E diele, 28.04.2024, 10:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Udhë të jetës

E hene, 30.12.2013, 10:18 AM


Udhë të jetës të mbushura me  mall

Vëllimi poetik"Në udhët e jetës" të Duro Mustafait

(esse)

Nga Përparim Hysi

Si një bekim i bukur dhe i bardhë, për lexuesit mbarëshqiptarë, erdhi këtë fundviti Poeti Duro Mustafai. Nga lexuesit është prej kohësh i njohur: gazetar veteran, publicist, prozator, poet dhe skenarist filmash. Parë në profilin e tij krijues, Duro Mustafai, i ka provuar të tëra zhanret dhe, në të gjitha, po ai: me integritet dhe me ballë të bardhë. Dhe tani kur po  afron të tetëdhjetat, ai është përsëri vital dhe,ashtu urtë e butë e plot tiganin, o do të japë një skicë letrare, o një fejton dhe, patjetër, një poezi. I urtë sa nuk bëhet dhe modest po aq. Nuk ndihet, sikur shkel mbi qelqe, dhe ashtu si kalli gruri plot kokrra, kurrë nuk e mban kokën lart. Ka mbi 50-vjet  në Tiranë dhe, po kaq, "lidhur si me pranga" me Vlorën nga  është dhe ca më shumë me  fshatin e tij të lindjes: Vranishtin. Për Vranishtin, mënd jep xhanin. Tek shkruaj për  fshatin e tij, Vranishtin, më duhet, patjetër, që të bëj një korregjim:

- Pse fshat është  Vranishti?- pyes veten time dhe, po vet, shtoj: - Si mund që të jetë fshat Vranishti kur ( a nuk është për në librat "Gines?!") saj  punës këmbëngulëse të Duro Mustafait është i përjetuar në një revistë të posaçme "Hora". Revistë periodike që ka botues, të mirin bujar,igjinier Besnik Hasani *(vranishiot dhe ky) dhe projektuesi dhe ideusi apo realizuesi është Duro Mustafai. Pastaj përgjigja ime është më e thjeshtë:- Si mund të jetë fshat Vranishti.kur sot për të  janë shkruar 74 libra vetëm nga vranishjotët. Ç' shkrova për Vranishtin, është dhe pak detyrim vetiak imi:  jam reklamuar me shkrime dhe unë tek revista "Hora", sa duhet të them:... dhe unë jam pak nga Vranishti.

*     *    *

Libri me poezi nga Duro Mustafai "Në udhët e jetës" është si në album i vërtetë malli. Aq mall ka nëpër poezi, sa të duket se udhët e jetës së poetit janë mbushur plot mall. Malli për vëndin, për fshatin, për prindërit dhe të afërtit dhe, mbi të gjitha ( kjo e bën emblematik  në gjithë librin) për miqtë e shokët. Pse është kaq altruist, Duro Mustafai, ua kushton vëllimin miqëve që, duhet theksuar, i ka të shumtë. Siç theksoj,që në krye, malli është fund e krye emëruesi i përpbashkët i gjithë poezive.

Poezitë janë shkruar me varg të thjeshtë dhe nuk ndjen fare sforco kur i lexon. Në gjuhën e muzikës (aq sa e njoh unë, de!) janë si një kreshendo e butë (siç kërcehet një tango) dhe të induktojnë veç mall e dashuri. Natyrisht, jo të gjitha poezitë kanë të njëjtën ndjesi dhe të njëjtën peshë specifike, por,kur e mbaron vëllimin, do s'do, kërkon që t'i kthehesh poezisë: "Kam mall; oh,sa mall!". Kjo poezi ashtu si arkitrau që mban çatinë e shtëpisë, është dhe "arkitrau" i gjithë vëllimit. Do të ishte pa vënd që të tirrja fjalë në erë, pa sjell para lexuesit,qoft dhe një strofë prej saj:

"Kam mall për shtëpinë në kodër

ku linda atë dimër të rrallë

Ku eca e fëmijëria aty më iku

Pranë një sokaku me gurë të bardhë.

Dhe për oborrin me gjethe hardhie e fiku

Kam  mall. Oh,sa mall!...

Dhe strofat e mallit ndjekin njëra-tjetrën deri sa arrijnë në apogje. Në fund të çdo strofe, fjalia:- Kam mall. Oh,sa mall!

Ky mall nuk është as stisje dhe as shpikje. Përkundrazi, ai zë e derdhet në densitetin e tij të nxehtë kur këndon për Shipërinë, për Vlorën, për Vranishtin,domosdo. Se sa i obsesuar pas mallit që ka për njerëzit,e tregon në disa poezi. Do të veçoja " Zëmra e poetit" ku, poeti, tregon nëpër vargje,se kurrë nuk gjen qetësi,po nuk qe me shokësh e miqësh. Një nga miqtë e ngushtë të Duro Mustafait është dhe Akademiku i Nderuar,  Bardhyl Golemi. Ja se si i këndon poeti:

:::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::

" Në çdo ditëlindje ti na dukesh më i ri

Më i bukur në shpirt dhe në mendime

Dhe sikur jeta jote të matesh me vitedrite

Pak do ishin për ty dhe njëmijë urime... "

Poezi sinjifikative është ajo për ingjinierin Besnik Hasani, mik i autorit. Këtu, poeti, ka hyrë nën lëkurën e Diogjenit të lashtë që me qiri në dorë kërkon njerinë. Diogjeni mbeti hipotetik: e gjeti,s'e gjeti, kurse poeti Duro Mustafai e gjeti: Njeriu i kohës është Besnik Hasani që, për Vranishtin e tij, ka dhënë si askush tjetër. Është ky, Besnik Hasani,që sponsorizon revistën "HORA" duke e bërë Vranishtin qytet e kaluar qytetit. Pa më  gjeni një fshat me 74 autorë librash. Të duket që nuk je më në Shqipëri, po tutje, në Izrael, ku çdo shtëpi është si një sinagogë a bibliotekë më vete. Apo dhe pak më "afër?!": në Islandë ku në çdo 5 veta, dy botojnë libra. Vranishti e ka arritur,ama.

Një kolanë më vete janë poezitë që ka shkruar jashtë Shqipërie. Poeti ka bredhur Evropës, Afrikës dhe deri në Kubë. Ka qenë në këto vënde jo si turist dhe aq, por si një vëzhgues apo si një gazetar i kultivuar. Gjtihmonë,kudo që ka shkelur, mëndjen dhe zëmrën e ka patur në Shqipëri: në Itali ndalet tek sheshi "Albania", në Greqi tek "Sytë e Marko Boçarit", në Turqi tek origjina  e Ataturkut; në NIL pi ndonjë sapllak për t'u bërë pak egjiptian dhe në Kubë, poezitë të shkruara qysh në vitin 1963, mbajnë vulën e kohës. Duke i sjellë të tilla, pa bërë "shartime", e zbukuron dhe më shumë dinjitetin si poet dhe si njeri.

Pa dyshim që poezitë e mallit kanë një densitet më prekës kur këndon për pridnërit dhe për të afërmit.  Duke e mbyllur, mendimi im është: poezia " Si një trëndafili i bardhë" është monument dashurie e mirënjohjeje si një model i paarritshëm dashurie bashkëshortore.

I uroj Duro Mustafait që nxitur nga malli njerëzor (sa vjen ky mall e po bëhet polar) me të tjera libra!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora