| E diele, 29.12.2013, 07:24 PM |
Çerkin Ismaili
R e l i k t e d h e m b j e sh
(Cikël poetik)
AS E TRETA ...
Vasha topolake
Lumin e kaloi e para
E dyta rrëshiti në ngjyra
E treta theu këmbën
Pa e kapërcyer ylberin!
Të triat
U plakën virgjëresha
Lënesha të verdha po vdesin.
Ujqit e qartur nëpër mjegull
Sypërgjakur
Rendin pas erës
Dhe dashurisë së gazelës!
Ëndërrtë
Erdhi e treta ...!
Zhgjëndërrtë
Fjalës iu zu fryma!
As ëndërrtë as zhgjëndërrtë
Nuk u shfaq e vërteta!
MARATONË
Kush arriti i fundit
Ose kush nuk arriti fare
Ishte fitimtari!
Me ballsam e shpërbleu faraoni!
Godoja me flamur
Në samar breshke
Kalëron dreqin
Pi duhan me llullë
E varret numëron!
Maratonomaku i gjorë
Vdiq pa thënë: ”E fituam!”
Çakaj e korba
E varrosën në kepin e harrimit!
Kush nuk është nisur ishte më fatlumi-
Kortezhit i ka prirë zdathur
Nëpër lëkurë iriqi
Deri te varri buzë lumit!
ANATEMË
Kur bien kumbonaret
Në pirg-
Engjujt dridhen para Zotit!
Sa larg e sa afër është parajsa!
Serenata e vdekjes
Arie e dashurisë amorfe
Në Ditën e Shpëtimit!
Qoftëlargu këmbëkryq
Kruan zverkun në derë të ferrit
Dhe mëkatet i numëron.
Kur bien kumbonaret
Në altar-
Mojsiu hap njërin sy
Me të mbyllurin
Shikon përendimin e diellit!
Krishti në Kalvar i druan ringjalljes!
Eva prapë shtatzënë
Në Goliat
I përtërinë emrin Kainit !
Abelit s’i gjendet emri
Ndër të gjallët
As në gurë varresh!
Sa keq e paskan mallkuar botën!
QENI ËSHTË I IMI
Lëpirja e kafshimi i qenit
Tashmë
Nuk janë senzacion.
Senzacion s’është puthja
As qenqe lëpirja me qenin!
-Ani
S’ka gjë të keqe
Goja shpërlahet edhe me jargë zagari
E fytyra lahet
Edhe me të përmjerrur qeni!-
Këlthisin puristët.
-Phë!
Teposhtë bie në gji
Phëëë...!
Përpjetë bie në sy!
Me bisht apo cubel
Qeni është i imi!
IKJE E NDJEKJE
Që nga vaji i parë
Më ndjek
E unë çalaman
Ik, e ik , e ik-
Pa dhëmbë e pa dhëmballë.
Mjerë ai që nuk e di artin e ikjes!
Unë e morti
Për pak frymë
Në udhëkryq jemi ndalë
Unë e shikoj nën vetulla
Morti më shikon në ballë.
Ligatina
Nesër ka ditë feste
E ndjekjet e ikjet nuk kanë të sosur
Rolet nuk ndërrohen.
I lumi ai që e di artin e ndjekjes!
GOJËZIU
Diqysh si keq
Mu ka përthurur nëpër këmbë
E nuk më shqitet nga hapi
As më ndahet nga vrapi!
I ftohtë përqafimi me djallin!
Laku nepërkë e verdhë
Lidhur në qafë
Vezullon e dridhet!
Tashmë e kam të qartë
Se më të sigurtë se vdekjen
Kurgja nuk kam!
Hajt more
Nuk vdiset pa faj
Ndoshta këputet litari!
Eh,
Edhe në mitër të nënës
Gojëziu
Qenka marrë me mëkatet e mia!
He!...
HISE JOTJA ATDHE
Për një buzëqeshje tënden
Shtatit tënd trefish
Ia kam marrë
Hisen e dhembjeve
Atdheu im i krrusur...!
S’ ma do ëndja të të qaj
Lumenjtë e lotëve
Në varrët tuaja burojnë
E vërshojnë
Në dhembjet e mia!
Kur të vijë dita
Hisen e varrit do ta marr-
Tamam sa më takon
Borxh ma ke
Për të mbetur edhe unë
Pafundësisht
Hise jotja Atdhe...!
Nëse qaj
Mos u ligështo nga vaji im
Atdheu im i lodhur
Vaj burri
Janë kënga e pushka
Kur atdheu qan!
URATË
Ngrehinën e kalasë
Nga themelet e patëm nisur
Krejt pa hile
Atëbotë
Dhëmbë qumështi kishe
Nuk ishe ujk
S’kishe sy çatalli
Nuk ishe as skile !
Kur e patëm nisur
Bark e sy të ngimë i ke pasur!
Dikur vonë
Në kokën tullace
T’u zgurdulluan sytë e uritur!
E ke ngrënë
Hisen tënde të Atdheut
Times po i shkon kah fundi!
O Zot, të pangopurit
Ngij me dhe , gurë e rrasa!
ATDHEUT PO I DHEMB KOKA
Fjalë shumë punë hiq
Goja- shkrum
Mëndja kiq!
Oho!
Shijshëm po e hamë
Kungullin për pjepër!
Orët e demagogjisë
Janë zgjatur
Atdheut të mjerë
Po i vjen të vjellë.
Ku betohen për koka
Rënd ofshan toka...
Atdheut po i mirren mendët
Mbrapsht po sillet rrota
Po i pëlcet truri
Po i çahet rrashta
Atdheut po i dhemb koka...!
PANGOPËSI
Në festat e djajve
Me kupën e Odinit
Pikë për pikë
Gjakun ma ke pi!
Dhe, prapë po vdes i etur!
Të kanë rënë
Dhëmballë e dhëmbë
E ma gërryen
E ma ha
Dheun nën këmbë!
As me dhe varri nuk po ngihesh, bre!
THESI ËSHTË I YTI
Të larmë,
të bardhë ,
Të zi
Zihen e përzihen
Krihen, lyhen e përlyhen
Brenda në thes!
Symbylltas guxo
Provoje njëherë fatin
S’ dihet, ndoshta të buzëqeshë!
Nga thesi
Zgjidhe më të mirin
Nëse do
Dashuri me dreq!
E deshe s’e deshe
Thesi është i yti
Edhe dreqi është i yti!
PO DUA...
Po dua të them diçka
E dikush po m’i ha fjalët
Dhe po zhduket!
Po dua ta nis një kala
E diçka tebdil si në Rozafat
Po m’i shemb muret!
Po dua të shoh pakëz pas bjeshkës
E tym e mjegull
Po më lëbyrën bebëzat!
Po dua asgjë të dëgjoj
E fjalimet e zhurmat e vajtimet
Kokën po ma pëlcasin...!
Po dua t’i gjejë uratat e nënës
E njerkëzeza si në përralla
Në shtigje po ma zë pritën!
Po dua të ngjitem përpjet
E qerrja përdreqshëm
Si kali hamshor
Ka marrë huj
Teposhtë...Teposhtë...
Deri në pafundësi po rrëshqet!
AS FJETUR AS ZGJUAR
Pak si në ëndërr
Pak si në zhgjëndërr
Krejt mjegullavt
Të përjargur
Po e shoh kafshatën time
Në gojë të dreqit!
Pak si në ëndërr
Pak si në zhgjëndërr
Si nëpër hi
Krejt cullak
Po e shoh dreqin
Tek lahet me ujin e bekuar!
Pak si në ëndërr
Pak si në zhgjëndërr
Si nëpër stuhi
Si gjarpërushë e verdhë
Po e shoh lakun
Kah shtrëngohet në qafë.
As fjetur as zgjuar
Po kotem!
RELIKTE HARRIMI
Të drejtën të derdhim lot pa qarë
E të qajmë pa pa lotë
Me djersë e gjak
E kemi fituar
S’na e mohon njeri!
Dikush Kurkushët
E Diqysh Kurqyshët
Relikte harrimi
Në kujtesën e zbërdhylur
U ka ardhur dita
Gjoksat po i rrahin!.
As të drejtën
T’i numërojmë varret
Kush s’na mohon!
Prapë kush s’e di
Sa varre i kemi
As sa të gjallë jemi!
Për t’u betuar
Në reliktet e fosileve tona
Me kushtetutë
E kemi të ndaluar!
ZGRIPCI I KAFSHATËS
Nuk di pse
Saherë po kthehet sofra
Këmbët po më përthuren
E në prag të shtëpisë
Po marr në thua!
Nuk di pse
Sa herë po kthehet sofra
Në zgripc të kafshatës
Po më mirren mendët
E hundë e buzë
Po më mbushen me gjak!
Nuk di pse
Kur po kthehet sofra
Bukën e idhët të egjrës
Si dikur-
Më nuk po ma ka ëndja!
Zoti e di
Nëse kthehet sofra
A do të ngihem
Diqysh
Me bukën e shijes së lotit!?
RELIKT PENDIMI
Nuk e di qysh,
Po, pa u lindur
Mozomakeq
Sa keq-
E kisha pasë trashiguar
Artin e vuajtjes!
Mozomakeq
Sa keq
Kisha pasë qajtur
Kur engjujt ma kishin pasë kumtuar
Mënyrën e jetës
E trajtën e vdekjes!
Mozomakeq
Sa ëmbël kisha pasë qajtur
E idhshëm kisha pasë qeshur
Me vetveten!
Mozomakeq
Sa keq
Isha pasë grindur
Me të lindurit e të palindurit
Me të gjallët e me të vdekurit
Me skllavët e me fisnikët!
Nuk e di qysh,
Po çuditërisht
Me të çmendurit
Ia kisha pasë kaluar mirë!
Mozomakeq
Sa keq
Edhe për t’u çmendur
Po u dashkan pak mend në krye!
Mozomakeq
Krejt keq
Nuk e di qysh
Isha pasë lindur relikt pendimi!
RELIKT GOSTIE NË FURTUNA
Çdo natë
Kur ka furtruna
Bëhen edhe gosti
Kush ha eshtra të bluar
Kush pjek tru hijesh
Në skarë
Kush ha pa zemrër
Zemra njerëzish të pazemërtë!
Kur bëhen gosti
Dehen pa raki
Me djersët e gjakun tim
E lotët e syve të mi!
Kur bëhen gosti
Satani prinë i pari
Në valle valon vellon e kuqe
E satanisht zgërdhihet:
-Sa herë ta lëshova mjekrën njeri!?
ZGURI I ASHTIT
Dhembjet nëpër dhembje
Rrugë të gjatë kanë
Nëpër prush shkretire
Deri te zguri i ashtit!
Midis kudhrës e çekanit
Ashti kryeneq
Cung...!
Në gjuhën e shkurtuar
Prapë belbëzohet-
Formula e pagëzimit!
Ashti plak
Kokërr e pa bluar
Guidë
Durimi finok
Nuk thyhet me dhëmbë
As përtypet
As përbihet!...
IK FJALA IME !
Shpesh po më ndodh
Mos ta njoh fjalën time !
Herë i ngjesin brirë
Herë i ngjesin bisht
Herë e vërtitin në bixhoz
Rulet në gisht!
Dikush e lënurë në kërhanë
Tjerët e lakojnë me dhëmbë
Dikush e qeth me gërshërë
Tjerët e shkelin me këmbë!
Ik fjala ime
Hyn nga dole!
Rrugën po ta dredhojnë
E s’po të lënë të rrahësh
Kurrë ku dhemb dhëmbi!
Fjala ime e idhët
Më ëmbël se bukën
Po të hanë-
E s’po ngihen me fjalë!
Ec e nxirre fjalën tënde
Nga goja e dreqit
E fute në kokë të mikut!
RELIKT LUTJESH
Nëse më nuk sheh
Si dikur
Ëndrra me sy hapur
Të gjallëve e të vdekurve
Te varret
Do t’u lutem
Që t’i falin mëkatet!
Nëse nuk shikon shtrembër
Në gjunj do t’i lutem Zotit
Ta kthejë, bile njërin sy!
Nëse nuk shikon vëngër
Do të hip lart
Si prifti në altar
E do të lutem... E do të lutem...
Të të vijnë prapë
Sytë në ballë!
Nëse ke sy
Të më shikosh
Madje vetëm njëherë
Drejt në sy
Do të lutem për sytë e tu
Si për sytë e mi!
VEGIME NATE
Sa më shumë që po e shikoj
Orën e varur në mur
Disi sonte
Më shumë po zgjatet nata.
Çdo tiktak ore
E paska pak biografi
E çdo hap
Një udhë kah harrimi!
Pse agu e terri janë aq afër
E, i rrinë aq larg
Njëri tjetrit
Kurrë një hap
Bashkë s’e hedhin!?
NETËT ME SY URITHI
Pyeti njëherë netët
Për varret e territ
E fosilet e humbura
Në xhunglat e historisë!
E di
Netët i kanë shkruar
Epitafet nëpër lapidarë
Me ngjyrë harrimi
E ditët
I kanë kënduar në dasma
Këngët e vajtimit!
Netët me sy urithi
Tmerrshëm luajnë lojën:
“Vraj natën e vajto ditën!”
Dhe, nuk skuqen nga turpi
As nuk druajnë nga Zoti!
5 prill, 2010
EKLIPS
Nëpër vrimë gjilpëre
Je përbiruar
Me një hap
E ke kapërcyer ylberin
Eklips
Si nuk të vjen keq
Nga dielli
E sytë e mi?!
Të gjitha dashuritë
I ke futur në shishe
Si gruaja dreqin
E krejt hollë
Tallesh
Me dhimbjet e mia!
RELIKTE GJAKU
E kam marrë kokën
Në dorë
E kam gjezdisurr nëpër yje
Edhe dreqin e kam kalëruar
Nëpër pyje!
As në tokë as në qiell
Nuk munda t’i zë hijet!
Kur jam nisur
E kam futur kokën
Në trastën me erë shkrumi
Më pat magjepsur era e dheut tim!
Sa më larg që jemi
Atdheut i ndjejmë më këndshëm
Aromë e dashurie
Kur relikte gjaku çelin aguliqet!
5 prill, 2010
DASHURI ME ZEMËR
Nëse nuk vdiset
Për një lule
Nuk vdiset
As për një dashuri!
Kur dashuria është lule
Edhe lulja është dashuri!
Nëse nuk vdiset për një lule
As nuk jetohet për një emër
Idhulli në gjunj përkulet
Dashurinë e ka me zemër!
12 prill, 2010
VDEKJE ME SY MBYLLUR
(Në kujtim të vëllait tim, Danit)
Dheu mbi qivur
Nuk qenka
Vetëm relikt harrimi
Në vërragët
E moteve hijerënda
I imi vëlla...
Sa më i vjetër kujtimi
Po u zgjueka më i ri!
Ditët i kemi matur mirë
Me peshën e territ
E netët me tmerrin e ditëve
Gjithmonë me kandar tonin!
Sakt e paskemi matur
Në supet tona
Peshën e dy shekujve!
Toka kurrë nuk na fali
Bukë më shumë
Se për tre muaj
Nëntë muaj u rritëm
Me ëndrra e dashuri!
Shpresa dha shpirt pas teje!
Ethet e dy shekujve të dridhën
E të shtrydhën mirë e mirë
Kur vdekjen ëndërroje
Krejt symbyllur-
Në Atdheun e lirë!
12 prill,2010
QOFTËLARGËT
I kam mallkuar qoftëlargët
Të hanë gurë e rrasa
Gjunjtë e vet t’i brejnë
Në përroje qafën ta thyejnë
Sytë t’ua pijnë sorrat
Lëkurën t’ua shtjerrin morrat...!
Si për inat timin
Qoftlargët shtojnë shtat
Nga një bëhen shtatë
Konak kanë në çdo shtëpi
Në gojë rrinë te çdo njeri
Jo më pak se njëqind mijë!
26 prill, 2010
RELIKTE E MORTI
Në dhomën e ftohtë
Hija e mortit
Përçudshëm sonte
Po rri varur në dritare
E diqysh mistershëm po qeshet
Kush e di
Ndoshta edhe po tallet me mua
Ndoshta ka orë leksionesh
Nga gjuha e mortit
Kush e di
Ndoshta po më fton të hyjë në lojë
Ndoshta në fushëbetejë
Kush e di
Mund të hyjë
Kali i Druri si në Trojë!
Dikush do të bëhet fli!
Këso hije të llahtarshme
Kurrë nuk kam pa
Disi si merimangë e zezë
Po varet e zgjatet në tra
Frymëmarrjet po m’i vjedh
E sytë po m’i lëbyrë
Tiktaket e lodhura të zemrës
Hija e mortit
Sonte po ndiej kah m’i ha!
30 prill , 2010
RELIKTE LIRIE
Disi ëndërrtë
Si nëpër pluhur Sahare
E flakë vetëtime
M’u ftek
Dhe sa hapembyll sytë
Ëndërrtë humbi liria!
Zhgjëndërtë më trazuan
Vrapet pas do pelave pa frerë
Të do kuajve tredhana
Dhe hapat në asfallt
Të do qizmeve të reja.
Kurrë nuk kuptova
Në mitrën e cilës lëneshë
Ishte ngjizur!
Mozomazi
Sa shumë etër paska Liria!
Liria nuk e di
Kur u lind
Sa shumë kishte mami!
Nuk e di
Kërthizën kush ia ka prerë
Flokun kush ia ka marrë
Nuk di kë e ka ndrikull
As kë e ka kumbar!
Oh, sa e bukur ishte liria në ëndërr
Zhgjëndërrtë
Po vjell nga kjo farë lirie!
As ëndërrtë as zhgjëndërrtë
Liria nuk e di
Sa nuska
Relikte eshtrahumburish
Qëndisin gjoksa rrahagjoksash!
Në kremtat e lirisë!
1 maj, 2010
NË PËRVJETORIN E NJË MASAKRE
Sot është e martë
Po bie shi
Edhe atë vit ishte e martë
Dhe binte shi!
Sot është ditë zie
Edhe atë të martë
Ishte zi e më zi
Lot e gjak atë vit u përzien
Si sot në varre vaje e oratori!
* * *
Shikoni
Si po lëvizin varret
Si po u dridhet dheu
Shihni kufomat kah gjezdisin
Prej varreve të vjetra
Te ndonjë varr i ri!
Curroni pak veshët
Varri ngushllon varrin
Për të gjallët e për të marrët
Me (pa) liri!
Mos paska ardhur dita
Të vdekurve t’u kihet lakmi!?
2maj ,2010
RELIKTE DHEMBJESH
Nëpër shekujt e zdraltë
E ka humbur udhën
Topuzi i ndryshkur
E tinëz është ngulur
Në shpinën e ushtarit të ngratë
Betsabeja* e bukur
As qau
As mbajti zi
Qysh e polli Salomonin
Dreqi e di!?
Gjoksi i gjelit vigan
Pas shpinës-
Mic Sokol para topit!
Vaj medet për fytyrën!
U soll e u mbështoll shtiza
Në arenë fytyrë nuk gjeti
Prapë iu ngul shpinës!
Shpata, thonë, s’e pret trimin!
E qysh pra
E preu shpata e xhelatit
Qafën e Halilit
Me ballë të ndritur!?
E di Bejta Syla!
9 maj ,2010
_____________
*Salomoni ishte i biri i Davidit dhe Betsabesë, gruas së ushtarit të Davidit, i cili u vra pas shpine me urdhër të Davidit, për të fituar të drejtën të martohej me te.