E shtune, 27.04.2024, 11:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Gjokë Beci, një jetë plot pasion

E hene, 23.12.2013, 09:47 PM


Gjokë Beci, një jetë plot pasion për poezinë dhe muzikën shqiptare

Nga Hyqmet HASKO

Gjokë Beci mund të konsiderohet si një nga emrat më përfaqësues të poezisë dhe muzikës shqiptare, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë prej dyzet e ca vitesh, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.

Fjalët e teksteve të tij kanë një komunikim të gjërë me shikuesit e shumtë, në të katër anët e Shqipërisë dhe të botës shqiptare, kudo ku flitet shqip, ku emri i tij është një emër i mirënjohur e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.

Ashtu si tek gjithë poetët, poezia e tij merr rrugë me fletoret intime të vjershave, me vargjet e para për dashurinë, për vete apo për ndonjë shok a shoqe që ia kërkonte, shkëmbimi i mesazheve me anë të vargjeve, një modë tanimë e harruar, për shkak të nofullës kërcënuese të celularit dhe internetit ndaj adolishentëve dhe brezit të ri…

Qindra tekste këngësh dhe poezi e krijime në prozë kanë qarkulluar që atëherë e deri tani me autor Gjokë Becin, duke bërë që emri i tij të jetë nje emër i dashur për njerëzit, të cilët janë aq të lidhur me këngën dhe poezinë që e bashkëshoqëron, duke e identifikuar autorin e këtyre teksteve me mesazhet e ngrohta e të çiltëra që burojnë nga thellësia e zemrës poetike, me një lirizëm të gjallë e spontan…

Duket se dëshira dhe pasioni për letërsinë, për kulturën popullore dhe artin muzikor, si pjesë e kësaj kulture, ka lindur së bashku me Gjokë Becin e ka nisur udhëtimin që në hapat e pare të jetës së tij. Ajo dëshira e vogël që rritet çdo ditë e më shumë tek lexon veprat e autorëve të mëdhenj, siç janë Ndre Mjeda, Zef Serembe, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Ali Asllani, Çajupi e ka shoqëruar djaloshin ëndërrimtar gjithmonë, edhe tani në moshën e burrit të pjekur kur duket se magjia artistike është bërë pjesë e pathyeshme e personalitetit të tij njerëzor e artistik.

Ishin këta dishepuj të kulturologjisë sonë kombëtare por dhe të tjerë që ndriçuan mendjen e malësorit Gjokë Beci dhe zgjuan tek ai një ndjenjë kaq të bukur për poezinë dhe këngën. Dhe siç ndodh me çdo fëmijë fëmijë, në moshën kur flatrojnë dëshirat dhe pasionet, dëshira e tij shpërthyese merr rrugë, teksa mundohet të lexojë dhe të studiojë me përpikmëri atë çfarë i duket më interesantja, ajo që e “shqetëson” për mirë, për të kuptuar më shumë rreth ëndrrës së tij estetike. Është një ëndërr që e ndjek atë dhe gjatë adoleshencës me këmbëngulje, duke u projektuar si një vizion në drejtimin e duhur, për kah e udhëhiqte instinkti estetik dhe pasioni rinor. Kështu, me ndrojten e moshës së njomë dhe vullnetin e atij që sapo ka dalë në një rrugë mrekullore, plot konture drite dhe dashurie, nisi në një moshë jo të vogël, por as të rritur, udhëtimi i Gjokë Becit drejt realizimit

të pasionit të tij për të shkruar.

Jeta jo rrallë do të tregohej një njerkë e keqe me gjokën, pasi ai mbeti jetim, pa baba që në moshën 4-vjeçare, por imazhi i tij do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës, duke qenë një frymëzim i pareshtur  për poetin dhe artistin.

Gjokë Beci ka lindur në fshatin Zajsë, në zonën Selitë, në Malësinë e Mirditës. Ky është fshati i bukur ku shkroi vargjet e para për të dashurën vendlindje. E që nga ajo ditë e deri më sot ai vazhdon të shkruajë me dashurinë më të madhe, poezi recitale e të këndueshme, siç i quan dhe vetë artisti Beci. Jo vetëm se ishte vëllai i vetëm i motrave Beci, por sepse ai ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, mënyra se si fliste, si shprehej, si sillej me bashkëmoshatarët e tij dhe të rriturit e diferenconte atë nga të gjithë, sigurisht për mirë.

Gjurmët e ëndrrës së tij estetike nisin të konturohen që në bankat e shkollës shtatëvjeçare, teksa në vetmi bluante vargje poezishë dhe refrene këngësh. Pra, ka filluar të shkruajë poezi e prozë që nga arsimi 7-vjeçar, pasion që u fuqizua më tej, kur Gjoka u transferua me studime në gjimnazin “Ndrec Ndue Gjoka” në kryeqytet, nën trajnimin e profesorëve të nderuar si Petro Marko, Gjergj Zheji dhe Gazmend Biba. Poeti do t’i kujtojë me nostalgji këta koka të artit poetik dhe estetik në përgjithësi, për pasionin dhe vitalitetin e jashtëzakonshëm pedagogjik, për ndikimin pozitiv që ata kishin tek ai dhe tek secili nxënës. Ai e vazhdoi më tej pasionin e tij për letërsinë, tashmë i futur më në brendësi të saj, duke shkruar dhe vargjet e para në vitin e dytë të gjimnazit. Ishte fillimi i rrugëtimit të tij në fushën e artit, në botën e krijimtarisë.

Por në një fushë ku në “korsinë” e vrapimit” kishte shumë konkurues, sigurisht që ishte vështirë të shkëputeshe nga uniformiteti i krijimtarisë dhe të dilje në atë fushë që krijuesi vërtet lakmon, krijimin e spikatur, gjurmëlënien. Kjo gjurmëlënie lidhet me një pjesë të krijimeve folklorike, të cilat kanë shënuar një pikë kulmore në penën e Becit dhe një kthesë rrënjësore në jetën e tij artistike, duke e veçuar si një kulturolog të spikatur.

Ishin vitet e arta rinore, kur me pasionin e moshës dhe dëshirën për të provuar risitë, djaloshi kërkonte me ngulm për të gjetur “Tokën e Premtuar”. Gjithçka po shkonte mirë, poezia, studimet, familja, shëndeti, deri në momentin e diplomimit, i cili i shkoi me sukses, sigurisht, por ishte diçka tjetër që e cungoi ëndrrën e Gjokës. Dëshira e madhe për të vazhduar studimet e larta, u ndërpre pikërisht në momentin kur ai po e priste me aq gëzim dhe si gjithmonë në atë kohë të pa kohë arsyet ishin politike, arsye qesharake, por që  e penguin të vazhdonte studimet.

Kështu gjatë viteve 1965 e deri në ‘86-n, në vend të auditoreve të Universiteteve të Tiranës, Gjoka u detyrua të kryente punë tjetër, fatmirëisht në fushën e artit, fushë që ishte dhe mbeti Edeni i tij. Ai u kthye në vendlindjen e tij dhe u mor me muzikë, pa dalë nga fusha e artit, ku dha një kontribut të veçantë për folkun e Mirditës, i cili në atë kohë ishte në periudhën e tij më të keqe. Aty lulëzoi dhe karriera e Gjokë Becit, duke filluar me çmimet e marra në Festivalin e Gjirokastrës, 1978, ku kënga “Xhamadan i trimërisë”, u vlerësua me çmimin e parë. E jo vetëm kaq, Gjoka kishte një të veçantë kur shkruante, ai nuk ndahej nga idetë e tij, dhe nëse i pëlqente ajo që pasqyronte në bllokun e tij, nuk i ndryshonte as presjen më të vogël, por nëse vetëm një frazë i dukej e papërshtatshme e ndryshonte atë njëqind herë deri sa t’i tingëllonte aq bukur saqë të mos ketë nevojë për

ta prekur më. Duke vazhduar më tej me “Një zambak i bardhë mbi gur”, “Dy gëzime në një ditë”, të cilat janë me çmime të para, në Festivalin e ’90-s, saktësisht 4 vite pasi Gjoka filloi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1986. Edhe pse në moshën 47-vjeçare, ulet në sallat e universitetit për të ndjekur orët e leksioneve dhe seminareve me bashkëstudentët e tjerë, ku binte në sy figura e tij, jo vetëm për shkak të moshës, por tashmë kishte ardhur me një “fytyrë” tjetër, një njeri i formuar, një personalitet i njëjtë me pedagogët, të cilët gëzonin të njëjtin respekt si ai në bordin e shkrimtarëve.

Gjokë Beci është autor i dhjetë librave, ku që nga vëllimi i parë me poezi, botuar në vitin 1970, titulluar “Kur zgjohen Bjeshkët” e deri më sot nuk ka reshtur për asnjë çast së kënduari për bashkëkohësit e tij. Pas librit të parë, pas një heshtje të gjatë prej 20 vitesh, ka botuar librin “Zambaku im”, 1990, për të vazhduar në këto kohë me disa vëllime të tjera poetike, si: “Qiell e dhe”, “Antologjia e shpirtit” (1, 2), “Thuj vetes ec” dhe “Plis në Luvër”.

Por muzika ishte dhe mbeti kryeëndrra e tij, pasi me vargjet e muzikës lidhet shkëliqmi lëbyrtës I talentit të tij, ajo njohje e madhe dhe popullaritet që ai gëzonm në mjediset letrare dhe muzikore.

Gjokë Beci bëri emër në muzikën shqiptare, duke dhënë një kontribut të veçantë në muzikën popullore. Ai ka bashkëpunuar me artistë të shquar shqiptarë, brenda dhe jashtë trevave shqiptare, të cilët i kanë besuar penës së tij, duke e shpalosur me zë atë çka ai ka gjallëruar e ka sjellë në jetë. Interes të veçantë për këngët e shkruara nga Gjoka, kanë pasur këngëtarët nga diaspora, ata të rrymës popullore, siç janë: Shkurte Fejza, Ismet Rexhepi (Maqedoni), Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprela, Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Gëzim Nika, Arif Vladi, Manjola Nallbani, Artiola Toska e shumë të tjerë.

Emri i Gjokë Becit është një emër i shquar, i shumëvlerësuar në fushën e poezisë, muzikës, folkut dhe kulturologjisë së botës shqiptare, brenda e jashtë kufijve të cunguar adminsitrativë të Shqipërisë, ku pena e tij ka lënë gjurmë në një kohë prej dyzet vitesh, me një krijimtari të gjërë e të larmishme, e cila bën pjesë në fondin e artë të letrave dhe muzikës shqiptare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora