E marte, 07.05.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Brena grilave

E merkure, 08.01.2014, 08:21 PM


BRENDA GRILAVE

Nga Ryzhdi Baloku

Gjatë natës së mbrëmshme Sokoli s’vuri gjumë në sy. Kjo natë s’ishte si të tjerat, kësaj here i dukej më e gjatë. Posa ra në shtrat për të fjetur, mendtë filluan t’i flatronin në një shtegtim të pafund ku askund nuk gjenin prehje. Kujtesa për Trimin ia shpërndau mendimet si tufë mëllenjash, të cilat pastaj morën dallgë si deti kur trazohet. E nesërmja ishte ditë vizite që u bëhej të burgosurve, ai me familje për herë të parë do ta vizitonin Trimin në burg. Nga mendimet e shumta që i vërtiteshin në mendje e se lenin të qetë, i gumëzhinte koka si koshere bletësh. Ky trazim shpirtëror i zgjati pothuajse gjatë tërë natës që shkoi. Dikur vonë, atëherë kur nisi të zdritej dhe filluan të këndojnë gjelat, pas shumë përpjekjesh për të fjetur, Sokolin e zuri gjumi.

Me agimin e ditës moti nisi të ngrohej pas shfaqjes së diellit në horizont, e pak kohë më vonë filloi të ndjehej edhe vapa. Kur rrezet përcëlluese arritën në dhomë deri te shtrati ku flinte me të shoqen, Sokolit i doli gjumi. Ndonëse ndjehej përgjumshëm, megjithatë vuri re se e shoqja Zoja s’ishte në shtrat, gjykoi se ajo ishte zgjuar më herët për t’i përgatitur ushqimet që do t’ia dërgonin Trimit në burg me rastin e vizitës së paraparë për këtë ditë. Meqë qëndrimi i mëtutjeshëm aty u bë i padurueshëm, Sokoli u detyrua të largohej nga kjo dhomë edhe pse ende i flihej. Pasi e lau fytyrën me ujë të ftohtë dhe i veshi rrobat, u drejtua në kuzhinë për ta pirë kafenë e mëngjesit. Dera e kuzhinës qëndronte hapekrah, Sokoli e pa të shoqen atje duke punuar pranë shporetit, dhe posa u fut brenda i tha:

- Qenke zgjuar herët grua, a ke pirë kafe?

Ajo e ktheu shikimin me një lëvizje të lehtë, e iu përgjigj:

- Jo, vetëm nuk më pihej, prita që edhe ti të zgjohesh dhe së bashku me Tringën t’i pimë kafetë bashkë, tani vjen edhe ajo. Pak më parë shkoi në dhomën e vet te djali për ta parë se mos është zgjuar.

- Zojë, po si e kalove natën, a fjete mirë? - e pyeti përsëri, por kësaj here me një ton më të butë.

- Kurrqysh more Sokol, tërë natën e lume s’kam fjetur duke u kujtuar për Trimin. Zemra po më digjet kur ai po më bie ndërmend, e shkretë po me duket shtëpia pa të, pa gëzimin e jetës sime - iu përgjigj ajo me një timbër pikëllues.

- Mos i fol këto fjalë gruaja ime e urtë, sidomos në prezencë të Tringës, se e bën të mërzitet, - ndërhyri Sokoli me ton këshillues për të vazhduar: - Biri ynë s’ka vdekur që ta vajtojmë, madje është i fortë si shkëmbi, jam i bindur se do t’i përballojë të gjitha  sfidat. Pos kësaj, kam një parandjenjë se lirimin e tij me shokë do ta përjetojmë më shpejt sesa që mendojmë, këtyre punëve s’u dihet kurrë sesi do të përfundojnë. Një popull që e do lirinë s’mund të mbahet përgjithmonë në pranga. Një ditë, ky shtet do të detyrohet ta ndërrojë këtë politikë dhune. Tek e fundit, nëse biri ynë do ta mbajë dënimin për aq kohë sa ia kanë shqiptuar në gjyq, s’do bëhet kiameti, kur të lirohet atë ditë, do të dalë faqebardhë, të gjithë e dinë se veprimtaria e tij me shokë s’ishte për veten, por për këtë popull.

Zoja deshi t’i thotë: “Emocionet e nënës janë ma të ndjeshme sesa ato të babait”, por mbeti pa ia dhënë përgjigjen, ngase u dëgjua zëri i Tringës që përshëndeti:

- Mirëmëngjesi babë.

- Mirëmëngjesi nuse, - iu përgjigj ky me një timbër hareje, edhe pse në veti nuk ndjehej i tillë.

- Nënë a t’ju qes kafetë? - pyeti Tringa, në çastin që e drejtoi shikimin kah ajo.

- Jo bija ime, gati janë të zihen, - ia ktheu Zoja duke bërë me dorë që ajo të ulej, si shenjë e shprehjes së dashamirësisë ndaj saj.

- Kishte qenë mirë që kafetë t’i pimë në odën e pritjes, - ndërhyri Sokoli.

- Ani Sokol, posa të bëhen gati edhe ne do të vijmë atje - i tha Zoja.

Kur kafja gufoi, Zoja e hoqi xhezven nga shporeti dhe pasi e zbrazi nëpër filxhanë që i kishte pranë, Tringa u ngrit me vërtik nga vendi, mori tabakanë për t’i bartë në odë të pritjes. Së pari e shërbeu vjehrrin, Sokolin, mandej u kthye lehtë kah Zoja, e cila gjatë kësaj kohe zuri vend në krahun tjetër të kanapesë, ndërsa filxhanin e fundit bashkë me tabaka e la për vete në dysheme dhe shkoi përsëri te i biri që ta shohë në dhomën e vet ku ishte duke fjetur. Me t’u kthyer e solli të birin me vete bashkë me djep për t’ia vazhduar gjumin, ngaqë në këtë kohë të ditës këtu ishte më fllad sesa në dhomat tjera.

Derisa i pinin kafetë asnjëri nuk fliste, kundronin në heshtje. Çehren ua kishte mbuluar një hije e rëndë. Si duket, të gjithë kishin rënë në kujtesë dhe secili në vete bluante diçka në kokë. Këtë atmosferë të heshtjes e theu Sokoli, kur iu drejtua të shoqes:

- Zojë, koha po ecë me vrap, sillmi ushqimet që t’i masim me peshore, se administruesit e burgut s’do të na pranojnë asnjë gram më tepër sesa që është e lejueshme me normat e tyre. Ma mirë është që ne t’i përzgjedhim gjërat e nevojshme, sesa t’iu bëjmë të mundshme që ata për qejfin e vet ta zvogëlojnë peshën e pakos.

- Mirë e ke Sokol, edhe vetë e di nga përvoja, kur asokohe ta sillja pakon me ushqime në burg, ata m’i hiqnin gjërat më të mira që ishin aty, - iu përgjigj kjo për t’ia miratuar propozimin e drejtë.

Derisa me të shoqen i paketonin ushqimet për Trimin, e reja Tringa i shikonte në heshtje.

Me të përfunduar paketimin, Sokoli tha:

- Zojë, ç’u bë që s’erdhën bijat e shtëpisë. A e dinë ato që sot është vizita?

- Po more Sokol si nuk e dinë edhe atyre po iu digjet zemra për vëllanë. Por, e gjora unë e gjora, krejt paskam harruar të të tregoj se ato më kanë çuar fjalë qysh dje, i kishin thënë Gonxhes, fqinjës sonë, se do të na presin te ndërtesa e burgut, ngase prej shtëpive të veta e kanë më afër, - u përgjigj, pasi e kapi kryet me dorë në shenjë harrese.

- Meqë ato paskan vendosur të shkojnë drejt atje, atëherë edhe ju mos u vononi për t’u përgatitur, se pakon duhet dorëzuar para se të fillojë vizita. Sokoli u ngrit në këmbë.

- Unë jam gati, - u përgjigj Zoja, duke e hequr përparësen nga trupi, të cilën e palosi në sirtar të komodinës që ishte në dhomë.

Edhe unë jam gati, - ndërhyri Tringa.

-           Atëherë të nisemi menjëherë, tha Sokoli dhe e mori pakon në duar.

Pas pak çastesh dolën jashtë, dhe pasi e mbyllën derën e oborrit me çelës, ngarendën me ecje patozit të sokakut teposhtë.

Rrugës, aty-këtu shihej ndonjë kalimtar i rrallë. Nga vapa e madhe që mbretëronte në ato orë të ditës, frekuentimi nëpër rrugët e qytetit zvogëlohej dukshëm.

Për t’iu shmangur rrezeve përcëlluese të diellit, Sokoli me të shoqen dhe të renë përpiqeshin për të ecur andej kah kishte hije, që ta lehtësonin përshpejtimin e lëvizjes.

Kur u afruan te ndërtesa e burgut prej së largu Sokoli i pa të dy bijat e veta. I ngazëllyer që i vërejti, e  ktheu shikimin kah e shoqja Zoja, e i tha:

- A po i sheh? Shpresa e Vjollca paskan mbërri para nesh!

- Po Sokol, shumë u gëzova kur i pashë, - ia ktheu ajo, pasi e përshkoi jakën e bluzës me gishtin tregues përreth qafës, me qëllim që të çlirohej nga zagushia, e cila ia kishte ngushtuar frymëmarrjen.

Në këtë mot të nxehtë edhe Tringa e ndjente lodhjen nga bartja e peshës së të birit që e mbante ngryk, megjithëkëtë që të mbërrinin me kohë ecte përkrah vjehrrës pa i ngadalësuar hapat për asnjë çast.

Kur arritën aty, pos bijave të veta, vërejtën edhe praninë e një grumbulli njerëzish, të cilët ishin familjarë të të burgosurve tjerë që kishin arritur më herët se këta. Disa prej tyre ishin renditur njëri pas tjetrit për t’i dorëzuar pakot sipas radhës që e kishin zënë. Pas një kohe jo edhe aq të gjatë të qëndrimit në atë vend, u dëgjua një gërvimë e shkurtër. Të gjithë që ishin pranishëm si me komandë e kthyen shikimin përnjëherë kah dera prej metali, e cila u çel në atë çast. Pas derës vërehej korridori i gjatë që shpinte në një zyrë, dera e të cilës qëndronte e hapur. Aty brenda shihej një vagë e vënë përmbi një tryezë druri. Dihej se me atë pajisje i peshonin gjërat që ua sillnin familjarët të burgosurve.

Kur Sokolit i erdhi radha për ta dorëzuar pakon, në të cilën e kishte shënuar me germa shtypi emrin dhe mbiemrin e të birit, iu kujtuan çastet e dikurshme të asaj kohe kur ishte në burg, sesi Trimi me të tjerët nga familja i vinin në vizitë, ndërsa tash ajo ngjarje po i përsëritej, por në rolin e kundërt, ai brenda grilave e ky jashtë. Këtë kujtesë të Sokolit ia ndërpreu zëri i gardianit që kumtoi:

- Pesha e pakos është në masën e lejueshme, ndërkaq tjetri që ishte pranë tij, i zbrazi të gjitha gjërat në syprinë të tryezës që të kontrollonte se çfarë kishte brenda. Kur e kreu këtë procedurë i ktheu ato në vend, ngase s’gjeti asgjë që s’duhej të kishte aty, pastaj u kthye kah Sokoli e i tha: “Shok, tani je i lirë të shkosh”.

Pasi e përfundoi dorëzimin e pakos, Sokoli u nis te vendi ku pritej për vizitë, kur arriti aty, me një zë pëshpëritës e shoqja Zoja e pyeti:

- Sokol, mos hoqën ndonjë send nga pakoja.

- Jo grua, çdo gjë shkoi në rregull, - iu përgjigj me të njëjtin ton.

Pas pak çastesh, nga dera e njërës prej zyrave doli një gardian, i cili nisi t’i lexojë emrat dhe mbiemrat e familjarëve të cilët më parë e kishin paralajmëruar vizitën. Sipas radhës, të ftuarit nga lista duhej të kalonin nëpërmjet një dere në korridorin tjetër që ishte i ngushtë e i gjatë, ku kishte një numër të konsiderueshëm dritaresh pa xhama, kanatat e të cilave ishin të thurura me rrjeta çeliku, nga vrimat e të cilave s’mund të depërtonte as zogu. Në anën tjetër të dritareve ishte oborri i burgut. Të burgosurit i sillnin në oborr të komunikonin me familjarët që qëndronin në korridor në anën e kundërt të këtyre dritareve me grila.

Në të dy anët e sipërfaqes së hapësirave të ndara qëndronin gardianët e burgut të veshur me uniformë të ngjashme me ato të milicëve. Aty ku gardiani nuk e dinte shqipen, zakonisht e urdhëronte të burgosurin të komunikonte me familjarët e vet në serbisht. Me këtë rast, edhe roja që e shoqëronte Trimin ishte një nga ata gardianë burgjesh që pos serbishtes s’dinte ta flasë asnjë gjuhë tjetër, apo ndoshta paraqitej si i tillë.

Me t’u afruar te grilat e asaj zbrazëtire të murit ndarës përmes të cilës komunikohej me të burgosurin, Tringa mori djalin dhe e mbështeti për rrjetën e çeliktë, që Trimi ta shihte nga afër të birin se sa ishte rritur. Për pak çaste kurrkush nuk foli derisa bisedës ia nisi Trimi, që tha:

- Për mua mos mbani gajle, as ti lokja ime, dua ta dini se asnjëherë më parë s’kam qenë më i fortë se tash, vetëm ju mos u brengosni.

- S’kemi përse të mërzitemi, s’ke rënë në burg për punë të këqija, të gjithë e dinë se ky vend është për burra, - ia ktheu Sokoli me një zë të ulët.

Me të dëgjuar se këta po flisnin shqip, roja iu drejtua  Trimit në gjuhën serbe:

- “Fol serbisht, për të kuptuar edhe Zoti”, por Trimi s’ia vuri veshin, vazhdoi të flasë sikur mos të ishte ai aty.

- Këtu, godina e këtij burgu është stërmbushur me të burgosur, prandaj po pritet të na transferojnë në ndonjë vend tjetër, diku në Serbi, për këtë çështje mos u bëni merak, ma keq se këtu s’besoj që do ta kemi as atje ku do të na dërgojnë.

Gardiani që bënte rojë dhe e shoqëronte Trimin, pasi e shikoi orën, kumtoi në serbishte:

- Për sot, vizita ka përfunduar.

Me të dëgjuar këto fjalë, Sokoli e nxori sahatin nga xhepi i këmishës, vuri re se diçka nuk ishte në rregull, por edhe nga prezenca e vizitorëve dhe të burgosurve tjerë që s’lëviznin nga vendi, e kuptoi se ai po ua cenonte të drejtën e kohëzgjatjes së kësaj vizite, prandaj iu drejtua atij në gjuhën serbe:

- Shoku gardian, ora jote s’po e tregon kohën saktë. Sipas orës sime s’ka kaluar as gjysma e kohës së paraparë për këtë vizitë.

- E di unë punën time, - ia ktheu ai me tërbim si një bishë mali, dhe filloi ta tërheqë Trimin me forcë për llërë të krahut kah drejtimi i daljes nga oborri, duke performuar gjatë rrugës gjestikulime çnjerëzore me qëllim që ta fuste sa më shpejt brenda objektit të burgut ku ishin qelitë dhe dhomat e sigurisë.

Pas një psherëtime që i doli nga zemra, Sokoli mbeti i nemitur duke e vëzhguar me indinjatë dramën e të birit në oborrin e burgut që e shkaktoi gardiani. Po ashtu, as Tringa, Shpresa e Vjollca nuk folën, por Zoja nuk u përmbajt, me një zë pëshpëritës e mallkoi:

- “Zoti të vraftë more katil, në rodin tënd mos u trashëgoftë kurrkush”.

Kur figura e gardianit dhe Trimit nuk shihej më, Sokoli ia ktheu shpinën parmakëve dhe nisi të ecë pa ndonjë nguti kah dalja e kësaj ndërtese. E shoqja Zoja me të tjerët filluan menjëherë t’i shkonin prapa.



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora