Kulturë
Ragip Sylaj: Poezi që ofron kënaqësi estetike
E premte, 17.01.2014, 07:47 PM
Poezi që ofron kënaqësi estetike
për të rinjtë
Poezia e librit “Vjedhësit e hënës”, të Nexhat Halimit, sa ngjan në një album kujtimesh a reminishencash po aq – në një dialog ndërmjet brezash. Në këtë dialog të brendshëm kulmojnë përsiatjet e subjektit lirik për një sërë çështjesh që ndërlidhen me natyrën e me jetën, me bukuritë e peizazhit, të përshkruara disa herë edhe me jehe ngashërimi. Këto sekuenca poetike jepen herë si lojë e herë nëpërmjet një bisede të çiltër
Nga Ragip Sylaj
I veçantë në krijimtarinë letrare për të rritur, poeti, prozatori e dramaturgu, Nexhat Halimi, është po aq i veçantë edhe në krijimtarinë letrare për fëmijë. Në librin e tij më të ri të këtij lloji të titulluar “Vjedhësit e hënës”, që më tepër mund të konsiderohet një libër për të rinj, Nexhat Halimi sjell krijime të formës klasike, siç janë soneti dhe poezitë me strofa katrona, tercina etj.
Poezia e këtij libri, sa ngjan në një libër kujtimesh a reminishencash po aq – në një dialog ndërmjet brezash. Në këtë dialog të brendshëm kulmojnë përsiatjet e subjektit lirik për një sërë çështjesh që ndërlidhen me natyrën e me jetën, me bukuritë e peizazhit, të përshkruara disa herë me jehe ngashërimi. Këto sekuenca poetike jepen herë si lojë e herë, siç u tha në krye të herës, nëpërmjet një bisede të çiltër, respektivisht në formën e një dialogu të drejtpërdrejtë (në afërsi) e herë në njëfarë formë tjetër, të themi, epistolare (në distancë).
Imazhet poetike janë ndërtuar herë si piktura të bukura peizazhiste e herë si tablo rustikale me plot gjallëri e jetë. Ato në vetvete bartin e risjellin sekuenca kujtimesh, mënyrën e dikurshme të jetesës, madje edhe me disa vlera etnologjike etj. të kohës e të vendndodhjes së veprimeve të subjektit lirik. Ky subjekt, këto kujtime sikur nuk do t’i ruajë apo t’i burgosë në vetvete, por i nxjerr nëpërmjet laboratorit të tij krijues, i përpunon, për t’i bërë vlera krijuese letrare e kulturore, sa për vete po aq edhe për të tjerët, veçmas për lexuesit a dashuruesit e poezisë së këtij lloji.
Si për mënyrën e strukturimit, si për mundësitë e receptimit të saj, kësaj poezie i shkon përshtati vlerësimi i estetit të letërsisë, Benedetto Croce (Benedeto Kroçe), sipas të cilit, nuk vlen për fëmijë e tërë ajo që është shkruar për të rriturit, mirëpo krejt ajo që është shkruar për fëmijë duhet të vlejë edhe për të rriturit në qoftë se është vepër e artit. Në këtë kontekst do të mund të thuhej, se ky tip poezie, sa për dedikimin, sa për gjuhën po aq për lirizmin e ngjyrimet emocionale lidh a bashkon dy breza lexuesish: të vegjlit e të rriturit. Por, lexuesit e moshave të reja do të mund të ishin ata që do të përbënin shumësinë e recipientëve që edhe i lidhin ndërmjet vete këto mosha (lexuesish).
Ajo që është parësore për lexuesin e vogël do të ilustrohej me një konstatim të studiuesit të letërsisë Anton Nikë Berisha, sipas të cilit, imagjinata e fëmijës më tepër i afrohet përrallës dhe botës së ëndrrës, ku kufijtë e veprimit e të mendimit janë të pakufishëm (Anton Nikë Berisha: “Letërsia për fëmijë si art i fjalës”, fq. 75). Ndërkaq, elementi që e gjejnë lexuesit e rinj dhe të përgatitur për këtë tip poezie është thellësia, që sipas Hofmannsthal-it, fshihet në sipërfaqe. Kjo mund të hetohet e të përjetohet, edhe kur lexojmë vargje që në shikim të parë duken vetëm deskriptive.
Hëna është kryefigura e këtij libri... herë si shenjë bukurie, herë përmallimi e shprese, herën tjetër. Ky trup qiellor, që “me argjendin e vet ëndrrën ndrit”, (fq. 7) ndez fantazinë e poetit e nëpërmjet tij edhe të lexuesit qoftë i vogël a i rritur që të bëhen përsiatje e lojëra të çuditshme. Pastaj janë fenomene të tjera që ndërlidhen me të e që e ngacmojnë imagjinatën e subjektit lirik, diçka që sa duket – zhduket, diçka që sa është në qiell pastaj e sheh të pasqyruar në ujë, një shenjë drite që sa e sheh në një pjesë qielli, më pastaj – në anën tjetër. Është njëherësh diçka si ëndërr e si lodër, një bashkudhëtare në jetën tonë, në gëzime e në hidhërime, në melankoli e shpresa për të ardhmen. Poeti në fund thotë se “hëna është kthyer prapë, ndritë flakë” (fq. 67) por edhe se “Oh, do e vjedhin sërish hënën. Gjithsesi/ Si s’e kanë të qartë se ajo është për fëmijë” (po aty).
Libri “Vjedhësit e hënës” është i pasur edhe me figura të tjera stilistike dhe me funksion të caktuar në vargun poetik. Ajo janë mbrujtur mjeshtërisht bashkë me sensibilitin lirik dhe notat e lehta meditative. Këso mënyra, ky këngëtim para së gjithash përjetohet si art i fjalës, ndërsa mesazhet plasohen në mënyrë mjaft latente.
Kjo poezi, si çdo poezi e mirë, duhet të lexohet me përqendrim në mënyrë që të arrihet kënaqësia estetike që e ofron ajo, respektivisht autori i saj.
Nga pena e Nexhat Halimit deri tash, ndër të tjerë, kanë dalë edhe këta tituj veprash letrare nga fushat e preokupimeve të tij krijuese: "Parakalimi i etjeve", "Afërsia e largësisë", "Dita e daljes”, “Truphija", "Gjeli i dylltë", "Molla e fshehur", "Prania e së dielës", “Ombrella","Vapë", "Unë me Unë”, “Njeriu me zgjedhë", "Dega e varur mbi varr", "Requiem për fluturën", "Lulja që qan","Udhëtimi në vete”, “Iluzioni i fluturimit", "Rrënjë e kaltër", "Narcis i gjakosur", "Vigma e fajkoit", "E çara në zotin" , "Shelgu somnambul", "Kotelja e artë", "Vetëtima e shpatës", "Trëndafili me zemër", "Zogu fle në çinar", etj.
Librin “Vjedhësit e hënës” e botoi SHB “Fad”, Prishtinë, 2013 dhe ka 72 faqe.