E merkure, 01.05.2024, 09:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Vebi Klaiqi: Gjithçka është metaforë!

E premte, 20.12.2013, 07:16 PM


Gjithçka është metaforë !

“ Ajo që kemi bërë vetëm për veten, vdes së bashku me ne,

Ajo që kemi bërë për të tjerët dhe për botën, mbetet dhe është e pavdekshme”

(Albert Pejk)

Tregim nga Vebi Klaiqi

Shpesh më kanë folur se jeta është kalimtare edhe pse askush prej nesh nuk e ka përjetuar rënien. Herë do kur, domosdoshmërish duhet të biesh. Kështu ka qenë gjithë herë dhe kështu do të jetë përherë. Nuk ka këtu lëkundje, qëllimi yt jetësor është rënia, e çka pastaj, kjo veç bie në fushën e metafizikës. Askush nga ne nuk e di, se a ka dhe çfarë është jeta pas rënies. Shumë mendojnë që ne pastaj na pret asgjësimi, ke rënë- dhe kjo është e tëra, fundi, pothuaj se asgjësimi.

Disa të tjerë megjithatë mendojnë se kur bie vetëm ndërron formën, bëhesh pjesë e ndonjë tërësie mistike, transformohesh si individ. Të gjitha këto janë vetëm hipoteza, askush nga ne nuk e di se çka është rënia në të vërtetë, dhe çka na pret në fund.  Ndoshta diçka si kondezim i ri, kalimi në shkallë më të lartë të të qenit, diçka që filozofët do ta quanin transcedencim, rifrymim dhe kështu me radhë.

Edhe gjatë kondensimit të parë nuk je i vetëdijshëm, vetëm se paraqitesh në re në formë pike.

Por ku ke qenë më parë?

A ke qenë pjesë e pa tjetërsuar e reve apo ke ardhur nga ndonjë botë tjetër?

Këto pyetje kërkojnë kohë, shumë kohë e cila më mungon, sepse rënia po më pret.

Jeta është e tillë kalimtare, porsa fillon të mendosh për prejardhjen tënde, mbi kondensimin dhe rënien, dhe nxiton  teposhtë në drejtim të  abisit me njëzet kilometra në orë. Nuk je formuar si e sa duhet dhe veç ke filluar ndarjen nga rehatia e reve, motrave dhe vëllezërve të shumtë.

Dhe të gjithë nxitojmë drejtë qëllimit të nyejtë, qëllimit të pashmangshëm i cili iu bën presion shpirtërave tanë ujor, qëllimit që ndikon që atomet e oksigjenit të godasin më shpejt, që damarët e hidrogjenit egërsisht të pulësojnë.

Dhe pyes veten, çka do të shoh në rrugën time teposhtë. Dhe pyes, a ka ndodhur ndonjëherë që ndonjë e vetmja pikë ka rrugëtuar në lartësi dhe ka parë se çka mëshifet atje.

A ka ndodhur që vetëm se ndonjëri nga motrat apo vëllezërit e mi të panjohur ka pasur sukses t’ia mbath, dhe të ikë nga fati i cili paraprakisht i është përcaktuar?

A ka ndodhur që dikush ti kundërvihet me forcë gravitetit tokësor, mizorive dhe determinizmit që nuk lënë mundësi zgjedhje, zhvillimin individual dhe hapërimin e lirë të pikave të ujit që të udhëtojnë  përpjetë?

Pika e tillë e cila do t’iu rrezistoj ligjeve të natyrës, do të bëhej diçka si përftyrim i gjysmë perendi, gjysmë pikë apo pikë hyjnore e cila do të rrëshqiste mbi re dhe format ekzistenciale dhe do të ketë kohë të mendoj për gjithçka, do ta ketë përjetësinë dhe mundësinë e formimit dhe rënies nëse e dëshiron një gjë të tillë.

Mirëpo, edhe pse gjysmë hyjnore, pikëza e tillë do të duhej ta gjente qëllimin e ekzistimit, diçka që ndoshta do ta detyronte të merakosej për apoteozën e përvetësuar.

Kjo ishte përparësia ime, për dallim nga  pikat tjera të zakonshme dhe ajo e imagjinuara hyjnorja. Sepse unë do të bie, siç kanë rënë shumë para meje, do ta shijoj rënien të cilën hyjnorja kurrë nuk do ta përjetoi.

Edhe pse e robëruar nga domosdoshmëria e gravitetit, saktë e di çka duhet të bëj, qëllimin që kam dhe për çka jam krijuar.

Rënia është kuptimi im.

Disa nuk e  din cili është qëllimi i tyre, dhe të tillët me siguri janë të lumtur sepse thelbësorja iu shpëton, iu ik, ndërsa ata më kot mundohen ta zënë.

Por nëse unë jam i lumtur për atë çka më pret, për shkak se me rënie ngritem mbi pikëzën hyjnore dhe pse e njoh kuptimin tim, prej nga pastaj dyshimi?

Prej nga pra ideja për pikëzën hyjnore e cila bie lart në pafundësi?

Athua idetë e tilla i krijoi unë nga asgjëja apo ato më janë rrënjosur si molekulat e mia të oksigjenit dhe hidrogjenit?

Athua është kjo pjesë e determinizmit, që mendimet e mia nuk janë të miat,vetëm se fjalë të thëna paraprakisht në memorien e ujit?

Ndoshta ai që na krijon, krijues i panjohur, Zot Shiu,  ai i cili i ka vendosur ligjet e gjithçkaje, dhe ligjet e kondenzimit dhe të rënies, jep një fije shkëndije të mendojmë për te, idenë mbi pikën hyjnore dhe dyshimin mbi rënien.

Apo ndoshta është kjo një fije shkëndije për kujtimet nga jeta para kondensimit ku të gjithë kemi qenë të lirë, apo kemi qenë të barabartë, njëfarë pike e madhe, hapësirë e padukshme ujore nga e cila pastaj jemi ndarë, kemi ndërruar format dhe jemi shpërndarë nëpër re.

Gjithçka ndoshta sillet në rreth. Kjo metempsikozë e shiut përsëritet që nga fillimi, nga lashtësitë, kur edhe fjala “kohë” nuk ka ekzistuar.

Nëse është kështu, atëherë të gjithë sillemi në pafundësi, duke ndërruar formën dhe qëllimin, pa u kujtuar se çka kemi qenë më parë.

Por nuk ka më kohë. Rënia është e domosdoshme dhe po afrohet.

Të përgatitemi pra për rënie teposhtë, kah të panjohurat dhe në të panjohurat.

Jemi shumë dhe të gjithë dridhemi dhe gëzohemi në të njejtën kohë, të lumtur dhe të dëshpëruar në të njejtën kohë.

Përshëndetjen e fundit reve tona dhe nisemi.

Ato na lëshojnë si duke qarë nga boshllëqet e tyre dhe i dorëzohemi rënies së lirë. Rrotullohemi nëpër ajër të gjithë së bashku. Mbi ne, së paku mbi mua përplasen molekulat e ujit. Shiriti im ujor hapet. Përpiqem të ndryshoi, por nuk mundem sipas dëshirës sime. Rënia është çështje interesante, lëviz dhe ndihem më i gjallë se më parë, kështu që nuk mund të ndryshoi rrugëtimin tim të përcaktuar më parë.

Bashkëvëllezërit e mi janë kudo rreth meje,lart,majtas, mbrapa,djathtas, poshtë, përpara. Habitem me pozicionet e tilla. Habitem se si gjatë rënies ka teposhtëza dhe tatëpjeta dhe si disa pika bien përpara e disa pas meje, disa përpara e disa më parë e kanë shijuar fundin e rrugëtimit të tyre.

Të gjithë do të biem-ata që janë lartë gjithashtu do të bien poshtë. Koha këtu nuk luan kurrfarë rëndësie.

Përpiqem të lëviz, ta ndryshoi drejtimin dhe të fluturoi në lartësi, të bëhem pikë hyjnore. Nuk arrijë sado të përpiqem dhe ti shfrytëzoi lidhjet e trazuara kovalente.

Por çfarë është kjo?

Papritmas tërhiqem!

Çfarë force e ajrit është kjo që përnjëherë ma ndryshoi drejtimin e lëvizjes? A lëviza me vetë dëshirë?

Po vërej se edhe bashkëvëllezërit e mi janë çvendosur.

A e bëmë ne vet një gjë të tillë apo faktorët e jashtëm?

Papritmas gjatë lëvizjes sime bashkohem me një pikë. Kjo është pikë e gjinisë femërore.

Çfarë ndjenje!

U bëmë një dhe i bashkuam molekulat tona. Na u përzien edhe mendimet.

Çfarë është kjo që ndiej ndaj saj, ndaj kësaj gruaje e cila u bë pjesë e imja dhe unë pjesë e saj? Ndaj kësaj krijese të mrekulluar, mendimet e së cilës përputhen me të miat. Si ta pagëzoj këtë ndjenjë?  Dashuri? Falëm nderit, e dashur.  Mirë po tingëllon, ashtu le të quhet. Dashuri. Dashuri e pikës së ujit.

Nga ne u ndanë tri pika të vogla. Fëmijët tanë. Tani po bien pran nesh. Sa të mirë janë dhe sa mirë po bien!

Kohërënia tani më nuk është me rëndësi, as metafizika dhe as pika hyjnore. I rëndësishëm është momenti i vlimit të dashurisë në të cilin të gjithë biem së bashku.

Në mënyrë të mrekulluar.

Të sinkronizuar.

Nuk po mendoj në asgjë vetëm në atë moment, në momentin e lumturisë, kur po përjetoi dashurinë e trefishtë.

Por në atë të vetmin moment, ajo po ndahet nga unë, po lëviz teposhtë.

Çfarë është kjo?

Le të quhet Vuajtje!

Dhimbje!

Unë nuk di të shpikë fjalë të mrekulluara siç di ajo.

Gjithmonë do ti bart  me  vete molekulat e saja dhe ajo të miat.

Deri në fund të rënies, e pastaj?

Unë nuk e njoh shumë konfuzionin e pikave të shfaqura poshtë meje.

Fëmijët bien, por ata shpejt rriten dhe pavarësohen.

I moshuar jam dhe shpejt do të bie.

Një jetë të bukur e kam jetuar.

Shumë emocione kemi përjetuar.

Dashuri, dhimbje, frikë, gëzime, vuajtje, lumturi, pikëllim dhe vetmi.

E çka ende do të përjetojmë?

Si ta emëroj gjendjen e pa përjetuar, gjendjen e cila me shpejtësi marramendëse po afrohet, diçka e jashtëzakonshme, për faqe të zezë dhe e pa përshkruar?

Si ta quajë atë?

Pikat poshtë veç janë zhytur në atë substancë të pa çartë.

Kanë rënë dhe e kanë arritur qëllimin  e vet.

Dhe e dashura ime është diku në mes tyre.

Ato dhe ajo tani e kanë humbur formën e dikurshme dhe kanë fituar trajtën e asaj na ishte dikur.

Edhe unë jam nisur rrugës së tyre.

Unë jam në radhë për ta arritur qëllimin e jetës.

Si ta quajë këtë gjendje?

A është kjo Vdekja?

Po fundosem ngadalë dhe bëj përpjekjet e fundit të mbahem me shkopin magjik për tu mbrojtur nga të pa priturat.

Jo.

Do ta quaj Liqe i Pafund.

Shifra “Laus Deo”

Tregimi që zuri vendin e dytë në Konkursin Letrar “Lulëkuqet e Prillit” më 02.05.2013, autori Vebi Klaiqi, Kamenicë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora