22 vjet,
veprimtari e pashtershme e shoqatës “Labëria”
Nga Prof. Dr. Ago Nezha
Në jetën
e një organizmi shoqëror, 22 vjet veprimtari, nuk janë shumë, por nuk janë as
pak kur është fjala për të shprehur vlerat dhe kontributin për çështje madhore
kombëtare. Në kryeqendrën e vendit, aty ku rreh zemra e Shqipërisë sonë, në Tiranë,
22 vjet më parë, më 12 dhjetor të vitit 1991, lindi shoqata atdhetare kulturore
“Labëria”.
Themelimi
Nismëtar
për themelimin e shoqatës, ishin një grup intelektualësh lab, të lindur, apo me
origjinë nga krahina e Labërisë historike. Të prirur nga klima e nxehtë politike,
ku partitë ishin kthyer në një kopsht me gjemba, që shponin dhe helmonin njëra-
tjetrën me vrerin e akumuluar të kohës, për të amortizuar këtë situatë të tensionuar
shoqërore, në kopshtin e dashurisë njerëzore, mbollën dashurinë e kulluar labe. Ajo e nisi jetën e saj si një kopsht
me lule shumëngjyrëshe, për ti bashkuar njerëzit pa dallime politike, në shtratin
e saj atdhetar. Por, si shumë shoqata të tjera, edhe Shoqata “Labëria”, nuk i
shpëtoi dot hera –herës politizimit dhe atrofizimit të saj. U desh kohë e përvojë
dhe një ndërhyrje energjike, që larg frymës politike, dhe me pjesëmarrjen më të
gjerë të disa intelektualëve me
personalitet dhe integritet që të forcohej e ringrihesh përsëri Shoqata “Labëria”,
në misionin e saj historik. Ajo nisi jetën institucionale, duke krijuar degë në
të gjitha trevat e Labërisë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj,
Himarë, Orikum, si dhe në ato qytete që kishte
komunitet lab të shprehur, si në Tiranë, Durrës, Fier e Patos. Më 5 Qershor të vitit
1998, në respekt të simboleve, në kuadrin e përvjetorit të Luftës së Vlorës, ku
treva e Labërisë ishte protagonistja kryesore e kësaj ngjarje madhore për
kombin, u mbajt në Tiranë Kuvendi i Parë Themelues i shoqatës “Labëria”. Ky
Kuvend, ishte guri i themelit që përcaktoi
filozofinë e gjithëpërfshirjes, pa dallime partiake, apo shoqërore. Kuvendi
zgjodhi dhe organet drejtuese të shoqatës me Kryetar shkrimtarin e njohur Halil
Qëndro. Nisur nga misioni i shoqatës dhe tradita e të parëve të Labërisë për
bashkimin e trojeve Shqiptare, Kosovë e Çamëri, në këtë Kuvend, u zgjodh dhe
Kryetari i nderit, Akademiku Rexhep Qosja, një personalitet i shquar i çështjes
sonë kombëtare. Rrugëtimi i gjatë i Shoqatës, nga njëri Kuvend në tjetrin, ka
pasur si motiv, që të gjallëroj veprimtarinë e trevave të Labërisë. Kuvendi i
dytë u mbajt në Vlorë, në Maj të 2001, me pjesëmarrjen edhe të kryetarit të nderit
Profesor Rexhep Qosja, ku në përshëndetjen e tij përcolli edhe fjalët lapidar: se
“Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Ndërsa Kuvendi i tretë u mbajt në
Himarë, në Maj të 2004, jo rastësisht, por për të evokuar historinë e harruar,
se Himara në lashtësi, ka qenë kryeqendra e Labërisë. Me gjithë përpjekjet e shërbëtorëve
të segmenteve Vorio-Epirote, për ta dështuar këtë Kuvend, ai u kurorëzua me
sukses falë vullnetit këmbëngulës të Himarjotëve të ndershëm me genin e vetëdijshëm
prej labi. Vend-zhvillimin e Kuvendit të
katërt në Nëntor të 2009, në Kuç të Vlorës, na e diktoi një ngjarje madhore, që
kishte ndodhur 89 vjet më parë po në këtë fshat, aty ku ishin mbledhur në një kuvend
delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova e Çamëria dhe ku diskutuan
për gjashtë ditë rresht, për probleme të mprehta sociale dhe plagët e rënda të kohës,
si gjakmarrja, emancipimi i gruas dhe problemet e arsimimit. Në këtë kuvend u
nisën për të marrë pjesë edhe Kryeministri i kohës Fan Noli dhe Bajram Curri,
por për arsye të trazirave politike, nuk arritën dot deri në Kuç. Ky akt, edhe
pse i pa realizuar tregon veç të tjerash edhe për simpatinë e veçantë që ka
pasur Noli për Labërinë, i cili pati thënë fjalët lapidare : “ se kur
lëngon Shqipëria zgjohet Labëria” . Vlen të kujtojmë këtu edhe amanetin e lënë prej
tij me porosinë e veçantë, që kur të vdes dua të më përcillni me një këngë labe, po të kënduar nga lebër safi. Labëria, në festën e jubileut të
22-të, në nderim të kujtimit e të amanetit të tij, do ta përshëndes me këngë labe. Shoqata “Labëria”, ndodhet para
një evenimenti shumë të rëndësishëm të jetës së saj, në mbajtjen e kuvendit të pestë,
në muajin Prill të 2014, që do t’i zhvillojë punimet e tij në Gjirokastër, si
një qytet me histori dhe kulturë të admirueshme të trevës së Labërisë.
Dinamika
Shoqata “Labëria”
ka pasur një dinamik të admirueshme dhe është rritur nga njëri kuvend në tjetrin,
jo thjeshtë në aspektin sasior, por përmes veprimtarive të saja të shumta e mbresëlënëse, për çështje
madhore të kombit. Mjafton të sjellim në kujtesën e lexuesit, disa nga
veprimtaritë më përfaqësuese, që kanë pasur ndikim mbarë kombëtar. Në vazhdimësi,
ka qenë Shoqata “Labëria, që ka
sensibilizuar mbarë opinionin shoqëror, për fenomenet që janë shfaqur në shkatërrimin
e vlerave kombëtare. Ishte ajo iniciatorja, që në Muzeun Historik Kombëtar,
mblodhi rreth 70 shoqata mbarëkombëtare, ku denoncoi “Marrëveshjen famëkeqe të shitjes
së detit fqinjit tonë Greqisë dhe vuri para përgjegjësisë, qeverinë dhe politikën, duke sensibilizuar
opinionin shoqëror nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike. Të njëjtin
qëndrim aktiv, ka mbajtur edhe për vetëdeklarimin e popullsisë, sipas etnisë dhe
fesë, apo për problemin e varrezave greke në Përmet dhe Boboshticë të Korçës, për
çështjen e pretendimeve të Vorio- Epirit, në Himarë, për shkollat publike greke
në trevat jugore, për shkatërrimin e mjedisit turistik në Vlorë, ku organizuam
një tubim me pjesëmarrjen e mbi 60 shoqatave, me moton: “Vlora në rrezik”, e
shumë veprimtari të tjera me karakter kombëtar. Ato, janë të shumta e të larmishme,
por nuk është vendi ta rëndoj kujtesën e lexuesit me shumë ngjarje të tilla,
ndaj përmenda vetëm disa prej tyre, si më përfaqësuese. Ajo që është më e rëndësishmja në jetën e
Shoqatës për periudhën 22 -vjeçare, ka të bëjë me gjallërimin dhe vetëfunksionimin
e degëve në rrethe. Ka shumë për të evidentuar, por do veçoja aktivitetet që kulmojnë
me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Ato startuan me një sesion shkencor që
mbajti Labëria në Tiranë me siglën: “kontributi i Labërisë në 100 vjetorin e
Pavarësisë” dhe u shoqëruan me aktivitete të dendura e cilësore në të gjitha degët. Vlora, krahas shumë aktiviteteve
në qytet, e shtriu veprimtarinë e saj edhe në fshatra, me sesione, ndërtime
muzesh e lapidarësh. Po kështu, një mori aktivitetesh u organizuan në Sarandë, ku
veç të tjerash bëri sesion për betejën e Lëkurësit, të shoqëruar edhe me
manifestim kulturor. Aktivitete mbresëlënëse u zhvilluan nga dega e Shoqatës “Labëria”
në Patos, për Mustafa Matohitin, në Fier, Gjirokastër e Tepelenë, për figura të
shquara të Labërisë, etj.. Në rast se mund ta quajmë vlerë lindjen dhe krijimin
e shoqatës, unë do të vlerësoja dhe falënderoja në këtë jubile, të gjithë ata
kryetarë dhe veprimtarë të degëve në rrethe, që e kanë mbajtur gjallë frymën e shoqatës
dhe kanë rritur veprimtarinë e saj nga viti në vit. Evidentimi, ruajtja, përgjithësimi
e transmetimi i vlerave më të spikatura kulturore e atdhetare, morale e shpirtërore,
të trevës sonë te brezat ekzistues e te ata që do vijnë, ka përbërë e përbën një
nga angazhimet tona kryesore. Vlera të tilla morale, me përmbajtje parimore-juridike,
të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë,
parimet e barazisë të kujtdo para zakoneve e normave që rregullonin marrëdhëniet
shoqërore, apo edhe mbrojtja e dinjitetit, lirisë e mëvetësisë, etj, të cilat në
tërësinë e tyre kanë formuar kodin etikë të etnosit lab, kanë bërë , sikurse
thekson shkrimtarja Edit Durham, që: “Perandoritë e tjera erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit,
si uji mbi shpinën e rosës dhe populli shqiptar ruajti zakonet dhe identitetin
e tij”. Emri i Labërisë, në shekuj i ka trembur pushtuesit dhe fqinjët tanë shovinist.
Jo më kot Napolon Zerva, thoshte: “le të ketë një çik Shqipëri, por të mos ketë
Labëri”. Dua të sjellë në vëmendjen e lexuesit, një përshëndetje disi të veçantë,
që At’ Shtjefën Gjeçovi, mbasi iku nga Elbasani, ku ishte peshkop dhe shkoi në Vlorë
në 1920, për të luftuar kundër pushtuesit italian, nga Vlora i shkruan
kryepeshkopit të Shkodrës me këto fjalë: Imzot kur të vij në Shkodër do të bëj
të flisni toskërisht, se vlonjati për Shqipërinë shet pasurinë, djeg shtëpinë dhe
falë fëmijën. Këto vlerësime të korifenjve të letrave Shqipe, që citova më lartë
e kanë vënë “Labërinë” para përgjegjësisë historike, për të sotmen dhe të ardhmen
kombëtare. Shoqata “Labëria, gjatë këtyre 22 vjetëve aktivitet, një aspekt të veprimtarisë
së saj, ka pasur edhe botimin dhe promovimin e krijimtarisë të autorëve lab. Ato
kanë qenë të shumta, por unë desha të veçoj Kanunin e Labërisë të autorit Prof.
Dr. Ismet Elezit, që është edhe pasaporta e zakoneve dhe traditave të Labërisë,
për të cilin e përgëzoj duke evokuar të kaluarën, në këtë ditë historike për shoqatën. Jetën dhe aktivitetin e “Labërisë”,
e ka përcjellë te komuniteti Lab dhe më gjerë, zëdhënësja e saj e fuqishme,
gazeta “Labëria”. Nëpërmjet saj, janë evidentuar e pasqyruar veprimtaritë e
Shoqatës në qendër dhe në rrethe dhe janë ofruar eksperienca dhe figura që kanë
pasur ndikim në jetën e komunitetit lab. Një punë të lavdërueshme kanë bërë kryeredaktorët
dhe redaksinë e kësaj gazete në vite e deri më sot, duke filluar nga Pëllumb
Tare, Lirim Deda dhe Albert Zholi. Mbarëvajtja
dhe jeta e shoqatës “Labëria”, është e lidhur ngushtë edhe me kontributin e pa
kursyer financiar të nën/kryetarëve në vite, duke filluar nga i ndieri Enver
Guga dhe duke u pasuar nga Gafur Duda, Fatmir Toçi dhe Kastriot Zoto, që nuk
kanë ndier “lodhje” duke përballuar me sponsorizimet e tyre në vite,
veprimtaritë që kanë një kosto financiare. Do uroja që ky gjest, të jetë një reflektim i thellë edhe i
atyre biznesmenëve lab, që u ka zënë frymën pasuria, por ose aspak u intereson
Labëria, që shpirtin e saj patriotik e transmeton përmes këtij organizimi,
shoqatës sonë “Labëria” Labëria, ka ditur të nderojë dhe vlerësoj jo vetëm bijtë
e saj që e kanë për detyrë t’i kontribuojnë trevës së vetë, por edhe ata
intelektualë jo lab, të cilët i kanë qëndruar pranë Labërisë dhe i kanë kontribuar
çështjes kombëtare. Krahas mbështetjes, që i kemi dhënë çështjes Shqiptare në trevat
e Kosovës, Çamërisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, në këto 22 vjet të jetës së shoqatës,
jemi munduar ta shtrijmë më tej, duke dhënë tituj nderi, për figura të shquara,
me kontribute të mëdha mbarëkombëtare, siç është Kryetari i nderit, Akademiku
Kosovar Rexhep Qosja. Në këtë rrjedhë, janë vlerësuar personalitete të fushave
të ndryshme, si biri i Qytetit të lashtë të beratit, Presidenti Mejdani, që është
anëtar nderi i Shoqatës “Labëria” si dhe shkrimtari i shquar, Devolliu Dritëro Agolli, i cili theksoi se, po të mos
kisha studiuar në Labëri nuk do të isha ky poet e shkrimtar që jam sot, se atje
jam frymëzuar nga fermenti lab. Por anëtar nderi, kemi pasur edhe dy figura të artit
dhe muzikës që nuk jetojnë më, Shkodranët Ramadan Sokolin dhe Tish Dainë. Të më
falin, që unë nuk po përmend në këtë shkrim, ato personalitete që janë bijë apo
bija të Labërisë, sepse janë të shumtë. Nga ky prezantim i shkurtër që bëra, del që kemi një larmi figurash të shquara
të politikës, të artit, letërsisë dhe
shkencës. (se në opinion e gjerë shoqëror,
labët i identifikojnë me pushkën, trimërinë dhe harrojnë që janë edhe të penës
e të artit).
Personalitetet
Mjafton të
përmendim që në majat e letërsisë qëndron shkrimtari i përmasave botërore,
Ismail Kadare, për poezinë do veçoja Ali Asllanin, apo në Olimpin e skenës së teatrit,
aktori Gjeni i skenës, “Artisti i Popullit”, “Nderi i Kombit” Kadri Roshi, që pasohen
me aktorët e njohur Mjeshtrat e Mëdhenj: Robert Ndrenika, Timo Floko, Birçe
Hasko, Bujar Asqeriu, e shumë të tjerë. Në kinematografi, Labëria, ka kineastin
dhe regjisorin e shumë filmave, Personalitet i “Labërisë”, Himarjotin Dhimitër
Anagnosti, etj.. Labëria, nuk mbetet mbrapa edhe në fushën e muzikës. Këtu mund
të nisim me Femi Brahimin, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Kujtim Laron, e
shumë të tjerë. Në skulpturë na përfaqëson Personaliteti i Labërisë, “Artisti i
Popullit” Muntaz Dhrami, ndërsa në pikturë artistët e popullit Skënder Kamberi
dhe Nestor Jonuzi, etj.. Ne jemi treguar të vëmendshëm, që të nderojmë ato
figura që kanë merita dhe që i qëndrojnë pranë “Labërisë”. Me rastin e jubileut të 22- vjetorit të shoqatës
“Labëria”, në gjerdanin e figurave të shquara, të anëtarëve të nderit të Shoqatës
“Labëria”, i shtohet edhe një personalitet i nderuar i familjes së madhe
Kavajase të Moisive, Dr. Alfred Moisiu, Presidenti që tregoi dinjitet,
integritet dhe përgjegjësi kombëtare, me një ndjenjë të theksuar atdhetare. Ai,
gjatë gjithë jetës së tij ka treguar vlera të larta morale, profesionale dhe
shoqërore. Ka startuar në jetë, si një ish- partizan i luftës Nacional-Çlirimtare,
kuadër i lartë ushtarak, veprimtar shoqëror dhe një familjar shembullor. Pa mëdyshje,
mund ta quajmë “Modeli i Presidentit Moisiu”.
Vlerësimi
Njëkohësisht,
në këtë jubile, Labëria nderon me titullin e lartë “Mirënjohje të Labërisë”, në
vlerësim të artit, kulturës dhe atdhetarisë, këngëtaren e njohur, Sarandjoten
minoritare, “Mjeshtre e Madhe” Irini Qirjako, që e ka ngritur këngën Labe në panteonin
e folklorit më popullor. Me titullin “Mirënjohje
e Labërisë”, vlerësojmë një personalitet të artit, “Nderin e Kombit”, “Artistin
e Popullit”, “Mjeshtrin e Madh”, tiranasin Reshat Arbana, që ka qenë gjithmonë pranë
Labërisë me recitimet e tij mbresëlënëse e të fuqishme, që është vështirë të shlyhen
nga kujtesa e shqiptarëve. Perlat e poezisë të vlonjatit Ali Asllanit, në gojën
e të madhit Reshat Arbana, na bien si kambana për realitetin e sotëm politik
dhe shoqëror. Një tjetër artist i skenës,
që ka ndjekur veprimtaritë e Labërisë, jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra,
duke filluar nga Kuçi, Drashovica e deri në Buzë të Tepelenës, duke recituar
poezi nga poetët lab, është artisti i mirënjohur “Mjeshtër i Madh”, Gjakovari
Mirush Kabashi, që sot Labëria e nderon me titullin e lartë “Mirënjohje e Labërisë”.
Në sfondin e prezantimit të Personaliteteve të Labërisë, shohim se, janë vlerësuar
njerëz të politikës, të artit e letërsisë, duke prekur gjithë krahinat nga
Kosova, Shqipëria veriore, Shqipëria e Mesme dhe ajo Jugore. Sigurisht që, ky është një proces
që ka dinamikën e vet, edhe për të ardhmen, sepse nuk mungojnë figurat e
shquara, jo vetëm të Labërisë, por edhe ato kombëtare.
(Autori,
është Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”)