E shtune, 05.10.2024, 01:07 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Manifestim letrar në Kukës

E marte, 17.12.2013, 09:09 PM


Nga manifestimi letrar në Kukës, kushtuar 20-vjetorit të vdekjes së poetit dhe atdhetarit, Agim Spahiu

AFIRMIMI DHE BASHKIMI KRIJUES, SYNIM I SHKRIRJES SË GJEGRAFISË KOMBËTARE

Nga Sejdi BERISHA

Kishte kohë që kishim biseduar se bashkëpunimin letrar dhe kulturor të cilin tanimë e kishim thelluar dhe forcuar në mes krijuesve të Rrafshit të Dukagjinit (Pejë, Gjakovë dhe Klinë), por edhe të disa vendeve të tjera të Kosovës me krijuesit tropojanë, me ata të Lezhës, Tiranës dhe të Durrësit, atë ta shtrijmë edhe me shumë qytete të tjera anekënd Shqipërisë. Në këtë drejtim, gjithnjë dhe përherë ishte vënë në spikamë edhe qyteti i Kukësit. Një gjë e tillë u bë realitet pikërisht të shtunën, me 14 dhjetor 2013, në shënimin e 20-vjetorit të vdekjes së krijuesit, poetit dhe atdhetarit, Agim Spahiu.

Vlerat shpirtërore dhe krijuese po bëhen urë dhe hallkë e fortë e bashkimit...

Dhe, duke u nisur nga Peja për në Kukës, në këtë qytetit të pjesës veriore të Shqipërisë, ku paraprakisht,  kisha për t’u takuar në Gjakovë edhe me krijuesit, Lulzim Logu, Muharrem Kurti dhe Halil Haxhosaj (i pari, Kryetar i Shkrimtarëve të Tropojës, i dyti, Kryetar i Klubit Letrar “Gjon N. Lazazi” të Gjakovës dhe i treti krijues i mirëfilltë nga Gjakova dhe profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare), mendja më bëhej mal, se si erdhi koha që urat e bashkëpunimit, vlerat shpirtërore dhe krijuese të forcohen dhe të bëhen hallkë e fortë e bashkimit te të gjitha vlerave kombëtare dhe historike. Në Kukës kisha qenë disa herë, por vetëm për shkurtër, ndërsa, në kujtesë më ka ngelur vizita ime me Ansamblin e Folklorit Burimor “Rugova” nga komuna e Pejës, ku atëbotë shfaqem një program kulturor, i cili ishte shprehje e etjes kombëtare, e shpirtit të secilit për bashkimin, për shkrirjen e një kufiri artificial të një toke, të cilën na tkurrën si këmishën në ujë të valë, gjë e cila çdonjërit ia ngushtonte trupin, frymëmarrjen dhe ia pengonte e ia mohonte ngrohtësinë dhe dashurinë për atdhe e komb.

Për të mos e zgjatur, deri në Gjakovë, makina sikur ecte krenare, kurse mua gjithnjë më rritej zemra e shpirti, çdo gjë më bëhej mal. Dhe, thua se sa qel e mbyll sytë, arrita tek Pallati i Kulturës në Gjakovë, u takuam së bashku me Muharremin, Lulzimin dhe me Halilin. Pimë nga një kafe dhe morën rrugën në drejtim të Qafë Morinës. Megjithatë, nuk u larguam nga Gjakova pa ia “prishur” mëngjesit edhe me nga një byrek gjakove. Pastaj, gjatë rrugës, kuptohet nuk mungoi llafi për krijimtarinë letrare, për vlerat dhe zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës kombëtare. Më aktuale ishte Antologjia “Poetët e Malësisë së Gjakovës”, vepër kjo e cila para disa kohësh kishte dalë nga shtypi. Qëllimi i këtij libri-dokument, autorë të të cilit janë Lulzim Logu dhe Muharrem Kurti, ishte pikërisht thellimi i bashkëpunimit  në fushën e letërsisë, por edhe afirmimi i vlerave krijuese në të gjitha trojet dhe bashkimi edhe praktik krijues dhe veprues. Që të gjithë flisnim me krenari për një të arritur të tillë, e cila me siguri se nuk do të jetë e fundit.

Pallati i Kulturës – Kukës

Gjatë rrugës, kemi folur edhe për Rrugën e Kombit, e cila, dashtë e pa dashtë, na provokonte me madhështinë dhe rëndësinë jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare. Në saje të kësaj, pastaj, pasonin edhe biseda të tjera, që për temë kishin zhvillimin e kombit dhe të atdheut, për nevojën e vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit të secilit për ta arritur këtë synim shekullor, i cili, dorën në zemër, edhe sot e kësaj dite na mungon dhe po na shkakton probleme si një dregëz, e cila ka zënë vend në trup si sëmundje e kamotshme...!

Një kujtim nga manifestimi në Kukës kushtuar shënimit të 20-vjetorit të vdekjes së poetit, Agim Spahiu

E tërë kjo, bëri që ne as mos ta hetojmë lodhjen, por as kohën e gjatë për të arritur deri në Kukës. Së pari u drejtuam tek Pallati i Kulturës, që hijeshonte sheshin e qytetit, të cilin e kisha pikatur dhe ravijëzuar me vija të pashlyera që nga viti 1980. U takuam me disa nga krijuesit kuksianë, të cilët na drejtuan për në Hotelin “Amerika”, i cili nuk ishte larg nga aty. Posa hymë brenda, në katin e dytë, dallohej atmosfera festive letrare. U takuam me krijuesin e dalluar nga ky qytet, Petrit Palushin, i cili pasi u përshëndetëm na informoi se duhet bërë disa formalitete për pjesëmarrje: për t’u nënshkruar dhe për t’u evidencuar, gjë kjo e cila dëshmonte se manifestimi letrar i organizuar nga Këshilli i Qarkut të Kukësit për shënimin e 20-vjetorit të vdekjes së poetit, Agim Spahiu, kishte peshë dhe rëndësi të shumëfishtë, këtë rast, për t’i kujtuar dhe mbajtur mend të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje madhore intelektuale mbase edhe kombëtare. Gjatë akomodimit në sallën e restorantit, aty u takuam shumë krijues nga Tirana, nga Prishtina, Peja, Gjakova, Bajram Curri, nga Prizreni por edhe nga vise e qytete të tjera gjithandej trojeve shqiptare.

Edhe kjo tregonte, se vlerat letrare kombëtare, prej dite në ditë, prej viti në vit po forcojnë bashkimin, unitetin krijues dhe cilësor letrarë dhe kulturor, por, njëherësh po dëshmojnë edhe për afirmimin gjithnjë e më të madh të krijimtarisë duke i shkrirë barrierat lokale, krahinore e në mes qytetesh. Kjo, është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për kulturën, letërsinë dhe për kombin...!

Fjala poetike përcjellët me respekt

Përvjetor respekti dhe kujtimi, i cili bashkoi poetë dhe krijues nga shumë troje shqiptare

Tani fillon manifestimi letrar, për ta shënuar 20-vjetorin e vdekjes së poetit, Agim Spahiu, i cili përherë e kishte synim, etje e mall bashkimin krijues dhe kombëtar. Mysafirët dhe krijuesit njoftohen me biografinë dhe krijimtarinë e Agim Spahiu, duke i deklamuar edhe shumë poezi të tij, nxënësit e gjimnazit të Kukësit, por folur edhe krijues të cilët e kishin njohur dhe kishin bashkëpunuar me këtë krijues dhe personalitet kombëtar. Dhe, dalëngadalë, erdhi edhe momenti i shpalljes së poezive më të mira, të cilat kishin marrë pjesë në konkursin letrar, kushtuar pikërisht 20-vjetorit të vdekjes së A. Spahiu. Nga dhjetë poezi, të cilat ishin përzgjedhur në konkurrencën e ngushtë, fituese e çmimit letrar u shpallë poezia e krijuesit, Sulejman Dida.

Pas ndarjes së Çmimit për poezinë më të mirë

Pas këtij akti solemn, mësuam se tani e tutje ky manifestim do të jetë tradicional e me peshë kombëtare. Ndërsa, në vazhdim, mund të them lirisht se ky takim dhe manifestim e kishte edhe një rëndësi tjetër. Kjo, ngase, pas pjesës zyrtare, krijuesit dhe poetët nga të gjitha anët, shumë sish u takuan dhe u njoftuan për herë të parë në mes vete, kurse tjetra, pothuaj se veprat e tyre të gjithë i këmbyen me njëri-tjetrin, që edhe ky është një moment mbase edhe formë e mirë për afirmimin e vlerave krijuese, të them kushtimisht, drejtpërdrejtë të poetëve dhe letrarëve.

Më pastaj, aty për aty, u krijua edhe afërsia dhe nisi të lidhet e të forcohet miqësia edhe njerëzore edhe krijuese. Andaj, këto ishin ato vlerat për bashkimin dhe afrimin e vlerave krijuese në mes vete, e cila, edhe kjo, lirisht mund të thuhet se ende dukshëm mungon.

Nuk munguan edhe “vërshimet” e mjeteve të informimit duke marrë opinione të ndryshme për manifestimin dhe për letërsinë e kulturën si dhe për rëndësinë e manifestimeve të ngjashme si ky kushtuar poetit, Agim Spahiu.

Ndërsa në drekën solemne, edhe më shumë mori “zjarr” pesha e vargut dhe e poezisë. Gjatë kësaj kohe, shumë krijues deklamuan vargje, të cilat gjithnjë e më shumë madhështuan këtë ngjarje, e cila i bashkoi shumë pena nga shumë vise.

Dhe në fund, dua të theksoj se familja, Spahiu, e veçmas bashkëshortja e Agim  Spahiut, me ngrohtësinë dhe me afërsinë e saj shpirtërore, i dha domethënie edhe më cilësore orës dhe manifestimit letrar, ashtu siç i dha edhe udhëheqësi i parë i Këshillit të Qarkut të Kukësit, i cili gjatë tërë kohës ishte me ne dhe në funksion tonin.

Lapidari-obelisku që përkujton eksodin e popullit shqiptar në kohën e luftës në Kosova

Kështu u mbyll kjo ngjarje letrare dhe kulturore, kurse unë, Lulzim Logu nga Bajram Curri dhe Muharrem Kurti e Halil Haxhosaj nga Gjakova, u nisëm për në Rrafshin e Dukagjinit, respektivisht për në Pejë dhe në Gjakovë, me një përshtypje dhe me një kujtim, i cili përherë do të mbetët pjesë me peshë në rrugëtimin tonë krijues dhe jetësor.

Takimin e ardhshëm mendojmë ta kemi në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, ku planifikojmë që atje të promovojmë Antologjinë “Poetët e Malësisë së Gjakovës”, ngjarje kjo e cila do ta ketë simbolikën, se nga të gjithë damarët e trojeve shqiptare, vlerat krijuese dhe kulturore, aty i lidhin “lmezat”, siç thonë në Rrafsh të Dukagjinit. Aty u vihet kurora e peshës letrare, përjetësia historike dhe intelektuale...!



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora