E shtune, 27.04.2024, 02:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Gurreci

E marte, 31.12.2013, 06:00 PM


Gurreci

Guri i rëndë në vend të vet. (Populli)

Tregim nga Bedri TAHIRI

Aty takoheshin për çdo ditë. Ajo e kishte shtëpinë fare pranë, ndonjë pesë- gjashtë litarë samari. Ai vinte nga larg, nga pasbjeshka e thatë shkëmbore, diku më shumë se tre çerekë ore. Gurreci ishte vendtakimi i tyre. Një emër i bukur dhe shumë domëthënës jo vetëm për ta. Pa e parë vetë me sy vështirë ishte ta përfytyroje atë fenomen natyror. Nën atë gur, mbi pesëtonësh, që rrinte gati pezull, si një dhëmbë elefanti, ngulitur në dheun e kuqrremtë argjilor,  krijoheshin sumbulla të kristalta të ujit bilur. Ah, sa interesant që ishte. Mrekullia vetë. Pikat në formë shiu, në gjithë barkun e tij, mbuluar me myshqe e algje, krijonin një mozaik mahnitës. Edhe artisti më i spikatur do t’ia kishte lakmi asaj përsosmërie mjeshtërore. Poshtë tij, në guralecët strallorë, që shkëlqenin si rruaza të qelibarta fosforeshente, qe formuar një si cekëtinë uji, ku shuanin etjen kryesisht barinjtë, po edhe njerëzia mbarë që rropateshin atyre bokrrinave bereqetpakëta. Ai ujë rridhte edhe përroit tatëpjetë, duke ndaluar vende-vende për të krijuar puse për bagëtinë, dhe dilte tej tek këmbët e kalasë së vjetër dardane ku e kishte pasur selinë trimi i parë drenicas Milosh Nikollë Kopiliqi.

Vasha bukuroshe, zeshkanja me sytë e shkruar e me një lyth nën mjekër që veç ia shtonte bukurinë, quhej Fatë. Familja e  saj vinte andej nga një vendbanim i skajshëm i Kreshbardhës ilire. Në fakt, ishte një gur i lëkundur nga vendi i vet, andaj edhe rrokullisej lehtë para rravgimeve të jetës hileqare. Pra, rrënjët e shpienin tej e tej, në vatrat stërgjyshore të dhimbjes sonë kombëtare, në Toplicë...

Këtu, ku ishin sot, qenë vendosur vonë, diku midis dy luftërave botërore. Edhe pasurinë e kishin të pakët. Një arë dhe një copë mal gjithsej. Bagëtinë e kullosnin gjithandej nëpër djerrinat e përbashkëta e më shumë edhe këtej përroit.

Djaloshi shtatëgjatë e i heshtur, me flokët ngjyrë gështenje, krehur në anën e majtë, ishte vendës, siç i thoshin një fjale. Denbabaden kishin qenë këtu. Emrin ia kishte lënë gjyshi. Ai quhej Arbër. Katundi i tij kishte bërë nam gjatë historisë. Jetonin dhe gjallonin me këngën e bukur të grykëhollave liridashëse. Përherë luftëra, beteja e sakrifica. Me një fjalë, ata ishin aty që kur qe kurdisur kjo botë. Po, po, të vjetër ishin shumë sa nuk mbahej mend nga askush zanafilla e tyre. Kjo dëshmohej me fakte kahdo që rrotulloheshe. Ja, kryekatundi ishin Varret e katolikëve!  Tutje, në të mëngjër, Kodra e kishës! Më mirë se gjetkë kjo vërtetohej edhe me Livadhin e Kolbibës mu afër Gurrecit, ku ata takoheshin çdo ditë dhe loznin për shtatë palë qejfe...

Gjurmë lashtësie hetoheshin edhe në ritet fetare, trashëguar nga paganizmi i hershëm. Buzmi  festohej dhe respektohej si përherë. Druri i madh vëhej në zjarr dhe përcillej me ritualet e zakonshme tradicionale. Elemente të besimit të hershëm haseshin edhe në përditshmëri. Ta zëmë, gjyshja e tij, një malësore e ndershme e bujare, kur gatuante pogaqe në çerep, atë e shponte me maje luge në formë kryqi. Edhe në odën e tyre të madhe, që kurrë nuk rrinte pa mysafirë, gjyshi, një babaxhan sederli, ndjesë pastë, kur e ndante mishin e pulës, rrëcokun e ndante në formë treshi, e kalonte një në mes dhe të tretit ia jepte gjysmën...

Dashuria e tyre e pathënë gojarisht lëshonte shtat në zemrat e tyre të padjallëzuara. Zatën, tek të rinjtë, fjalët janë të tepërta. Dashuria e vërtetë është mememce. Atë fjalët veç e varfërojnë.

Dhe, ditën ecnin me vrap ujku. Zemrat e tyre përherë e më të hapura. Gojëkëqinjtë xhelozë llomatisnin papra dhe thurnin intriga. Aq u bënte atyre. Uji i Gurrecit e dinte rrugën e vet. Fjalët e hallkut e vrimat e gardhit...ia bënin  njëri- tjetrit dhe vazhdonin avazin e tyre të lumturisë. Nata që i ndante u bëhej shekull. Ende pa aguar mirë ata ishin aty ku ishin ndarë në të perënduar të diellit. E kishim mbaruar edhe një kalibe, mbuluar me dushqe e fierishte që të mbroheshin nga dielli e nga shiu dhe...Në mesditë i mbilnin delet. Tasat me qumështin dëborë i fusnin në ujin e ftohtë te Gurreci dhe i lënin derisa vënonin pakëz mazë...

Mirëpo, një ditë ngjau e papritura. Djaloshi u zgjua si zakonisht, me vullnet e me plot energji dhe mësye andej. Përpjetën e Udhës së Bregut, e kapërceu si me krahë dragoi. Për çudi, edhe delet sikur ia kuptonin dëshirën dhe ecnin pa e ulur kokën nëpër tufat e rralla të barit mbanë rrugës. Ende pa arrirë në vend, i erdhi një melankoli e zymtësi sfiltëse. Ca mornica ia kapluan shtatin dhe këmbët zunë t’i dridheshin sikurse njëherë moti kur e kishte zënë egjra e bukës së grurit, bluar në mullirin me ujë në Kudrinë.

O Zot, ishte në vete apo nuk po i bënin sytë?! Delet e vashës nuk po dukeshin gjëkundi. I fërkoi sytë dhe, edhe njëherë shikoi kujdesshëm rreth e përçark. Vallë, mos e kishte zënë gjumi apo, mos e dhëntë Zoti, të ishte e sëmurë! Jo, qebesa nuk qenka, bëri me vete dhe u ul galuc ta merrte veten. Edhe ogiçi i tij, me këmbanën e  madhe, sorollatej poshtë e lartë lëndinës, të quajtur Kodra e kulaçit, pa mundur të zinte vend askund. Ishte mësuar të përzihej me delet e vashës e të provonte brirët me kolegun e vet galan...

Në zemrën e djaloshit u hap një gropë e madhe sa vetë përroi që kishte përpara. Eci deri nën Gurrec dhe ra në gjunjë të njomte buzët që i kishin zënë një pëllëmbë shkrumb. Për herë të parë i shkoj mendja që guri mund të shembej e ta zinte përfundi. Dhe, nga droja, nuk pati guxim ta shuante etjen deri në fund.

-Do të ngjitem lart tek shtëpia e saj, - i tha vetes dhe me hapa të ngathët u nis andej. Kur kapërceu radhët e kumbullave para shtëpisë së saj dhe Laroshi nuk ishte në stelë, e mori me mend se diç e pazakontë paskësh ngjarë brenda asaj nate kobtare. Madje, as gjeli kryengritës, që  guximshëm përherë në këtë kohë ia  thoshte këngës së tij symbyllas maje avllisë, nuk po bëhej fare. Gjithandej, nëpër oborr, gjë e gjallë nuk pipëtinte. Dera e shtëpisë e mbërthyer  me ngujore druri, ndërkaq ajo e stallës hapur krah me krah. Hajde botë, hajde! Nuk kishte dilema, ajo, pa paralajmërim, kishte ikur njëherë e përgjithmonë nga kjo shtëpi...

Siç u kuptua më vonë, ashtu kishte ngjarë. Vasha me gjithë familje kishin ndërruar truallin. Kishin vajtur në Turqi, tek të afërmit e tyre, që dikur më herët, me visikat e rregulluara në Shkup, ishin rrokullisur asaj rruge të pakëthim...Sa e vërtetë qenka ajo thënia se gurin që luan nga vendi e vërvisin edhe erërat...

Bota  djaloshit ndryshoi për treqind e gjashtëdhjetë shkallë. Kjo u ra në sy të gjithëve. Ai e zuri shtratin dhe më nuk dilte as nga shtëpia. As nuk hante, as nuk pinte.  Shpejt u bë asht e lëkurë. Prindërit u merakosën shumë. Nuk lanë derë pa trokitur. Të mjekët e të hoxhallarët. Askush nuk i bënte derman. As barërat, as hajmalirat.

-Qyqja, magjitë do të ma marrin në qafë djalin!- mërmëriste me vete nënëshkreta dhe s’lënte vend pa kontrolluar, mos po haste ndonjë lëmsh penjsh laramanë apo tufë flokësh.

Por, kot. Veç zemra e tij e dinte diagnozën e asaj stërkeqjeje...

Edhe kur e mori veten, rrallë i lëshonte delet. Edhe kur e bënte këtë, kurrë nuk shkonte andej nga Gurreci. Nuk i besonte vetes se mund t’i përballonte atij tundimi trazues.

Dhe, një ditë i thanë se Gurreci ishte gremisur. Guri që rrinte as në tokë as në qiell, kishte përfunduar në tokë. I uruari, sigurisht edhe ai e kishte përjetuar rëndë mosrealizimin e asaj dashurie të çiltër. Dashuria i mbante edhe yjet në qiell, thoshte një poet yni mendjendritur. Një e vërtetë e pamohueshme...

Vajti për ta parë dhe për t’u bindur vetë. Lotët i vërshuan faqeve të mërdhizura, kur e pa se ai më nuk po lotonte si dikur. Lotët iu kishin tharë që kur kishte prekur tokën...

Sakaq, tutje, në  anën e poshtme të tij, pa se si ridhte uji kristalor. Ca kujtime iu ringjallën dhe i erdhi një afsh rinor...

-Edhe Ajo do të kthehet një ditë mu si ky ujë që nuk shteron kurrë!- ia bëri vetes me bindje të plotë dhe, për herë të parë në jetë, ia mori një kënge të vjetër kurbeti... 



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora