E hene, 29.04.2024, 12:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Anila Xhekaliu: Poezia ose fyelli i gjallë

E diele, 12.01.2014, 02:01 PM


Autor në “Obelisk”, Nexhat Halimi

Poezia ose fyelli i gjallë

(Nga botimet “Buzuku” Kosovë)

Përgatiti Anila Xhekaliu

Letërsia kosovare kulmon në vitet `60 me rilindjen, ku mund të themi se kemi të bëjmë me avantgarde në letërsinë shqipe për vetë specifikat e këtij termi letrar. Nexhat Halimi, 1949, është njëri nga zërat e fuqishëm të poezisë moderne në Kosovë, krijimtaria e të cilit ka ngacmuar vetëdijen kritike me veçantinë e saj unike të ligjërimit poetik e cila për Sabri Hamitin është “ligjërim i ashpër dhe i dhembshëm në të njëjtën kohë, i kapur për ashti të fjalës e të ligjërimit, poezi që përmban në vete ethet e kohës”.  Mensur Raifi thekson se vjershat e Gazmend Papës (Nexhat Halimit) janë margaritarë të vërtetë poezie - kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet,  me strofa e rima të caktuara, të rregullta,  si dhe krijimet në varg të lirë  – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një - tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.   Ramadan Musliu e sheh si shpalim të fotografisë personale, ku janë lidhur e gërshetuar imazhe të shumta, ide, reminishenca, të gjitha të dhëna me ligjëratën e reduktuar, të kursyer dhe eliptike deri në atë masë sa nga imazhi mbetet koloriti, kurse nga ideja thelbi kuptimor. Studiuesi Ali Aliu vë në pah momentet asociative që nxisin njëra tjetrën, harmonizohen në shumë aspekte duke krijuar një tërësi... Poezinë e këtij autori me talent e kreativitet të gufueshëm, i cili, që me librin e parë premtonte një poet të rrallë te ne,  Beqir Musliu  e apostrofon  -  sintetizim të përvojës krijuese bukur të çuditshme,  të cilën e mban tërësia si element mjaft funksional dhe të harmonizuar. Xhemail Mustafa shkon deri në vetëdijen krijuese të autorit kur thotë se ajo është ndërtuar mbi parimin: “S` dua të ligjëroj për botën, idetë dhe format e ndryshme, por synoj t`i krijoj ato në vetë ligjërimet, të marrin shpirt në fjalë dhe njëkohësisht ta shpirtëzojnë fjalën.” Jusuf Buxhovi gjen tek kjo poezi të sintetizuar me sens krijues tërësinë brenda tërësisë, vështrimin brenda vështrimit dhe hulumtimin brenda hulumtimit, që frytin e vet e ka të individualizuar fund e krye me një gjuhë unike. Për Prend Buzhalën është njëri nga modernët e rilindjes moderne në Kosovë. (Pikërisht në vitet `60 kur poezia shqipe shpalohej me një shprehje të re, ekspresive, imagjinatave dhe tejet figurative, me përfaqësuesit më të denjë: Dedaj, Shkreli, Gunga, Gjerqeku, Mehmeti, Ujkani, Dërvishi, Podrimja, Gajtani, Kërveshi... etj).  Poezia e Nexhat Halimit është fyell i gjallë, thotë  Teki Dërvishi  dhe shton se “Ai në tekstin poetik kultivon shijen e masës, ta bëjë shprehjen sa më koncize, sa më të mprehtë e sa më të përmbledhur në kuptimin e saj qoftë simbolik, qoftë metaforik”.  Ndërsa për Nehas Sopaj, ai është poet hermetik, ithtar i gdhendjes maksimale të vargut, luftëtar për formalizim  të poezisë. Për Abdullah Zenelin, botues i disa veprave të tij, poezia moderne shqiptare nuk mund të kuptohet pa Nexhat Halimin. Tingëllimat e tij pasqyrojnë majat e mjeshtërisë së vargëzimit, rrinë me vargun e bardhë maestral në çdo analizë e rrethanë. Ligjërimi më experimentues që ekspresivitetin e mbart në formë, përmbajtje për të shpaluar universin e tij poetik dhe tematik të ndërthurur me një botë sa individuale shpërfillëse, aq kolektivisht të ndërgjegjshme.

Ka udhëtuar me libra, e ka kaluar kufirin absurd mes dy trojeve shqiptare disa herë vitet e fundit në panairet vjetore të Tiranës, por askush nuk e ka vënë re, asnjë lajmërim në media nuk e gjen për praninë e librave të tij, krejt sikur nuk ekziston një emër i tillë në letërsinë shqipe, krejt sikur ai të mos jetë autor i 16 librave me poezi, 16 etnive, i tre librave me tregimeve, i dy romaneve, i tre librave me poezi për fëmijë, i katër dramave për fëmijë, një mozaik perlash që daton në vitin 1969 me “Parakalimi i etjeve” gjer te libri i fundit i publikuar më 2012 “Dritarja me pamje në lumë”. Si mundet poetin t`ia fshehësh, heshtësh e ndalosh kombit të vet për kaq shumë kohë të gjatë?! Është klithma që më gjëmon ndër vete. Lëvrues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra  gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë

100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane  “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”. Është deri e pamundur  të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë.

 

Cikël poetik nga Nexhat Halimi

 

ulliri në hi

 

prek hirin dhe ndiej frymën e zjarrit

pikën e gjakut nga pik prej plagës

e kafkës qet krye rrënja dhe ik lart

për palcë trungu ngjitet nga dega e vet

majë dege farfurit mollë e mishit tim

 

e më dhemb ti e pëlcet vetëtima

e më dhemb gjiDheu e pëlcet ulliri

e më dhemb deti e pëlcet qielli

 

dhemb atDheu kokë në majë shtizë

dhemb atDheu zog në flatrim ëndrrës

e derdhet për hundë e gojë gjak i fjalës

e poeti me vdekje në zemër digjet

 

mes hënës mbi det e ullirit në hi

veç zjarri mund të këndojë fedora

 

 

ma more zjarrin ma le etjen

 

ra nga dega molla e përgjysmë u ça

 

mbet veç heshtja kurrë e paNjohur

një dizgë nga shndërrohej në gjarpër

t`i lidhej jashtë e brenda trungut

 

asgjë s`u dëgjua më nga kroi im

veç pikëllimi i degës e vaji i gjethit

`i zog në përplasje të verdhë erës

 

ulur mbi rrënjën e mollës i verbër

seç m`i ngrinte dejtë zjarr i vjetër

syrit më binte hëna në floknajë gjaku                  

e plagës së përjetshme ndizej ëndrra

 

zot pse ma le veç etjen zot im

 

 

këlyshët e mirë

 

vetmia çel lulen e vet të zezë e digjet

 

as gjethet tunden mbi dritaren e mbytur në natë

as librat lëvizin as dashuria e ndo`i sharje në fjalë

            në gjakshkrimin e shpirtit të varur

 

as krahët e fajkoit mbi dollap s` hapen në ajër

 

lëviz veç e vetmja pikë gjaku nga ashti i thyer

për të mbetur fjala nga digjet në kryengritje

e flutura e verdhë ëndrrës mbi flakën e qiririt

e `i vibrim shpirti kujtim për zotin e poezisë rr d

në qefin nga kthehet në atdhe mes qensh

 

ja nga e lehin dhe hijen e vet frikës ksenofobe

ç`akrobacione bëjnë tash ngaqë ndërruan padronin

mund të mos ngelin më këlysh të mirë të vjetër

 

vetmia çel lulen e vet të zezë e digjet

 

 

trëndafili i kafkës

 

shiu i syrit kaq vjet pik në varrën e gjallë

ta zgjojë trëndafilin e rrënjës së fjetur

 

ti e unë i binin fyellit të harruar të ashtit

me fytyrë nga qielli i rënë  `i pëllëmbë mbi hi

me gishta të gjelbër nga dhembja e këngës

nën pikë të fjalës nga pik etjes së vjetër

 

ndërmjet mbiu pyll i dendur i paNjohur

 

as gjeja kokën as gjeje dorën e digjej ylli

urës me harqe kërkonim syrin e humbur

e zjarri i njëjtë tremijë vjet në asht shfaqej

e gji yt i majtë pik në gur tambël e gjak

 

veç ta zgjojë trëndafilin e kafkës nga ëndrra

 

krejt të gjelbër nga dhembja e këngës

nën pikë guri nga pik gjithësisë së etjes

 

 

hi yti

 

kurrë s` ngjau ajo që pritej të kthehej

 

qerrja kaq vjet digjej mes fushës memece

lulja kaq vjet priste shiun e syrit të gjethojë

e flutura pezull mes hijes së vet e qiririt

 

kurrë s` ngjau ajo që pritej të kthehej

 

zogjtë e prisnin qiellin e qelqtë për zemër

ndërmjet pikte gjak në rrënjët e ëndrrat

kodrat përplaseshin pikës së ujit e zjarrit

 

asgjë s`i ngjante yllit më e yll mitik qe

hi yti njëjtë me valixhen e vjetër të lëkurës

e endte zemrën e shpirtin fundit të botës

 

ja tash unë veç cung mes plepit dhe pusit

tremijë vjet mjekërbardhë i djegur nën hënë

e hëna e vdekur fund syrit në kafaz

 

 

shfaqja me dy hije e një qen

 

ora në vete pik pikën e gjakut në huti

 

ja ra dhe gjeth i fundit i ëndrrës në qiri

hija e flakës mishëron figurën e fluturës

e as ka flutur as qiri ka veç grahmë

 

hënë e verbër luhatet mbi degë

e në kroin e rrënjës digjet trungu

 

çdo gjë bie në mua ik ik e prapë vjen

përbiron paepur dete male e përgjakur

në netët e acarta të krijimit të zjarrit

ja fedora unë krijuesi yt dhe robi yt

kaq herë të vras dhe kaq herë të kthej

në të njëjtën shfaqje me dy hije e një qen

me ashtin e gjithësisë sime në gojë

 

çdo gjë megjithatë është reprizë hiri

kot pse e shpik fjalën e e vë mbi plagën

tremijë vjet pik pikën e pashëruar

 

 

vaj për  fedorën

 

pëlcet vetëtimë papritur liqenit të qiellit

e fajkoi ik kthehet ik mbi vigmën e vet

bie pisha në shkëmb e zemrën e merr flaka

 

      syri yt a qe gjaku im a qe zjarri vaj

 

syri yt nuk qe liria fedora syri yt liqen

nën qerpikë pishash të rëna dritë mbi ujin

syri yt robëria ime qe fedora zinxhiri

 

tash kaq i verbër e kërkoj veten në erë

mes të të pastrehësh në sheshe të ndyra

me zemrën time të vogël në dorë

 

syri yt nuk qe liria fedora vrasja ime qe

ylli i ngrirë mes netësh të prera në vetmi

 

 

nofullës së ujkut

 

natë e verdhë mbi kafkën e vet të thyer

hënë e verdhë në degën e tharë mbi pus

e `i tjetër hënë fund ujit në flakë

 

çdo gjë e verdhë me hije të vdekjes

në kalë të argjendtë të ngritur kas

mes tiktaku të pikës së gjakut brenda meje

e therjes së gjithësisë fund fushës së syrit

mes etjes së shpirtit në perin e imagjinuar

ende nga e  mba` mollën e kuqe pezull mbi hi

ulërimës së verdhë të nofullës së ujkut

 

udha nga humb pyllit e prapë shfaqet

 

ti do të vish patjetër te guri i vjetër

mbi të cilin i lajmë për herë të fundit yjtë

për rrënjën e lules së gjakut nga digjet



(Vota: 156 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora