E marte, 30.04.2024, 07:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Atdhe Hykolli: Dy drama dydimensionale

E shtune, 04.01.2014, 12:04 PM


RECENSION

DY DRAMA – DYDIMENSIONALE

(Ilir Muharremi: “DRAMA” Unë me veten” dhe “Kafeneja”, botoi “Zero print”, Prishtinë, 2013, 198).

Nga Prof. Dr. Atdhe Hykolli

Në cilësinë e recensentit e kam për obligim dhe nder t’ua them disa nga vlerësimet e mia për krijuesin, profesorin dhe kolegun tim, zotriun Ilir Muharremi, i cili sot para artdashësve të fjalës së shkruar-të artit skenik vjen me veprën letrare”DRAMA”,”Unë me veten” dhe komedia “Kafeneja” vepër kjo e botuar këto ditë me kujdesin e redaktorit Shpëtim Elezi, recensentëve Josif Papagjoni dhe unë Atdhe Hykolli si dhe vizatimi në ballin nga Agron Mulliqi, dizajni nga Artan Shala, shtypur në shtypshkronjën “Zero print, në Prishtinë, më 2013.

Për lexuesin e mirëfilltë emri i Ilir Muharremit tashmë është i njohur pasi që deri më tash u dëshmua jo vetëm si poet, publicist dhe dramaturg, konkretisht me këtë vepër letrare, të cilën po e përurojmë sot.

Vepra letrare”DRAMA” sajohet nga drama “Unë me veten”, me dy personazhe që defilojnë në pesë skena dhe komedia “Kafeneja” me 9 (nëntë) personazhe, në tri akte me gjithsej 24 skena.

“UNË ME VETËN”

(dramë)

Mbështetur në strukturën e dramës “Unë me veten” të autorit Ilir Muharremi, pa mëdyshje themi se kemi të bëjmë me një prototip të njeriut tonë bashkëkohor, i cili nuk zgjedh mjete, forma as metoda vetëm e vetëm të arrijë pushtet, edhe pse intuita e tij dhe vullneti janë në mospërputhshmëri me njëra-tjetrën.

Këtu kemi parasysh kryepersonazhin, i cili bën përpjekje të vazhdueshme që të inkuadrohet gjithsesi  në rrjedhat e zhvillimit teknologjik të kohës, duke u munduar që gjithçka të jetë në hap me kohën moderne. Por ndodh e kundërta, pasi që ai nuk ka aftësi të mjaftueshme, meqë i mungon dija, për t’u inkuadruar në rrjedhat e jetës, ndonëse dëshirat e tij janë tejet të mëdha, por mundësitë (përkatësisht aftësitë dhe shkathtësitë e tij) tejet të vogla. Ky disproporcion reflektohet fill e mbarim në këtë dramë, e cila është një pasqyrim i së vërtetës sonë bashkëkohore. Këtu  vërtetohet fenomeni, medaljet e të cilit krijojnë divergjencat  të kufishmes dhe të pakufishmes, në mesin e të cilave është personazhi kryesor, që gjendet në një udhëkryq, në mes të kudhrës dhe çekanit.

Prandaj, përpjekjet e tij të pareshtura që të jetë në hap me kohën vetëm sa e mashtrojnë atë ngase ai nuk është në gjendje t’iu bëjë ballë të arriturave teknologjike, të cilat kërkojnë vullnet, aftësi, mjete dhe metoda për t’i vazhduar aspiratat e tij të mëdha, që mbesin vetëm në nismë pasi që nuk ka mundësi që të arrihet e dëshirueshmja. Edhe pse vullneti i personazhit është i madh, megjithatë mundësitë e tij  janë tejet të vogla, për të arritur ajo që dëshirohet.

Zhvillimi teknik dhe teknologjik me hapa gjigantë e cysin kurreshtjen e personazhit, i cili bën luftë me vetën, por që nuk arrin të dalë nga gëzhoja apo guaca magjike e vetvetes, prandaj dyluftimi i tij (Ai dhe Unë) apo anasjelltas gjithmonë bëjnë jetë të kundërshtueshme, gjë që edhe vetë ai nuk pajtohet në vetveten e lëre më me të tjerët.

Ky personazh personifikon njeriun tonë bashkëkohor, i cili sikur bën përpjekje që të arrijë diç, por ai gjithmonë sillet e mbështillet rreth strumbullarit të ngjarjes , e që mbetet vazhdimisht në të njëjtin rreth “vicioz”pa pasur mundësi për të dalë nga ky labirinth jetësor, ku assesi nuk ka mundësi të gjejë fillin e lëmshit të quajtur jetë. Me këtë ai, vetëm sa për  sy e faqe, bën përpjekje, por assesi nuk mund të ndryshojë në vetvete dhe pajtohet me atë që është, duke mbetur ai që ishte vetëm njeri me vullnet dhe në paaftësi të shumta.

Komedia  “Kafeneja”

Komedia “KAFENEJA” e autorit Ilir Muharremi mëton të shpërfaqë një ngjarje të bashkëkohësisë sonë, ku disa tipa intelektualë krijojnë një konglomerat vlerash të ndryshme, edhe pse profesionet e tyre janë tejet të ndryshme. Kjo gjendje kaotike, e krijuar në një kafene,  është vendi ku puqen synimet dhe interesat e përbashkëta të këtyre personazheve, ku del në pah zhgënjimi i tyre meqë asnjëri nga ata nuk kanë arritur që të bëjnë vepra për çka janë të kualifikuar. Dhe, duke parë se profesionet e tyre nuk iu kanë sjellë asgjë në jetë ( fjala është për paaftësitë e tyre profesionale si dhe rrethi i cili nuk i ka favorizuar sa e si duhet), ata mbase detyrimisht marrin një profesion “zanat” krejt tjetër për të arritur të paarritshmen. Këtë ata e bëjnë vetëm për t’i shuar ambicjet e tyre të atypëratyshme, ndërsa në realitet ato nuk arrijnë atë që synonin kushedi se sa kohë e vite më parë. Kështu që të gjithë: matematikani, doktori, artisti dhe të tjerët ndonëse bëjnë pjesë në grigjen e intelektualëve, ata synojnë me çdo kusht që të bëhen të pasur me biznes, edhe pse fjala biznes për ata është vetëm fjalë kuptimi, pa e njohur as për së afërmi përmbajtjen e këtij procesi. Ata mashtrohen në këtë kafene, duke u njohur me njëri-tjetrin e që emërues i përbashkët është ambicja e tyre për t’u bërë të pasur. Kështu, në këtë kafene, ata arrijnë që të marrin një vendim e të përkrahin njëri-tjetrin, por  vetëm duke e mashtruar vetveten, duke u dhënë pas shfryrjeve të epsheve të tyre të vazhdueshme si njëri a tjetri dhe  sikur kënaqen duke mashtruar dikë apo veten , por në realitet është mashtrim i gjithsecilit nga të tjerët apo nga vetvetja. Mbi të gjitha këto ndodhi, ndodh që piktori Geni, të arrijë pikën kulminante, ku të gjithë e kuptojnë paaftësinë e tij për këtë që flet e që vepron.

Në këtë komedi paraqitja e femrës moldave, e cila e “shet” apo thënë më butë e dhuron trupin e saj për plotësim të epsheve të shfrenuara të meshkujve “intelektualë”, është një dromcë tragjike e kësaj përsonazheje, por kulminacioni i komedisë është kur të gjithë meshkujt “intelektualë” deklarohen, kush më shumë se tjetri mund të ushtrojë veprimtari seksuale, por në të vërtet del në shesh paaftësia e të gjithëve, që këtë e dëshmojnë fjalët bindëse të moldaves. Bile, maja e majës së kësaj komedie arrin pikën kulminante kur njëri nga meshkujt nuk  di t’i zë në gojë as emrat e organeve gjenitale të femres.

Kjo komedi, sipas strukturës të mbarshtruar të Ilir Muharremit, është një pasqyrim real, i cili ka ndodhur në një mjedis njerëzish, të cilët janë mbase të zhgenjyer jo vetëm me mjedisin shoqëror por edhe me vetveten.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora