E shtune, 27.04.2024, 10:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Faruk Myrtaj: Poemë e kryer me shpirt

E merkure, 25.12.2013, 02:09 PM


POEMË E KRYER ME SHPIRT...

Nga Faruk MYRTAJ

Poema “Epiri pasthirrmë Jugu” është krijimi më i ri poetik i Pirro Lolit. Është, padyshim, poemë e kryer me shpirt, me dhimbje, me art fjale dhe me dëshirë për të Urdhëruar Paqe e Dashuri...

Bariu i Coelho-s është Zoti, gjithnjë duke kërkuar prej Njeriut të gjejë Veten, përmes dashurisë, njohjes, pranimit, udhëtimit, arritjes për atje ku do duhej të shkonte medoemos në kërkim të një legjende: fatit të tij... Ka shkretëtirë udha, ka luftëra, por kur nisesh, gjithë bota të ndihmon të realizosh vetveten!

Atje ku Loli është thjesht Unë – Vetja – Individi, poema është si lumi i vizatuar në të; arti rrjedh e tingëllon natyrshëm, edhe më i bukur e përtej-kufitar është atje ku thirren në ndihmë Paqëtues – individë të tjerë prej fqinjëve: dashuria bëhet e plotë, e vërtetë, siç e kërkon vetë uni poetik në poemë dhe Loli shfaqet PIRRO, krahas Elitit, Ricosit etj. Ballkani bëhet ballkon i Europës... Ai Ballkan që, realisht, pas këtyre gjendjeve, fare lehtë mund të vështrohej si Gadishulli i mëvetësishëm,  si pjesa që i ka shkaktuar probleme deri edhe “Zotit që gjithnjë vinte vonë, duke çaluar...”  Mrekullueshëm! Një varg që i thotë të tëra por, sidosi, të tërë do të donim t’i këputnim prangat e pafuqisë së shprehjes e të shtonim diçka nga vetja jonë...

Por, mu këtu, mbase duke e ditur sesi do ta lexojë këtë poemë poeti tjetër, shkrimtari, bashkatdhetari a shqipot e tjerë, afër ose larg tokës epirote, atëbotë kur Loli e shmang Pirron dhe kërkon ta bëjë e ta mbrojë e ta zbukurojë e ngadhënjejë Atdheun, me historinë, me kohën e kufijtë dikur... mu atëherë pra, pa e marrë vesh, ne ngjajmë me fqinjët, natyrisht jo në atë përmasë, por fqinjë të fqinjëve mbetemi...!

Ndaj, në ndonjë fjalë a varg, në ndonjë pjesë a copëz, nuk do të duhej aq shumë histori e drejtpërdrejtë, se kam droje se ajo e lodh ndjesinë emocionale dhe estetike. Figurat e mrekullueshme letrare, simbolet e krijuara nga artisti ndodh të bëhen edhe më të bukura se ato kombëtare, afrimi që sjell arti mund të zëvendësojë menjëherë nevojën e mbledhjes së parlamenteve për të hequr ligjin e luftës... Dhe një keqardhje me kockat, eshtrat, do ta bënte të panevojshme mbjelljen e tyre për të tjera pasoja më pas...

Kur shkruaj kështu, kam parasysh veten, absolutisht veten: kështu ndodh edhe me mua: më fiksohet Dikush, shtiranak, për shembull, aspak disident, dhe nuk i iki që s'i iki dot Hijes së tij! Më duket se francezët, të gjithë dhe në të gjitha kohët, ia kanë me hile shqiptarëve, kur kjo natyrisht që s'është as e drejtë, as e vërtetë, por edhe sikur të jetë, askujt nuk i hyn në punë...!

 

Nga lufta s’pati fitimtarëVeç Troja dhe Epiri djegurDhe lisa të lartë

prerë nga të dyja anët...

 

Ku ka më bukur se kaq, konak me poetët e mëdhenj fqinjë, çdo lexues Bote do prekej nga kjo, qoftë dhe duke gjetur analogët e tyre, se kudo Ballkan është,  mëton të na thotë poeti Pirro, tjetër se si Epiri i Tij zor se gjen në këtë dynja! Por edhe grekët janë dakord me këtë, duan s'duan, edhe kur s'janë dakord me historinë e sotme... dhe mbase ky është misioni i madh dhe i përjetshëm i artit: sa më shumë dashuri mes njerëzish...

Po ku, ku janë /Falltarët, profetët e poetët e Eladhës...

Artistikisht dhimbshëm, dhe menjëherë pas kësaj vjen natyrshëm "po ti e fshehe..."! S'ka akuzë më të rëndë, por është lufta mes Tyre, jo e jotja me Ta... Poeti ynë është në anën e poetëve të tyre, sepse ata kanë qenë në krah të njeriut... Këtu është Pirro Loli i Madh, dhe Epiri bëhet i tij, edhe sikur ata të Kryeministrisë, dje dhe sot dhe nesër-dej të belbëzojnë e të përulen!

E më tej:

Ju e braktisët demokracinë e Platonit,  luksi u joshÇ’e doni mbushur kasafortën e shtetit

Më madhështore ajo duket bosh!

[Nuk isha aspak dakord me Ismailin, (Kadarenë) kur refuzoi vajtjen në Athinë para një a dy vjetësh. Pse, për ca deklarime të politikanëve, në mos gaboj! Po ti je shkrimtar Bote, o njeri, shko atje dhe fol, thuaji ato gjëra që mbeten pa thënë... po refuzove vajtjen...!]

Në djall vafshin Legjendat, kur e lënë njeriun e thjeshtë me sy nga kufiri! E çfarë është kufiri, kur brenda apo jashtë tij, njerëzit ndjehen në burg? Dhe mendo pastaj kur fqinjët i kanë poetët e këngën sa më të përbashkët, kur rënia e Greqisë ju dhemb edhe lexuesve e sivëllezërve shqiptarë të Elitisit e Seferisit...! Është edhe bukuri, edhe mëmëdhetarizëm, edhe fqinjësi që vetëm të këqija nuk sjell...

Në një poemë–pasthirrmë si kjo, poeti vë klithmën e Epirit në vargje, pak të thuash, të mrekullueshme:

Kërkova drejtësi dhe e gjeta vetëm Te vesa e barit, te bimët...

dhe diku tjetër, po aq mahnitshëm, si poet i plotëruar:

Ylli i çlirimit tënd jam unë, nga kthetrat e asaj ëndrre të ligë

Një kokërr mollë ka ngelur/ Një kokërr mollë në degën e tharë

Çlirohu nga unë.

apo edhe me botërisht, me art të perceptueshëm prej kujtdo që di historinë dhe artin antik dhe beson se Olimpi sillte paqe:

Përsëri përmendësh do ta mësojmë Iliadën...

Nuk ka shumë vargje kaq unikalë, të fuqishëm, dashurorë me jetën, të fisnikëruar me predikimin për humanizëm e art të përjetshëm. Prandaj nuk besoj se i shtojmë gjë artit, kur rrëfejmë patriotin e mëmëdhetarin mes vargjesh... E çfarë se e demaskuam Mavi-në e mavijtë dhe kujtuam varret e kokat e prera të viktimave, - ndër më të pafajshmit dhe të mbetur në hije – të çamëve të Bilal Xhaferit, të cilin, edhe pse u duhej ta sillnin nga Amerika ku e vranë, e nisën drejtpërdrejt për në Sarandë, në provincë, sipas tyre - se ata nuk e menduan se ai atje donte, vajtjen në Jug!

Kur mendon këto gjëra, të pacipa, s'ka sesi të mos e bërtasim patriotin, dhe sugjerimet për “thjesht art” janë... një fjalë goje, e di!

Prej këndej, ku jam degdisur, e shtoj ndonjë koment në shkrimet e gazetave shqiptare, për varret e kujat e Trojës e allishverishet e pulitikajve pa portokalle... se ky është njeriu, këta jemi ne...

Por unë e kam fjalën për Pirron, atë që ngjeth mishrat e shpirtrat me fjalën e qëmtuar për mozaikun e Epirit shqiptar:

Më lodhi heroi, historia dhe legjenda/O zot, besomë/Unë jam zvogëluar, zvogëluar shumë

dhe nuk dal në mes të rrugës për role makbethiane/megjithëse tragjeditë i kam më të mëdha...

Ja, këto gjendje – dhe ngjyrat, të gjitha ngjyrat, që janë kudo në poemën “Epiri, pasthirrmë Jugu” – më bëjnë ta pëlqej e ta shpërndaj në miq të tjerë... Por edhe sikur vetëm tek një njeri i vetëm të arrijë kjo përkorje fjale e ndjenje  poeti Pirro Loli  është në rregull me Babazotin e poeteve:

Homeri e mori në krah statujën/U ul këmbëkryq para portës së Trojës/dhe qau me lot të verbër.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora