E diele, 04.05.2025, 11:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Pranvera Gjoni: Tonin Nikolli - ''Malli i ka rrënjët larg''

E merkure, 15.01.2014, 09:50 PM


SHFLETIM MBI VËLLIMIN POETIK " MALLI I KA RRËNJËT LARG" TË AUTORIT TONIN NIKOLLI

Nga Pranvera Drita Gjoni

Duke shfletuar vëllimin poetik " MALLI I KA RRËNJËT LARG", të autorit tashmë të afirmuar, Tonin Nikolli, ndeshemi menjëherë me larminë e temave, ku kryefjala e këtij vëllimi poetik, përcjell mall, në të gjithë gjerësine e temave të trajtuara me një format origjinal, gjetje BIO, frazologji të pasur, leksik të admirueshëm.

E gjithë ky vëllim përshkruhet nga ndjeshmëria dhe brishtësia e lartë e  autorit, fjalës tij të sinqertë, të çiltër, duke e përcjellur me një lakonizëm të admirueshëm, nëpërmjet përdorimit të figurave stilistike, ( metaforave, simbolit, epiteteve, hipërbolave, antitezave, personifikimit...etj) dhe bagazhit të tij intelektual, poezinë tek lexuesi i tij, i cili nuk është i paktë, duke ju përmbajtur faktit, të prezantimit të këtyre poezive në faqen sociale facebook, ku lexohen dhe shijohen, me një kënaqsi të veçantë.

Në këtë vëllim, të bie menjëherë në sy, që në poezinë e parë "SHTËPIA IME", ku percjell me mendim të koncentruar, filozofiko-poetik, shqetësimin real të vendlindjes së tij, për ta parë atë me sytë e shpirtit të tij projektues, një vend ku të lulëzojë mirëqënia, toleranca, vullneti, pavarësia e mendimit të lirë...dhe këto ide derdhen figurshmërisht, me njësinë matëse të pashit " në përsëritje" dhe simboleve të "diellit, dheut, lisave, qiellit"...

Duke lexuar në vazhdimësi, takohemi me dedikimin për më të hyjnishmen, figurën e nënës, " DADA TONE", ku autori nëpërmjet këtij dedikimi individual, të shumë përmallshëm, shkallëzon kujtimet e fëmijërisë duke kapur në rrjetën e tij poetike, përshkrimin naturalë të zonës së Zadrimës, ku panorama vjen e plotë, e gjallë dhe e përjetueshme. Duke na dhuruar një emocion që çdo lexues e gjen veten brënda këtyre rreshtave, ku retrospektiva zgjon kujtimet dhe rritë dozën e mallit aktualisht, duke përcjellur mesazhin në mënyrë të tërthortë, të dashurisë, përkushtimit, respektit, mirënjohjes, për atë qiell - nënë, nga bijtë e sajë.

Në pjesën e dedikimeve, që e kalojnë këtë term, hyjnë dhe poezitë " DO TË DOJA", " UNË ME TY, TI ME MUA"...etj, që absolutisht, shpalosin virtytin e mirënjohjes, butësinë e shpirtit, nostalgjinë, krenarinë e autorit Nikolli, për babanë, mikun e letrave shqipe Musa Jupolli, duke i dhënë një dimension të gjerë, shtrirjes së penës së tij. ( do ndalesha pak tek kjo poezi)...pasi të mbërthen me forcën dhe peshën e fjalës, duke përcjellur dashurinë sublime të pakushtëzuar të vëllait në gjysmën tjetër shqiptare, ku me nderim, respekt shpirtërorë, përgjithëson mungesën deri në palc të nënës Shqipëri për fëmijët e saj të ndarë nga trungu, nga familja e madhe, padrejtësisht...por, malli deri në dhimbje, nuk u shua kurrë, për gjakun tonë. Citoj:

Atdheu,

mbërthyer me kthetra krenarie,

bluan shkëmb ...

Mua për Ty.

Ty për mua.

Shpirti dhëmb ...

*

Gardhi s’ka vlerë ...!

E kanë vënë të tjerë.

Avulli vëllazëror,

kalon çdo barrierë....etj

Një gjë tjetër që të ngacmon në këtë vëllim, është meditimi, të cilën autori e percjell metaforikisht me fines dhe me mendim të konsoliduar-filozofik, duke transmetuar një lirizëm me nota poetike, të ndjera, emocionuese dhe ngacmuese për çdo shpirt njerëzor.

Këtë e gjejmë tek poezitë: "FSHEHTAS"," KOHA", "PËRPUSHEN RETË", "MBRËMË", " MA PËRKTHE ERËN", " NUK TË KAM HARRUAR", " ESHKA E LAGUR"...etj. P.sh: “përkëdhel pa fjalë, valën që tretet”...”në horizontin tënd, përpushen retë...lëshojnë shkëndija”... “ti buzëqesh diellshëm, avullon retë”...”reja e sterrtë ta fshehu fytyrën”...”gjurmëve tua, pi mallin e vdekur”...është një arsenal metaforash ku përjetohen drama emocionale të jashtëzakonshme. Kanë në përmbajtjen e tyre, një botë të papërmasë shpirtërore, ku mendimi i tjerrur hollë, thyen çdo limit të parashikueshëm ndjesor.

Në këtë dekor të mrekullueshëm poetik, vjen si qershia mbi tortë, poezia " DEKLARATË", e cila karakterizohet nga një pathos i fuqishëm poetik, që të trondit pejzat e shpirtit, për peshën e fjalës, duke e konkretizuar atë, me fakte të patjersueshme historike, ku i vihet theksi prejardhjes shumë të përvuajtur ku ka kaluar shqiptari...

DEKLAROJ

- Brez pas brezi nuk jam shuar!

Kam rilindur

sa herë më kanë cunguar!

Kam kënduar

sa herë më kanë dënuar!

Jam ringritur,

sa herë më kanë rrëzuar!

...dhe e mbyll këtë poezi, me një krenari legjitime, si pasardhës i denjë i Gjergj Gjon Kastriotit,

-Jam stërnip krenar i Batos,

Gentit,

Teutës...

duke përcjellur mesazhin gjithëpërfshirës, se bijtë e shqipes, nuk iu kanë gjynjëzuar, persekutimit, flijimit për tokën e tyre, pazareve të bëra në korriz të saj, të përçarjes, shformimit, shitjes, luftërave, kanosjeve përmanente të këtij populli nga qarqet shqiptaro-keqdashëse.

Duke mos pretenduar absolutisht, që kam arritur të përcjell gjithë potencialin real të këtij vëllimi, dua të theksoj si një lexuese e rregullt dhe njohëse e poezisë të autorit Tonin Nikolli, që ky vëllim poetik, mbartë vlera të reja për letërsinë shqipe.

Vargu vjen konçiz, duke përcjellur mendim kompakt, me një estetikë të mrekullueshme, me figuracion të bollshëm, me përdorimin e vargut të thyer, të lirë, të rimës klasike, të gjetjeve specifike, rrjedhshmërisë së admirueshme ku çdo lexues besoj gjen veten brënda larmisë të vargut të tij, pasi madhështia e emocionit, mesazhit, përjetimit, vjen thjeshtësisht e shkruar në magjinë e emocioneve të papërsëritshme.

Në përfundim:

Poeti Tonin Nikolli është një penë unike, ku çdo elementi rrethanorë, stinor, gjeografik, matematik, fizik...etj, i filtron brënda labëratorit të shpirtit, duke i ngjyer në lëngun e artë poetik dhe duke na përcjellur perla të tilla poetike, në panteonin e universit të pafund të poezisë klasike dhe asaj moderne.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx