E marte, 30.04.2024, 03:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Gashi: Shtylla e godinës lirike

E shtune, 04.01.2014, 07:25 PM


SHTYLLAT E GODINËS LIRIKE

Në vend të pasthënies

NGA ADEM GASHI

Prej kohësh kisha nëpër duar vëllimin poetik Jam gur i vendit tim, të Miradije Gashit. I mësuar nga praktika me rishtarët e veprave letrare në gjininë e poezisë dhe, sidomos, nga njohja e biografisë së autores me vokacion arsimimin, padyshim që kisha krijuar një paragjykim.

Prisja vargje iluministe me fjalës didaktik, edukativ e pedagogjik; prisja moralizime e këshilla për edukatë e mirësjellje.

Nuk e kam për gjë ta pranoj lajthitjen, aq më tepër kur ajo rezulton në dobi të masës artistike e estetike; ta pranoj se, siç jemi mësuar të themi, më doli befasisht një poeteshë që nuk hedh vargje sa për të bërë vargje, sa për të thënë se publikoi një vëllim, por trupëzon tema, ide, personazhe, përsiatje dhe fragmente jete me gjuhën e zgjedhur të artit letrar, duke krijuar rezonanca ndjenje e mendimi.

Që nga përzgjedhja e titullit: Jam gur i vendit tim (një vetidentifikim i ligjshëm si pjesë përbërëse e mekanizmit të qëndresës së atdheut), tek poezia programatike që hap librin, Gjuha ime, si përbërëse dhe shënjuese e etnikumit e deri tek ajo përmbyllëse, Kryetrimi, që mbyll librin, si finalizim me heroin e kohës moderne, them se autorja vendos shtyllat profilizuese të lëndësisë së saj poetike.

Ndarja ose sistemimi i poezive në katër njësi ose cikle (ndoshta është më e drejtë të thuhet në katër tërësi) nuk i nënshtrohet një veprimi mekanik dhe as të dhunshëm; nuk i nënshtrohet as modës dhe intencës; nuk i nënshtrohet as ngurtësisë dhe këmbëngulësisë.

Në radhë të parë, do të thosha, përtej strukturës tematike, motivore e kronologjike ndarja në katër tërësi vjen si strukturë e brendshme e poezive. Ka ndër to edhe poezi që kanë të njëjtin titull (me variacione të mëvetësishme botëpërceptimi e ndërtimi figurativ) dhe autorja i ka rënditur vetëm me numër njërën pas tjetrës, që le të kuptohet se ato mund të jenë shkruar në kohë e situata të ndryshme, në gjendje ideoestetike specifike.

Në tërësinë e parë, E dua ndajnatën, Miradija transmeton gjendje psiko-sociale, emotive dhe artistike që i korrespondon kronotoposit.

S’është çudi që brenda kësaj orbite gjëllijnë sa kujtime të lavdishme për të kaluarën, për Plakun e Vlorës – Ismail Qemalin, po aq edhe kujtime të hidhura; sa mallëngjimi për nënën e për nxënësit, po aq edhe përsiatjet për vetminë, vjeshtën e natën.

Ti je fjala që më ndez është tërësia e dytë, poezitë e së cilës, në plan ndërtimi kanë pikërisht fjalën, mjetin bazë të ndërtimit të lirikës, sikundër edhe personalitete që kanë hise në ndërtimin e jetës dhe sidomos të lirisë si koncept universal, po aq sa edhe kombëtar.

Në këtë pjesë autoren e gjej edhe si një mjeshtër skalitjeje të figurave historike, artistike e heroike, të Sali Çekajt, Naim Frashërit e Vëllezërve Gërvalla. Te poezia për këta të fundit, ndryshe nga krijuesit e papërmbajtur që derdhin çurkajë emocionesh, Dija disiplinon shpërthimin duke e zëvendësuar me penela brilante të arteve figurative:

Për portretin tuaj

atdheu i gjithi atëherë

bëhet pëlhurë

ku derdheni ju

me pirgje drite.

 

Janë botuar me qindra poezi deri sot kushtuar Vëllezërve Gërvalla, me prani të rekuizitave artistike të Jusufit, me vargje, kitarë e të tjera; janë publikuar dhjeta fotografi e piktura të portreteve të tyre po nuk më ka rënë asnjëherë të shoh kështu sesi sfondi atdhe bëhet pëlhurë ku në vend të ngjyrës bien pirgje drite. Portrete me pirgje drite, një kulm ky, artistik, ndërtimi i Miradijes.

 

Prandaj zgjodha që në vend të Parathënies (pa pretendime analize) të vë në pah vetëm disa elemente të poetikës së autores që i konsideroj prurje dalluese, pas lexuesit të kenë ezauruar leximin personal, përjetimin dhe mbresën subjektive. Nëse cilido në fund gjen shëmbëllime me konstatimet e mia do të ndihesha mirë, përtej mundësisë prejudikuese.

 

Në tërësinë E kishte folenë në shpirt, autorja na e kujton se megjithatë lirika e njëmendtë është një krijim subjektiv që edhe kur përballet me trupin e di se brenda tij është substanca fiktive shpirt, laboratori i të gjitha vlimeve e ndjesive njerëzore.

Bashkëbanueset e kësaj biocenoze poetike janë ëndrrat, kujtimet, mallëngjimet dhe vuajtjet, me theks të sforcuar sidomos tek mërgimtarët, kastë shoqërore së cilës i përket edhe vetë autorja.

Ja vetëm një fragment meditimi, pa patetikë, nostalgji e rezignatë:

 

Mbi fashën e heshtjes dikur

ngrihet relievi i hartës

me male, fusha, lumenj e lule

të botës së artit.

 

Në pjesën e fundit, Buzëqeshjet mbillen në zemër, pavarësisht se nuk mungon as intonimi ironik, përballjet antinomike e mirë – e keqe, engjëll – djall e të tjera, autorja ruan konsekuencën e fisnikërisë së artit duke mbështetur konceptin estetik se forma, lashtësia, dukja doemos reflekton edhe nuanca të përmbajtjes, thelbit, esencës. Së këndejmi ajo buzëqeshjen e çiltër e sheh si një lule me rrënjë në zemër.

 

Natyrisht, për poezinë e Miradijes mund të thuhet edhe shumëçka, për gjuhën dhe stilin e saj, për kulturën dhe njohuritë e artit letrar, për jetën – përvojë dhe dimensionet e saj.

Për mua më e rëndësishmja qëndron në faktin se Miradije në fushën e artit letrar nuk bën rolin e mësueses e të pedagoges, as të atdhetares dhe intelektuales në mërgim, as të femrës militante feministe, çfarë në të vërtetë në të gjitha ka hise, por para së gjithash dëshmon talentin e saj dhe pjekurinë prej artisteje në lëmin e artit poetik.

S’është konfidenciale dhe nuk bëj asnjë dekonspirim po të shtoj faktin se autorja ka të gatshme për botim edhe dorëshkrime të tjera.

 

Në truall të atdheut

derdhe lëngun e brishtë

të jetës sate,

që t’i hapje petalet e lules së lirisë.

 

Si mund të mbyllej më mirë një vëllim poetik, përveçse me vargjet për kryetrimin Adem Jashari, për aktin më të lartë të flijimit të tij për lirinë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora