E merkure, 01.05.2024, 07:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Akti poetik i poetit Myrteza Mara

E enjte, 19.12.2013, 08:01 PM


Spontaniteti lirik si filozofi e përjetimit poetik

Rreth aktit poetik të poetit Myrteza Mara

Nga Hyqmet Hasko

Gjithmonë, teksa shfleton fletët e një libri të ri me poezi, gjëja e parë që të bie në sy tek ky libër është se çfarë përfaqëson ai në raport me pjesën tjetër të përvojës poetike të poetit, nga njëra anë dhe në raport me pjesën tjetër të prurjeve të shumta të poetëve të tjerë, që lëvrojnë arën e madhe e të pafund të poezisë shqipe, nga ana tjetër.

Tek Myrteza Mara janë të dyja kurbat në ngritje: edhe kurba që shënon rritjen e tij në raport me veteveten e shpalosur në të tjera akte poetike, edhe kurba krahasimtare me të tjerët, sivëllezërit e tij poetë, me të cilët ndryshon për faktin se ai nuk i ngjan askujt tjetër, përvevçse vetevtes.

Poeti është befasues në zhbirimet e tij të holla, në konkretësinë e figurës dhe fuqinë dehëse të imazhit. Ai nuk sajon, por ndërton me penën e tij të hollë, të ngjyer thellë në dashurinë dhe dhimbjen njerëzore struktura poetike befasuese, që të rrëmbejnë me forcën dhe magjinë e fjalës së bukur. Myrteza Mara është poet, tregimtar, romancier, autori i njohur i shtatëmbëdhjetë librave të suksesshëm, kryetar i klubit letrar “petro Marko” në Vlorë.

Siç thotë Majlinda Rama, redaktorja e librit të tij të fundit me poezi “Stina e pestë”: “…ndjenja për të dashurën, vagëllimi i shpirtit i kapërcen kufijtë e kohëve… lind stinën e pestë, si një oazë, për të hyrë në çeltirën e Kopshtit të Madh të Dashurisë… (ku)… vërshon vrullshëm në lëmin e lirikës dashurore Myrteza Mara…”

Myrteza Mara operon në një botë kryesisht intime, ku faktikja dhe trilli mpleksen, japin e marrin, por mbi të gjitha teknika dhe struktura lirike e poezive të tij janë të arrira dhe freskia e imazhit dhe gjendjeve që ai na përcjell janë befasuese.

Baza e aktit poetik të Myrteza Marës është lirizmi klasik, i spërkatur me tis filozofik, ku përvoja jetësore, kujtesa, impresioni, gjendja emocionale jepet në mënyrë të përmbledhur, pa shumë vargje e fjalë, duke e kondensuar mendimin dhe ndjenjën në një hapësirë të ngjeshur përjetimesh, teksti dhe nënteksti.

Malli, mungesa e përjetshme si imazh i gjyshërve,  rrugët ku ka shkelur dhe gjurmët që ka lënë në jetë, që nga ikja e parë deri tek puthja e parë janë pjesë e përjetimeve të poetit, të cilat ai i hedh në blicin e tij poetik me aq sharm dhe elegancë, duke përjetuar një shtim të kontekstit etiko-filozofiko-emocional dhe një dendësim të imazhit dhe gjendjes që kërkon të na përcjellë.

Sa herë të puth, si shiu gjethen,

Ndihem i lagur deri në palcë

Dhe nuk mendoj se ditën tjetër

Do ndihem bosh, si dru i thatë!

Kështu thotë poeti Myrteza Mara në poezinë “Garë me veten”, duke bërë në kondensim të ngjeshur gjithëkohor të raporteve të unit me dashurinë, , me anë të një dinamike vertikale përjetimi dhe impresioni, ku konteksti dhe nënteksti poetik dalin në plan të parë në raport me pjesën tjetër të tekstit.

Në raportin e shpalosur mes ndjenjës dhe mendimit, mes gjendjes dehëse të pavetëdijes dhe synimeve racionale, për të përcjellë realitete konkrete dhe mesazhe konkrete, poeti gjen këndin e duhur të botëvështrimit, të cilin e mbështet me një gjuhë të përpunuar poetike, plot lirizëm të ngrohtë dhe figura të gjalla.

Vetë titulli “Stina e pestë” parakupton një udhëtim në kohë, në kuptimin simbolik, dimrat e egër me ciknë e suferinë, me dhimbje e trishtim, por dhe pranverat dehëse të kohës, gjithçka që ka të bëjë me moshën e burrit të pjekur që vështron përtej të gjitha fasadave.

Mara duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse… Shpash kontekstet e tij erotike, me zhbirime të ngjeshura dhe ngacmime të befta impresionesh, e bëjnë poezinë e Marës një poezi që lexohet me një frymë dhe opërjetohet si një zbulim.

I vendosur në shtratin e tradicionalizmit lirik, Myrteza Mara nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, me strukturat moderne të koncepsionit poetik, e pasuron këtë traditë me imazhe dhe elemente të reja.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të tjerëve.

Poeti zbulon një botë të thyer, plot ngjyra dhe kontraste, një botë jo në kornizë por në lëvizje, që e shpie poetin drejt magjijimit dhe, pse jo, drejt zbulimit të kultit të lirisë personale dhe kolektive.

Mara vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse. Ai është poet i kërkimit të thellësive jo i sipëfaqeve të lëmuara; ai është një bard i jehonave të unit të tij, të cilin e integron në epokën globale të përditshmërisë, me dhimbjet, trillin, mallin, idilin, vuajtjen, mungesat, zhvensdosjet fizike dhe shpirtërore, të kohëve dhe hapësirave, nën harpën e një muzikalitetii të tejndezur lirik.

Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete.

Pjalmi i erotik duket sikur e josh poetin të shkund frymëzimin e tij mbi vargjet aq të ndjera dhe fine, shkruar me një elegancë të admirueshme dhe me një lirizëm aq të ngrohtë dhe spontan, por për shkak të teknikave moderne të vjershërimit, për shkak të disa elementeve si ironia e hollë e zhbiruese, që poeti i përdor si mekanizëm përforcues të aktit të tij mediativo-lirik, kjo erotikë kthehet në një diskurs meditative-liriko-filozofik të poetit për të vështruar botën, dukuritë që bën objekt të shqyrtimit të tij estetik.

Ky shpalim i poetit, sjell me vete një aromë të veçantë poetike, risinë e riciklimit të bukurisë, si një kumt ndjellës drejt harmonisë dhe përsosmërisë, në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Në këtë vijë poeti mbjellë farë buzëqeshjesh, dhimbjesh, malli, ëndërrimi, flirti, magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës, një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo kohë…

Vargu i Marës nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Libra të tillë me poezi, si ky i poetit Myrteza Mara, një poet vërtët sharmant dhe original, me tingujt dhe ngjyra krejt shqiptare, tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse dhe imazhinuese të poezisë së re shqipe, e cila tashmë e çliruar nga jashtësitë dhe dogmatizmi, në një tendencë të bukur për të kapur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të vërtetë, të rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme, tradicionalë, modernistë e postmodernistë, me përvojë ose fillestarë, që gjithësesi janë vetveteja dhe të gjithë së bashku i japin pulsin e duhur artit tonë poetik…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora