Kulturë
Baki Ymeri: Drita shqiptare e Bukureshtit
E merkure, 15.01.2014, 09:56 PM
SHQIPËRIA
E RE DHE DRITA SHQIPTARE E BUKURESHTIT
Nga Baki Ymeri
Në vend të parafjalës
Drita Shqiptare e Bukureshtit u lind në momentin kur në trojet rumune shkëlqeu një plejadë e patriotëve shqiptarë, që nga Naum Veqilharxhi e deri te Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe pasardhësit e tyre. Ishte një plejadë shqiptarësh me një dashuri të zjarrtë ndaj atdheut. Ishin shpirtërat e mëdhenj që u dogjën për gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar, një numër i madh mëmëdhetarësh të shquar që dhanë kontribut të denjë për bashkimin e kombit dhe realizimin e pavarësisë. Në kuadrin e këtij projekti publicistik jepet një fragment nga drita e mërgimtarëve që vinin nga konstelacioni shqiptar dhe shkëlqenin mbi pllajet mikpritëse të Rumanisë. Në këtë kontekst bëhet fjalë edhe për shoqëritë Drita, Dituria, Shpresa, Bashkimi etj., shoqëri patriotike dhe kulturore që e mbajtën të pashuar flakën e atdhedashurisë shqiptare në diasporë, gjurmat e së cilës i gjejmë sot e kësaj dite në Bukuresht e provincë (...)
Shqiptarët e Rumanisë dikurë dhe sot
Shqiptarët janë vendosur në vendin tonë dhe kanë hyrë në zemrën e rumanizmit, përmes korektësisë, besnikërisë, sinqeritetit dhe lojalitetit. Te kronikanët dhe historianët rumunë, hasim përmendje të panumërta lidhur me shqiptarët. Këta paraqiten, në përgjithësi, nën dy forma: “arnautë” dhe “arbënashë”. Historiografia tregon faktin se duke qenë tejet korektë ndaj misionit të besuar, është arritur në situatën që arnautët angazhoheshin pa kurrfarë dyshimi nga ana e shoqatave të rojes private, që ekzistonin në Bukuresht, deri nga vitet 1944-45. Në katalogun e telefonave, pothuajse në krejt vendin, këndej dhe tejmatanë lumit të Prutit, hasim dhjetra mbiemra familjesh si Arnëutu apo Arnëucoju. Duke patur parasysh simpatinë e autoriteteve rumune, kontributi i shqiptarëve të Rumanisë për kulturën shqiptare dhe evolucionin politik të Shqipërisë, është i hatashëm.
Shqiptarët kanë gëzuar gjithmonë mikpritje në Rumani. Para 160 vitesh, në Rumani shqiptarët kanë hartuar abetaren e parë në gjuhën shqipe. Që nga viti 1884 e këndej, këtu janë botuar themeluar shoqatat e para kulturore dhe patriotike shqiptare Në rrugën Lipskani ka funksionuar shtypshkronja e parë shqipe (1886). Nga „Drita” e Sofjes (shkurt 1904), kuptojmë se deri në vitin 1904, „shtypshkronja e Bukureshtit kishte botuar dhe shpërndarë në Shqipëri, përmbi 100 mijë copë libra e broshura”.. Në periudhën e Mbretërisë, në Rumani janë botuar veprat më të rëndësishme të rilindasve tanë. Ndërmjet viteve 1887-1938, në Brailë, Bukuresht dhe Konstancë, janë botuar rreth 30 gazeta dhe revista shqiptare. Në Kishën „Dintr-o Zi” është mbajtur mesha e parë në gjuhën shqipe (1911). Në një mbledhjen historike të 5 Nëntorit, në hotelin Kontinental u morën vendimet e para për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912). Përmes organizimit të një marshi të qetë të solidaritetit, para pesë vitesh shqiptarët e Rumanisë falënderuan NATO-n që shpalli luftë kundër luftës, për shpëtimin e Kosovës nga holokausti i forcave paramilitare serbe (1999).
Sa shqiptarë kanë mbetur sot në Rumani? Para se të krisë lufta e dytë botërore, jozyrtarisht përmendej shifra prej 40 mijë, ndërsa në bazë të regjistrimit të fundit, rreth 500 vetë. Numri i tyre është shumë më i madh, por për shkak të Oana Manoleskut, shumë shqiptarë nuk e kanë deklaruar përkatsinë etnike në regjistrim. Përse? Ngase ata janë të përfaqësuar në Parlament nga një lakmi merkanteliste, e cila nuk ka as prejardhje shqiptare, as ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit, e cila mund të përfaqësojë çdo gjë, por jo edhe shqiptarët. Është për keqardhje fakti se shqiptarët e Rumanisë gjenden sot në një situatë pothuajse të dëshpruar. Derisa Shqiptari i Nikolla Naços bën luftë për ekzistencë, fletushka e murit Miku i shqiptarit i deputetes antikosovare Oana Manolesku, kultivon kultin e personalitetit, të familiarizmit dhe nepotizmit... Shumë lehtë e ka kjo „zonjushe” 73 vjeçare t’i mashtrosh rumunët e pasherr, por jo edhe shqiptarët e konsideruar si komuniteti më besnik i Rumanisë mikpritëse.
Derisa Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, në kohën e prof. dr. Xhelku Maksutit, përveç Shqiptarit botoi dhjetra libra gjinishë të ndryshme albanologjike (poezi, prozë, monografi, broshura, fjalorë etj.), Liga e ligë e Oana Manoleskut ka botuar nja pesë vepra të parëndësishme, duke gëlltitur miliarda leja në emër të komunitetit shqiptar. Çka ngjau përgjatë fushatës elektorale? Përse nuk qe validuar kandidati i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë? Përse u validua një kandidat që nuk i përket minoritetit shqiptar? Kush manipulon me buxhetin qeveritar të komunitetit shqiptar? Kush duhet të përgjigjet për mashtrim dhe shpërdorim të besimit? Ç’duhet bërë në një situatë të këtillë? Po qe se përmes Oana Manoleskut minoriteti shqiptar ka patur një përfaqsues joshqiptar që e ka dëmtuar rëndë unitetin e komunitetit, përse mos ta ketë në zgjedhjet e ardhshme një deputet shqiptar, që i përfaqson shqiptarët e mirëfilltë, e jo ata që shtiren gjoja se qenkan shqiptarë?
Revistën Shqiptari si një nga tribunat më të admiruara të diasporës shqiptare, e kanë themeluar, botuar dhe drejtuar Nikolla Naço (1888-1903), Xhelku Maksuti (më 1993) dhe Baki Ymeri (që nga viti 2005). Kontribut për botimin e serisë së re të kësaj reviste saj ka dhënë Qeveria rumune (1993-2001), Xhemile Alia-Susliu (2001-2005) dhe ambasadorët e Shqipërisë, Leonidha Mërtiri, Dashnor Dervishi dhe, Sami Shiba, këta të fundit duke e sponsorizuar nga një numër në vit, kushtuar Ditës së Flamurit. Që nga viti 2012, këtë revistë me 50 faqe në kolor, e sponsorizon Ministria e Diasporës pranë Republikës së Kosovës.
“Shqipëria
e Re” e Bukureshtit, tribunë e zjarrtë e atdhedashurisë shqiptare
Me komunitetin shqiptar të Rumanisë jemi ndërlidhur qysh në moshë të studentërisë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, dhe atë falë profesorit tonë të ndjerë, Dr. Latif Berishës, i cili na rekomandoi të hartojmë një seminar me titullinBukureshti si qendër e kulturës dhe letërsisë shqipe.“Në rëmbat e një pjese të madhe të popullit rumun rrjedh gjaku ilir, ay gjak i bekuar i cili ju bën rezistentë, guximtarë, trima dhe inteligjentë” (N. Iorga, Shqipëri e Re, nr. 481).
Më 28 gusht 1919, në rrugën Calea Calarasilor nr. 115 bis, nisi të dalë në Bukuresht fletorja Shqipëria e Re, “Organ i Shqipëtarëvet të Rumanisë”. Del tri herë në muaj, “Ndenë drejtimin e një Komiteti”, duke patur për redaktor Ilo Mitkë Qafëzezin. Është një nga nga të gjitha 30 gazetat dhe revistat shqiptare që delnin në Rumani, që pati jetën më të gjatë (1919-1935), inekzistente në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të akademikëve të trembur të Tiranës (1985). Gazeta del në gjuhën shqipe, herëpashere me artikuj edhe në gjuhën rumune. Në nurmin e parë i jepet prioritet Viktor Eftimiut me artikullin Soarta Albaniei (Fati i Shqipërisë), të ciline gjejmë edhe në nr. 2 me artikullin Italia dhe Shqipëria (rumanisht), kurse në nr. 3 shqip. “Një Shqipëri e plotë dhe e ndihmuar prej Italisë që në hapat e parë të zhvillimit do të sihte zgjidhja më e natyrshme e kësaj çështje”. Vargje dhe shkrime tjera të Naimit, Asdrenit, Lasgushit, Kutelit, Milo Duçit, Kristo Floqit, Llukë Karafilit, M. Ciko, Ef. Kovaçi, F. Miçaço, artikuj dhe drama të Viktor Eftimiut defilojnë në faqet e gazetës që nga numrat e parë. Disa autorë nënshkruajnë me pseudonim letrar si Toska, Shtegu, Malësori, Veriu, Guri Malësori etj.
Që nga numri i parë i vitit të dytë (10 korrik 1920), Shqipëria e Re filloi të botohet në Konstancë, në shtypshkronjën Albania, duke patur për redaktor Guri Malësorin (Gjergj Bubani). Meqë I. Qafëzezi qe kthyer në Shqipëri si pasojë e moshës dhe shëndetit të brishtë, redaktimin dhe botimin e saj e marrin përsipër Mihal Xoxe dhe Guri Malësori, të cilët një vit më vonë do të theksojnë: “Gazeta jonë afron të mbushnjë dhe motin e tretë. Që kur se ryri në motin e dytë, dyke shkuar nënë-kujdesjen tonë, mundet të mburemi se është e vetëm(j)a gazetë që ka dalë në rregull, pa fjalë veç gazetës Dielli e cila ka prapa krahëvet Federatën e madhe Vatra e cila më çdo nevojë i hap qesen. Pra kur ne bëjmë këto therorësi, këndonjësit të kësaj gazete kanë për detyrë të paguajnë 100 lei, 10 fr. ar ose 2 dollarë në mot. Nuku kemi qëllim të fitojmë, sigurojmë këndonjësit, se, posa që të gjithë sa që marin këtë gazetë do të paguajnë pajtimin e tyre, gazetën do ta nxjerrim dy ose tre herë në javë dyke patur dhe lajme telegrafike nga Shqipëria. Shumë gazeta shqip kanë dalë në dritë, po të pakë janë ato që kanë dalë në regul ose që nuku kanë vdekur. Suma që mbledhim nuku arin as gjysmat e këtyre arxheve. A është e mundur pra të vazhdojmë punën që kemi nisur? Kjo varet prej këndonjësit.”
Për Shqipërinë e Re kanë shkruar për të me admirim L. Poradeci, M. Kuteli, V. Bala, R. Qosja, I. Dërmaku, Xh. Mkasuti, E. Petoshati etj. Po japim me këtë rast, për herë të parë, një prezantim të mbarë të lëndës së kësaj tribune të zjarrtë të atdhedashurisë shqiptare. Gazeta nisi të dalë pas ndërprerjes së botimit të Flamurit të Shqipërisë: “Kur u refugjatmë në Rumani më 1914, nga shkaku i trazimeve të brëndshme, edhe atëherë nuku ndenjmë reat. Formuam një komitet dhe me konkursin e zt. Hristo Kosta, Akile Eftimiu, Avram Marko, Sotir Vasili dhe Hristaq Xoxa, ngritmë shtypëshkronjën Albania (Rruga Traian, nr. 20) dhe nismë të nxjerim gazetën Flamuri i Shqipërisë, të cilën gazetë e drejtonte i ndyeri Thoma Grigori, student i Robert Kollegjit të Stambollit. Kjo gazetë dolli me rregull gjer atë kohë që ryri në luftë Rumania dhe e cila ndaloj botimin e gjithë gazetave të huaja”. (M. S. Xoxe, Shqipëri e Re, nr. 86/1922). Për Tipografinë Albania të Konstancës, fare pak gjëra dinë shqiptarët, sidomos si pasojë e dembelizmit diplomatik dhe indiferencës së kryetarëve të deritanishëm të komunitetit shqiptar. I kanë qitur në harresë edhe pasardhësit e pronarëve të kësaj shtypshkronje, dikurë të famshme. Sot e kësaj dite jeton në Bukuresht e bija e Anastas Xoxes (Maria Dreosi), si dhe nipërit e kushërinjve Xoxi që drejtonin shtypshkronjën Albania, ku e panë dritën e botimit librat e Lasgushit, Asdrenit, Kutelit, Visar Dodanit, atje ku shtypej Shqipëria e re, libra e broshura, kalendarë, atje ku kishte repart për lidhje librash, stereotipi dhe papiteri.
Kostumi kombëtar shqiptar është më i bukuri në botë
Në nr. 15, në kuadrin e artikullit Literatura albaneza (rumanisht), I. Tudor përshkruan karakteristikat shqiptare të kavalerizmit më të pastër poetik për të bukurën, “kur etnografët na thonë se kostumi kombëtar shqiptar është më i bukuri në botë. Si mund të pranojmë se populli shqiptar qenka primitiv që nuk mund të kuptojë dhe ndjejë të bukurën, kur poezia dhe literatura e tyre popullore është një thesar i paçmuar nga i cili janë ushqyer popujt fqinj apo bashkëkombasit e mi të përfytyrimeve, tabllove dhe ndjenjës poetike. (....) Vetë letërsia jonë, rumune, mund të mburet me disa figura të shkëlqyera që kanë tërhequr hullinj të thellë dhe frytëdhënës mbi ogarin e kulturës rumune. Ion Ghica, ekonomist në ballë, autori i asaj ndjeshmërie dhe bukurie të rrallë që janë letrat e tij, është shqiptar nga origjina. Dora d’Istria, rumunja e famshme, që mban emrin e lindjes, Gjika, edhe kjo shqiptare. Sot, madje edhe poeti i brishtë dhe i ndjeshëm, Viktor Eftimiu, autor i dramës së famshme “Vargëzohu moj margaritare”, është shqiptar”.
Respekti ndaj Rumanisë dhe popullit rumun
Lasgush Poradeci thekson në një studim të tij se “Shqiptarët duhet të këthehen me mirënjohje kundrejt popullit rumun dhe qeverisë rumune, për ndihmën e gjithënjëshme që kanë patur lëvizjet e tyre kombëtare. Pa këtë ndihmë, e cila ka qënë njëkohësisht morale dhe lëndore, çështja shqiptare në Rumani dhe Shqipëri nuk do kish marë sulm të fortë, themeltar, aq të nevojitur asisoj për kohët e robërisë. Nuk do kish qënë e mundur pa mbështetjen fisnike të Shtetit rumun ngritja e Shoqërive zë-mëdhaja të Bukureshtit – Drita, Diturija, Shpresa, Bashkimi – dhe të qytetve të tjera të Rumanisë, të mirëmerituara plotërisht me veprat e tyre ndaj Atdheut. Kësaj mbështetjeje i ka hije mirënjohja më e fellë e gjithë Shqiptarëve. Sepse një përkrahje e këtillë nuk i-u dha atyre as në Greqi, as në Turqi, as në Serbi dhe as në Bullgari” (Vepërimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë me Kryqendër Kolloninë e Bukureshtit, vepra 2, Onufri, Tiranë, 1999, f.144).
Në kuadrin e artikullit “Ç’detyrojmë Rumanisë” (Nr. 119/1923), Gjergj Bubani thekson: “Të rahur dhe të shtyrë nga tërë anët, me sy të prera prej dhembjes, vojtje dhe urije, të hikur natën me drojtje prej vatrave tyre, ose, prej burgjeve të sulltanit kuq, të parët “nacionalistë” Shqipëtarë gjetnë në Rumani një vënt prehje dhe një popull mik, vëlla që ua kuptonte dhembjen. Bukureshti, kryeqyteti i bukur i këtij shteti, në historinë e lëvizjes kombëtare të Rilindjes Shqiptare, është një emër i shentë dhe i shtrenjtë, se aty u ndes flaga e parë e Shqipëtarismës, e përmbajtur deri sot dhe e përhapur në të katër çipet e botës. Dhe gjith ay, Bukureshti, është qyteti që ngaj i ndyeri Plak Ismail Kemali, me një tufë enthisuasmante nacionalistësh shkoj për në Vlorë, për të ngritur flamurin e Lirisë dhe për të prokllamuar vetqeverimin e Shqipërisë” (...). Në nr. 447 del artikulli Rumania dhe Shqipëria, ndërsa në nr. 461 bëhet fjalë për miqësinë rumuno/shqiptare. Gazeta hap shtyllat edhe për letërsinë rumune.. Kështu, përveç shkrimeve të Mihai Eminescut (nr.345), apo ato të Ion Dragut mbi Shqipërinë (nr.484), hasim edhe krijime të Artur Enasescu-t (Balada e kryqit prej lisi), Joana d’Ark prej Al. Odobescut, Balada Shqiptare e poetit të famshëm George Cosbuc (nr. 387), shkrime të Iulia Hasdeut, Ion Creanges, V. Eftimiut, M. Sadoveanut, Caragiales, Emil Garleanut, etj. Me rëndësi është artikulli i C. Mureshanut, Sufletul albanez (Shpirti shqiptar), botuar në nr. 572, ato të Nicolae Iorges (nr. 481) etj.
Jorga dhe miqtë e Shqipërisë në faqet e Shqipërisë së Re
Nga nr. 398/1929 (8 dhjetor), kuptojmë se një tufë intelektualësh rumunë krijuan në Bukuresht shoqërinë “Miqt’ e Shqipërisë”. Kryetar u zgjodh z. Cezar Pascu, deputet, kurse sekretar z. Hristo Duka. Më 28 Nëntor përmbi 40 intelektualë rumunë i dërgojnë telegramë Komunitetit Orthodoks Shqiptar në Bukuresht, me qëllim që ta afirmojnë sa më tepër solidaritetin ndërmjet popullit rumun dhe popullit shqiptar “që kanë patur aq rojtje të përbashkëta si edhe për të shtrënguar lidhjet miqësie dhe vëllazërimi midis tyre”. Në nr. 399 (15/12/1929) Komuniteti Orthodoks Shqiptar i Bukureshtit përgjigjet me telegramë shoqërisë Miqt’ e Shqipërisë, duke e dinamizuar tekstin e telegramës me urimet “Rroftë Mbreti Mihai I! Rroftë vëllazërimi rumuno/shqipëtar!”, duke botuar në fq. 2 artikullin Rumunët e Shqipërisë. Një nga miqtë e mëdhenj të popullit shqiptar ishte edhe historiani i famshëm Nicolae Iorga (shq. Nikolla Jorga), autor i mbi njëmijë librave të botuar, kryeministër i ardhshëm i Rumanisë, i likuiduar në prag të Luftës së dytë botërore nga legjionarët rumunë. Sipas tij “Në rëmbat e një pjese të madhe të popullit rumun rrjedh gjaku ilir, ay gjak i bekuar i cili ju bën rezistentë, kuximtarë, trima dhe inteligjentë” (N. Iorga, Shqipëri e Re, nr. 481).
Një mik tjetër i Shqipërisë ishte Prof. Dr. Camil Mureshan, i cili nxori në dritë, në kuadrin e bibliotekës rumune Cartea sub Icoana (Libri nën Ikonë), një vëllim me fjalë të urta shqipe të përkthyer prej Dhimitër Paskos (Mitrush Kuteli) në gjuhën rumune. Është vepra e parë me aforizma shqipe në gjuhën rumune. Libri u prit me “lëvdim nga ana e shtypit rumun”. C. Muresan i qëndis një parafjalë të bukur në të cilën nxjerr në dritë rëndësinë e fjalëve të urta për të përhapur diturinë midis popullit. “Fillimi për të bërë propagandë shqiptare midis të huajve me anën e përkthimeve është shumë i mirë dhe dëshirojmë të vazhdohet”, thekson gazetari anonim në faqet e Shqipërisë së Re duke theksuar se libri në fjalë u shtyp në tipografinë Albania me shpenzimet e drejtorit Mihal S. Xoxe dhe vëllaut të tij, Anastas Xoxe. Në nr. 559 të gazetës gjejmë një mik të madh të komunitetit: Konstanti Naumescu, “të cilin e nderojnë tërë shqiptarët e Bukureshtit se është treguar ngahera patriot i nderçmë që është përpjekur për të liruar të burgosurit politikë të Shqipërisë”.
Nga nr. 51 kuptojmë se gazeta e përditshme rumune, Dimineata, që del në Bukuresht shkruan: “me shumë mundime ariu edhe ky trim dhe kryelartë popull, ne i cili gjenden edhe shenjat e vjetra e qytetërimit të kohës së Homerit, të bashkohet në një shtet indipendent në tokën e tij...I ndarë në fe dhe i përçarë, viktima e administratës dhe politikës të regjimit Turk, prapë mundi të mbrojë zakonet dhe nderin me gjithë propagandat e fqinjëvet. Rumania e ka dashur dhe e ka ndihur kurdoherë. Që nga tokat tona nisnë shumë luftëtarë patriotë për lirimin e popullit Shqipëtar, dhe shumë propagandistë të Rilindjes Kombëtare, dyke nisur me atë Dora d’Istria, emër në e cila fsheheshe emëri i vërtetë Elena Gjika (..), një shkëndi drite që ndriçoi Shqipërinë”. Një tjetër gazetë e përditshme bukureshtare është Dacia, e cila “ngahera jep lajme dhe artikulla për Shqipërinë”. Dacia ishte një gazetë rumune që mbronte edhe të drejtat tona kombëtare. Pokështu, i kanë hapur shtyllat për kauzën shqiptare edhe gazeta tjera rumune si Farul e Konstancës, Curentul e Bukureshtit etj. Një tjetër autor rumun, Ion Dragu, shkruan mbi Shqiprinë në nr. 483.
Goxhamani - memeci i Zyrës së Shtypi në Bukuresht
Me komunitetin shqiptar të Rumanisë jemi ndërlidhur qysh në moshë të studentërisë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, dhe atë falë profesorit tonë të ndjerë, Dr. Latif Berishës, i cili na rekomandoi të hartojmë një seminar me titullin Bukureshti si qendër e kulturës dhe letërsisë shqipe. Ishte janar i vitit 1971 kur erdhëm për herë të parë në këtë metropolë të bijve dhe bijave të rilindësve tanë. Falë prof. Xhelku Maksutit kemi patur nderin të njohim konzullin e Shqipërisë në Bukuresht, Nik Pema. Nik Pema ishte korçari bukureshtar që e mbante mend tribunin e atdhedashuris shqiptare, Nikolla Naçon. Ishte 80 vjeçar dhe jetonte me Elenën e tij në zemër të kryeqendrës, në Strada Mihai Voda nr. 9, në të njëjtën godinë të vjetër ku kishte banuar edhe Asdreni disa vjet. Funksionar i konzullatës shqiptare kishte qenë në kohën e Zogut. Në nr. 87 të Shqipërisë së Re gjejmë burime për të si “gazetar përparimtar që mbron të gjitha përpjekjet e Nolit ndaj atdheut”. Elena e tij mbante mend Goxhamanin dhe tregonte se Jorga kur e kishte parë, duke analizuar tiparet e fytyrës së tij, kishte thënë: “Ky mund të jetë spiun”.
Në faqet e Shqipërisë së Re, Goxhamani del si një njeri i cili s’ka punuar në jetën e tij, i cili s’është tjetër gjë në Bukuresht veçse një parazit që ushqehet nga buxheti anemik i Shqipërisë, “dyke shkuar një pjesë të kohës nëpër kafanat dhe një tjatër pjesë në Konsullatën e Bukureshtit ku bëhet muhabet gjith një soj si në kafeane. Një njeri që të jetë i zoti të bënjë punën që i kërkohet një attache de presse duhet të jetë e para punës inteligjent dhe me kulturë të zgjedhur, me karakter, moral dhe seriozitet, cilësira këto që e bëjnë të zotin të mbajë marrëdhënie të afërme me gazetat dhe gazetarët. Goxhamani s’ka kulturë dhe me cilësitë e naltëpërmenduna është i zemëruar keq.” Në nr. 560 (18/06/1934), Goxhamani fshikullohet edhe në gjuhën rumune (Suflet de carpa murdara/ Shpirt i leckës së fëlliqur): “Ekziston në Bukuresht një qelbësirë me pamje miu që vetëtitullohet Atashe i shtypit të Shqipërisë (...)”.
Subjekte të ndryshme
Shqipëria e re është një tribunë publike ku defilojnë një serë subjektesh të ndryshme shqiptare: artikuj, portete, poezi, prozë, epigrame etj. Në nr. 19/1920 botohet në gjuhën rumune artikulli Një koloni shqiptare në Basarabi. Përmendet Karakurti me 118 familje shqiptare të ardhur nga Gadishulli Ballkanik. Në nr. 21/1920, jepet një artikull i gjerë mbi Shqiptarët e Odesës, ndërsa në kuadrin e artikullit Pashk’ e Madhe në Bukuresht, Ilo Mitkë Qafëzezi përshkruan përpjekjet multisekulare të Rumanisë për dëbimin e pushtuesit osman dhe të fanariotëve grekë. “Zoti Kuza i mblodhi kallogjerët grekë dhe i flaku përtej Tunës (Danubit)...Vlerëso dhe Shqipërinë, ti o Zot i Gjithësisë, të pastrohet nga armikët, fali dritën e Lirisë!” Nga një Letër nga Jashi, kuptojmë se në Jash të Moldovës ekzistoka një koloni shqiptarësh, të cilët në emër të D. Verussit (Kryetar) dhe Hristo Verussi (Nënkryetar), “me një dashuri ndaj të shenjtit atdhe, urojnë dhe kremtësojnë ditën e lirisë” (Nr.64). Në nr. 51 (1 janar 1922), reporteri shkruan për ardhjen e Aleksandër Mojsiut në Bukuresht, për banqetin e dhënë prej Kolonisë Shqiptare për nderë të tij. Banqeti qe organizuar në sallën e mermertë të hotelit Bulevard. Shqiptarët e Bukureshtit janë fatbardhë se në gjirin e tyre gjendet ylli më i shkëlqyer i teatrit të prëbotshëm, tragjediani i madh shqiptar Aleksandër Mojsiu. Në këtë kremtim mori pjesë edhe shkrimtari i famshëm Viktor Eftimiu me zonjën e tij, Axhepsina Makri, konzulli i Shqipërisë Vasil Dogani, drejtorët e Ministrisë së Punës, Stavri Kuneshka dhe Emanoil Bukuca, filoshqiptarja e madhe, Zonja Smara etj. Kryetari i Kolonisë, dr. Spiro Maçuka dhe pas tij Vasil Dogani, “mbajtnë nga një fjalim të bukur dhe ngritnë kupat për të madhin Shqipëtar. Pastaj folnë Zonja Smara, Z. B. Branisteanu dhe sekretari i Kolonisë, poeti Asdren. Banqeti u mbarua në orën 3 e gjysmë të natës”. Nga nr. 62 kuptojmë se “të enjten pritet Peshkopi Fan Noli këtu dhe për pritjen e tij pregatitet qyteti i tërë. Mitropolia veçan(ërisht) ka marë masat e duhura”. Në nr. 65 bëhet fjalë për për Festivalin Shqipëtar të Konstancës, që do të mbahet në sallonin Isvor, me pjesën Shqiptarët, me komedinë Në telefon, me recitime poezishë, me aria dhe këngë kombëtare shqiptare, programi i të cilit do të vazhdojë pas mesnate me valle shqiptare si dhe me shumë surpriza.
Që nga korriku i vitit 1921, gazeta do të dalë një herë në javë. Në nr. 56 botohet një letër e hapur kundër Asdrenit gjoja se “punon kundër gazetës dyke thënë se nuku është serioze”, edhepse më vonë Asdrenit do ti jepet hapsirë tipografike në faqe të panumërta të Shqipërisë së re. Nga një epigramë botuar në nr. 72 (Tepelenasve dhe Elbasanasve), fshikullohet T. Zurani, Ministri i Financave, i cili i gëlltiti 5.000 dollarë që i dërgoi “Vatra” e Amerikës për viktimat e tërmetit të Tepelenës dhe Elbasanit. Në nr. 86 ballafaqohemi me prozë të bukur për Besnikërinë shqiptare, me artikuj pë Spiro Bellkamenin, për Shoqërinë “Drenovarët” e Bukureshtit dhe kremtimin kombëtar. Bëhet fjalë për krijimin e Shoqërisë mirëbërëse “Bashkimi” i dardharëve në Bukuresht. Sipas Ilo Gajos, “Më 1905 dardharët filluan një shoqëri (nën kryesinë e tij, po e cila nga arësye të ndryshme mbeti e shkretë. Më 1922 pason riorganizimi i saj, me qëllim të ndihmojnë të varfërit dhe jetimët e fshatit, të ndihmojnë moralisht dhe materialisht skolitë shqipe të fashtit”. Fjala është për Drenovën.. Më tej, artikullshkruesi vazhdon: “hapet fushata për të formuarë të parin fond dhe suma që u nënshkrua prej atyre që gjëndeshin kapërxeu të 30.000 lei. Vendoset që Kanunore e Shoqërisë të bëhen në gjuhën shqipe. Pasi u nënshkrojtën një proces verbal, mbledhja u përhap në një atmosferë enthusiasmi, (h)armonie dhe dashurie të plotë”. Sekretar i Shoqërisë ishte Ndreko Ktona.
Në nr. 87 defilojnë shkrime të A. Vançit, M. Piros, Vlonjatit, Voskopojarit. Në nr. 98 bëhet fjalë për pasurinë e Esat Pashë Tradhëtarit. Nik Pema e konsideron Rumaninë si “vend mikpritës”. Në nr. 104 gjejmë një fotografi të bukur të Nolit dhe një shkrim mbi Shoqërinë “Bashkimi i Dardharëve” me adimirimet që gëzon kjo në rradhën e komunitetit. Në nr. 107 botohet Hymni Patriotik Betimi m(b)i Flamur, vargje të Asdrenit, Lasgush Poradecit etj., ndërsa në nr. 83 dhe 99, në rubrikënm “Goja e botës”, dalin disa epigrame të sojit si: “Je poet fort i dëgjuar!/Të gjithë të këndojnë.? Po nga mosha si i shkuar/ Dhe s’shëkoj të të martojnë!” (Plaku), apo: “Priftërinjtë lozin nga belaja/ Po Xhuvan jashiku, At Xhuvan me halle,/ Nëpër tërë dasmat zu dhe na lot valle,/ Që kërcen përpjetë capi nga sevdaja! (Sfinksi). Epigrama e parë, sipas fjalëve të Dhimitër Kristeskut, e satirizonte Asdrenin që e shkriu tërë jetën për Shqipërinë, duke e sakrifikuar madje edhe jetën private, përkatësisht dashurinë: “Asdreni e kishte mëndjen te libri, e jo te gocat e këtij vëndi që ta lëvizin tepelekun e kokës.”, na thoshte Nik Pema në kohën e tij (1975), korçari i Bukureshtit që e kishte zgjedhur për bashkëshorte Elenën rumune, që konsiderohej si missi i ballove shqiptare të Bukureshtit (1938).
Në faqet e Shqipërisë së re defilojnë artikuj si Zakonet e bukura shqiptare, Kolendrat, Mbi vrasjen e Hasan Prishtinës, Pandeli Vangjeli thërret Aman lëvdomëni, Vllahia e parë dhe Vllahia e sotme, Balli i boboshtarëve, Klika e besaxhive (Nr. 548/549), Pse u vra Hasan Prishtina, Hujt pa bisht dhe Kollonia e Bukureshtit, Komedia e Bukureshtit mori funt, Fishta, Lasgushi, Koliqi (në fotografi) (551-553), Hasan Prishtina, Vagabondi Faik Konica (vizatim karikaturë), Dhimitër Pasko - Doktor Magna cum laude i Akademisë së studimeve të nalta tregëtare dhe industriale të Bukureshtit (553), Riza Cerova (artikull i Dhimitër Kristeskut), Kristo Luarasi vdiq (Nr.554), Triumfi është yni (Dh. Kristesku), Hasan Prishtina (Kosova), Tajar Zavalani me rastin e një martese, Naim Frashëri në Stamboll, Tragjedia e Tajar Zavalanit, Buban bagabondi (Nr. 565), Lajmëtari Shqipëtar, Mbi Lasgushin (Dh. Pasko), një vjershë e Ahile Eftimiut, Shpirti Shqiptar (rumanisht), Dembel Konica, një artikull mbi Hasan Prishtinën, Lasgush Poradeci sipas Mitrush Kutelit (Nr.566/568), H. Prishtina, L. Poradeci. A. Eftimiu, Noli (559). Shqipëria e Re shkruan me admirim për Gazetën Shqiptare në Sofje, Lajmëtarin shqiptar dhe Diellin në Amerikë, Vatrën dhe Besën në Tiranë. Pasojnë artikuj për (apo prej) Themistokli Gërmenjin, Dr. Ibrahim Themon, Nikolla Jorgën, Festivalin e Studentëve Shqiptarë (572/574).
Në nr. 186 bëhet fjalë për darkën e e Shoqërisë Izvorul, shoqëri kooperative e përbërë prej akcionistësh shqiptarë. “Në këtë darkë foli zoti Asdren. Darka mbajti gjer afro në mëngjez”. Në nr. 203 gjejmë burime mbi shqiptarët e Pjoeshtit. Në nr. 211 përkujtohet Themelimi i Shoqërisë Flaga, e përshkruar edhe në numra tjerë (218, 226 etj.). Në nr. 220 paraqitet Dr. Ibrahim Themo me një artikull mbi Aleksandrin e Madh. Mbi dhjatën e M. Tarpos që la pasurinë për kombin shqiptar bëhet fjalë në nr. 479. Në nr. 481 jepet një informatë mbi ardhjen e Zogut në Rumani. Një shkrim mbi shqiptarëe e Mexhidia e gjejmë në nr. 515, në nr. 531 figuron Adham Shkaba, “zemërzjarrti, ndërsa në nr. 537 jepet një artikull mbi shqiptarët e Mandricës në Bullgari. Deri tani e kemi prezantuar vetëm një pjesë të Shqipërisë së Re. Subjektet tjera pason ti bëjmë publike në njërin nga numrat e ardhshëm të revistës Albanica.
Kosova dhe imperializmi serb
Në kuadrin e artikullit Imperializmi serb, Ali Dvorani do të shkruajë qysh më 1922: “Ish nevojë të gjendej në botë një shtet sërb, që të hapet lufta e zezë e shekullit tonë, e cila solli prishjen, vdekjen dhe pocaqinë në të katër anët e horizontit. Atëherë fqinjët tanë, sërbët, lypnin përkrahjen e botës së qytetëruar, kundër imperializmit austroungar. Bota u dha përkrahje dhe i shpëtoi prej rrezikut të robërisë. Për hatrin e tyre u vranë dhjetra milionë veta, për hatrin e tyre si lumë rrodhi gjaku. Kush besonte se populli i cili pardje lypte përkrahjen e botës për të shpëtuar nga rreziku i imperializmit të huaj, do të aplikonte sot gjithë atë imperializëm? Kush besonte se hordhitë e Karagjorgjeviqëve, të cilët këtu e disa vjet më parë gjetën nëpër malet dhe nëpër pyjet tona refugjimet e ndjekura prej armikut, sot do të kërkojnë të tregojnë virtyte dhe trimëri kundër nesh?
Kush besonte se populli i pocaqisur i cili këtu dha disa vite gjeti tek ne mbrojtje dhe mbështetje, sot do të kërkojë të na paguajë mirësinë tonë duke na djegur katundet dhe duke terrorizuar bashkëkombëtarët tanë që patnë fatkeqësinë të mbeten nënë zgjedhën e tyre? Me ç’paturpësi politikanët e beligradit kërkojnë të kaptojnë viset thjesht shqiptare, vepër kjo thjesht imperialiste dhe egoiste kundër imperializmit dhe egoizmit të austriakëvet? “E drejta e të fuqishmit”. Janë të fuqishëm sot. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe nëse kjo gjë është e drejtë, atëherë drejtësia është padrejtësi. Bota e qytetëruar kuptoi imperializmin beogradian. Këtë na e tregojnë intervenimet e shteteve evropiane për të përkrahur atdheun tonë nga thonjtë e tyre. Kjo gjë na gëzon. E drejta është me ne dhe e drejta do të triumfojë një ditë”. (Shqipëri e Re, Konstancë, 29 Nëntor 1922). Në nr. 342 botohet një poezi e Asdrenit për Kosovën, në nr. 286 bëhet fjalë për Bajram Currin, në nr. 356 për kosovarët, ndërsa më 28 Nëntor 1922, në fq.2 del një protest në gjuhën rumune me titullin Un protest Albanez (Kundër Qeverisë së Beogradit): Kolonia shqiptare e Napolit, e bashkuar në mbledhjen gjenerale, i ka dërguar Konferencës së ambasadorëve një protestë kundër qeverisë së Beogradit, e cila ka shkelur të gjitha të drejtat dhe e ka invaduar Shqipërinë” (...).
Shqipëria e Re sipas Lasgush Poradecit
Në nr. 566 (9 shtator 1934), në kuadrin e artikullit Propaganda kombëtare jashtë Shqipërisë, gjejmë një studim rumanisht mbi Lasgush Poradecin. “revista kulturale Boabe de Grau që nxjerr në Bukuresht Drejtoria e Edukatës të Popullit, e redaktuar prej shkrimtarit të njohur Emanoil Bukuca përmban në numurin e saj të fundit (Nr. 3, 25/08/1934) një studim përmi L. Poradecin. Studimi në fjalë është nënshkruar prej Dhimitë Pasko (M. Kuteli) me një hyrje të shkurtër prej Z. Bukuca përmi marrëdhënjet kulturale shqipëtaro/rumune. Me qënë se ky studim na duket interesant shumë, për lëçitësit tanë po e shtypim në përkthim”. Dhe fillon përkthimi: “Rethana istorike të veçanta dhe sgjatja gjer përpara pak kohë e zotërimit turk patnë vonuar rrisgjimin kombëtar dhe kultural të Shqipërisë. Prandaj edhe letratura shqipe kulte është tepër e re, mbase më e reja në Europë. Të parat vepra më të shënuara nuk filluan të dalin veç se në pjesën e dytë të shek. të kaluar. Gjeni më i kultivuar më shpesh prej të parëve shkrimtarë shqiptarë ka qenë poezia dhe talenti i tyre ku u pat vënë në shërbimin e idealit të indipendencës kombëtare. Tre poetë të mëdhenj si Girolamo de Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta që përfaqësojnë si cili nga një vend dhe një dialekt të ndryshme, i pari dialektin e folur prej shqiptarëve të Italisë, i dyti dialektin e Shqipërisë së Jugës dhe i treti dialektin e Shqipërisë së veriut, kanë shkrojtur vepra me një koncepcion dhe vleftë poetike të naltë dhe të cilëve iu detyrohet pjesërisht ndriçimi i ndërgjegjes kombëtare.” (...).
LASGUSH PORADECI
KËNGA E “SHQIPËRISË SË RE”
(Koh’ e shkuar në Vllahi)
Koh’e shkuar në Vllahi
Ishte larë me flori
Se luftonim veç për ti,
Veç për famë-e-madhëri,
Shqipëri moj Shqipëri
Mun në qendrën e Vllahisë,
Në qytetin e Bukureshtit,
Mbiri zëri-i Shqipërisë
Si zëmbaku në mes të sheshit.
Mbiu atje ku politika
Nuku di ç’ësht helm-i-gjakut,
Ku shëndriu Elenë Gjika
E kuvendi i Naço-Plakut,
Ku i mblodhi porsi dhentë
Bijtë e Tërpo-Vasili,
Ku këndon Naim-i shentë
Duke thirur si bilbili.
O! moi kohërat e arta!
O! moj zembërzat e dlira
Me ç’gëzim ju shkruan karta
Kur ja sheh nër shoqërira:
Drita-plakë e Diturija
E Bashkimi edhe Shpresa;
Edhe Lira e Shoqërija
E Sofia Mbretëresha…
Cilado sa mund m’e mirë,
Sa m’e zjarrtë cilado;
E nër to gjith një dëshirë,
Gjith një shpresë nëpër to-
…S’rron-o! jo, njeriu i ur të,
Se kështu pat thënë Zoti,
Prandaj vdes me shpirt të gurtë
Edhe humb si pikë loti.
Humbi pra dh’Elenë Gjika,
Humbi fjal e Naço Pl akut,
Pa zu prapë politika,
Zu të rrjedhë lumi-i-gjakut:
Atëherë i ndolli dhentë
Dh’i bekoj Tërpo Va sili…
Fluturoj Naimi-i shentë
Duke qarë si bilbili;
O! moj kohërat e arta
O! moj zembërzat e dlira!
Me ç’të zi ju shkruan karta
Ndaj s’u sheh nër shoqërira.
Ju kaluat porsi hije
Kur shëndriu në terr të shkretë,
O! moj zemra shentërije
Që më s’ini atje ku qetë
Ah! q’aherë zu të shtrijet
Rëndë-e keq linçoj i zisë,
Po ka nxirë vetëdijet
Me çdo vend të Rumanisë.
Dh’u helmua Shqipëtari,
E vajtoj e prapë prej të qari
Uturiu gjith Bukureshti.
O! moj kohërat e arta!
O! moj zembërzat e dlira!
Se me ç’mall ju shkruan karta
Nër këto vështirësira.
Sepse ja, në dhe të huaj,
Një fletore zu të nis ë,
Që të jetë zëri juaj
Edhe zëri-i Shqipërisë.
Zu të nis ë duke dale
“Shqipërijëza e Re”:
Kur bën fjalë me ngadalë…
Kur godet porsi rrufe…
Sepse kjo’sht’-udh’e mbarë
E ndërgjegjse së kulluar;
Duke ngarë e duke sharë,
Edhe duke përgjëruar
E kështu shkoj mot-i dytë
E si-i treti u pat vdarë,
Moti-i katërt mbylli sytë.
Që sot nis një mot i ri,
As t’u fla keshim o Zot!
Qajmë, o-nënë Shqipëri,
Qajmë, e derdhim pika lot.
Shqipëri! Moj nëna ime:
Më ke rritur me thërime.
Shqipëri! Të qofsha falë
Të kam nënë, më ke djalë.
(“Shqipëri e Re”, Konstancë (Rumani),
29 korrik 1923
Nga shtypi humoristik i diasporës. Brumbulli (1931)
Shqiptarët janë të lëvizshëm si zhiva
Funksioni teraputik i shtypit humoristik ndërlidhet me nevojën e shpirtit për zbavitje. Fletorja humoristike “Brumbulli” delte para 80 vitesh në Bukuresht (1931/1933). Koleksioni i saj, gjendet në Bibliotekën e Akademisë Rumune. Redaktor kryesor ishte një korçar: Gjergj Bubani, ish/redaktor i gazetës “Kosova”, autor i pseudonimit Guri Malisori. Punë e çuditshme kjo e shqiptarëve! Të gjithë janë të lëvizshëm si zhiva. Pas një të shkuare të krisur, e braktisin 300 refugjiatë Shqipërinë (1991) dhe vijnë e vendosen në një zonë periferike të Bukureshtit (Tudor Gociu). Disa me vizë e disa pa vizë, disa me pasaporta të rrejshme e disa pa to, disa në këmbë disa me makinë, disa me tren e disa me aeroplan, arritën deri në Amerikë e Filipinë. Vetëm njëri prej tyre mbeti këtu: dr. Përparim Demi. Gjeti punë, e mori nënshtetsinë, dha kontribut për komunitetin shqiptar dhe familjen e vet. Falë mençurisë së tij, jeton në Ballkan, porsi një amerikan.
Dy historianë shqiptarë (Dhimitër Polena dhe Xhelku Maksuti), ua mësonin rumunëve, historinë e Rumanisë. Një kosovar (Ismet Dërmaku), shkruan për një korçar (Nikolla Naçon), dhe një korçar i palaramanizuar (Gjergj Bubani), shkruan për Kosovën. Pas kthimit të tij nga Bukureshti në Tiranë, derisa ishte drejtor i Radiodifuzionit shqiptar, autoritetet komuniste e burgosën pse i kishte bërë publike në revistën e tij masakrat serbe në Kosovë (Kosova, 1932/33). Kishte kërkuar madje, edhe pavarësinë e saj, qysh para 80 vitesh (1932). Arestimi i tij kishte ndodhur sapo kishte mbaruar lufta, kur lëvizte një miqësi e rrejshme ndërmjet Gjarpërit të Gjirokastrës dhe Shkurtabiqit të Beogradit. Për çlirimin e tij nga burgu dha kontribut një bukureshtar me prejardhe boboshtare: dr. Nikolla Xhamo, diplomati i parë i Rumanisë në Tiranë. Nominalizimi i një shqiptari për ta përfaqsuar një vend të huaj në Shqipëri inkuadrohet në spektrin e besimit të madh që kishin rumunët te arnautët e Bukureshtit.
Pos Kosovës (1932) dhe Kuvendit Kombëtar (1934), Gjergj Bubani redakton edhe një gamë gazetash tjera shqiptare, më e njohura ndër to duke qenë, Shqipëria e Re (1919-1935). Brumbulli, faktikisht ishte, jo vetëm gazeta, por edhe pseudonimi i tij. Këtë e vërejmë në shpinë të një fotografie, të vitit 1931, me do vargje humoristike, që meritojnë ta shohin dritën e botimit:
Shtatë veta, pesë gjela,
Dhe dy zoga, gjith dembela,
Që dinë vetëm të hanë,
Te Milua në mehanë,
Në k(u)adro një ditë duall,
Tek po kundërmonte shuall,
Në koliben e Qir-Nuçit,
Tyryfryçit!
Firmosin: Brumbulli, Dhimitër Kristesku, Rina Antoniu, zonjusha Ekonomu, Kapitan Shantoja, i cili u arratis nga Shqipëria në Rumani, ngase e kishte ndërmend ta vriste Zogun. Gjergj Bubani është i pari në fotografi: djaloshi me pantallona të bardha. Në bazë të fotografisë që e gjeni në luginë të këtij shkrimi, kuptojmë se të gjithë janë shqiptarë, të fotografuar para mehanes së një shqiptari në brigjet e Detit të Zi.
Brumbulli i Bubanit konsiderohej si fletë humoristike që shkruante “prej së gjithash dhe për të gjithë”. Duke bërë fjalë për shqiptarët në Rumani, Aleko Vançi boton artikullin qesharak
Dëshmorët e Thimit (Viti I, Nr.4, Konstancë, 12 janar 1931). Në zyrën e gjëndjes civile të Bukureshtit, u çfaqën një ditë Thimiu, i biri i Angjes me shokët e tij: Niska Kërçmari dhe Nuçka Mballomaxhiu. Përëndia, që s’ka tjetër punë, i kish falur Thimiut një djalë të bukur. Babai fatlum, duke patur miq të njohur gjithandej, vate t’i regjsitrojë sipas rregullit. Të gjithë ishin të rinj. Për fat të keq, “këtyre filizave të Shqipërisë plakë”, të plakur mes pleqve e plakave të Bukureshtit, u mungonin fotografitë. “Miqtë tanë ishin të atillë që, sikur të ronte profesori gjerman Wirkow (i cili, kur vizitoi muzeumet e spitaleve të Bukureshtit, e njojti prej së largu kokën e shqipos, dhe e lëvdoi përpara asistencës) e (sikur) t’i takonte gjëkundi rrugës, do t’i blinte sigurisht të gjallë, e do t’i ekspozonte në muzeumin më të madh të Berlinit”.
Thimiu sipas autorit, ishte fabrikant i alkoholit Biter. Era e mejhanes ku kish ngrysur jetën e tij, dhe era e kazanit pranë të cilit kish humbur rininë, ia kishin mpirë trutë, i kishin hyrë në palcë, dhe ia kishin skuqur hundën si piperkë. Shpeshherë e dëgjoje të shoqen e tij, duke pëshpëritur: “Mos e trettë dheu të mallkuarin që u bë sebep të përqafojnë shqiptarët e Bukureshtit, zanatin e mehanexhiut!”. Niska, një jetë të tërë ishte qymyrxhi në Greqi. I kish vetullat të bashkuara barabar me mustaqet; këto të fundit, si dy tufa preshi, i mbulonin faqet, duke i çikur veshët kllapushë. Nuçka ishte i gjatë e i hollë si selvi. “Kokën e mbante si një mollçinkë dhe suratnë të jëftitur nga lija e të bërë si fole brumbujsh”. Përshkrimet që ua bën Aleko Vançi kurbetqarëve tanë, dalin ashtu siç ishin: njerëz me halle e derte, siç dukej Cufa i Kusit, kur pat vajtur në kurbet. Ishin mahnitur sllovenët nga tirqit e tij, kur ish ulur në autobuzin që të çonte nga Lubjana në Portorozh. Nuk e dimë si dukej Bama, Çati Danit, apo Dani i Rafi Tasinit kur ishin nisur për herë të parë në drejtim të Gjermanisë! Gjysmë shekulli para malësorëve të Sharrit, dëshmorët e Thimit korçar, ishin veshur allafranga: “me tonuze, me kollara të nxira në qafë, me roba shapshalle, gjithmonë shtrembër të kapsitura, me kapella, kush më të madhe, e kush më të vogël se koka e vet”.
Me kuaj, nga Korça e deri në Vllahi
Oficeri i gjëndjes civile, i cili rrinte në një sallon të madh, me fotelje të veshura me katife, kollitet dy herë dhe i jep urdhër qatipit, ta thërrasë Thimin me dëshmorët. Me të hyrë brenda, Thimi i drejtohet ofiqarit në një rumanishte të çalë: “Ju përshëndes zoti oficer! Kam ardhur te zotëria juaj për të më kaluar në regjistrin tuaj. Jam një fabrikant i madh në Bukuresht, por kam dyqanë edhe në Plojesht. Vij nga Korça plakë dhe kam katër vjet shkollë. Kur erdha në Vllahi, erdha me një qiraxhi, ngarkuar në kalë ngase isha fëmijë”. Pas tij, vjen dëshmori i parë. Paraqitet me emrin Niskë Zgjebaraku, edhepse, emri i tij i vërtetë, ishte Nuçkë Teveqelxhiu. Sa herë që na shkruante Xhelal Gjura nga Tirana, shqiptarët që i shisnin shqiptarët, i konsideronte si “zgjebsha”. Teveqelxhiu dukej si një mushkë Greqie. Kalimera, zoti oficer! – i drejtohet ofiqarit bukureshtar, duke e përshëndetur greqisht. Oficeri i gjëndjes civile, së pari e pyet për emrin, e pastaj për rrugën ku banon. Teveqelxhiu i Nuçkës përgjigjet : Banoj te Kovaçi. Nuk po të kuptoj mor vëlla, ia pret ofiqari: Je turk, grek, kovaç apo shqiptar. Mos banon vallë në Rrugën Kovaçi?
Po, po! Ia kthen korçari i Bukureshtit: Nuk jam kovaç, por jam shqiptar. Vij nga Orhan Çifliku. Kam ikur kaçakçe nga asqerllëku. Nuk kam teskere.. Kur dëgjon se ka kaluar kufirin pa pasaportë, Thimi ngriu nga frika. Pas tij, hyn dëshmitari i tretë. “Oficeri u mërzit dh’i lutet Thimit t’i bëjë terxhumanë (përkthimin). Thimiu ndërhyn me dashamirësi. –Të pyet nga je? –Unë?...Jam nga Dardha! –Sa vjet i ke? –S’di besa. Dale t’i numëroj: 9 në Vllahi, 13 në Greqi, 8 në Anadoll, e 26 në Dardhë. Sa bëjnë këto? Dhe ja kështu, ca me të qeshur, e ca me të mveshur, merr fund rrëfimi mbi dëshmorët e Thimit, dhe hallet e kurbetqarëve tanë, që nga koha e turqve, e deri te ajo e komunistëve, që na ndiqnin pse ia hedhnim fajet sistemit, që i la pa fabrika, fshatrat e Dërvenit.
Tejmatanë shtallës, shungullonin ujërat e Përroit të Hallës
Numri 6 (20 janar 1931), i kësaj fletoreje, sjell edhe barcoleta. Më e njohura është ajo që e ka dëgjuar autori nga Idrizi Haqifit. Nuk kemi pse mos t’i besojmë, ngase ky i fundit, edhe përnnga natyra, nuk ishte qejfprishës. Ishte i buzëqeshur dhe shakaxhi. I kishte rrëfyer asokohe Aleko Vançit mbi kishën katolike të Shipkovicës, rrënjët e së cilës i gjen sot e kësaj dite tejmatanë Përroit të Kishës. Barcoleta, që mban titullin Përgjigja e priftëreshës, jepet toskërisht. Priftëresha e priste priftin, me një qejf të papërshkruar. “Jashtë në obor, dy zoq ndiqen me një mijë naze, nëpër lulet e çelura. Në dejt e priftit, vlonte gjaku shqiptar. Syt’e priftëreshës shkrepëtinin nga gëzimi. Fajet i kishte prendvera, sipas autorit të barcolestës. Prifti pyet: -Ç’bëjmë, moj priftëreshë? Hamë dhe pastaj flemë apo flemë më parë dhe pastaj hamë? – Si të duash, uratë, e pastaj hamë! ia kthen priftëresha. Funksioni teraputik i shtypit humoristik, siç duket pra, ndërlidhet me nevojën e shpirtit për zbavitje. Pse rrinë pijetoret, e mbushura me burra, ku kultivohet shpifja dhe përbuzet kultura? Pse i toleron Tirana kufomat e forumit Çamëria të kultivojnë fushatë antishqiptare, antikristiane dhe antiamerikane! Këta s’janë burrra, por dembela, që mendojnë vetëm për pela. E dini se ç’thoshte Visar Dodani për njërin prej tyre, para 100vitesh: “Shqipëtar ësht i vërtet’, po budallë sa të duash. Grindavec, nopran, sheret, ç’thot ay, duhet të thuash (dhe ti)!”.
Kur Shqipëria kufizohej me Rumaninë
(Fragmente nga intervista e Baki Ymerit e botuar në “Revista romana”, nr, 50/2007, tribunë e themeluar më nga Al. Odobescu në vitin 1861)
Marius Chelaru: Zoti Baki Ymeri, më flisni përherë me sytë e ndritur për familjen tuaj. Na tregoni diç për babain, për nënën tuaj dhe për fëmijërinë, për vendin ku keni lerë.
B. Ymeri: Më gëzon fakti që vij nga një familje fisnike e Transilvanisë, nëna ime duke qenë e mbesa e heroit Ion Rat nga komuna Band (rrethi i Mureshit), i cili ka rënë në luftë të ribashkimit të kombit. Babai i saj qe plagosur në këtë luftë dhe u shua pas një viti për shkak të 19 predhave me të cilat qe kthyer nga lufta. Kam lindur në shenjën e luanit dhe vij nga një familje luftëtarësh. Shqiptarët thonë njësoj si rumunët: Nuk kam frikë nga lufta (Nu mi e frica de lupta). Jo për luftë dua të ju flas por për dashuri. E kam dashur gjuhën amtare që nga fëmijëria, që nga koha kur i dëgjoja prindërit e mi duke folur edhe rumanisht. Nuk dua të lavdërohem por dua të ju them një gjë të vërtetë dhe realiste: shkrimtarët rumunë e shqiptarë që më kanë kanë konstatuar se jam një thesar shpirtëror, m’i kanë mbushur krahët me libra, kanë shkruar me admirim për mua. Poeti Baciut thoshte se jam jashtëzakonisht komunikativ, thuase njihemi që nga krijimi i botës. Përse? Ngase jemi të lidhur përmes do fijeve të fshehta të kësaj hapsire trako-dako-ilire. Para 70 vitesh, babai im, Ajvaz Voka, shqiptari që nën mbretërinë e mrekullueshme të dashurisë ishte në gjendje të shkojë edhe në Amerikë pas mamasë sime, e pat shoqëruar në të mirë e në të keqe, në shqetsime dhe në gëzime.
Jeni gjatë kohë në Rumani, në atdheun e mamasë suaj, Aurelia Graur. Si qe krijuar kontakti i parë me Rumaninë? Çka dinit përpara për këtë vend?
Rumania është atdheu origjinar i mamasë sime. Krenaria për të qenë shqiptar apo rumun nuk është një sintagmë folklorike. Amerikanët kanë një respekt të hatashëm ndaj flamurit të tyre, ndërsa ne? E shohim vetëm përgjatë festave. Lejojmë të na asimilohen vëllezërit tanë në Luginën rumune të Timokut, në Serbi dhe Besarabi. Erdha për herë të parë në Rumani në dimër të vitit 1971. Kur hyri treni në territorin tonë, aq i gëzuar isha saqë m’u duk se u shndërrua në aeroplan që aterizoi përnjëherë në Bukuresht, edhepse udhëtimi nga Stamora Moravica deri në kryeqendër zgjati një natë të tërë. Ç’dija për këtë vend? E dija se është një vend i ëndrrave dhe poezisë. Grigore Vieru më dëshironte “një jetë të ëmbël dhe të bukur si poezia e Emineskut” (1991), gjë e cila tashmë është realizuar.
Çka ju shtyri përveç prejardhjes etnike të mamasë që të përcaktoheni për studime të thella të gjuhës rumune në Vjenë dhe në Bukuresht?
Erdha në Rumani për ta njohur farefisin dhe për ta hartuar një punim seminari lidhur me Bukureshtin si kryeqendra e dikurshme e kulturës shqiptare. Kisha lexuar dhe kisha dëgjuar se jemi fis, e konstatova këtë gjë në të gjitha pikëshikimet, u regjistrova në Universitetin e Vjenës, ndoqa kurse të rumanishtes te linguisti Vasile Sherban, e braktisa Vjenën dhe erdha në Bukuresht duke qenë i dashuruar për fqinjen e tezes sime. Konstatova se i vetmi popull në botë, i fisëruar me rumunët përmes linjës trako-dako-ilire, është populli shqiptar. Fjalët më të vjetra dhe më të bukura të gjuhës rumune kanë bashkëpërkime të njëjta edhe në gjuhën shqipe (bukuri, buzë, gushë, bardhë, bredh, qafë, katund, vatër etj.), fjalë që vijnë nga një substrat i përbashkët i lashtësisë sonë bimilenare, trako-ilire, parasllave dhe paralatine, kur Shqipëria përkufizohej me Rumaninë. Fillova të përkthej, u regjistrova në Universitetin e Bukureshtit me një tezë doktorate për lidhjet kulturore rumuno-shqiptare, duke e patur për mentor linguistin e shquar Grigore Brënkush, i dhashë të gjitha provimet dhe referatet me notën brio. Pse? Ngase jemi trashëgimtarë të një thesari të përbashkët “që e fsheh përrallën e një lidhjeje prej gjaku/ Kur edhe zogjtë kuptonin ç’po flasim/ /Kur turmat duke u ngjitur drejt stanit/ Dhe ne kur flisnim për buzët e bukura të çupës së Danit/ Dhe bukuroheshim kur ylli i dritës/ Shkrepte në lartësi!
Kemi diskutuar shumë herë për Shqipërinë, për Rumaninë, për Kosovën, Maqedoninë, për arumunët dhe shortin e tyre. Kohëve të fundit u takova ne Jash edhe me poeteshën arumune të Shkupit, Vangja Mihanj Sterju. Si e shihni ju letërsinë e arumunëve, të minoriteteve rumune e arumune në zonat për të cilat diskutojmë?
Është një subjekt ende i pazgjidhur. Fati i arumunëve dhe rumunëve në Ballkan dhe përreth Rumanisë është i hidhur. Asimilim dhe diskriminimn, mungesë shkollash dhe kishash në gjuhën amtare, indiferencë qeveritare dhe diplomatike, mungesë e krenarisë për të qenë rumun. Ç’duhet bërë? Duhet të zgohemi ne dhe t’i zgjojmë edhe ata, që t’i kërkojnë të drejtat, siç veprojnë shqiptarët e Kosovës apo hungarezët që banojnë në zemër të Rumanisë. Kosova nuk është Kosovo siç Moldova, Krajova, Orshova apo Krushova nuk janë Moldovo, Orshovo, Krajovo apo Krushovo. Fati i botës varet nga Kosova, pa marrë parasysh faktin se ata që nuk e njohin historinë e përkrahin kolonializmin pansllavist lidhur me fatin e rumunëve të Basarabisë, Timokut apo të shqiptarëve të Kosovës.(…) Ç’duhet bërë? Duhet ndjekur shembulli i arnautëve të Tudor Vladimireskut përnga pikëpamja e trimërisë, dhe e shqiptarëve të Kosovës përnga pikëpamja e mbrojtjes së identitetit kombëtar. Derisa nga dymilionë shqiptarët e Kosovës asnjëri nuk është serbizuar, nga njëmilion rumunet e Luginës së Timokut kanë mbetur disa qindramijë të paserbizuar dhe pabullagrizuar. Përgjigja është e qartë dhe realiste: Integrim kuturor për unitet europian. T’u jepen rumunëve të Timokut po ato të drejta që ia kanë serbët dhe bullgarët në Rumani.
Diskutojmë prej do kohësh për çmimin e Nobëlit për letërsi, për faktin se Kadareja ka qenë disa herë i nominalizuar për këtë çmim dhe ende nuk ia kanë ndarë. Në opinionin tuaj ka ndonjë shkrimtar shqiptar dhe rumun që mund ta përfitojë këtë çmim?
Ismail Kadareja është shqiptari më i njohur në botë, më i njohur se presidenti i Shqipërisë. Është kandidat i katërfishtë i çmimit të Nobëlit, i vetmi që e meriton këtë shpërblim në hapsirat etnike shqiptare ku jetojnë shtatëmilionë shqiptarë (në Shqipërinë e krasitur nga Fuqitë e Mëdha më 1913, në Kosovën e dymilonë shqiptarëve, në Maqedoninë Perëndimore dhe Greqinë e veriut ku jetojnë mbi njëmilionë shqiptarë). Përgjigja duket disi e politizuar, por nuk na vjen keq. Desha të them me këtë rast faktin se numri i banorëve të Ballkanit është i barabartë: shtatëmilionë serbë, shtatëmilionë shqiptarë, shtatëmilionë bullgarë dhe shtatëmilionë grekë. Është tjetër çorbë peshku fakti se në kuadrin e këtyre shifrave regjistrohen edhe qindramijë rumunë e arumunë të cilët në kohën e Perandorisë Osmane kishin njëqind shkolla dhe shtatëdhjetë kisha, të cilat i mbyllën që nga viti 1913 e këndej sivëllezërit “tanë” të të njëjtës përkatësi fetare (serbët dhe grekët). Janë gjëra të cilat i dimë nga realiteti dhe vepra e Kadaresë së madh, i “tradhëtuar” nga ish/presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Sa u përket shkrimtarëve rumunë, pas Mirçea Eliades për të cilin thonë se e ka refuzuar çmimin e Nobëlit, mendojmë se një ditë do ta përfitojë këtë çmim Nicolae Breban apo Mircea Cartarescu, Mrcea Cartarescu apo Nicolae Breban.
Na i shpaloni disa nga projektet tuaja?
Një antologji e tretë e poezisë rumune në gjuhën shqipe, një vëllim vargjesh origjinale, një përmbledhje polemikash me titullin Kur gënjeshtrës i bien brekët, disa vepra që mbajnë titullin Rumania e zemrës sime, Drita shqiptare e Bukureshtit, disa vëllime me lirikë shqiptare në gjuhën rumune, një vashë e bukur dhe eë ëmbël si një fushë me dredhëza etj.