E diele, 28.04.2024, 05:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Sadiku: Kulti i poezisë në Kosovë

E hene, 23.12.2013, 10:24 PM


KULTI I POEZISË NË KOSOVËN E VITEVE TË TETËDHJETA DHE TË NËNTËDHJETA

Nga Sinan SADIKU

Përkundër ndonjë vërejtjeje mund të konstatojmë pa asnjë dilemë se rezistencën më të madhe okupimit dhe përpjekjeve për asimilim ua ka bërë letërsia dhe krijuesit e saj shkrimtarët. Gjatë viteve `80 u dorëzuan politikanët, udhëheqësit, gazetarët... u dorëzuan RTP, Rilindja, revistat tjera, radiot lokale. Të gjitha këto i transmetonin si të vërteta të pakontestueshme platformat, konkluzionet, qëndrimet, vendimet e LKJ-së, madje edhe duke i stilizuar dhe propaganduar. Jo vetëm kaq, por i arsyetonin edhe aktgjykimet e gjykatave përmes të cilave dënoheshin me vite e vite burgim atdhetarët shqiptarë. Shkruanin zi e më zi për popullin e vet. Ishin vënë në shërbim të okupatorit. Opozitë herë më e hapur e herë më e mbyllur ishin shkrimtarët: poetët, prozatorët, studiuesit e letërsisë. Në këto kushte njerëzit edhe pse nuk guxonin të thoshin publikisht nuk i besonin as RTP-së, as “Rilindjes”, as librave të historisë, të gjitha këto të kontrolluara nga LKJ. Iu besonin shkrimtarëve, njerëzve të kulturës dhe disa intelektualëve të cilët herë pas herë guxonin t`i mbronin vlerat dhe identitetin shqiptar, i besonin letërsisë dhe poezisë e cila e kishte gjetur mënyrën e shprehjes për të përcjellë mesazhe liridashëse. Pjesa më e mirë e poezisë shqipe qysh në vitet `70 kishte filluar të mbajë një qëndrim kritik ndaj realitetit. Ky qëndrim kritik u thellua gjatë viteve `80. Andaj të rinjtë, dashamirët e poezisë, të cilët po ashtu ishin të pakënaqur me pozitën e popullit  të vet, pjesë e të cilit ishin e adhuronin dhe e lexonin shumë poezinë. Atë e adhuronin sepse në të e gjenin veten, i gjenin idealet e veta, vizionet e veta, shpresat e veta...  të shprehura me një gjuhë vërtetë të bukur poetike. Shenjat, simbolet, metaforat dhe në përgjithësi figurat e poezisë përcillnin tek lexuesi, i thoshin atij diçka që ai e dinte, por që nuk kishte ku ta dëgjonte ose lexonte, ndërsa kishte dëshirë ta gjente të shkruar, të artikuluar. Thjeshtë poezia i qante hallet e lexuesit, i kuptonte brengat, shqetësimet, frikën..., i kuptonte dëshirat, shpresat dhe ëndrrat e tij. Në kushtet e një censure të egër, kur ishte për çdo ditë i bombarduar me shkrime e fjalime  kundër tij,  lexuesit shqiptar poezia i kishte mbetur i vetmi mik,  të cilit   mund  t`ia qante hallet, mund t`i ankohej dhe të gjente mirëkuptim. Poezia ishte ajo që i jepte edhe vullnet për jetë e veprim e pse jo edhe besim në vetvete dhe nxitje për veprimtari në dobi të kombit dhe lirisë. Në disa raste lexuesi merrte nga poezia më shumë seç jepte ose mund të jepte ajo, disa herë duke e bërë një interpretim subjektiv në përputhje me dëshirat, me shpresat dhe me nevojat e veta shpirtërore. Orët letrare që mbaheshin në Fakultetin Filozofik dhe gjetiu përcilleshin nga një numër i madh i studentëve, sallat ishin përplot. Prej poetëve, më popullorët, e besa edhe më të guximshmit ishin Halil Matoshi, Mirko Gashi dhe disa të tjerë. Këta të  dy jo vetëm që shkruanin dhe lexonin poezi të bukura, por edhe i lexonin bukur. Me meritë ishin bërë yje, bashkë me disa të tjerë. Vargje të tëra të poetëve më të guximshëm të lexuara nëpër orë letrare, jo vetëm që duartrokiteshin, por edhe mësoheshin përmendësh nga disa lexues.  Megjithatë poezitë para se të botoheshin kontrolloheshin disa herë në mënyrë që autori i tyre, redaktori apo recensentët të mos ndëshkoheshin, të mos përfundonin në burg. Ato më problematiket që mund t`i sillnin telashe autorit lexoheshin me dhjetëra herë, u hiqeshin apo shtoheshin vargje, maskoheshin dhe tek pastaj botoheshin. Nëse nuk mund të “rregulloheshin”  me heqje dhe shtim të vargjeve hiqeshin nga libri, nuk botoheshin fare. Pra edhe censura edhe autocensura kanë qenë të egra gjatë  viteve `80, sepse jo vetëm autori, por edhe recensenti dhe redaktori kanë qenë të kërcënuar. Në këto rrethana as që ka qenë e mundur të botohet lirika atdhetare me një gjuhë e cila i ka emërtuar fenomenet, proceset, ngjarjet, qëndrimet, vizionet. Kanë mundur vetëm të sugjerohen ato. Në rastet kur janë tejkaluar ndalesat kanë pasuar  ndëshkimet, burgu. Poezia e disa të rinjve  ka shërbyer si provë me të cilën është argumentuar veprimtaria e tyre armiqësore dhe janë dënuar. Në ndonjë rast ajo ka qenë provë kryesore e në raste të tjera provë plotësuese.  Vetëm në fund të viteve të tetëdhjeta, konkretisht në vitin 1989, redaktorët dhe recensentët fituan guxim dhe disa libra poetik dolën thuaja të pa censuruar. Kuptohet edhe disa nga poetët,  autorët e librave u liruan nga autocensuara, ndërsa dyert për botim iu hapën edhe disa të tjerëve që mund të themi se ishin më të guximshëm e të cilët aty-këtu kishin botuar ndonjë poezi ose edhe libër herë-herë të krasitur nga censura.

Mund të themi se vitet e tetëdhjeta në Kosovë kanë qenë vite të poezisë, vite kur poezia është ngritur në kult, ndërsa disa poetë qenë bërë yje. Njerëzit shumë i kanë besuar poezisë, mundësive të saj, iu kanë besuar poetëve. Gjatë viteve `80 libra me poezi botonin katër breza krijuesish: brezi i viteve`50, `60, `70 dhe `80. Mund të them se veprat më të mira poetike të brezit të viteve `60 janë botuar gjatë viteve `80. Gjatë atyre viteve edhe disa poetë të brezit të viteve `70 dhe `80 i kanë botuar veprat më të mira të tyre. Konkretisht gjatë viteve `80 veprat e tyre  më të mira i kanë botuar: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti, Eqrem Basha, Musa Ramadani, Agim Vinca, Shaip Beqiri, Mirko Gashi, Abdullah Konushevci, Milazim Krasniqi, Basri Çapriqi etj.

Vitet e tetëdhjeta kanë qenë vite të rënda për intelektualin, për krijuesin, për shkrimtarin, për poetin shqiptar. Duke qenë se poezia dhe në përgjithësi letërsia i rezistonte pushtetit, shkrimtarët dhe asociacioni i tyre Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës u bënë opozitë e pushtetit, të cilës opozitë i besonte populli dhe priste shumë nga ajo. Përveç librave të cilat i kishin përfituar zemrat e lexuesve me kalimin e viteve, duke shkuar kah vitet nëntëdhjetë, shkrimtarët filluan edhe të flisnin konkretisht dhe të dalnin në mbrojtje të popullit. Shumica e lexuesve, kryesisht të rinj i kishin lexuar dhe i njihnin veprat e shkrimtarëve, por nuk i njihnin autorët e tyre. Po mendoj nuk i njihnin konkretisht, nuk ishin takuar ndonjëherë me ta, nuk kishin pasur rastin të bisedojnë me ta, t`i dëgjojnë mendimet e tyre, nuk i dinin të gjitha sjelljet dhe gjeturinë e tyre në situata të ndryshme, disa herë shumë të rënda dhe të rrezikshme, nuk i dinin raportet konkrete midis tyre. Andaj kishte idealizime...

Sa iu përket mendimeve, dëshirave, shpresave, vizioneve, qëndrimeve... që gjendeshin në veprat e tyre, gati të gjithë shkrimtarët ishin të perfeksionuar. Lexuesi ua falte ndonjë gabim të bërë për të mbijetuar në ndonjë moment kritik. Pra krijimtaria imagjinative e shkrimtarëve tanë ishte e përsosur sa i përket anës humane, morale, atdhetare. Megjithatë sjellja konkrete në momente e rrethana të ndërlikuara, ku mund të rrezikohej liria e tyre, karriera profesionale, vendi i punës etj.  nuk ka qenë çdoherë e pëlqyer po të matet me idealen e dëshiruar. Këtu ka pas dallime bukur të mëdha midis shkrimtarëve, midis poetëve. Disa kanë qenë më të guximshëm, më parimor dhe kanë rrezikuar, e disa më të luhatshëm. Pra të gjithë e kanë dëshiruar lirinë kombëtare, humanizmin, por disa kanë bërë edhe gabime. Koha ka qenë e keqe, veçmas vitet e tetëdhjeta. Ka qenë vështirë të mbrohej personaliteti i njerëzve në përgjithësi dhe i njerëzve me ndikim në veçanti. Atë kohë mund ta krahasojmë me një rrugë  përplot baltë që ngjitet, rrugë nëpër të cilën është dashur të kalojë njeriu i ynë, intelektuali, shkrimtari. Ta kalosh një rrugë përplot baltë e të mos përbaltesh pak, thuaja është e pamundur. Porse dikujt i janë përbaltur vetëm këpucët, dikujt këpucët dhe pantallonat, dikujt këpucët, pantallonat dhe setra, e dikujt të gjitha këto plus fytyra! Vetëm këpucët u janë përbaltur atyre që nuk janë anëtarësuar fare në LKJ dhe nuk kanë shkruar ndonjë poezi për Titon. Të tillët në mesin e shkrimtarëve kanë qenë të paktë, sepse thuajse nuk ke mundur të botosh pa qenë anëtarë i LKJ-së, ose ka qenë ndonjë i cili ka përfunduar në burg. Këpucët dhe pantallonat u janë përbaltur atyre që kanë qenë në LKJ, u është dashur shumë herë të heshtin, por nuk kanë thënë gjëra që nuk është dashur të thuhen kundër pjesëtarëve të kombit të vet që  janë angazhuar për liri, e në momentet kur është dashur që patjetër të rrezikojnë e të flasin për ta mbrojtur ndonjë vlerë kombëtare e kanë bërë këtë. Këpucët, pantallonat, dhe setra u janë përbaltur atyre të cilët kanë qenë pjesëtarë  të LKJ-së, të cilët   në disa momente kanë folur edhe kundër pjesëtarëve të kombit të vet që janë angazhuar për liri, por nuk i kanë denoncuar ata, e në disa momente të tjera kanë ditur dhe guxuar t`i mbrojnë dhe avancojnë vlerat kombëtare. Të gjitha këto u janë përbaltur atyre të cilët janë vënë në shërbim të plotë të pushtetit, i kanë denoncuar kolegët e vet, veprimtarët për liri, kanë folur dhe deklaruar keq e më keq për pjesëtarët e popullit të vet që janë angazhuar për liri. Me një fjalë janë vënë në shërbim të okupatorit dhe shërbëtorëve të tij. Këta të fundit në mesin e shkrimtarëve kanë qenë të paktë. Në mesin e shkrimtarëve të mirë e më të mirë nuk gjenden këta të fundit. Sidoqoftë, duke i përjashtuar këta të fundit, shkrimtarët e tjerë, masat e gjera të lexuesve i kanë njohur përmes veprave të tyre ashtu të idealizuar dhe këto vepra e kanë krijuar opinionin gjegjësisht mendimin e shumicës së shqiptarëve. Andaj shumë u është besuar shkrimtarëve, shumë është pritur nga ata. Disa shkrimtarë që nga mesi i viteve `80 kanë filluar të flasin qartë për padrejtësitë që i bëheshin kombit shqiptarë. I kam parasysh tribunat e organizuara nga SHSHK, ku thuheshin disa gjëra, por duke pasur kujdes. Kah fundi i viteve të tetëdhjeta disa nga shkrimtarët shqiptarë filluan të flasin hapur dhe u konfrontuan me shkrimtarët serbë. Tani më kulti i shkrimtarit u shtri jo vetëm te njerëzit që e kishin pasion ose profesion leximin, por edhe te shtresat e gjera popullore. Shkrimtarët faktikisht u bënë prijës popullor. Partitë politike të krijuara në fillim të viteve të nëntëdhjeta udhëhiqeshin nga shkrimtarët. Megjithatë me kalimin e viteve kulti i shkrimtarit erdhi duke u zbehur dhe  partitë politike dalëngadalë u morën nga të tjerët. Tani asnjë parti politike nuk e udhëheqin shkrimtarët, e edhe zëri i shkrimtarit dëgjohet pak. Shkrimtarët  janë të rezervuar, të ndrojtur, thuajse u mungon guximi qytetar. Në disa raste ata janë të instrumentalizuar nga partitë politike dhe nuk e  thonë mendimin e vet të pavarur. Atë vendin e nderit që e kanë pasur shkrimtari dhe poezia tek shqiptarët e Kosovës nuk e ka zënë askush. Ka mbet i zbrazët. Pra nuk ka ndonjë opozitë të politikës. Shoqëria civile nuk ka mundur ta zë vendin bosh të mbetur nga shkrimtarët për faktin se aty nuk ka njerëz me autoritet të dëshmuar në ndonjë fushë të krijimtarisë, por shoqërinë civile në Kosovë kryesisht e përbëjnë  njerëzit që flasin për parime dhe rregulla, të cilëve pak kush iu beson. Nuk iu besojnë njerëzit sepse i shohin se ata janë të dhënë po aq, në mos më tepër se politikanët pas përfitimeve personale, duke bashkëpunuar me pushtetin në ndarjen e presë, duke u ofruar herë me një parti e herë me një tjetër.

Kultin e shkrimtarëve më së shumti e kanë zbehur vetë shkrimtarët, duke polemizuar mes veti, duke e sulmuar dhe akuzuar njëri-tjetrin, zakonisht për inate dhe teke personale e jo për parime, duke i veshur njëri-tjetrit gjëra që nuk i kanë e as nuk i kanë bërë, ose duke e akuzuar njëri tjetrin për vepra që nuk kanë qenë dhe aq të këqija,  për veti e libreza që i kanë pasur të dyja palët. Dihet, me përjashtim të atyre shkrimtarëve që kanë rënë në burg për shkak të veprimtarisë atdhetare,  të tjerët, thuajse të gjithë, kanë qenë anëtarë të LKJ-së, (madje edhe disa shkrimtarë të rënë në burg kanë qenë anëtarë të LKJ-së!), kanë punuar në vende të mira të punës, kanë pasur paga të mira, privilegje, mëditje, honorare. Me një fjalë i kanë shijuar frytet e vetëqeverisje socialiste dhe tani akuzohen mes veti, ani pse asnjëra palë nuk ka punuar në dëm të kombit. Si për ironi dhe për fatin tonë të keq më së shumti akuzohen mes veti ata të cilët duke e kaluar rrugën me baltë i kanë përbaltur vetëm këpucët dhe pantallonat deri nën gju, ndërsa kalojnë shumë më mirë se këta, pra thuaja “pa therrë në këmbë” ata të cilët e kanë përbaltur edhe fytyrën! Madje ata që e kanë përbaltur edhe fytyrën janë bërë, disa aleat të njërit, e disa aleat  të tjetrit  krah, në gjirin e të  cilëve kanë gjetur ngrohtësi, për t`i sulmuar  shkrimtarët e grupit kundërshtar  që kanë shumë më shumë merita sesa dobësi apo mëkate sa i përket angazhimit kombëtar. Tani të tillët (me fytyrë të përbaltur) pa fije turpi dhe me krenari shesin pallavra për patriotizëm! Dhe ato pallavra iu shiten, sepse çdo kund i kanë dyert e hapura!  Mjerim! Kjo është kohë e hipokrizisë dhe e hipokritëve!

Letërsia e veçmas poezia si lloj i artit letrar ka ndihmuar shumë në edukimin patriotik të lexuesve, e ka pasuruar dhe fisnikëruar atdhedashurinë, i ka nxitë njerëzit që të veprojnë. Pjesa dërrmuese e veprimtarëve që kanë vepruar nëpër organizata ilegale, ose kanë punuar në ndonjë formë tjetër në të mirë të atdheut, kanë qenë të rinj dhe të reja që kanë lexuar shumë vepra letrare, duke e përfshirë edhe poezinë. Poezia, të rinjtë i ka brumosur me idealet e humanizmit dhe të lirisë. Nëse e shikojmë biografinë e  njerëzve që i kanë organizuar demonstratat e vitit 1981 dhe të atyre që kanë qenë më të zëshëm, më të vendosur, më veprues në dobi të çlirimit kombëtar, nëse e shikojmë biografinë e shumicës së të burgosurve politik, do të shohim se shumica e tyre kanë qenë dhe kanë mbet dashamir të mëdhenj të librit, të letërsisë dhe të poezisë. Gati të gjithë të burgosurit politik në Kosovë kanë qenë dhe janë lexues të pasionuar të letërsisë dhe të poezisë si art letrar. Një pjesë e mirë e tyre e kanë shkruar dhe e shkruajnë poezinë. Edhe në rastet kur nuk e kanë botuar ndonjë vepër poetike, të paktën në vitet e rinisë e kanë shkruar poezinë, por jeta ka ndikuar që të ndahen prej saj, të mos e shkruajnë më.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora