E marte, 30.04.2024, 09:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Shaban Cakolli: Vargje me mall vendlindje

E shtune, 04.01.2014, 01:57 PM


Vargje që derdhin mall vendlindje

"JAM GUR I VENDIT TIM"NGA AUTORJA  MIRADIJE GASHI

Shkruan: Shaban Cakolli

Nga përvoja kanë thënë të vjetrit"Guri rëndë peshon në vend të vet":Thënje e cila u ka qëndrua të gjitha kohërave.Mërgimtarët më së miri e njohin peshën e fjalës"Jam gur i vendit tim"!Madje disa jo që janë vetëm gur, por janë shkëmbinjë, të cilët as nuk kërrusen, as nuk shemben.E tillë është mësuesja dhe poetja Miradije  Gashi, e cila jeton me peshën e mallit për atdheun, në Shtutgart të Gjermanisë, e cila  me punën vullnetare  mëson dhe edukon fëmijët tanë në mërgim me mësim në gjuhën shqipe, për  dashurinë e atdheut, historinë dhe gjeografinë kombëtare, kulturën, artin e traditën shqiptare.Është  mësuese , poete dhe publiciste, na ka rënë shpesh në gazeta e revista na ka rënë të lexojmë cikle të poezive të saja, reportazhe, tregime, etj.Na ka rënë edhe të shohim e njohim  shënime e festa kombëtare në programet shkollore, ku ajo me nxënësit e saj i pregaditë me shumë pedantëri.Të dëgjosh si recitojnë, vallëzojnë valle kombëtare, këndojnë për atdheun e kombin, nxënësit e mësueses dhe poetës Miradije Gashi, zemra të bëhet mal.Fëmijët të cilët i këndojnë e recitojnë aq me përkushtim atdheut e dëshmorëve të kombit, nuk dijnë për asimilimin, llogaritën të shpëtuar nga kjo mortajë e zezë e quajtur asimilim.Jemi në dhjetorin e vitit 2013, për pak ditë po e nisim një vit të ri, mjerisht në mërgim larg atdheut.Neve mërgimtarëve sikur po na duket se jetojmë shpejt dhe shkruajmë ngadal!Vërtetë po jetojmë shpejt, vitet po ikun, e ne po rrëpatemi me to, në punë e krijimtari, me mallin e vendlindjes.Ana tjetër e medaljes  të cilën po shkruajmë ngadal, sikur më pëlqen:Kam përshtypjen se në krijimtari nuk duhet nxitim, duhet cilësi dhe jo sasi të veprave në krijimtari, një cilësi që mund të ju qëndroj kohërave."JAM GUR I VENDIT TIM", kjo është përmbledhja e parë poetike e poetës  Miradije Gashi, e cila muaj më parë është  promovuar në Bibliotekën  Kombëtare në  Prishtinë. Kemi pa e lexuar se sa promovim i sukseshëm ishte, sa  emra të mëdhenj krijuesish kanë folur fjalë miradije për këtë përmbledhje të sukseshme poetike, andaj ne mërgimtarët me padurim po presim që edhe në mesin tonë të kaloj ky promovim.Poetët janë të shenjët, ata më së miri dijnë të përshkruajnë synimin, dashurinë, mallin, gëzimin, me një fjalë janë profet të vargut, profecia e të cilëve u qëndron kohërave.Poetët dialogojnë edhe me gurin e vendlindjes, edhe me dhimbjen e mërgimit, edhe me flamurin e kombit, edhe me librin, shkollën, dijnë të grinden me të shëmtuarën, dijnë të dialogojnë me mallin e vendlindjes.Të gjitha këto i gjejmë te libri i poetes sonë Miradije Gashi, të zbërthyara me vlera arti, ku vetëm një varg flet shumë, nxjerr mesazhe të fuqishme.Nganjëherë vargjet flasin më shumë se një vepër e tërë, e këto  kuptime e mesazhe i gjejmë tek poetja Miradije Gashi, në çdo varg, në çdo strofë, ku lexuesi i vemendshëm nxjerr  një botë kuptimesh të gjëra, nga domethënja e çdo vargu të saj.Poezia e saj është një analizë me thellësi të gjërë analitike, me një vizion të thellë kombëtar, të cilën e siguron çdo varg i saj.Është diçka interesante tek krijimtaria letrare;Shkrimtari, poeti, apo artisti ka kureshtje të hyj në botën e të tjerëve, kur e them këtë dua të sqaroi se ka  kuptimin, krijuesi shpalos botën shpirtërore para të tjerëve, e shpalos në vepër, nga ku lexuesi më pas rrëpatet të e njeh botën e tij.Të ushtrosh analizë në botën e arteve është diçka e vështirë, nga se çdo hap i krijuesit është një sprovë, e cila kërkon hulumtime, aspirata, ëndrra e lakmi, për derdhëjen e një intelektualiteti të fuqishëm, i cili do të jetësohej dhe do të u qëndronte kohërave.Kam mendimin dhe bindjen e fortë se vepra e Miradije  Gashit"Jam  Gur i Vendit Tim", është ndër veprat e cila do të jetoj nëpër kohë, e shkruar në frymën popullore, përkushtuar në ruajtëjen e gjallërisë kombëtare.Miradije Gashi, shkruan ngadal, por nuk pushon asnjëherë, padyshim jo larg do të na befasoj me ndonjë përmbledhje tjetër të fuqishme poetike.Ne i dëshirojmë shëndet e të mbara në jetë, punë dhe krijimtari të mëtejme poetike.

 

GJUHA IME

 

Zjarr i zjarrit

zjarrmon dashuri.

 

Veshur me ylber tingujsh

liria melodi.

 

Po kush e shqipton më mirë

shenjtërinë e jetës

se gjuha ime,

ku dheu im bëhet Atdhe

e ligjëron nën qiellin pa re

këngë,  lavdi e vaj

hapësirës pa fund e skaj

me gjuhën e lashtë të Nënës.

 

Kështjellë e gurtë

përtej kufijve të ëndrrës.

 

JAM GUR I VENDIT TIM

 

Jam gur a pjesë qielli

në hartën e tingujve të vendit tim.

 

Në mos qofsha vetë trazim

zanore që heshtjen mbytëse

e shndërron në kushtrim!

 

Në vendim tim

jam gur e qëndresë

që thith nga qielli rrufetë.

 

Atdheut i bëhem strall,

me shkëndijën e gjakut

flakë i kall

përbindëshat e lirisë.

 

E brishtë,

me veskun e gruas bilur,

sërish e sërish kur e do nevoja

në kala të Atdheut shndërrohem në gur.

 

EDHE PAK

 

Edhe pak dhe kambanat bien,

vetëm edhe sa një kërcim maceje,

sa çudi!

 

Ura që e ndërtova unë

sa do të qëndrojë vallë?

 

Ah,  

po këtë askush s'e di!

 

PESHA E KUJTIMEVE

 

Mendimet më rrjedhin lumë

sa herë më rëndojnë kujtime,

rrëqethem e tëra e mbetem pa gjumë

për gjithë burrat e Drenicës trime.

 

Kur kujtoj se ranë për lirinë

të atdheut,  tënden e timen,

që fëmija ta ketë shtëpinë,

Që Kosova të mos jetë jetime.

 

Eh,  ç’burra që qenë

dy zemra në gjoks,  thonë - i patën,

një,  si diellin,  për atdhenë

tjetrën si zjarr në vatër!

 

S’ishte si muajt e tjerë

as si pararendësit e tij

viteve që ikën.

 

Mos dielli i mori mëri

e ia ndali rrezen,

mos lulja u vyshk për një pikë shi,

e s’ia hapi derën as kopshti?

 

Çudi,

se si më zuri etje

edhe për të nxehtin!

 

E u ndal udhëtimi i panisur

rrugës së pushimit

si një peng që dhemb.

 

NË FLUTURIM

 

Mbrëmë në ëndërr,  thellë në gjumë

m’u shfaq Plaku me flamur,

Vlora nuse më thirri si bijë

Marigonës t’i bëj shoqëri.

 

Atje ku në një fjalë vlon dëshira,

në një fjalë ku të puth e mira,

një penë - fashë që të lidh plagën

e një mik që ta mban fjalën.

 

Se si m’u bë ëndërrim

fluturimi mbi relievin e Atdheut tim,

atje poshtë një zë më thirri:

Arbëria,  këtu hap gjiri!

 

Mbi Rinas,  mbi Rinas

shqipe jam,  vetes i thashë

se atdheu krahë më jep,  

siç më dha kur qesh në djep.

 

E DUA NDAJNATËN

 

E dua ndajnatën,

puhizën e lehtë,  

vesën e mëngjesit

dhe vapën në drekë.

 

I dua livadhet

erëndje prej lulesh,  

tundje degëpemësh

ndanë udhës.

 

Dua çdo gjë të Atdheut

për tokë e për qiell,

bijtë që s’janë dhe ata që vijnë

me sytë yje e ballin qiell.

 

PO TË ISHA BARESHË

 

Nganjëherë qaj

e nganjëherë qesh

 

Nganjëherë flas

nganjëherë hesht

 

E,  një ditë prej ditëve

mendova kot më vete:

-Eh,  po të isha bareshë,

ç’grigjë luleborash

do të kullotja shpateve,  bjeshkëve

në vend të metaforave!?

 

KUJTIM I HIDHUR

 

Më kujtohet një ditë dimri:

Helmeta e policit serb në orë mësimi,

E rëndë,  e rëndë qe ajo ditë,

Po më të tmerrshmen e panë sytë.

 

Në sytë e fëmijëve me lot larë

Prangat ia vunë mësueses me ditar!

Dita u shndërrua në natë e terr,

Mesjeta bizantine volli vrer!

 

Oh,  dhe dielli atë ditë i fiku rrezet

Se liria ishte në zinxhir,

Çdo gjë e ngrysur,  një zjarr që s’ndizet,

As zogjtë e qiellit nuk ishin të lirë.

 

Pastaj erdhi ndarje me nxënësit

Si një ëndërr e prridhur,

Në zemrat e tyre dhe timen

La vulën e zezë kujtimi i hidhur.

 

LETËR NXËNËSVE TË MI

 

Nga larg ju përshëndes

të gjithëve bashkë e një nga një,

o nxënësit e mi!

 

Më duket sikur para sysh

ju kam tani,

që nga Blerina e deri te Taulanti.

 

Sa ia kam inati

distancës së kohës,  hapësirës

që vjen e na futet në mes!

 

Kur ju shkruaj letër

megjithatë,

zhvendosem në kohën tjetër

e bëhem bashkë me ju

në kopshtin e luleve të kujtimit.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora