E merkure, 01.05.2024, 09:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Ukshin Zajmi: Çezmet publike të Gjilanit

E enjte, 19.12.2013, 08:55 PM


Çezmet publike të Gjilanit

Nga Ukshin Zajmi

Gjilani, ndonëse është qytet i ri, daton pas vitit 1700, i themeluar nga fasi  Gjinaj, që më vonë u quajtën Gjinoll ( i biri i Gjinit), e që ishin sundimtar të Artanës (Novobërdos) e të Prishtinës. Ata, këtë vend e hetuan duke gjuajtur pata të egra, të cilat gjatë shtegtimit të tyre: në pranverë për në veri e në vjeshtë për në jug, pushonin këtu. Vendbanimi është vendosur në ultësirë, e, që më parë ishte tokë moçalike. Kjo tokë moçalike filloi të thahet me ndërtimin e ures dhe kanalit kullues nga Musa Kotorri nga rrethi i Skenderajt të sotëm, porositur e paguar nga tregtarët të kripes e të mallit tjetër nga viseve të ndryshme të Kosovës që e sillnin nga Sofia, Nishi e Vraja (1).

Shtëpite e para të Gjilanit u vendosën në vendin e quajtur Arat e Mira, e që më vonë u quajt Gavran, ndërsa sot njihet me toponimin Dardani. Bri këtyre arave e shtëpive kalonte Lumi i Arave të Mira e që sot është transformuar në emrin Mirushë, burimi i të cilit ishte nga livadhet dhe nga qezmja e Petigocit. Një pjestare e fisit Dedaj, thot se, kjo çezme e ka marrë emrin kështu nga banorët serb, sepse afër saj kanë qenë shtëpitë e pesë vëllezërve Dedaj, pra serbizim i përemërit "tek të pestit"(2). Kjo çezme është shfrytëzuar për ujë të pijes nga këto pesë familje Dedaj, e më vonë edhe nga të tjerët, dhe nga ajo ka rrjedhë uji deri në vitin 2004, kur nga pakujdesia është prishur e shterrur.

Banorët e Gjilanit me ujë për pije janë furnizuar nga puset që i kanë ngritur nëpër oborret e veta. Këtë ujë ata e kanë shfrytëzuar edhe për nevoja të tjera higjenike. Mirëpo, shumë qytetarë që i kanë pasur shtëpitë afër lumenjve (Mirusha, Baja dhe lumi i Stanishorit) ujin e tyre e kanë shfrytëzuar edhe për larjen e rrobave (3).

Rreth viti 1830 Gjilanin e kaploi një zjarr dhe e asgjësoi thuaja në tërësi. Ndërtimi i qytetit të ri, ndonëse me një arqitekturë të re e të mbuluara me çeremide filloi te merr konturat e një vendbanimi të grumbulluar. Filluan të popullohen edhe pjesët moçalike. Me shtimin e banorëve të Gjilanit e me zhvillimin ekonomik, sidomos të zejtarisë, e posaçërisht me aplikimin e ditës së tregut (të shtunden) dhe të dy panaireve, u shtrua domosdoja e furnizimit me ujë për pije, si për banorë ashtu edhe për vizitorët në këtë qytet.

1.Çezmja e xhamisë (Shadërvani)

Sipas të gjitha gjasave ujin për këtë shadërvan e sollën nga rrënza e kodrinës Gllama, në pjesën jug-perendimore të saj. Në këtë vend, deri me ngritjen e Kolegjit "Fama" ka rrjedhur uji nga gypat e dheut. Besohet se uji nga kjo rrjedhë është dërguar edhe në Hamamin e qytetit që ka qenë i ndërtuar në lagjën e Beglerëve, në vendin në mes të shtëpisë së sotme të mallrave dhe bibliotekës në ndërtim të qytetit.

Kjo çezmë ka qenë e rrethuar dhe e mbuluar dhe në te ka rrjedhë uji nga disa gurra. Është përdorë për të pirë ujë, por edhe për abdes të besimtarëve mysliman, që janë falur në xhami. Në bazë të fotografisë së këtij shadërvani besohet se ai duhet të jetë ndërtuar në mes të viteve 1910 dhe 1921, nga se xhamia ka filluar të ngritet në vitin 1910 nga Halit Beu, ndërsa minarja i është ndërtuar në vitin 1921, ndërsa në foto shihen muret e xhamisë, por jo edhe mbuloja e saj.

Se kjo qendër e qytetit ka qenë e ndërtuar pa ndonjë rregull, por në saje të shadërvanit, si një objekt i rrallë infrastruktural, ka rrjedhur edhe mahia e rimuar: "Gjilan he viran/shtatë mejhane, tre duqane e një shadërvan/mos me kanë shadërvani/për kori ish kanë Gjilani!"/(4)

2.Çezmja e Beglerëve (pazarit)

Kjo çezme ka qenë e vendosur në afërsi të Begler mëhallës, përkatësisht në gjysmën veriore të tregut , përkatësisht "Lamës së miellit", siç i kanë thënë atëherë.  Sot në këtë vend ndodhet Shtëpia e mallrave. Uji nga kjo çezme është përdorur për të shuar etjen e tregtarëve të shumtë, por edhe për nevojat e banorëve të kësaj lagjeje. Besohet se edhe uji në këtë çezme ka qenë ai i njejtë si i shadërvanit dhe Hamamit. Nga banorët e vjetër kam mësuar se kjo ]ezme ka pasur rrjedhje të vazhdueshme, por më vonë, sigurisht i është ndërtuar ndonjë rezervuar dhe uji është thithur me paisje për të nxjerrur ujin me vakum (si të tillë e mbaj mend edhe unë), ndërsa uji që ka tepruar përmes një vade sipërfaqësore është derdhur në lumin e Banjës.

3.Çezmja e Ilaz Beut apo tek "Saraji",apo"Srezi"

Nga kjo çezme ka rrjedhë ujë gjithnjë dhe uji i saj ka qenë më i preferuai nga qytetarët për t'u pirë. Rreth kësaj, një qytetarë thot se, si fëmijë prindërit më dërgonin për të marrë ujë për pije te kjo çezmë, edhepse më duhej të kaloja çezmen e pazarit dhe shadërvanin (5). Nga kjo mund të konstatohet se burimi i ujit për këtë çezme ka qenë tjetër nga ai i shadërvanit dhe çezmës së pazarit (Beglerëve). Në këtë  vend janë furnizuar me ujë për pije shumë qytetarë, andaj ata edhe kanë pritur në rend për të mbushur shtabën, testinë apo kënatën e tyre me ujë. Rendi është mbajtur mirë, por ka ndodhur që gjatë bisedës duke pritur edhe të jenë grinder në mes vete, e sidomos kjo ka ndodhur në mes të grave rome. Vlenë të theksohet se gratë dhe vajzat shqiptare nuk kanë mbushur ujë në këto vende (5). Sekendejmi mund të thuhet se uji këtu është sjellur nga Livadhet në pjesën perendimore të Gjilanit, që tashmë njihen me toponimin Livadhet e Koretishtës. Përndryshe vendi ku ka qenë kjo çezme sot mund të identifikohet me objektin e kryetarit të komunës së Gjilanit.

4.Çezmja tek shtëpia e Ali Buhiqit apo çezmja e Okllapëve

Kjo çezme duhet të ketë pasë burimin nga Livadhet e epërme të Gjilanit, sepse është në një vijë me çezmet tjera nga rruga e qytetit që shkon në drejtim të lagjës së muhaxhirëve. Edhe këtu qytetarët janë furnizuar vetëm me ujë për pije, e po këtë qëllim e kanë pasur edhe për vizitorët  në këtë qytetat, qoftë për ata që kanë ardhë në treg apo edhe mysafirët tjerë.

5. Çezmja e Agushagëve tek Shkolla e sotme teknike

Për furnizim me ujë të pijes të banorëve të kësaj pjese të Gjilanit edhe këtu është ngritur kjo çezme. Ndonëse nuk është larg xhamisë më të vjetër të qytetit, asaj Atik, uji këtu për kalimtarët e rastit është përdorë për pije, por edhe për të kryer ritin e abdestit për besimtarët musliman. Në fillim edhe nga kjo çezme uji ka rrjedhë vazhdimit, por më vonë kësaj i është ngritur një rezervuar dhe uji është nxjerrë përmes pompave të ujit me vakuum.

6.Çezmja e muhaxhirëve

Është kjo e vetmja çezme në këtë rrugë që është ngritur në anën tjetër të rrugës, edhe ate për shkak të rrjedhës së ujit që është përdorur, sepse ky ujë ka shkuar në lumen e Banjës, e të tjerat në lumin Mirushë. Ka qenë e ndërtur në vendin ku sot takohet rruga Halim Orana me rrugën Ibrahim Pacolli. Kjo qezme aktivizohej me shtypjen e një llozi (6).

7.Çezmja e dytë në mëhallën e muhaxherëve

Kjo çezmë është ndërtuar më vonë se të tjerat, e sigurisht pas vitit 1940, kur është ndërtuar ujësjellësi i parë dhe uji që është sjellur nga Livadhet e epërme të Gjilanit (Livadhet e Koretishtës) është grumbulluar në kaptazhin (rezervoarin grumbullues) afër shkollës së sotme fillore "Selami Hallaqi" (7). Çezmja ka pasë edhe një koritë betoni ndërsa uji ka rrjedhë vazhdimisht. Kjo ka qenë çezmja e fundit në këtë rrugë, që nga xhamia e qendrtës së qytetit që çon drejt fshatit Koretishtë, në vendin ku sot takohet rruga Halim Orana me rrugën Ali Hadri, në anën e djathtë të saj.

8.Çezmja  tek lumi i Bajes

Në afërsi të rrjedhës së lumit Banjë, në rrugës e sotme Abdullah Presheva ka qenë një çezme publike, e cila ka furnizuar me ujë të pijes banorët e lagjes, por edhe kalimtarët e rastit madje edhe vizitorët e mullirit (Mulliri i Kollapëve) (8), që ka qenë aty afër. Besohet se burimin e ka pasë aty afër, sepse afro 500 metra më lart ka qenë burimi i ujit Banja.

9.Çezmja tek ambullanta

Kjo çezmë ka qenë e vendosur në anën e majtë të rrjedhës së lumit Banja, pak më në lindje të ambulantës së sotme kryesore të Gjilanit (Qendrës së mjeksësisë familjare).Besohet se burimin e ka pasë nga arat e Porodinit në verilindje të Gjilanit. Për këtë kanë dëshmuar gjetjet e gypave të dheut që janë gjetur gjatë punimeve të ndryshme të qytetarëve pas vitit 2000. Nga kjo çezme uji ka rrjedhur vazhdimisht, dhe vija e uji është derdhur në lumin e Banjës, që ka kaluar aty afër. Për këtë ujë që ka rrjedhur vazhdimisht ka lindur edhe anekdota që është e shënuar në vazhdim të këtij shkrimi.

10.Çezmja e Nuredin agës

Edhe kjo çezme sigurisht se ujin e ka marrë nga arat e Porodinit dhe është përdorur për ujë të pijës të banorëve përrreth saj. Ajo ka qenë e vendosur në anën lindore të rrugës së sotme Reshat Ymeri, aty afër shtëpisë së sotme të  Galip berberit, të cilën e ka ngritur Nuredin Aga, i cili aty e ka pasë më herët edhe shtëpinë. (9)

11. Çezmja tek Bunjakët

Tek shtëpitë e Bunjakëve, që këtë lagje vetëm një rrugë e ka ndarë nga lagja e Beglerëve, e që sot është rruga për në tregun e gjelbërt, thuhet se ka qenë një çezmë (10). Sigurisht se uji në këtë çezme ka qenë i të njejtit burim si i çezmës së Beglerëve apo çezmës së "pazarit" dhe se uji që ka rrjedhur nga kjo është derdhur në lumin Mirushë.

12. Çezmja tek hoteli

Në afërsi të hotelit të vjetër të Gjilanit (është quajtur "Europa") ka qenë një çezme (10). Mëqe hoteli ka qenë i vendosur në anën e djathtë të rrjedhës së lumit Mirusha, uji për te  mund të ketë ardhur nga ndonjë burim nga rrënza e Kodrës së djegur, në jug-lindje të Gjilanit. Çezma ka qenë e vendosur në mes të hotelit dhe lumit Mirushë..

13. Çezmja tek xhamia e vogël në Dere Mëhallë

Për nevojat e besimtarëve musliman për të kryer ritin e abdesit, sigurisht ndërtuesi i parë i xhamisë së vogël në Dere Mëhallë të Gjilanit (e ngriti Rexhep Rexhepi, babai i Hasan Rexhepit, mbathtar e pronar i hanit). Në këtë vend, pos për nevoja të xhamisë, edhe banorët e kësaj lagje, janë furnizuar me ujë të pijës.Burimi i ujit për këtë çezme sigurisht ka qenë nga rrënza e Kodrës së djegur.

14.Çezmja e Balecit

Kjo çezme edhe sot funksionon. Ndonëse në vitet e '80 të shekullit të kaluar ajo edhe u rindërtua. Por sërish është aktivizuar edhe burimi i vjetër, andaj sot në këtë vend janë dy çezme. Burimi i kësaj çezmeje është aty dikund afër, por që ndërtimet nuk e kanë dëmtuar. Uji i saj ka qenë mjaft i mirë për pije, andaj edhe nga lagjet tjera shpesh herë kanë shkuar për të marrë ujë për pije. Për këtë çezme, që ndodhet në këtë lagje, e cila sigurisht ka marrë emrin nga ndonjë njeri me emrin Bale, ka edhe anekdota, për të cilat do të flitet në vazhdim të këtj shkrimi.

15.Çezmja e dytë në Balec

Kjo çezme ka qenë po në lagjen e Balecit, por ne  fillimin e saj nga qendra e qytetit. Burimin e ujit e ka pasë të njejtin si edhe Çezma e Balecit . Ka qenë e vendosur në kryqin e rrugëve të sotme Sadullah Brestovci dhe Rexhep Dajkoci. Uji këtu ka rrjedhë vazhdimisht dhee ka pasë një koritë, ndërsa uji tepricë është derdhur në lumin e Mirushës.(11)

16. Çezmja e Petigocit

Këtë çezmë e ka ndërtuar Emin  Çaushi nga familja e Dedëve njihet edhe si Çezma e Lilit ndryshe edhe si Çezma e Petigocit. Këtë çezme e kanë ngritë për nevojat e familjës së vëllëzërve Dedaj, që kanë qenë në fillim pesë shtëpi (2), e më vonë kjo lagje edhe është rritur. Ka qenë e vendosur në rrjedhën e djathtë të lumit Mirusha dhe burimin e ka pasë pak më në jug-perendim të vendit të rrjedhës ndërsa në veri të kodrës së Dëshmorëve. Kjo çezme, nuk u dëmtua as me ndërtimin e rrugës Gjilan-Prishtinë, por nuk dihet se si ajo shterri apo u shkatrrua pas vitit 2000 dhe sot edhepse i dihet vendi ku ka ekzistuar, uji nga aty nuk rrjedh.

 

Këto ishin çezmet të cilat kanë ekzistuar në qytetin e Gjilanit. Nuk dihet se a ka pasë çezme në rrugën që nga qendra e Gjilanit çon për Prishtinë dhe në ate për Ferizaj. Në rrethinën e ngushtë të Gjilanit kanë qenë dhe edhe sot janë disa çezme tjera.

17.Çezmja e Arbërisë

Kjo çezme, në fillim është ndërtuar për të furnizuar puntorët që kanë punuar nëpër ara e madje edhe për ujë të pijës së kafshët që kanë kullot për rreth sajë. Burimi I saj duhet të jetë aty dikund afër rrënzës lindore të Kodrës së djegur. Sot ndonëse rrallë rrjedh ujë, sepse sigurisht ndokush e ka dëmtuar rrjedhës së ujit për në te, ajo është në mes të lagjës Arbëria të Gjilanit.

18.Çezmja e Porodinit

Është e ngritur në rrjedhën e djathtë të lumit të Stanishorit. Burimin e ujit e ka aty afër, dhe nga ajo rrjedh në pranverë dhe në verë, ndërsa në vjeshtë dhe dimër shterrë. Është përdorur për të furnizuar me ujë për pije punorët e arave por edhe për ujë për pije për kafshët që kanë kullotur në këtë fushë. Funksionon edhe sot.

19.Çezmja e Sahit Agës

Në vendbanimin Kufca e poshtme ekziston Çezmja e Sahit Agës, e cila nuk dihet kur është ngritur, por se ka ujë gjithnjë të rrjedhshëm, e që aktualisht gjindet në oborret e familjës së Sahit Huruglicës. Në popull njihet si çezmja me ujin më të ftoftë në këtë rrethinë. Nga qytetatët kam dëgjuar se ky ujë ka sjellur edhe dushka ahu, por që në rrethinë të Gjilait nuk ka dru ahu.

Anekdota rreth çezmeve të Gjilanit:

1.Kush është i pamartuar, po piu ujë në çezmen e Balecit ai shpejt do të martohet, kurse po piu ujë në këtë çezme ndonjë i martuar ai do të shkurorëzohet. Këtë anekdotë gjilanase ia shpjegova një gazetarës së Turqisë, dhe ajo piu ujë në këtë çezme, dhe pas tre muajsh u nda nga burri.(12)

2.Një të shtunde, djali me qerre e kishte sjellë babain e tij të verbër tek mjeku në Gjilan. Para ambulantës ka qenë një çezme e cila ka rrjedhe ujë pa ndërpre, dhe mëqe kishte shumë persona duke pritur në rend për të hyrë tek mjeku, djali për të kryer ndonjë punë  në qytet, i thot babait:

-prit këtu në kerr, se mjeku qenka i zënë duke kryer nevojën e vogël, e kur ta kryen na kontrollon,- i thot këtë babait dhe djali shkon në treg, kryen tregtinë dhe kthehet dhe e pyet baban:

- a u merzit duke pritur.

- Jo more bir, nuk u mërzita, por po habitem se sa shumë po vonohet ky mjeku duke kryer nevojën e vogël, ende nuk e ka kryer!

- Ku po e din baba?-e pyet djali.

- Po shiko bir, ai ende është duke urinuar!!

Jo, baba jo, kjo këtu është çezme e jo mjeku duke urinuar, ia kthen djali i habitur për rastësinë e rrjedhës së ujit nga çezma dhe urinimit të mjekut.(13)

***

Të gjitha këto burime publike të ujit në Gjilan janë ngritur në kohën kur nuk ka pasë ujësjellës të organizuar për furnizim të ujit. Bazat e ujësjellësit modern kanë filluar në vitin 1940, kur në Livadhet e epërme të Gjilanit (livadhet e Koretishtës) janë mihur puse dhe ato janë lidhur përmes gypave në një rezervuar kryesor (kaptazh) e pastaj nga aty janë orientuar përmes gypave nëpër lagje të Gjilanit.(7). Më vonë për ujë të pijës është përdorur edhe uji i burimit Baja, e në vitin 1983, ka filluar të përdorët edhe uji i pendës së Përlepnicës. Vlenë të theksohet se thuaja çdo shtëpi e Gjilanit ka pasë puse, por këto puse nuk kanë pasë të gjitha ujë të mirë për pije. Po e zëmë, në lagjën e Muhaxhirëve deri sa një shtëpi e ka pasë pus për ujë, uji i tij nuk ka qenë i mirë për pije, madje as për të larë rrobat, pusi i fqinjit tjetër ka pasë ujë të shijshëm për pije e i përdorshëm edhe për përdorim tjetër. Fqinjët i kanë lënë në shfrytëzim të ujit për pije fqinjit tjetër.

Referenca:

 

(1) Rrëfim i Murat Hasan Mustafës, muhaxhir i ardhur nga fshati Slishan, tek Muhaxhirët e Malishevës, rrëfyer në odën e tij  në vitin 1964.

(2) Rrëfim i  Sevide Deda Bejtullahut dhënë autorit në vitin 2003

(3) Rrëfim i Shyhrete Ymerit, dhënë autorit  me 20.09.2013

(4) Prof.Bogomir.B.Stankoviq: "Pomoravla e Kosovës në Revolucion 1941-1945, Nish, 1975, faqe 17. dhe 351

(5)Rrëfim i Jakup Berisha dhënë autorit me 30.10.2013.

(6) Rrëfim i Shefqet Zymberit dhënë autorit në muajin tetor 2013.

(7)Mr.Sc.Mumin Morina: Historiku i shkurtër i qytetit të Gjilanit dhe ujësjellsit të qytetit (dorëshkrim) faqe 2.

(8) Kultura dhe informimi -Trashëgimia materiale gjilanase me autor Sherafedin Kadriu në veprën:"Gjilani me rrethinë" (Studim monografik nga grup autorësh)- Projekt, Gjilan, Nëntor, 2012. faqe 375,

(9) Rrëfim i Ali Ymerit dhënë autorit më 7.11.2013

(10) Rrëfim i Sabit  Ali Zymberit me 6.5.2010

(11)Rrëfim i Zijadin Ilijazit më 14.12.2013.

(12) Tregoi Hayrettin Ga? me  2.11.2013

(13) Rrëfim i Islam Rrustem Kosumit në një odë në Malishevë (lagjja e Muhaxhirëve) në vitin 1966.

Literatura:

1.Prof. Bogomir B. Stankoviq: "Pomoravla e Kosovës në revolucion 1941-1945", Nish, 1975

2."Gjilani me rrethinë" (Studim monografik nga grup autorësh) - Projekt, Gjilan, Nëntor, 2012.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora