E shtune, 27.04.2024, 05:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Pashë se si e rrëmbyen

E marte, 24.12.2013, 06:39 PM


O ZOT, E PASHË ME SY SESI E RRËMBYEN ...

Nga: Ryzhdi Baloku

Duke e analizuar jetën e vështirë të shqiptarëve në Jugosllavi, Sokol Malësori nisi të hyjë në debat me vetveten. Mendon: Mësa duket, përmes shërbimeve të spiunazhit janë informuar pushtetarët se popullata shqiptare po flet me pietet për pjesëtarët e ilegales, madje po i vlerëson ata si personalitete të sakrificës për çështjen kombëtare. Duke e pasur këtë njohuri, UDB-a jugosllave po përpiqet me çdo kusht t’ua mbyllë gojën shqiptarëve, dhe t’i disiplinojë duke i mbajtur tërë kohën nën vëzhgim, përfshirë edhe ata në pjesët më të thella malore.

Kur po ndodhin burgosjet e të rinjve në Kosovë, pandan pjesës liridashëse të shqiptarëve, aty për aty si me automatizëm po rreshtohen vasalët e regjimit. S’është për t’u çuditur, prej kohësh në strukturën e saj është shtresuar fundërrina e kombit e përbërë nga kolaboracionistë, sejmenë e hafije. Madje, kjo kategori servilësh, rezilësh, dallkaukësh e kopukësh po garojnë mes vete se kush më mirë e më shumë do të flasë kuluareve më me përkushtim për këtë regjim. Këta, nëpër këto ndeja kryesisht po merren me përgojime, shpifje e intriga, sa që ditë përditë po trillojnë thash e thëna për ta, me qëllim që t’i përulin të burgosurit politikë. Në bisedat e tyre kryesisht po e përmendin frazën: “Prapanicat e tyre po donë të na prishin vëllazërim-bashkimin me serbë e malazezë”, pastaj: “Kush janë këta që ta luftojnë Jugosllavinë që e ka ushtrinë ma të fortë në Ballkan, madje të katërtën në Evropë”. Po ashtu, për ta zhgënjyer popullatën, këta hyzmeqarë regjimi në muhabetet e tyre po përdorin kinse fjalë të urta: “S’kanë thënë kot, hyçymeti e ndjek lepurin me qerre”.

Përpos këtyre punëve të liga dhe kurdisjes së vazhdueshme të incidenteve kundër bashkëkombësve, kjo kategori e shqiptarëve egoist-mizantropë po i kontribuon edhe shpërnguljes, përmes thurjes së tregimeve imagjinare me butafori mashtruese për jetën e lumtur në Turqi. Të tillët po e harrojnë fjalën e urtë: “Kur harxhohen drutë, digjet edhe cungu”.

Të gjitha këto dredhi, sigurimi shtetëror bashkë me milicinë po i koordinon me aksione të shpeshta represive. Mirëpo, burgosjet e fundit do t’i kthehen në bumerang këtij shteti. Procesi i gjykimit të tyre iu qiti në pah të gjitha padrejtësitë ndaj shqiptarëve.

Këto përsiatje të Sokolit iu ndërprenë si me brisk në çastin që i ra ndërmend se ishte koha për ta përcjellë emisionin “Për shqiptarët jashtë atdheut” që jepej në valët e Radio Tiranës. Në atë moment u ngrit shpejt nga kanapeja për ta kyçur radion.

Që në fillim të këtij emisioni, spikeri e paralajmëroi komentin politik të përgatitur nga agjencia telegrafike shqiptare për ngjarjet në Kosovë. Kureshtja për komentin ndikoi që t’i bëjë “veshtë katër”. Menjëherë pas edicionit të lajmeve, nisi leximi i tij. Në mesin e shumë akuzave ndaj Jugosllavisë, veç tjerash në të u tha: Burgosja e këtyre të rinjve që ndodhi këto ditë, është rezultat i padrejtësive të shumta dhe persekutimeve sistematike që po i ndërmerr regjimi jugosllav kundër popullatës shqiptare në këtë shtet.

Pas përfundimit të këtij emisioni, në kujtesën e Sokolit filluan t’i sillen ngjarje të shumta nga e kaluara e kësaj ane. Kujton: Për njëzet vite të pushtetit Titisto-Rankoviçist, shqiptarët u varfëruan sikurse në kohën e krajlit. Derisa makineria e këtij regjimi po gjen forma për t’ia bërë jetën sa më të rëndë kësaj popullate, në anën tjetër po e propagandon udhëtimin e kollajshëm të atyre që do të shpërngulen në Turqi.

Nxënësit dhe studentët janë vënë nën llupën e  përcjelljes dhe përndjekjes së organeve të sigurimit shtetëror. Në fjalorin e bisedave është vënë ndalesa që askush të mos guxojë ta përmendë emrin Shqipëri. Me qellim që ta gjunjëzojë popullatën për ta lëshuar vendin, i kanë ngritur taksat e tatimit në pronë në atë nivel sa s’po ka familje shqiptare e cila po ka mundësi t’i përballojë të gjitha këto ngarkesa. Pos kësaj dhuna fizike e agjentëve inkuizitorë është shndërruar në dukuri të përditshme sidomos ndaj personaliteteve të caktuara me ndikim.

Sokol Malësorit iu gërshetuan një mori mendimesh, konstruktet e të cilave nisen t’i tunden e rrokullisen nëpër mendje me ngjarje nga e kaluara dhe e tashmja, të cilat gjithnjë e më shumë po ua rëndonin jetën shqiptarëve. Në përsiatje e sipër të kësaj kujtese, iu kujtua se si gjatë Luftës së Dytë Botërore nën diktatin e partisë simotër të Jugosllavisë, nomenklatura e kastës komuniste të Shqipërisë e shkeli marrëveshjen e Mukjes, që kishte të bëjë me rezistencën e përbashkët të dy rrymave ideologjike të shqiptarëve kundër fashizmit e nazizmit. Pos kësaj, pas kapitullimit të Gjermanisë, jo vetëm që i lanë Kosovën dhe krahinat shqiptare në duar të armiqve, madje ata zhvilluan edhe luftë kundër vëllezërve të vet me ideologji nacionaliste, duke e shndërruar vendin në një kasaphane tmerri, ku gjaku i këtij kombi rrodhi si lumë.

Megjithëqë komunistët e Shqipërisë në të kaluarën kishin bërë gabime që s’ua fal historia, prapëseprapë shqiptarët e Kosovës mbanin shpresë që udhëheqja e tyre s’do t’i përsërisë gabimet e mëhershme, e që si duket, në kuadër të këtij këndvështrimi edhe grupet ilegale në programet e veta kishin planifikuar ndihmesën nga ata, për faktin se në politikën globale në botë që po zhvillohej gjatë kësaj kohe, nuk shihej ndonjë rrugëzgjidhje tjetër për t’u çliruar nga Jugosllavia. Nga ky koncept mendimi, komenti i ATSH-ës të cilin ditë më parë e dha Radio Tirana u ngjalli shpresat popullatës së robëruar kosovare për t’i përballuar reprezaljet e këtij regjimi, me besim se shteti amë tanimë ishte zgjuar nga letargjia dhe se tash e tutje do të kujdesej edhe për shqiptarët përtej kufijve që të tjerët i kishin copëtuar në pesë shtete.

Kjo situatë kujtese Sokolit i zgjati për aq kohë derisa se dëgjoi trokitjen në derë të oborrit. Mendoi: A jam në ëndërr apo zhgjëndërr ? Zakonisht, në këso lloj situatash njerëzit u shmangen vizitave, e sidomos kohëve të fundit kur sigurimi shtetëror e përcjell çdo lëvizje. Posa trokitjet në derë filluan të shpeshtohen me goditje të forta, iu kujtua se derën e kishte mbyllur me reze posa kishte rënë muzgu i parë, me paramendim se s’kishte kush t’u vinte. Me zë pëshpëritës vetveten e pyeti:

-  Kush është në këtë vakt që po troket ? !

Pas këtij perceptimi, Sokoli u ngrit ngadalë për të dalë jashtë. Si nisi të ecë përgjatë oborrit kah dalja për në sokak, mendoi: Nëse është milicia, çfarë donë tash në këtë kohë, kur mirë e dinë se gjykimi ka përfunduar ? ! Këta shushunjë, deri me sot s’ia kanë trokitur derën kurrkujt për të mirë. Zakonisht, kur dikujt i shkojnë te dera, dihet se kanë për qëllim që t’i bezdisin, apo për ta burgosur dikë prej tyre.

Përderisa po i shoshiste opsionet e këtyre trokitjeve, dëgjoi zërin që thirri:

- O Sokol a je aty ?

Me të dëgjuar atë timbër, e njohu se i kujt ishte, prandaj menjëherë ia ktheu me fjalët:

- Po-po, qe veç sa s’ia mbërrina, s’di as vetë sesi u bë që e paskam mbyllur derën kaq herët.

Me të arritur aty, Sokoli e hapi derën duke e ftuar atë me fjalët:

- Eja Mic eja.

Si e kapërceu pragun e u fut brenda, ky ia zgjati dorën në shenjë të mirëseardhjes, e i tha:

- Mirë se të ka pruar Zoti o Mic trimoshi, vetëm burrat si ti i gjenden mikut pranë atëherë kur duhet.

- Nuk jemi shokë të djeshëm, o Sokol miku, - iu përgjigj ai me një ton të qetë.

Derisa të dytë ecnin krah përkrah në drejtim të shtëpisë, Mici nisi të flasë:

- O Sokol Malësori, pos që je njëri me nam, të gjithë ta kanë lakmi stoicizmin tënd. E di mirë se s’do mërzitesh shumë që ta burgosen djalin, sepse burgu është për burra. Kësaj radhe kam ardhur që të shohë ty. Sa i përket Trimit, ai është djalë i ri e i fortë, kam shpresë se do t’i përballojë të gjitha furtunat. Tek e fundit ka kujt t’i ngjajë. Kjo fushatë e organizuar nga shteti me kaq bujë, ka për qëllim që t’i bëjë presion popullatës shqiptare për t’u distancuar nga kërkesat liridashëse të proklamuara kohë më parë përmes trakteve të shpërndara anembanë Kosovës nga pjesëtarët e ilegales të cilët e patën gjykimin këto ditë.

- O Mic Daiu, edhe kjo punë po shihet ashiqare. Informatorët janë lëshuar si zagarët pas gjahut, - ia ktheu Sokoli me një zë brengosës dhe vazhdoi: - Edhe pse sigurimi shtetëror po përpiqet t’iu fshehë identitetin e konfidentëve të vet, popullata po i njeh, ata po e zbulojnë vetveten. Pjesa dërmuese e këtyre personave që po i shërbejnë këtij pushteti sot, janë pasardhës të atyre që dikur kishin punuar për xhandarët e krajlit si “poverenikë”, epitet ky i asaj kohe që u dedikohej apostafat “shqiptarëve të besueshëm” të atij regjimi.

Kur u afruan te hyrja e shtëpisë, Mici e ngadalësoi hapin, e vëzhgoi oborrin me një vështrim të shpejtë si kosa kur vërshëllen në bar, pastaj e ndaloi ecjen për një çast, dhe tha:

- Sokol, s’po hyjmë brenda, këtu qenka ambient i këndshëm me këta  stola përjashta.

- Jo Mic, në qetësinë e natës edhe muret kanë veshë, do të shkojmë brenda, e pastaj atje në odë do të bisedojmë çlirët, shtruar e pa kasavet.

Posa hynë në odën e pritjes, Sokoli e udhëzoi Micin për t’u akomoduar në kanape në ballë të dhomës, ndërsa vetë më pas u ul në tjetrin jo larg tij që ishte anash.

Nuk vonoi, aty ia behu Zoja për t’u takuar me të, ndërsa reja e saj Tringa i shkonte prapa që ta përshëndesë dhe t’i shërbejë me shurup trëndafili, para se t’ia sillte kafenë më vonë.

Pas përshëndetjeve, ato u larguan për t’i lënë ata të bisedonin çlirshëm mes vete, si miq të vjetër që ishin.

Meqë nga çehrja Sokoli dukej paksa i mërzitur, Mici ia nisi bisedës e po i thotë:

- Dëgjo o Sokol Malësori, pos Zotit që është në qiell, askush tjetër s’mund ta di sesi do të sillen punët, por një gjë po dua me ta thënë: “Të gjallit i gjendet zgjidhja”. Po të tregoj se para së të vija te ti, dëgjova se ia kishin vrarë djalin Shpend Kastratit.

- Mos bre ! Iu thaftë dora atij katili që e ka bërë këtë krim ! - ia ktheu Sokoli me habi.

Pas këtij kumti Mici vazhdoi:

- S’ka dy javë që e pashë të ndjerin. Në atë mëngjes të hershëm isha nisur për në arë, ngase po atë ditë e kisha rendin e vadës. Meqë ishte kohë muzgu, kur dita dhe nata ndahej prej njëra-tjetrës, s’mund të shihja bash qartë, rrugës ecja duke përgjuar me kujdes. Më të arritur te udhëkryqi i rrugës, e pashë automjetin e milicisë të parkuar jo shumë larg shtëpisë së Shpendit. U ndala për një çast e u skajova anash, që të vëzhgoja se çfarë po ndodhte. Aty shihej rendi i milicëve të armatosur skaj rruge dhe ca të tjerëve me rroba civile që ishin mbështetur me shpinë për muri në pozicion gatishmërie, si t’ia kishin zënë priten dikujt. Pos meje këndej dhe atyre andej s’shihej tjetër njeri. Të vazhdoja të eci, kisha drojë se do të më arrestonin. Vendosa të kundroja nga larg. Atë që përafërsisht e parashihja, ajo edhe ndodhi. Pas pak nga shtëpia e vet doli në rrugë tash i ndjeri, i cili si duket edhe ai si unë ishte nisur për në bahçen e vet që t’i ujisë zarzavatet. O Zot, e pashë me sy sesi e rrëmbyen. E kapen me forcë prej krahësh, pastaj duke e goditur në kokë me kondak pushkësh e futën me shpejtësi në automjetin e tyre.

Deri në ditën kur e vranë, askush s’dinte se ku ishte ky njeri. Organet policore s’treguan fare për këtë arrestim, e mbajtën të fshehtë. Ato ditë, nëpër qytet nisi të flitej për zhdukjen e mistershme të tij. Njerëzit thoshin: “Humbi djali sikur ta kishte lëshuar toka”. Më vonë u përhap fjala se gjatë arratisjes për Shqipëri është vrarë një njeri afër kufirit, pa e përcaktuar se kush ishte ai.

Çfarë absurdi ? Mos vallë i ndjeri ishte mizë që të fluturojë nga qelia e burgut për t’u gjendur në kufi dhe aty të vritet, kur as zogu që ka flatra s’ka mundësi të dalë jashtë grilave të asaj godine ? !

Për të dëshmuar tash kundër këtij trillimi, e di mirë që shërbimi sekret serb s’do të më lërë shteg për një gjë të tillë, do të veprojë si me tjerët. Ende pa ia nisur gjykimi, do të ma qesin ndonjë kriminel të më vrasë në rrugë. Gjykimi do të jetë formal “sa për sy e faqe”, dhe në vend që dorasin ta dërgojnë në vuajtje të dënimit, do ta punësojnë si gardian në ndonjërin prej burgjeve të Serbisë, për t’iu bërë zullum të burgosurve shqiptarë, që për raste të tilla ka shembuj sa të duash. Mirëpo, kam besim te Zoti se s’do shkojë kohë e gjatë kur do të vijë dita që të sqarohen të gjitha këto vrasje enigmatike që i ka kurdisur UDB-a, sepse qebesa edhe këtyre qafirëve një ditë do t’u vijë fundi, si zaptuesve tjerë.

- Të lumtë goja o Mic dosti, edhe unë e kam të njëjtin mendim si ti. S’ka kund në botë që i tërë një popull mund të mbahet në pranga, sundimeve koloniale tashmë po iu vjen fundi, - ia ktheu Sokoli me optimizëm.

Kështu, bisedë pas bisede mes dy shokëve të vjetër, kuvendimi zgjati deri në orët e vona.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora