E shtune, 27.04.2024, 10:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Relikte dhembjesh

E diele, 29.12.2013, 07:24 PM


Çerkin Ismaili

 

R e l  i  k  t  e   d h e m b j e sh

 

(Cikël poetik)

 

 

AS E TRETA ...

 

Vasha topolake

Lumin e kaloi  e para

E dyta rrëshiti në ngjyra

E treta theu këmbën

Pa e   kapërcyer ylberin!

 

Të triat

U plakën virgjëresha

Lënesha të verdha po vdesin.

 

Ujqit  e qartur nëpër mjegull

Sypërgjakur

Rendin pas erës

Dhe dashurisë së gazelës!

 

Ëndërrtë

Erdhi e treta ...!

 

Zhgjëndërrtë

Fjalës iu zu fryma!

 

As ëndërrtë as zhgjëndërrtë

Nuk u shfaq e vërteta!

 

 

MARATONË

 

Kush arriti i fundit

Ose kush nuk arriti fare

Ishte fitimtari!

 

Me ballsam e shpërbleu faraoni!

 

Godoja me flamur

Në samar breshke

Kalëron dreqin

Pi  duhan me llullë

E varret numëron!

 

Maratonomaku  i gjorë

Vdiq pa thënë: ”E fituam!”

 

Çakaj e korba

E varrosën në kepin e harrimit!

 

Kush nuk është nisur ishte më fatlumi-

Kortezhit  i ka  prirë  zdathur

Nëpër lëkurë iriqi

Deri te varri buzë lumit!

 

 

ANATEMË

 

Kur bien kumbonaret

Në pirg-

Engjujt  dridhen para Zotit!

 

Sa larg e sa afër është parajsa!

 

Serenata e vdekjes  

Arie e  dashurisë amorfe

Në Ditën e Shpëtimit!

 

Qoftëlargu  këmbëkryq

Kruan zverkun në derë të ferrit

Dhe mëkatet i numëron.

 

Kur bien kumbonaret

Në altar-

Mojsiu hap njërin sy

Me të mbyllurin

Shikon  përendimin e  diellit!

 

Krishti në Kalvar i druan ringjalljes!

 

Eva prapë shtatzënë

Në Goliat

I përtërinë emrin Kainit !

 

Abelit s’i gjendet emri

Ndër të gjallët

As në gurë varresh!

 

Sa keq e paskan mallkuar botën!

 

 

QENI ËSHTË I IMI

 

Lëpirja e kafshimi i qenit

Tashmë

Nuk janë senzacion.

 

Senzacion s’është puthja

As qenqe lëpirja me qenin!

 

-Ani

S’ka gjë të keqe

Goja shpërlahet edhe  me jargë zagari

E fytyra lahet

Edhe  me të përmjerrur qeni!-

Këlthisin puristët.

 

-Phë!

Teposhtë  bie në gji

Phëëë...!

Përpjetë bie në sy!

 

Me bisht apo cubel

Qeni është i imi!

 

 

IKJE  E NDJEKJE

       

Që nga vaji i parë

Më ndjek

E unë çalaman

Ik, e ik , e ik-

Pa dhëmbë e pa dhëmballë.

 

Mjerë ai që nuk e di artin e ikjes!

 

Unë e morti

Për pak frymë

Në udhëkryq jemi ndalë

Unë e shikoj nën vetulla

Morti më shikon  në ballë.

 

Ligatina

Nesër ka  ditë feste

E ndjekjet e ikjet nuk kanë të sosur

Rolet  nuk ndërrohen.

 

I lumi ai që e di artin e ndjekjes!

 

 

GOJËZIU

 

Diqysh si keq

Mu ka përthurur nëpër këmbë

E nuk më shqitet nga hapi

As më ndahet nga vrapi!

 

I ftohtë përqafimi me djallin!

 

Laku nepërkë e verdhë

Lidhur në qafë

Vezullon e dridhet!

 

Tashmë e kam të qartë

Se më të sigurtë se vdekjen

Kurgja nuk kam!

 

Hajt more

Nuk vdiset pa faj

Ndoshta këputet litari!

 

Eh,

Edhe në mitër të nënës

Gojëziu

Qenka marrë me mëkatet e mia!

He!...

 

 

HISE JOTJA  ATDHE

 

Për një buzëqeshje tënden

Shtatit tënd trefish

Ia kam marrë

Hisen e dhembjeve

Atdheu im i krrusur...!

 

S’ ma do  ëndja të të qaj

Lumenjtë e lotëve

Në varrët tuaja burojnë

E vërshojnë

Në dhembjet e mia!

 

Kur të vijë dita                              

Hisen e varrit do ta marr-                                    

Tamam sa më takon    

Borxh ma ke

Për të mbetur edhe unë

Pafundësisht

Hise jotja Atdhe...!

 

Nëse qaj

Mos u ligështo nga vaji im

Atdheu im i lodhur

Vaj burri

Janë kënga e pushka

Kur atdheu qan!

 

 

URATË

 

Ngrehinën e kalasë

Nga themelet e patëm nisur

Krejt pa  hile

Atëbotë

Dhëmbë qumështi kishe

Nuk ishe  ujk

S’kishe sy çatalli

Nuk ishe as skile !

 

Kur e patëm nisur

Bark e sy të ngimë i ke pasur!

 

Dikur vonë

Në kokën tullace

T’u zgurdulluan sytë e  uritur!

 

E  ke ngrënë

Hisen tënde të Atdheut

Times po i shkon kah fundi!

 

O Zot, të pangopurit

Ngij me dhe , gurë e rrasa!

 

 

ATDHEUT PO I DHEMB KOKA

 

Fjalë shumë punë hiq

Goja- shkrum

Mëndja kiq!

 

Oho!

Shijshëm po e hamë

Kungullin për pjepër!

 

Orët e  demagogjisë

Janë zgjatur

Atdheut të mjerë

Po i vjen të vjellë.

 

Ku betohen për  koka

Rënd ofshan toka...

 

Atdheut po i mirren mendët

Mbrapsht po sillet rrota

Po i pëlcet truri

Po i çahet rrashta

Atdheut po  i dhemb  koka...!

 

 

PANGOPËSI

 

Në festat e djajve

Me kupën e Odinit

Pikë për pikë

Gjakun ma ke pi!

 

Dhe, prapë po  vdes i etur!

 

Të kanë rënë

Dhëmballë e dhëmbë

E ma gërryen 

E ma ha 

Dheun nën këmbë!

 

As me dhe varri  nuk po ngihesh, bre!

 

 

THESI ËSHTË I YTI

 

Të larmë,

të bardhë ,

Të zi

Zihen e përzihen

Krihen, lyhen e përlyhen

Brenda në thes!

 

Symbylltas guxo

Provoje njëherë fatin

S’ dihet, ndoshta të buzëqeshë!

 

Nga thesi

Zgjidhe më të mirin

Nëse do

Dashuri me dreq!

 

E deshe s’e deshe

Thesi është i yti

Edhe dreqi është i yti!

 

 

PO DUA...

 

Po dua të them diçka

E dikush po m’i ha fjalët

Dhe po zhduket!

 

Po dua ta nis një kala

E diçka tebdil si në Rozafat

Po m’i shemb muret!

 

Po dua të shoh pakëz pas bjeshkës

E tym e mjegull

Po më lëbyrën bebëzat!

 

Po dua asgjë të dëgjoj

E fjalimet e zhurmat e vajtimet

Kokën po ma pëlcasin...!

 

Po dua t’i gjejë uratat e nënës

E  njerkëzeza si në përralla

Në shtigje po ma zë pritën!

 

Po dua të ngjitem përpjet

E qerrja përdreqshëm

Si kali hamshor

Ka marrë huj

Teposhtë...Teposhtë...

Deri në pafundësi po rrëshqet!

 

 

AS FJETUR AS ZGJUAR

 

Pak si në ëndërr

Pak si në zhgjëndërr

Krejt mjegullavt

Të përjargur

Po e shoh kafshatën time

Në gojë të dreqit!

 

Pak si në ëndërr

Pak si në zhgjëndërr

Si nëpër hi

Krejt cullak

Po e shoh dreqin

Tek lahet me ujin e bekuar!

 

Pak si në ëndërr

Pak si në zhgjëndërr

Si nëpër stuhi

Si gjarpërushë e verdhë

Po e shoh lakun

Kah shtrëngohet në qafë.

 

As fjetur as zgjuar

Po kotem!

 

 

RELIKTE HARRIMI

 

Të drejtën të derdhim lot pa qarë

E të qajmë pa  pa lotë

Me djersë e gjak

E kemi fituar

S’na e mohon njeri!

 

Dikush Kurkushët

E Diqysh Kurqyshët

Relikte harrimi

Në kujtesën e  zbërdhylur

U ka ardhur dita

Gjoksat po i rrahin!.

 

As të drejtën

T’i numërojmë varret

Kush s’na mohon!

 

Prapë kush s’e di

Sa  varre  i kemi

As sa të gjallë jemi!

 

Për  t’u betuar

Në reliktet e fosileve tona

Me kushtetutë

E kemi të ndaluar!

 

 

ZGRIPCI I KAFSHATËS

 

Nuk di pse

Saherë po kthehet sofra

Këmbët po më përthuren

E në prag të shtëpisë

Po marr në thua!

 

Nuk di pse

Sa herë po kthehet sofra

Në zgripc të kafshatës

Po më mirren mendët

E hundë e buzë

Po më mbushen me gjak!

 

Nuk di pse

Kur po kthehet sofra

Bukën e idhët të egjrës

Si dikur-

Më nuk po ma ka ëndja!

 

Zoti e di

Nëse kthehet sofra

A do të ngihem

Diqysh

Me  bukën e shijes së lotit!?

 

 

RELIKT PENDIMI

 

Nuk e di qysh,

Po, pa u lindur

Mozomakeq

Sa keq-

E kisha pasë trashiguar

Artin e vuajtjes!

 

Mozomakeq

Sa keq

Kisha pasë qajtur

Kur engjujt ma kishin pasë kumtuar

Mënyrën  e jetës

E  trajtën e vdekjes!

 

Mozomakeq

Sa ëmbël kisha pasë qajtur

E idhshëm kisha pasë qeshur

Me vetveten!

 

Mozomakeq

Sa keq

Isha pasë grindur

Me të lindurit e të palindurit

Me të gjallët e me të vdekurit

Me skllavët e me fisnikët!

 

Nuk e di qysh,

Po çuditërisht

Me të çmendurit

Ia kisha pasë kaluar mirë!

 

Mozomakeq

Sa keq

Edhe për t’u çmendur

Po u dashkan pak mend në krye!

 

Mozomakeq

Krejt keq

Nuk e di qysh

Isha pasë lindur relikt pendimi!

 

 

RELIKT GOSTIE NË FURTUNA

 

Çdo natë

Kur ka furtruna

Bëhen edhe gosti

Kush  ha eshtra të bluar

Kush pjek tru hijesh

Në skarë

Kush ha pa zemrër

Zemra njerëzish të pazemërtë!

 

Kur bëhen  gosti

Dehen pa raki

Me djersët e gjakun tim

E lotët e syve të mi!

 

Kur bëhen gosti

Satani prinë i pari

Në valle valon vellon e kuqe

E satanisht zgërdhihet:

-Sa herë ta lëshova mjekrën njeri!?

 

 

ZGURI I ASHTIT

 

Dhembjet nëpër dhembje

Rrugë të gjatë kanë

Nëpër prush shkretire

Deri te zguri i  ashtit!

 

Midis kudhrës e çekanit

Ashti kryeneq

Cung...!

 

Në gjuhën  e shkurtuar

Prapë belbëzohet-

Formula e pagëzimit!

 

Ashti plak

Kokërr e pa bluar

Guidë

Durimi finok

Nuk thyhet me dhëmbë

As përtypet

As përbihet!...

 

 

IK FJALA IME !

 

Shpesh po më ndodh

Mos ta njoh fjalën time !

 

Herë i ngjesin brirë

Herë i ngjesin bisht

Herë e vërtitin në bixhoz

Rulet në gisht!

 

Dikush e lënurë në kërhanë

Tjerët e lakojnë me dhëmbë

Dikush e qeth me gërshërë

Tjerët e shkelin me këmbë!

 

Ik fjala ime

Hyn nga dole!

 

Rrugën po  ta  dredhojnë

E s’po të lënë të rrahësh

Kurrë ku dhemb dhëmbi!

 

Fjala ime e idhët

Më ëmbël se bukën

Po të hanë-

E s’po ngihen me fjalë!

 

Ec e nxirre fjalën tënde

Nga goja e dreqit

E fute në kokë të mikut!

 

 

RELIKT LUTJESH

 

Nëse më nuk sheh

Si dikur

Ëndrra me sy hapur

Të gjallëve e  të vdekurve

Te varret

Do t’u lutem

Që t’i falin mëkatet!

 

Nëse nuk shikon shtrembër

Në gjunj do t’i lutem Zotit

Ta kthejë, bile njërin sy!

 

Nëse  nuk shikon vëngër

Do të hip lart

Si prifti në altar

E do të lutem... E do të lutem...

Të të vijnë prapë

Sytë në ballë!

 

Nëse ke sy

Të më shikosh

Madje vetëm njëherë

Drejt në sy

Do të lutem për sytë e tu

Si për sytë e mi!

 

 

VEGIME NATE

 

Sa më shumë që po e shikoj

Orën e varur në mur

Disi sonte

Më shumë po zgjatet nata.

 

Çdo tiktak ore

E paska pak biografi

E çdo hap

Një udhë kah harrimi!

 

Pse agu e terri janë aq afër

E, i rrinë aq larg

Njëri tjetrit

Kurrë një hap

Bashkë s’e hedhin!?

 

 

NETËT ME SY URITHI

 

Pyeti njëherë netët

Për varret e territ

E fosilet e humbura

Në xhunglat e historisë!

 

E di

Netët i kanë shkruar

Epitafet nëpër lapidarë

Me ngjyrë harrimi

E ditët

I kanë kënduar në dasma

Këngët e vajtimit!

 

Netët me sy urithi

Tmerrshëm luajnë lojën:

“Vraj natën e vajto ditën!”

 

Dhe, nuk skuqen nga turpi

As nuk druajnë nga Zoti!

 

5 prill, 2010

 

 

EKLIPS

 

Nëpër vrimë gjilpëre

Je përbiruar

Me një hap

E ke kapërcyer ylberin

Eklips

Si nuk të vjen keq

Nga dielli

E sytë e mi?!

 

Të gjitha dashuritë

I ke futur në shishe

Si gruaja dreqin

E krejt hollë 

Tallesh

Me dhimbjet e mia!

 

 

RELIKTE GJAKU

 

E kam marrë kokën

Në dorë

E kam gjezdisurr nëpër yje

Edhe dreqin e kam kalëruar

Nëpër pyje!

 

As në tokë as në qiell

Nuk munda t’i zë hijet!

 

Kur jam nisur

E kam futur kokën

Në trastën me erë shkrumi

Më pat magjepsur era e dheut tim!

 

Sa më larg që jemi

Atdheut i ndjejmë më këndshëm

Aromë e dashurie

Kur relikte gjaku çelin aguliqet!

 

5 prill, 2010

 

 

DASHURI ME ZEMËR

 

Nëse nuk vdiset

Për një lule

Nuk vdiset

As për një dashuri!

 

Kur dashuria është lule

Edhe lulja është dashuri!

 

Nëse nuk vdiset për një lule

As nuk jetohet për një emër

Idhulli në gjunj përkulet

Dashurinë e ka me zemër!

 

12 prill, 2010

 

 

VDEKJE ME SY MBYLLUR

 

(Në kujtim të vëllait tim, Danit)

 

Dheu mbi qivur

Nuk qenka

Vetëm relikt harrimi

Në vërragët

E moteve hijerënda

I imi vëlla...

 

Sa më i vjetër kujtimi

Po u zgjueka më i ri!

 

Ditët i kemi matur mirë

Me peshën e territ

E netët me tmerrin e ditëve

Gjithmonë me kandar tonin!

 

Sakt e paskemi matur

Në supet tona

Peshën e dy shekujve!

 

Toka  kurrë nuk na fali

Bukë më shumë

Se për tre muaj

Nëntë muaj u rritëm

Me ëndrra e dashuri!

 

Shpresa dha shpirt pas teje!

 

Ethet e dy shekujve të dridhën

E të shtrydhën mirë e mirë

Kur  vdekjen ëndërroje

Krejt symbyllur-

Në Atdheun e lirë!

 

12 prill,2010

 

 

QOFTËLARGËT

 

I kam  mallkuar qoftëlargët

Të hanë gurë e rrasa

Gjunjtë e vet t’i brejnë

Në përroje qafën ta thyejnë

Sytë t’ua pijnë sorrat

Lëkurën t’ua shtjerrin morrat...!

 

Si për inat timin

Qoftlargët shtojnë shtat

Nga një bëhen shtatë

Konak kanë në çdo shtëpi

Në gojë rrinë te çdo njeri

Jo më pak se njëqind mijë!

 

26 prill, 2010

 

 

RELIKTE E MORTI

 

Në dhomën e ftohtë

Hija e mortit

Përçudshëm sonte

Po rri varur në dritare

E diqysh mistershëm po  qeshet

Kush e di

Ndoshta edhe po tallet me mua

Ndoshta ka orë leksionesh

Nga gjuha e mortit

Kush e di

Ndoshta po më fton të hyjë në lojë

Ndoshta në fushëbetejë

Kush e di

Mund të hyjë

Kali i Druri si në Trojë!

 

Dikush do  të bëhet fli!

 

Këso hije të llahtarshme

Kurrë nuk kam pa

Disi si merimangë e zezë

Po varet e zgjatet në tra

Frymëmarrjet po m’i vjedh

E sytë po m’i lëbyrë

Tiktaket e lodhura të zemrës

Hija e mortit

Sonte po ndiej kah m’i ha!

 

30 prill , 2010

 

 

RELIKTE  LIRIE

 

Disi ëndërrtë

Si nëpër pluhur Sahare

E flakë vetëtime

M’u ftek

Dhe sa hapembyll sytë

Ëndërrtë humbi liria!

 

Zhgjëndërtë më trazuan

Vrapet pas do pelave pa frerë

Të do kuajve tredhana

Dhe hapat në asfallt

Të do  qizmeve të reja.

 

Kurrë nuk kuptova

Në mitrën e cilës lëneshë

Ishte ngjizur!

 

Mozomazi

Sa shumë etër paska Liria!

 

Liria nuk e di

Kur u lind

Sa shumë kishte mami!

 

Nuk e di

Kërthizën kush ia ka prerë

Flokun kush ia ka marrë

Nuk di kë e ka ndrikull

As kë e ka kumbar!

 

Oh, sa e bukur ishte liria në ëndërr

Zhgjëndërrtë

Po vjell nga kjo farë lirie!

 

As ëndërrtë as zhgjëndërrtë

Liria nuk e di

Sa nuska 

Relikte eshtrahumburish

Qëndisin gjoksa rrahagjoksash!

Në kremtat e lirisë!

 

1 maj, 2010

 

 

NË PËRVJETORIN  E NJË MASAKRE

 

Sot është e martë

Po bie shi

Edhe atë vit ishte e martë

Dhe binte shi!

 

Sot është ditë zie

Edhe atë të martë

Ishte zi e më  zi

Lot e gjak atë vit u përzien

Si sot në varre vaje e oratori!

          

  *   *   *

 

Shikoni

Si po lëvizin varret

Si po u dridhet dheu

Shihni kufomat kah gjezdisin

Prej varreve të vjetra

Te ndonjë varr i ri!

 

Curroni pak veshët

Varri ngushllon varrin

Për të gjallët e për të marrët

Me (pa) liri!

 

Mos paska ardhur dita

Të vdekurve t’u kihet lakmi!?

 

2maj ,2010

                                                     

 

RELIKTE DHEMBJESH

 

Nëpër shekujt e zdraltë

E ka humbur udhën

Topuzi i ndryshkur

E tinëz është ngulur

Në shpinën e ushtarit të ngratë

Betsabeja* e bukur

As qau

As  mbajti zi

Qysh e polli Salomonin

Dreqi e di!?

 

Gjoksi i gjelit vigan

Pas shpinës-

Mic Sokol para topit!

 

Vaj medet për fytyrën!

 

U soll e u mbështoll shtiza

Në arenë fytyrë nuk gjeti

Prapë  iu ngul shpinës!

 

Shpata, thonë, s’e pret trimin!

 

E qysh pra

E preu shpata e xhelatit

Qafën e Halilit

Me ballë të ndritur!?

 

E di Bejta Syla!                                         

 

9 maj ,2010

             

_____________

*Salomoni ishte i biri i Davidit dhe Betsabesë, gruas së ushtarit të Davidit, i cili u vra pas shpine  me urdhër të Davidit, për të fituar të drejtën të martohej me te.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora