E hene, 05.05.2025, 12:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Zog Hysenaj: Me bjeshkët nuk ngihem

E marte, 14.01.2014, 08:44 PM


N’Geg-hysen s’kej Kalasë së Lekës

-5 Cikle poetike (2)-

Nga: Zog Hysenaj

 

Me bjeshkët nuk ngihem

 

Prapë për bjeshkët e mija dua të shkruaj

E nuk po ngihem me to,

Rrugën dua t’ua tregoj reve të qiellit

të lëshojnë shiun,

Rrugën po ia tregoj përrojeve e lumenjve

Se deti e ka rrugën të shtruar dyst

e nuk ka nevojë të ecë,

Po ia tregoj shtegun erës e furtunës nganjëherë

Edhe …

Por rrugën për nga të shkoj vetë mezi po e mësoj

S’po gjejë rrugë të hapur, as shteg të lirë,

të shkoj drejtë atyre bjeshkëve të mija

të rri për qefin tim me to, në to,

Me zana të rri e me kreshnikët,

Se njerëzit rrugën e kanë harruar me kohë,

I vetëm dhe i shkretë është stani im

ku verova në fëmini,

Të shkoj t’i rrëfej rininë time atij stani

Rrënojat e të cilit s’po mund t’i gjejë

T’ia numëroj ata rrathë lisit të prerë,

Vite t’ia numëroj

E historinë ta lexoj në ata rrathë të shkruar

E të plasaritur nga kohët

Të vjetëruar nga vitet.

 

 

Aty më kini

 

Më duket se po më kërkoni e s’po më gjeni

Edhe pse përpara më kini,

Në çdo majë mali e në çdo breg lumi.

Edhe nëse s’më shihni

Shpaloni bjeshkët e mia të nalta

Tubët e dhëneve kullotave të përçukëta.

 

Dilni në Grykat e Kuqe, në Log të Kunorës,

Aty do të më gjeni ulur me kreshnikët.

Bash me Mujën do të jem aty

Ndoshta te mullinin e Qireçit, drithin bluaj

Miellin bjeshkëtarëve t’iu çoj,

Kuleçë kallamoqi më gjeni duke pjekur

E tamël dheçë jam duke trashur në kusi.

 

Në Qafën e Pipit, në Mulaj më gjeni këmbëkryq,

Ulur mbi trungun e një lisi të prerë,

Duke numëruar rrathë të lisit më gjeni,

Duke numëruar vjetë lisi, vjetë jete,

Histori lisash e histori ashtash të motshme të mësoj.

 

Në Quk t’Kuale e deri në Rodhe ndoshta

Duke lozur kukamësheftas më fëmijë,

Eeee, tani mund të më gjeni duke kërkuar emrin tim

Që e pata shkruar në kohën e rinisë në lisa

E ndoshta po shkruaj prapë emrin diku që të më gjeni.

 

Mos më kërkoni kot se nuk më gjeni,

Po nuk më thirrët me zë të lartë

E unë do të ju përgjigjem nga urëzat e kullës

Së gjyshërve të mi, në Gegysen,

Prej kalasë së Lekës do të ju përgjigjem.

 

Në Kore më gjeni më kollaj se kudo,

Te buxhili

Kur të më rreshket buza për ujë

I rrethuar në mes të çobane jam…

 

Më gjeni kudo e gjithkund, po më thirrët:

Në hije të gështenjave të kashnjetit tim,

Në soba burrash, ku bëhen kuvende,

A në dasma me sharki në dorë më gjeni:

Me këngën e Col Delisë në gojë.

 

Nuk e besoja që do të ishin

Të mira këngët

Të dhimbshme fjalët,

Të dhimbshme fjalët e trimërisë

Të dhimbshme edhe ato të dashurisë.

 

Natën vonë do të më gjeni duke shkruar,

Ndonjë vjershë, duke shkruar ndonjë poezi,

Në dritën e llomes së vajgurit jam, bash aty,

Ndonjë këngë duke kënduar për gjyshërit,

Hysen-makajve të mi.

 

Kudo do të më gjeni

E në mes të gjithëve do të jem, me ju,

Vetëm më thirrni.

 

Nëse qaj, ju zërin do të ma dëgjoni

Zërin e vargjeve të mija e lotët e mia

Do t’i prekni…

 

Me erën do të vi te ju, nëse jam larg

Me Shkëlzenin nën sqetull do të jem,

Me Valbonën për dore,

Hije në hije e kodër më kodër,

Livadh në livadh e qafë në qafë.

 

Do të më gjeni duke fluturuar qiell më qiell,

Me Hënën për dore, do të kërcej yll më yll

Vetëm më thirrni e aty do të jem,

Natën për hanë e ditën për diell.

Në Kodër të Gjytetit kur të ulem

E zërin tuaj ta dëgjoj

Në shpellën e shqipeve do të shkoj e të futem

E atyre hallit tuaj do t’ia u tregoj.

 

Janë ato dy shqipe Gegyseni shumë të vjetra,

Sa mend nuk mbahen se kur erdhën aty, të dyja

Shqipe-shqiponja, simboli i shqipes me dy krena

Kurrë s’u muar vesh cila është e ëma as e bija.

 

E tash…

Më gjeni më kollaj se kurrë

Përtej telefonit jam në pritjen tuaj

Një “alo” pres që edhe po s’më patë

Zërin të ma dëgjoni

E më pas për kafe nëse më ftoni…

Këmbëkryq të ulemi si moti e të tregojmë

Si erdhëm deri këtu

Nga i ramë e sa shekuj bëmë…

 

-2010, në Tropojë-

-------------

 

MALET

 

U mblodhën malet e malësisë së Gjakovës

Grumbulluan lotët, që qanë për kreshnikë,

I bënë gurra, bënë lumin e Valbonës

Valbonë i mbeti emri i vendit ku është nisë.

 

U mblodhën malet e Malësisë së Gjakovës

Në kokë kapuçat e stinës së dimërit,

Kapuçë të bardhë, ba prej flokëve të borës

Shkrihen, bëhen ujë me pi banorët e vrrinit.

 

U mblodhën malet e lëshuan kushtrimin

Të gjithë njëri-tjetrit i thirrën me za,

U bashkuan lumenjtë dhe e bënë Drinin

Aty ku bashkohen, aty i thonë, VA.

 

U mblodhën malet dhe u bë kuvendi

Prej atyhi, ku e sheh gjithë Malësinë,

Kryemali e vendosën të jetë, Shkelzeni

Krenar rri gjithmonë Vendshenjëti ynë.

 

Doli prej fundmali atëbotë Valbona

Dhe e nisi rrugën Lugit të Malsisë,

Në duarë e pinë ujin t’bukurat çika tona

Ngjyrë bojqiell valbone, syri t’iu shëndrisë.

 

Kudo ato qafa që bashkojnë malet

Gjithmonë shtigje rruge për kalimtarët,

Aty ku prore zanat hodhën vallet,

Aty na lindën dhe u rritën baballarët.

 

 

N’gropë t’lahutës flë lashtësia

 

N’tokë të zotit na lindi nëna,

Në ninullë të trimërisë na përkundi,

Vjeshta e dimra e mjergullnaja,

N’dimëra t’egër jeta na shkundi.

 

Pushka mëshef në mure t’kullës,

Ninullë nanash vjen ushtima

Fjalët zjarr dalin prej grykës,

Hasmi s’ngihet tue vra trima.

 

N’grop t’lahutës flë lashtësia

I trazon përherë kujtimet

N’ball t’rapsodit udhës dhimbja

N’trok baladat, vargëzimet.

 

N’kali t’Mujës udhëtojnë

Shtrëngue fort për jele t’bardhë

Qindra vite nuk pushojnë

Shëmb krajli n’Kosovë me ardh.

 

N’luftë me pa fytyra trimash

Lot prej nane ashtat hukatin,

Bubullojnë barut martinash

Përmbi hasmit po vikatin.

 

Dukagjin, mbaje burrninë

Trimërinë e bëjnë luftëtartë,

Trashëgim gjithmonë djelmninë

Bani kangë me i kndue kangtartë.

 

Vëzllon bjeshka me diell t’ri

Në mëngjesin e pranverës,

S’ka jetë kombi pa rini

Kthejllt si loti uji i bjeshkës.

 

O Shkelzen me shpatulla kuarci,

Mbajma peshën që kam mbi supe,

Plag luftëtarsh ma randë se guri,

Që ranë nëpër prita lufte.

 

Junik, shkrove historinë,

Faqe t’reja me gjak shkrue,

Sikur t’part’ për Dardaninë,

Histori, plot shekuj shtue.

 

N’gur e plisa përmendore

Dhimta e ashtit ende gjallë,

Ende gjallë edhe n’memorje

Ajo tok prej t’huajve kallë.

 

Gra e f’mi ikin prej shpisë

Tym po del prej fundit t’tokës,

Nën xhaketat e UÇK-së

Përpëlitet shpirti i Kosovës.

 

-Më 5 gusht 2013-

--------------

-Per ZSh-në, nga Tirana, Janar 2014-



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx