të marr kaliboç e fill në anije. Ke me e pa vet, se sa ke me u kënaq.

-Të falnderoj për konsideratën, - i them Civilit,- por nuk vij. Nëse doni të ma bëni qejfin, atë peshkun të pjekur mbi tjegull, ma sillin kur të zbrisni në mol.

U ndamë me pemtimin se do ma sillinin të dielën në mbrëmje. E diela qe pushim dhe unë,si "valencë e lirë", e kisha lejen me pashë. Mezi prisja mbrëmjen që të vinte "peshku i pjekur mbi tjegull" dhe, për të "vrarë" sa më rëndë kohën, thashë që të shtyja nja dy orë kinema mbasdite. Kështu bëra dhe, kur mbaroi dokumentari, shoh një ushtar që hyri në sallë të kinemasë dhe dha kushtrimin:- Ushtarakët në repart! Alarm Luftarak!!!

 

*    *   *

E lashë korrierin prapa, se fillova vrapin sikur më ndiqte dikush nga prapa. Në rast alarmi luftarak, duhet të jem i pari në zyrë; ta hap atë dhe me protokoll oficerët e shtabit vijnë e  marrin armatimin. Po më zihej fryma, kur hyra në shtab. Kur hodha sytë nga zyra, mu përballë qendronte shefi i shtabit që, sa më pa, më urdhëroi:

-Hys (kështu më thërriste, me mbiemër), nuk është nevoja për armë. Merr makinën e shkrimit dhe vulën se do shkojmë tek dhoma ku flenë oficerat. Bëra  kështu si më urdhëroi shefi dhe, kur erdhëm tek dhoma ku flinin oficerat, pashë kapter Kolën (atë të  prapavijës), me ca darë në dorë.  E kapi drynin e derës, ()si një njeri që kap dikë nga veshi) dhe, si e këputi ganxhën , hymë brenda. Brenda hyri shefi, Kola dhe unë. Si mbyllëm derën, shefi kumtoi:- E hapëm dhunshëm këtë derë,se toger Myzeqari dhe Civili (motoristi), janë arratisur!!!! Kur tha kështu, mua gati po më binin djersë të ftohta. U ula në karrike dhe nën diktatin e shefit, bëra protokolilin:" U hap me dhunë dhoma... dhe u konstatua: i arratisuri,Toger Myzeqari ka lënë një letër ku, ndër të tjera, thotë: "... po marr koburen e shokut tim të dhomës me 24 fishekë dhe i kërkoj falje që po ia marr pa leje. Po marr dhe koburen time me 24 fishekë. Këto lekë që janë mbi tavolinë janë të T.L. që kish radhën e lotarisë. Gozhupi i ri që është varur, t'i jepet bashkëfshatarit tim, M... ". E bëra protokollin  në tri kopje dhe, mbi të, u vendosën tri firmat tona.

Reparti kaloi në gadishmëri numër 1 dhe,qysh prej asaj nate, ne flinim me gjithë këpucë.

 

*    *    *

Të dielën u arratis Togeri me Civilin dhe qysh të hënën në mëngjes, mbrriti përsëri gjenerali.  Kur po shkonim tek "sheshpushini", mu më dukej se po shkoja tek "sheshgjykimi" im.

"Tani di ta shoh edhe zemërgjerësinë, por dhe trimërinë tënde,- më foli jo pa shpoti miku im që, dhe kësaj radhe, qe ngjitur me mua. Mua nuk ma bën syri tërr,- iu mburra mikut tim, por, po t'më vëreje me vëmendje, açik tregoja, që kisha një gërç a një stres që më kish kapluar të gjithin. Dhe, sikur të mos mjaftonte kaq, një oficer dibran ma zbrazi:- O Përparim! O të lança Zotin! Të kam vu re që nuk po të rrihet pa fol. Gjithmonë i pari. E shife tash? E tash, ta lexoj synin. A dish si thojnë andej nga anët tona:- Vajti shyta për brina e la dhe veshtë n'ta! Dhe, tek fliste, goja i shkonte vesh më vesh. Unë po si ai i dënuari që shkon drejt litarit, i dëgjoja të gjitha, por më kish ndodhur si me atë që tha:" Mirë gomari që më ngordhi, po mizat pse nuk më lënë rehat?".

*     *    *

Nuk ka nevojë të zgjatem,- tha tërë mllef gjenerali. Qemë mbledhur këtu dhe ja tek vimë prapë. Të dalë ai ushtari që e mbrojti toger Myzeqarin.

-Hë, mo trim, vërvit pleshta tani,- më  shpoi me bodec miku. Se jo vetëm je i gojës, por dhe burrë i drejtë. Nuk ta ha qeni shkopin  ty, se kot nuk je dhe i "sekretes" ti?

Isha në atë pozicionin e atij që shkroi; kërceu prifti nga belaja! Dhe nuk qe bela e vogël. Aq më tepër që këtë" bela"  e bleva pak si"lirë".

Ndërsa u ngrita, gjenerali priste, i bërë re e zezë në fytyrë, fjalën time.

- Unë e mbrojta toger Myzeqarin se u besoj fjalëve të shokut Enver,- fillova unë.

- Si ta kuptojmë këtë " u besoj fjalëve të shokut Enver?!",- ndërhyri gjenerali

-Fjalët e shokut Enver janë të thjeshta e të qarta për këdo,- vazhdova. Shoku Enver ka thënë që myzeqari është i tillë dru që  nuk e ha mola! Pra, nga kjo fjalë u nisa që mbrojta togerin. Ai pastë faqen e zezë që shkeli mbi këtë besim!

Kur dëgjoi këto fjalë, gjenerali u step dhe nuk la vend më për diskutime. E mori vet fjalën dhe dha detyra shtojcë për repartin.

*      *    *

Këtë arratisje, reparti e pagoi me një muaj gadishmëri duke fjetur me këpucë; fshatari që  mori guzhupin, u fut në burg se"gjasme" ka patur dijeni për arratisjen; prishjen e familjes së Civilit (një muaj i martuar dhe nusja u kthye andej nga kish ardhur); me pasoja nga familja e togerit dhe me ulje në detyrë të oficerave përgjegjës.

Ku e pyeta mikun tim:-Ore, po ti si e bëre atë akuzë të kotë ndaj togerit?

Ai, flakë për flakë, m'u përgjigj:- Pse mësonte italisht togeri? Dhe po  vet, u përgjigj:

- Se  mendjen e kish për jashtë shtetit...

Tek e mbyllja me të qeshur bisedën me mikun tim, i thashë:" Prita të ha  peshk në tjegull, po, për pak,desh u poqa vet mbi tjegull.

-Jo, mo,- tha miku im. Ti je burrë trim e ku ta ha ty qeni shkopin. E ku pyet ti për mik.

Ti veç nga e drejta. Po kur nuk të mori ai gjenerali e të vinte përpara e do të shikoje se sa vlerë ka ajo drejtësia jote!  Pse me drejtësi është bërë bota?- gjëmoi pyetja e tij ndëshkuese.

Sado që kësaj pyetjes së fundit nuk i kam kthyer përgjigje, mikun e kam, ende, mik dhe asnjëherë nuk  më ka lënë në baltë.

Qëlloi që"era emigarcionit", kur fryu, na dërgoi në të njëjtin vend. Jo pak, po për 12-vjet ai,famijarisht, nuk u nda nga unë dhe, kur sillnim në kujtesë ato vitet e ushtrisë, ai i thoshte simeshoqeje:- Ah, ç'më ka bërë ky, Papi, mua! Dhe unë ia ktheja:- Unë prapë, po  gjykova që nuk ke të drejtë, kështu do bëj. Sidoqoftë,e  solla këtë tregim se në një bisedë, u zu gojë emri i atij oficeri nga Dibra që më ka thënë dhe fjalët që kam vënë si titull, po dhe atë porverb aq kuptimplot nga Dibra. Epo kanë ndodhur, pa rrëfehen. Rrëfehen, po sa pëlqehen është punë tjetër. Varet nga pena që e shkruan dhe se si e shkruan. Epo me këto buzë që kemi, do puthemi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora