Kulturë
Murat Gecaj: Dhimbje e mall për Riza Lahin
E enjte, 02.01.2014, 07:27 PM
DHIMBJE E MALL PËR SHKRIMTARIN BUZAGAS, RIZA LAHI…
(Elegji të P.Hysit, D.Binajt, V.Zikos, K.Taboinit e L.Xhulit; shkrime të F.Terziut, N.Selmanit, V.Capos e R.Moisiut etj.)
Nga Prof. Murat Gecaj
Nga e majta: G.Mejdani, Riza Lahi, S.Zogiani e M.Gecaj (Tiranë,14 dhjetor 2013)
1.
Si zakonisht, në përurimin e librave Riza Lahi ishte gjithnjë i
pranishëm. Kështu ndodhin edhe para diisa ditësh, kur mjediset e Ministrisë së
Kulturës u bë përurimi i librit të gjakovares Drita Nikoliqit-Binaj, ardhur nga
Por ja, që jeta qenka shpesh e pabesë dhe lajmi i ndarjes së
papritur përgjithnjë nga jeta, të
kolegut e mikut tonë të mirë, shkrimtarit të njohur edhe për armën e
aviacionit, Riza Lahi, na befasoi të gjithëve. Kur po i shkruaj këto radhë,
sjell në kujtesë takimet tona të shpeshta, sidomos në vitet e fundit. Ato kanë
qenë, sidomos, në përurimin e librave të ndryshëm, në mjediset e Muzeut
Historik Kombëtar, në Ministrinë e Kulturës ose në Akademinë e Shkencave. Në
këto raste, kemi biseduar bashkë edhe për planet e tij të botimeve. Kështu,
Xakja më kërkoi që ta rishikoja, me kunatin tim, teknikun e aviacionit, Nikollë
Zef Zhuri, në shkrim nga libri “Dinosaurët e fundit”(Tiranë, 2003),
mbasi mendonte që atë ta ribotonte. Këtë porosi të tij e kryem me shumë dëshirë
dhe shkrimin në fjalë ia nisa atij me e-mail, gjë për të cilën më falënderoi.
2.
Lajmi i dhimshëm, i trishtueshëm e i papritur, i ndarjes përgjithnjë nga familjarët dhe nga tërë ne, i shkrimtarit Riza Lahi, pushtoi disa qendra Interneti. Kështu, disa veta i shprehën ndjenjat e tyre përmes elegjive dhe shkrimeve, si dhe me anën e mesazheve të panumërt, që ata kanë publikuar.
Ja, përpara kam mjaft krijime të kolegëve dhe miqëve të Xakes. Poeti Përparim Hysi e nisë kështu elegjinë e tij:
Oh, çfarë ke ba, more Riza Lahi?!
I ke hipë avionit, je nisë për "Parajsë?!"
A ndigjon, besa, në
kor asht "ahi!"
Si lumë e le lotin tim, që të rrëshqasë...
Ndërsa Drita
Nikoliqi-Binaj, me elegjinë e saj, “Si do thoshte Riza Lahi”, vajton
atje, në Novoi Sad të Vojvodinës:
Njeriu e ka zemrën plagë
dhe ngrysë netët duke qarë,
kur shtyn jetën diku tjetër,
tutje nga folezë e parë.
Dhe sikur një ditë papritur
të jetë e tija gjithë bota,
do kërkojë rrugën e vjetër
- për atje, ku i ka rënë koka…
Me ndjesi të trishta, poeti i njohur lirik, Vangjush Th.Ziko (Korçë), e shprehë me vargje dhimbjen e tij, për mikun Riza Lahi:
Më mbetën sytë në qiell,
avionin tënd po kërkoj,
që rrëmbeve papritur
dhe na e le bosh
aeroportin e shpirtit.
Të qeshurën tënde na le
dhe ëndrrën e fluturimit…
Flamur i shpirtit tënd të zjarrtë,
që të shpuri në qiell,
do të të zbresë prapë
në aeroportin e zemrës,
që na e le të zbrazët.
Ndërsa poetja tjetër, në Tiranë, Venka Capo shprehet me fjalë dëshpëruese:
“Ah, sa dhimbje mora! Kurrë s’e besoj, që miku im, Riza Lahi, sot nuk është mes nesh! Në një takim, që kaluam bashkë, sa njeri i këndshëm ishte, paqësor ,i dashur dhe i respektuar. Sa do më mungojnë bisedat e shakatë, që bënim, poezitë që i tregonim njër- tjetrit, për të na venë “notën” ai. I paharruar, miku im i shtrenjtë!”.
Krjuesi i njohur Kolec Traboini, i ndodhur këto ditë larg Shqipërisë, shkroi shumë vargje, në poezinë e tij me titull, “Si mund të iket kështu? (Fjalë pikëlluese për një mik)” Nga ato, po shkëpusim vetëm dy strofa:
Si mund të iket krejt kështu?
Më pyesin miqtë në Prishtinë
e Shkodër-locja e përlotur,
që sot ka humbë djalin e mirë.
Si mund të iket krejt kështu?
Pyesin të gjithë, në këtë Vit të Ri,
nuk shtyhet festa pa buzëqeshje,
buzëqeshjen që na e sillje ti!…
Dhimbjen e mallin e pashuar për kolegun e mikun e dashur dhe të paharruar, Riza
Lahi e ka shprehur edhe Fatmir Terziu, në Faqen e Internetit “Fjala e
Lirë”-Londër, që ai drejton. Ndër të tjera, që në fillim të shkrimit të
tij, janë këto radhë:
“Miku i disa krijuesve, poeti dhe publicisti Riza Lahi është ndarë nga jeta. Dhe, kështu, njeriu që rendi pas penës vite e vite me radhë, por edhe pas yjeve si një pilot i hershëm shqiptar, sot ka një udhë, memorjeve tona... Leximi i “vetes”, nën vargun e Lahit, është një simbolikë reale. E thjeshtë, e kuptueshme, … një shportë për brezat…, ishte gjuha e Riza Lahit. E, kështu, do të mbahet mend ai, miku i pavdekshëm…”.
Me trishtim të ligjshëm shprehet edhe arsimtari, poeti e
shkrimtari çam, Namik Selmani. Në një shkrim të gjatë, që ai ka
publikuar, me zemër të plagosur i thotë
edhe këto fjalë: “Joo! Nuk e besoj, vërtetë, se u nda nga jeta miku ynë,
shkrimtari, studiuesi, gazetari e skenaristi Riza Lahi. Thuajeni sa të doni! Si
të doooooni! Vendosni çdo fjalë të shqipes, të anglishtes, të frëngjishtes diku
në nekrologjitë internetike, diku në shtyllat e bulevardeve, në ndonjë kronikë
televizive, aty nga fundi i lajmeve!
Ndërsa, në mbyllje të këtij shkrimi, mbushur me dhimbje e mall për këtë koleg e mik tonin të veçantë, po rishkruaj fjalët e dala nga zemra, që atje përtej Oqeanit Atllantik, nga Nju Jorku. Janë nga Raimonda Moisiu, kryetare e Shoqatës së Shkrimarëve Shqiptaro-Amerikanë të Diaspporës: “Tronditet Bota e Letrave Shqipe, Tronditet Bota e Publicistikes Shqiptare, Tronditet krejt Bota Shqiptare, ne Trojet e saj:Ndahet krejt papritur nga jeta: Shkrimtari, poeti publicisti, perkthyesi i shquar, Kryemiku im,miku i tërë shqiptarëve në trojet etnike, në Diasporë, Kosovë e Çameri, Altruisti, i miri dhe i mrekullueshmi, i qeshuri e gazmori, punëtori dhe i palodhuri, aviatori që u bë shkrimtar i mbi 35 librave, Riza Lahi. Dhimbje e thellë, dëshpërim i pakufi për këtë gjëmë, për këtë pikëllim kaq të rëndë, që ai na la, në pragun e Vitit të Ri!”
Të paharruara qofshin kujtimi dhe vepra, që la pas, kolegu dhe miku ynë i dashur, Riza Lahi (janar 1950-dhjetor 2013) dhe ngushllime të sinqerta, për familjarët dhe gjithë të njohurit e shumtë të tij!
Tiranë, 2 janar 2014