E diele, 28.04.2024, 06:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Fjalëforma përfaqësuese

E diele, 29.12.2013, 09:07 PM


ÇËSHTJE RRETH FJALËFORMËS PËRFAQËSUESE DHE ASAJ MBIZOTËRUESE NË SISTEMIN FJALËSOR TË GJUHËS SHQIPE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Këtu, në këtë punim do të bëjmë fjalë për formën përfaqësuese të fjalës në analizat përkatëse gramatiko-semantike në kuadër të sistemit eptimor të gjuhës shqipe.

Siç na është e njohur, ashtu si në të gjitha gjuhët e botës me eptim të zhvilluar, edhe në gjuhën shqipe, siç thuhet në tekstin e gramatikës sonë normative (Shih: Gramatika e gjuhës shqipe 1 – morfologjia, ASHSH, Tiranë 2002, në tekstin e mëtejmë Gramatika e Akademisë), nga sistemi i fjalëformave të një njësie a klase fjalësh caktohet njëra si formë përfaqësuese”, rregull kjo e cila, si me thënë, vlen si formë orientuese gramatikisht si për sistemin foljor ashtu edhe për atë emëror të gjuhës sonë, të cilat janë sisteme kyçe në analizat përkatëse gjuhësore, ngase kjo trajtë, si e tillë, zë vendin e parë në fjalorët normativë, madje kryen edhe funksione të tjera përfaqësuese.

Së këtejmi, po sipas këtij burimi, në gjuhën e sotme shqipe për sistemin foljor si trajtë përfaqësuese është caktuar fjalëforma e vetës së parë njëjës të së tashmes së dëftores”, ndërkaq në sistemin emëror “si e tillë (d.m.th. si trajtë përfaqësuese e emrit n.v.shërben fjalëforma e rasës emërore të pashquar njëjës”. (Aty  f. 43.)

Mirëpo, për të dyja këto trajta përfaqësuese ose lema përkatëse në praktikën tonë gjuhësore, përkatësisht në analiza teorike shkencore si në raporte të jashtme ashtu edhe në ato të brendshme, çështja del e diskutueshme, sepse jo vetëm në situata a finesa të caktuara, por edhe përgjithësisht, trajta e tillë e sistemit përkatës në raste përfaqësimi del e nevojshme të zëvendësohet ose më mirë të përforcohet me elemente të tjera. Një veprim të tillë zëvendësues ose plotësues, si në sistemin foljor ashtu edhe për atë emëror, si dukuri do të përpiqemi ta bëjmë më të qartë në këtë analizë tonën:

së pari, do të përqëndrohemi rreth konstatimit të trajtës përfaqësuese, të vetës së parë njëjës të së tashmes së dëftores, në njërën anë dhe të paskajores me + pjesore ose pjesores së shkurtër si trajtë të trashëguar përfaqësuese brenda sistemit foljor të shqipes, në anën tjetër dhe

së dyti, pak më gjerësisht do të ndalemi rreth formës përfaqësuese të fjalës në kuadër të sistemit emëror, më konkretisht rreth raportit të shquarsisë së emrit të shqipes, ku domosdo përveç emrave të përgjithshëm të të tri gjinive do të preken paksa edhe emrat e përveçëm.të të dy gjinive aktive, mashkullore e femërore.

1. TRAJTA PËRFAQËSUESE NË RAPORT ME ATË MBIZOTËRUESE

TË FOLJES NË GJUHËN SHQIPE

Lidhur me sistemin foljor, ka mendime që trajta e foljes e përcaktuar si trajtë përfaqësuese, pra, veta e parë e njejësit të kohës së tashme të dëftoressiç u cek më sipër, e cila si e tillë del e përligjur gramatikisht, kur është fjala te përfaqësimi në analiza ajo disi ka nevojë për t’u përplotësuar e sforcuar, mbase edhe zëvendësuar në raste përfaqësimi me pjesoren, përkatësisht me paskajoren me + pjesore të shkurtër, madje kjo e fundit (sidomos pjesorja e shkurtër si përbërëse e saj) mund të merret si trajtë parësore ose, gjithsesi, mbizotëruese në analiza fjalësore (formëformuese, fjalëndërtuese e kohëformuese), sepse trajta e caktuar (e tashmja e dëftore) si përfaqësuese foljesore, edhe pse e ngarkuar në përbërjen e saj më këto pesë komponente të pandara, siç janë: mënyra dëftorekoha e tashmeveta e parënumri njëjësdiateza veprore, nuk ka funksione ose destinimin fjalëformues (formëformues, fjalëndërtues e kohëformues) të njëjtë siç e ka paskajorja e mirëfilltë, përkatësisht pjesorja e foljes në gjuhën shqipe.

Lidhur me sa u cek këtu, vetëm po rikujtojmë faktin se në analizën prejfoljore të emrave e të mbiemrave, madje edhe të ndajfoljeve, po sipas shpjegimit që jepet në Gramatikën e Akademisë, si temë prodhuese fjalëformuese shërben, pra, jo aq tema e kohës së tashme, sa tema e pjesores, madje pjesorja e të dy tipave: pjesorja e shkurtë (e cila ishte karakteristike për ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes dhe si e tillë del e trashëguar ose e pranuar edhe në standardin e sotëm, po ashtu edhe tjetra, pjesorja e letrarishtes së sotme (pjesorja zgjeruar), karakteristike kjo për shqipen e sotme standarde mbi bazë të toskërishtes, e cila shërben, siç do të shohim, si temë prodhuese për disa tipa emrash.

Meqë kjo temë është trajtuar më gjerësisht gjetiu, këtu, pa hyrë në fjalëformimin e mbiemrave dhe të ndajfoljeve, sa për ilustrim, po mjaftohemi vetëm me paraqitjen e disa shembujve konkretë, ku, po sipas atij burimi, pohohet e vërteta, siç e thamë, se emrat  e tillë (si emra veprimi, vepruesi e pandajshtesorët etj.) janë formuar mbi bazë të pjesores së shkurtër me prapashtesat përkatësisht –JE , -S: ose zero:  Mirëpo, për t’u rikujtuar e kuptuar më lehtë e më mirë pjesorja e tillë, e shohim të mbëhishme t’i japim disa shembuj, ku trajta e tillë e pjesores së shkurtër në kuadër të paskajores së mirëfilltë, edhe si trajtë edhe si koncept del më identifikueshëm se në çdo pikëpamje tjetër.

Krahaso:

me dalë (dalë) dalje, dalës, e dalë-a, të dalët;

me gjetë (gjetë -/gjetur ) gjetje, gjetës, gjetë-a;

me veshë  (veshë-/veshur) veshje, veshës, veshë-a;

me përkrahë (përkrahë-/përkrahur) përkrahje, përkrahës;

me lëkundë (lëkundë-/lëkundur) lëkundje, lëkundës, lëkundshmëri;

me mbetë (mbetë-/mbetur) mbetje, mbetës, mbetëz-a, mbetë-a,

me shfaqë (shfaqë-/shfaqur) shfaqje, shfaqës-i, shfaqësi-a,

e kështu me radhë.

Një rikujtim të tillë e quajmë të domosdoshëm, sepse në normëzimin e sotëm paskajorja me + pjesore e shkurtër dhe së këtejmi edhe vetë pjesorja e shkurtër del jo e përligjur si trajtë përfaqësuese, ngase standardi i ’72-shit u mbështet mbi bazë të toskërishtes, të cilës, siç thuhet, i mungon paskajorja me + pjesore e shkurtër(!) e si rrjedhojë edhe pjesorja e kësaj forme del e zvetnuar. Në të vërtetë edhe toskërishtja ka pjesore të shkurtër nga foljet apofonike si dhe ato me -fundoren -në, por për shumicën e tipave foljorë e ka pjesoren e zgjeruar, sidoqorftë edhe pse funksioni i saj ( pjesores së zgjeruar), sidomos në fjalëformim, nuk mohohet dot, ngase është realitet i gërshetuar ose i ngulitur thellë me tapi historike në strukturën ligjëruese e fjalëformuese të gjuhës sonë globale të natyrshme, andaj  si e tillë del e trashëguar edhe në gjuhën e sotme standarde.

Njëherazi rikujtojmë, siç u cek më sipër, se edhe trajta e pjesores paralele me –ur fundore e shënuar me ngjyrë të zezë te shembujt tanë pas pjesores së gegërishtes, brenda kllapash, shërben edhe kjo si temë prodhuese për tipa të tjerë emërzimesh, d.m.th, pjesorja e shqipes së sotme letrare me fundoren –UR: gjetur, veshur, lëkundur, mbetur, shfaqur, del si temë prodhuese emërformuese madje jo vetëm për mbiemra e emra të paranyjëzuar, kryesisht asnjanës abstraktë, por edhe për të tjerë. Krahaso:

gjej gjetur. i gjetur, të gjeturit, e gjetura, gjeturi-a, gjeturina-t;

vesh veshur: i veshur,  e veshura, të veshurit, veshurina-t;

lëkund lëkundur: i lëkundur,  e lëkundura, të lëkundurit;

mbes mbetur: i mbetur, e mbetura, të mbeturit, të mbeturat, mbeturinë-a, mbeturina-t;

shfaq shfaqur:  i shfaqur, e shfaqura, të shfaqurit,

e kështu me radhë.

Njëherazi, po kjo temë e pjesores (e zgjeruara) në folje të tipave të tjerë del trajtë mbizotëruese dhe shërben për të njëjtin destinim, pra shërben edhe për formimin e emrave të veprimit e të vepruesit, p.sh.:

lyej lyer: i lyer, e lyera, të lyerit, lyerje, të lyerët, lyerës;

ziej zier: i zier, e ziera, të zierët, zierje, të zierët, zierës;

pres prerë: i prerë,  e prera, të prerët,  prerje, prerës,

e kështu me radhë.

Por kur është fjala te pjesorja e shkurtër, përkatësisht te paskajorja e mirëfillitë: me + pjesore e shkurtër, te roli dhe funksioni i tyre në fjalëformim, trajtëformim e kohëformim, për mendimin tonë, del e nevojshme të rikujtohen patjetër  edhe dy arsye si favore plus:

e para, për mungesë të paskajores me + pjesore në standardin e sotëm të shqipes pjesorja e shkurtër si e tillë del e dëmtuar shumë semantikisht e formalisht, sidomos tek ata shqipfolës që nuk e kanë së paku të pranueshme në kujtesë të vërtetën se paskajorja e mirëfilltë ishte e përligjur gramatikisht në funksion të trajtës përfaqësuese në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes, jo vetëm me konsonant fundor, siç u ceken rastet e mësipërme, por edhe te foljet më prodhimtare: foljet me –o/j e –e/j (pjesërisht) si p.sh.:

mësoj me mësue (mësue-/mësuar): mësim mësues i mësueshëm mësuesi-a; shkëlqej me shkëlqye (shkëlqye- shkëlqyer), shkëlqim shkëlqyes i shkëlqyeshëm, shkëlqyeshmëri etj.. dhe

e dyta, vetëm kjo trajtë e paskajores, me + pjesorja, pa hy në raportin e ndërlidhjes konceptore: pakajore/emër, në njërën anë dhe pjesore/mbiemër, madje edhe ndajfolje në anën tjetër, ka barasvlerësi pothuajse të plotë me konceptin që ka infinitivi jo vetëm në familjen e gjuhëve indopeuropiane si trajtë barasvlerëse, por edhe me gjuhë të familjeve të tjera, ngase kjo formë foljesore (paskajorja e pavarur e shqipes), me sa pamë, ka afërsi kuptimore e njëharazi edhe barasvlerësi edhe me isimfili-n e turqishters dhe jo në pak raste edhe me mazdar-in e  arabishtes.

Sidoqoftë, po përsërisim, siç u përpoqëm ta sprovojmë paksa në paraqitjen tonë më sipër se në analiza fjalëformuese të shqipes nuk mjafton trajta e zyrtarizuar përfaqësuese e së tashmës së dëftores, por as pjesorja përkatëse. për të shpjeguar tërë sistemin fjalëformues të shqipes. Krahaso: gjej gjetur, vesh veshur, përkrah përkrahur, lëkund lëkundur, mbes mbetur, shfaq shfaqurmësoj mësuar, shkëlqej shkëlqyer, andaj, patjetër, doli e nevojshme, siç na e imponoi realiteti ynë gjuhësor, që domosdo bashkë me pjesoren e shkurtër të manipulojmë edhe me paskajoren me + pjesore të shkurtë, sidomos me pjesoren e saj.

Së këtejmi, ç’është e vërteta, ne i bashkohemi ose i prijmë grupit të gjuhëtarëve dhe intelektualëve, të cilët pa zvarritje kërkojnë rehabilitimin ose integrimin e plotë të paskajores me+pjesore në standardin e shqipes së sotme, sepse veç favoreve të tjera që ka është e vërtetë se pa të pjesorja e shkurtër del fort e dëmtuar, gjithsesi del tejet e zvetnuar, prandaj shkenca jone mbi gjuhën patjetër duhet ta pranojë të vërtetën se shqipja përveç trajtave përfaqësuese të sipërcekura (e tashmja e dëftores ose veta e tretë për foljet pavetore a njëvetore dhe pjesorja e letrarishtes së sotme), të cilat nuk kontestohen, së paku në analiza gjuhësore (fjalëformuese, formëformuese dhe kohëformuese) duhet ta njohë dhe legalizojë më qartësinë e duhur edhe trajtën përfaqësuese të pjesores së shkurtër, e cila siç e pamë edhe te shembujt e mësipërm identifikohej katërcipërisht në kuadër të paskajores së mirëfilltë me + pjesore të shkurtër,.

Sidoqoftë, kjo dukuri që në analiza kohëformuese, formëformuese dhe fjalëndërtuese në realitetin tonë gjuhësor domosdo del e imponueshme ose patjetër duhet të jetë e pranishme (e përfshirë) edhe në burimet tona të rinuara normative, ngase integrimi i paskajores së mirëfilltë, jo vetëm me u ndihmue duhet, siç e thekson ak. Besim Bokshi, por ajo duhet të sendërtohet pa diskutim sa më shpejt, sepse integrimi i kësaj forme kompleton realitetin tonë gjuhësor në shkallë globale kombëtare. Njëherazi i ndihmon shumë standardit të gjuhës shqipe që të jetë më i plotë dhe gjithsesi edhe më i konsoliduar dhe njëkohësisht u ndihmon studiuesve që të mos shkasin si deri tani në gabime të rënda. Këtë rast po rikujtojmë gafet, siç ishte b.f. konstatimi se gjoja ekziston në shqipe prapashtesa –ues (te rasti mësues) ose –ueshëm (te rasti i punueshëm), pastaj tentimi që pjesorja e shkurtër si temë prodhuese të shpjegohet gjoja nga trajta e kohës së tashme ose nga cungimi i pjesores së letrarishtes së sotme pa –UR(!) e së këtejmi të shënohet edhe pjesorja e cunguar pa Ë-në fundore(!), kur dihet se Ë--ja fundore në ato raste del si pjesë përbërëse e temës te pjesoret e foljeve mbi temë konsonantike. Kjo ka rëndësi të riceket e të rithuhet edhe më me ngulm nga kompetentët, kur dihet fakti se struktura e tillë fjalëformuese me pjesoren e shkurtër (gege) me –Ë- fundore në temë del e ravijëzuar me shekuj përpara viteve të ’70 –a të qindvjetëshit që lamë pas, madje ishte e sanksionuar në Komisinë Letrare të Shkodrës (1917). edhe pas Çlirimit (pas viteve të 1940-a edhe në drejtshkrimin e vitit 1948 të Tiranës, atij 1964  të Prishtinës etj.

Si përfundim, me një rehabilitim të paskajores me+pjesore të shkurtër nuk do të rishfaqen më as ato gafet  e sipërcekurat, por nuk do të ndodhin as lajthitje të tjera.

Tani, e themi me kënaqësi se, shqyqyr Zotit, anomalitë e tilla kanë filluar t’i shohin esëll edhe disa nga gjuhëtarë tanë të njohur, të vjetër e të rij, që i kanë tejkaluar tashmë mjegullnajat e periudhës së viteve të paqarta, siç është edhe studiuesi Stavri Trako, nga mendimet e të cilit, publikuar në Wikipedia, edhe pse nuk është më i rëndësishmi, shkëputëm  këtë konstatim-porosi:

Mendoj, thekson autori, se ringjallja e paskajores së lashtë të shqipes dhe përdorimi i saj në gjuhën e shkruar është një domosdoshmëri dhe një obligim shkencor, veçanërisht për lëvruesit e gjuhës, artistë e gjuhëtarë, e sidomos për mësuesit e gjuhës shqipe, për vet faktin se hapësirat metonimike të gjuhës shqipe, nuk mund të limitohen e të mbyllen, edhe pse rregullat e gjuhës standarde mund të kenë përjashtuar përkohësisht infinitivin...

Fatmirësisht, siç e thamë, ky studiues tash nuk është i vetëm, po me shokë shumë, gjuhëtarë e shkrimtarë, por mjerisht, për çudi,  edhe tash, ndonjëri prej standardologëve të sotëm  me ngurrimin e tij tregon se ende nuk është këndellur mjaftueshëm nga narkoza e prapagandës së asaj kohe të përmjegullt.

2. DISA TRAJTA MBIZOTËRUESE SHQUARSIE SFIDË

NDAJ  TRAJTËS PËRFAQËSUESE TË EMRIT

Ndërkaq kur është fjala te sistemi emëror, përkatësisht trajta përfaqësuese e emrit në analizat përkatëse nuk imponohet ndonjë trajtë as ndihmëse as, si me thënë, rivale, siç dilte paskajorja e pavarur e shqipes, përkatësisht pjesorja e shkurtë në sistemin foljor të shqipes, sepse emërorja e njëjësit të emrit përkatës del si formë e mjaftueshme, por meqë emri në shqipe karakterizohet edhe me kategorinë e shquarsisë, çështja del jo pak komplekse dhe së këtejmi jo edhe pak e padiskutueshme, ngase, siç do të shohim ka raste që në analiza trajta e shquar del mbizotëruese ndaj trajtës së pashquar, pra ndaj rregullës: njëjësi i pashquar i emërores si formë përfaqësuese, rregull kjo që si trajtë përfaqësuese e sistemit emëror, si lemë del e mbështetur në këto tri komponente kategoriale:1) numri  njëjës, 2) trajta e pashquar dhe 3) rasa e parë emërore.

Pse ndodh kështu? Pse del mbizotëruese dhe sfiduese trajta e shquar? Përgjigjja ekziston, por nuk mund të jepet edhe aq shkurt e thjeshtë, me pak fjalë, ngase, me sa dimë, nuk e ndeshim prerazi të sqaruar asgjëkundi, madje as që kemi ndeshur përpjekje për sqarim, në asnjërin nga burimet tona të deritashme normëzuese.

Për t’u kuptuar më mirë kjo çështje në vijim po përpiqemi të shprehim përpjekjen tonë për të arritur në ndonjë përgjigje së paku të afrueshme për lexuesin e interesuar.  Kështu:

së pari do të nxjerrim disa të dhëna nga Gramatika e Akademisë rreth kuptimësisë së kategorisë kundërvënëse të shquarsisë dhe të pashquarsisë dhe

së dyti do të paraqitim shembuj emrash mbi trajtën mbizotëruese të njëjësit të shquar, të cilët sfidojnë rregullën rreth njëjësit të pashquar si trajtë të vetme përfaqësuese.

a) Disa të  dhëna nga Gramatika e Akademisë rreth kuptimit të  emrit me pa- e  me shquarsi 

Në Gramatikën e Akademisë (2002), përveç kontatimit rreth fjalëformës përfaqësuese, të sipërcekur, njëjësit të pashquar të rasës emërore, jepen  edhe të dhëna të tjera të domosdoshme dhe të nevojshme me interes rreth të të kuptuarit të kundërvënies implikuese formale e kuptimore të trajtës së shquarsisë dhe të pashquarsisë, ketagori e veçantë kjo e ndërlidhur me fushat semantike: abstraksion/ konkretizim, përkatësishtpërgjithësim/individualizim në kuadër të sistemit emëror (emrit), ashtu si edhe implikimi eptimor i sistemit rasor i të dyja trajtave sipas tri gjinive gramatikore (femërore, mashkullore, asnjanëse), por edhe sipas numrit (njëjës e shumës) të emrit përkatës dhe të kategorive, llojeve e veçorive përkatëse të emrave. Ndër të tjera aty shpjegohet se

“Individualizimi i emrit të përgjithshëm bëhet ose duke e shoqëruar atë në trajtën e tij të pashquar, që është edhe forma bazë e emrit, me një përemër dëftor: Ky djalë, Ajo shkollë, ose duke e vënë në trajtën e shquarNë përgjithësi emri përdoret në trajtën e shquar, me kuptim të individualizuar... (Aty f.121.)

Nga kjo kuptohet se individualizimi i emrit përkatës, si koncept del në të dyja trajtat, në trajtën e pashquar, kur parashoqërohet me treguesin përkatës dhe në trajtën e shquar, kur emri shoqërohet me nyjëmbaresën përkatëse. Siç dihet, zgjidhja e shquarsisë, siç na mëson edhe ajo gramatikë, sipas gjinisë së emrit, bëhet, mbi bazë të emër-temës së njëjësit të pashquar, me këto nyjëmbaresa speciale:

a) në njëjësin e shquar emrat femërorë marrin nyjë-mbaresën -a ose -ja (tipi. nën/ë-a, lul/e-ja),

b) emrat mashkullorë marrin -i ose -u (tipi mal-i, qark-u), ndërsa

c) asnjanësit marrin nyjë-mbaresë -t , -i/t, -të ose -ët (tipi: krye-t, të mirë-t, të ecur-it, mish-të, të zi-të, të përzier-ët).

Pra, nyjëmbaresa e shquarsisë mbi këtë bazë gramatikisht nuk paraqitet shumë problemore, por kur është fjala te njëjësi i pashquar si trajtë përfaqësuese në praktikën tonë ligjërimore, dalin çështje që bien ndesh me rregullën e sipërpërmendur përcaktuese, por më mirë, tash për tash e shohim të arsyeshme t’i rikujtojmë disa të dhëna po nga Gramatika e Akademisë, rreth kuptimësisë së pashquarsisë dhe asaj të shquarsisë duke spikatur ndonjërën nga nënfushat semantike ku trajta e caktuar e shquarsisë, jo vetëm ka përdorim mbizotërues, por edhe më të natyrshëm  ndaj trajtës tjetër dhe kështu në njëfarë mënyre sfidon rregullën rreth trajtës së pashquar si formë përfaqësuese.

Së këndejmi, siç sqarohet aty (në gramatikën e Akademisë) emri në trajtën e pashquar, përveç kuptimit themelor kategorial që ka:

përdoret kryesisht me kuptimin e tij më të përgjithshëm, abstrakt, si përfaqësues i një klase të tërë sendesh që formojnë një tip të vetëm në bazë të tipave të tyre të përbashkët... thjesht (përdoret) si veshje materiale e një nocioni të gjerë të papërcaktuar. (Aty f. 127.)

kurse në anën tjetër rreth përdorimit të emrit në trajtën e shquar, aty, jepet ky shpjegim:

emri përdoret në trajtën e shquar, me kuptim të individualizuar, kur, në një situatë të caktuar sendi a sendet për të cilat bëhet fjalë, mendohen si të vetme, të dalluara nga sende të tjera po të asaj klase.  (Aty f. 121.)

Në të vërtetë, kuptimi ose përdorimi i emrit në trajtën e pashquar, duke u ilustruar me ndonjë shembull konkret sipas nënfushave semantike të përdorimit, në atë gramatikë, trajtohet në 12 pika, ndërkaq vetëm pika 10 zbërthehet në tri nënpika. (Aty f. 129-130.),  kurse në anën tjetër përdorimi i emrit në trajtën e shquar  trajtohet  në 6 pika, por pika e parë ngërthen 4 nëntipa, kurse e gjashta, zbërthehet në 9 nënpika, duke u ilustruar secila nënfushë semantike me ndonjë shembull konkret, duke filluar nga konceptet me përsëritje anaforike, pastaj ato me lidhje objektive, situatore, nga informacioni i njohur më parë si dhe nga koncepte të sendeve unike e sidomos duke paraqitur në nënpika të caktuara shembuj të parashoqëruar me fjalët përkatëse përcaktuese. (Shih aty f. 121-126.)

Jo vetëm kaq, po aty në vijim në nëntitull të veçantë trajtohet trajta e shquar me kuptim përgjithësues, jo vetëm te emrat që tregojnë lloje me klasa sendesh, por edhe në emra lëndësh, si dhe emrat me elemente abstraksioni, d.m.m. edhe ata emra që kuptimisht kanë të bëjnë me një vlerë të veçantë në trajtën e shquar njëjës, që quhet zakonisht vlerë përgjithësuese (gjenerike).

Gjithashtu analiza prek në nëntitull të veçantë edhe (pa)shquarsinë formale të emrave të përveçëm, të cilët mund të përdoren edhe në trajtën e pashquar edhe në atë të shquar, edhe pse semantikisht, siç thuhet aty,çdo emër i përveçëm përherë është i shquar, faktikisht i individualizuar, por kur është fjala te eptimi edhe ata sa i përket kategorisë së shquarsisë u nënshtrohen po atyre rregullave që vlejnë për emrat e përgjithshëm. Po sa del e respektuar ose sa është e qëndrueshme kjo rregull është çështje tjetër.

Sidoqoftë, ç’është e vërteta, kjo rregull njëjësi i pashquar i emërores në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe 1973, ka gjetur zbatim me sukses, ku trajta e pashquar e njëjësit të emërores të emrit përkatës respektohet për të gjithë emrat e përgjithshëm vendës e të huazuar të të dy gjinive me zhvillim të plotë: mashkullore e femërore, mirëpo gjatë analizës që bëmë dalin mjaft përjashtime ose raste që sfidojnë rregullën në fjalë, jo vetëm kur është çështja tek emrat e përveçëm, por edhe tek tipa të tjerë.

Sido që të jetë, ne qëmtuam paksa në këtë drejtim dhe mund të konstatojmë se këtë çështje ne e shohim të diskutueshme, por jo të pazbërthyeshme, ngase përcaktimin e mësipërm rreth trajtës përfaqësuese e quajmë të drejtë, por funksionalisht jo të mjaftueshëm,  pasi, siç do të shohim më poshtë, dalin disa trajtë-zgjidhje mbizotëruese që e sfidojnë atë rregull. 

b) Rreth  disa trajtave mbizotëruese sfiduese ndaj fjalëformës themelore përfaqësuese të emrit 

Në vijim, pra, në disa pika do të vëmë në pah disa fakte si sfida që ose e prekin rrëshqitas çështjen qëndrueshmërisë së rregullës rreth trajtës përfaqësuese të emrit ose e vënë nën hije apo e bëjnë të diskutueshme trajtën e tillë, ngase në realitetin tonë gjuhësor funksionalisht trajta e shquar del mbizotëruese në krahasim me përfaqësuesen e zyrtarizuar. 

Së pari,  po përmendin çështjen e shquarsisë të asnjanësit në gjuhën tonë. Meqë emrat e gjinisë asnjanëse evolutivisht kanë pësuar ndryshime gjatë shekujve, sidomos gjatë periudhave të fundit (të shqipes së dokumentuar), posaqërisht asnjanësit e paparanyjëzuar, të cilët  aktualisht edhe dalin shumë të pasivizuar, sepse kanë kaluar ose janë duke u shkrirë në dy gjinitë e tjera aktive (sidomos në gjininë mashkullore), ndërsa asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë e prejpjesorë, kanë mbetur aktivë, por dallimi i tyre (i asnjanësve) nga paranyjëzorët e tjerë, duke përjashtuar tipin ablatival, del më transparent, jo në njëjësin e pashquar, po në trajtën e njëjësit të shquar, së këtejmi, kjo trajtë (trajta e shquar) si tip i veçantë eptimi (lakimi IV), del mbizotëruese në analizat përkatëse rreth emrave të paranyjëzuar të gjinisë asnjanëse.

Pra, jo trajta e pashquar po parësorisht trajta e shquar e tyre del mbizotëruese aktualisht. Këtë po e theksojmë në mënyrë të veçantë, sepse sigurisht rrethanat do të kenë ndikuar që kjo praktikë, pra, jo pa arsye, edhe pse po bie ndesh paksa me rregullën rekomanduese të sipërcekur rreth trajtës përfaqësuese të emrave në njëjësin e pashquar të emërores në gjuhën shqipe, po del më parapëlqyese. Për këtë dukuri, d.m.th. rreth identitetit të asnjanësve të shqipes janë dhënë sqarime më të hollësishme në një punim tjetër, prandaj këtu nuk po zgjatemi më tepër. Qëllimi ynë është që ky sipërjashtim nga rregulla që sapo e rikujtuam, të vihet në spikamë dhe të kihet parasysh në formulim me rastin e rishikimit të gramatikës shkencore, përkatësisht asaj normative të gjuhës sonë.

Së dyti, edhe rreth trajtës përfaqësuese të emrave në raport të të dy gjinive aktive gramatikore (femërore e mashkullore) trashëgimisht dalin çështje të diskutueshme (jo vetëm tek emrat e përveçëm, por edhe te disa tipa e nëntipa të emrave të përgjithshëm) dhe kjo ndryshueshmëri nuk duket se është dukuri e re. Kemi konstatuar se që në Fjalorin e Frang Bardhit (1635), kur është fjala te trajta përfaqësuese e shënuar në fjalor, hetohet një dallim i kësaj natyre, pra rreth përfaqësimit të emrit sipas gjinisë.

Kështu, ndërsa tek emrat e gjinisë femërore në Fjalorin e F. Bardhit mbizotëron trajta e njëjësit të shquar si trajtë përfaqësuese, sepse aty ndeshim: zemra, mikesha, shpella, shpata, lufta, gjinkalla, darka, qafa, bolla, bleta, shtylla, nusja, shoqja, familja, shërbëtorja, rosa, fryma, kërraba, shtëpija, trinia, zana, kunora etj,ndësa në gjininë mashkullore mbizotëron trajta e njëjësit të pashquar si: çelës, dryn, kapruell, rrëfyes, mik, majmun, qingj, qiell, këlysh, kujtim, shtrat, dre, qiell, shpirt, fund, trim, krimb, top, sjap e kështu me radhë.

Ndërkaq, kur është fjala te gjinia asnjanëse prej 200 e sa shembujve që konsultuam në Fjalorin e F. Bardhit, nuk mund të shihej prirja se cila nga trajtat (e shquara apo e pashquara) mund të konsiderohej si trajtë mbizotëruese meqë aty ndeshen shembuj në të dyja trajtat. Mirëpo, siç u tha, ndërkohë nga evoluimi i trajtave të asnjanësit, jo pa arsye, në letrarishten e sotme (gramatika) mbizotëron trajta e shquar, e cila realisht edhe funksionon si trajtë përfaqësuese mbizotëruese e emrit asnjanës të paranyjëzuar të rasës emërore.

Sidoqoftë, po ky dallim shquarsie ndërgjinisor rreth trajtës përfaqësuese, siç do të shohim, aktualisht del shumë i theksuar tek emrat e përveçëm, por jo vetëm tek ata.

Së treti,  shfaqet edhe një dukuri e shtangimit të ndonjë fjale vetëm në njërën trajtë, çështje kjo që në gjuhën tonë del vetëm pjesërisht problemore ose pak e paqartë aktualisht, ngase ka raste që brendapërbrenda vetë shqipes në të folme të caktuara disa emra që moti dalin të përvetësuar në përdorim vetëm në një tip shquarsie, qoftë vetëm në trajtën e njëjësit të pashquar, ose vetëm në atë të shquar, si shembull po i japin dy emra të gjinisë mashkullore, siç janë fjalët e tipit: kalë-i, bar(ë)-i: Hipun në kalë shkon me marrë barë. trajta këto që diku-diku, në të folme të caktuara (si në të folmën e Zhurit, të fshatrave të Opojës etj.)përdoren vetëm a kryesisht në trajtën e pashquar: kalë bar(ë), siç e dhamë shembullin e mësipërm,  ndërkaq në disa të folme të tjera përdoren vetëm trajta e shquar kalibariHypun në kali shkon me marrë bari. Lidhur me këtë do të mjaftohemi me konstatimin e prof. Mehmet Halimit, i cili na bën me dije se: “në të gjitha të folmet e Kosovës ndeshim disa emra që u mungon trajta e pashquar, por kemi vetëm trajtën e shquar si shati, bari, kali, guri, deti, helli, firi etj. (Shih: Çështje të normës letrare, IAP, Prishtinë 1980, f. 130.) Pa hyrë në arsyen e një dukuri të tillë po shtojmë këtë se edhe në Fjalorin e gjuhës shqipe (2002 f. 339)  fjalën gurkali e ndeshim vetëm në trajtën e shquar si dhe shprehjen bojë bari (Aty f. 101), ndërkaq në Kosovë ndeshim mjaft shprehje si b.f. Ai nuk ha bari.(!), S’është mish për helli. Nuk asht kali as dash, po e çon kryet si goxhabash etj.

Ngjashëm si gurkali ndeshim gjeldeti, luledielli, lejekalimi, lejeqarkullimi qymyrguri e ndonjë tjetër dhe vërtet në kontekste të caktuara parësorisht trajtat lulediell, qymyrgur, gurkal, bojëbar(ë), lejekalim e të ngjashme, do të na dalin si artificiale, me kuptim tjetër ose pa kuptim fare.

Sidoqoftë, përkundër ndikimit të letrarishtes së sotme, rastet e tilla, edhe pse nuk mund të thuhet me plot gojë se paraqesin problem ose pengojnë përvetësimin e rregullave të standardit për respektimin e dytrajtshmërisë së shquarsisë, megjithatë ne e përmendëm si dukuri ekzistuese, që bie paksa ndesh me rregullën e sipërcekur, pasi emrat e tillë më shumë dhe më natyrshëm po përdoren në trajtën e shquar.

Së katërti, ne, kur trajtuam në pjesën e parë të këtij punimi, si nëntitrull të veçantë: Emrat e paranyjëzuar abstraktë të gjinisë femërore (sidomos me kuptim të fytyruar të një abstraksioni të thellë), si trajtë përfaqësuese domosdo parapëlqyem njëjësin e shquar, sepse, realiteti e përligj emrin vetëm në atë trajtë. Kështu themi, sepse. kjo trajtë (njëjësi i shquar) imponohet ose del e shfaqur më qartë te shembujt e tillë në krahasim me rastet homonime, kur prejmbiemërorët a prejpjesorët përkatës të paranyjëzuar shprehin nocione jo të fytyruara ose shprehin nocione të tjera, qoftë me elemente konkretësie ose edhe me ndonjë element abstraksioni, por të një nënfushe tjetër semantike në krahasim me emrate paranyjëzuar abstraktë të gjinisë femërore.

Rikujto ose krahaso edhe një herë: e mirë-a (vajzë-a), e madhe -ja (motër-r/a) kundrejt emrave abstraktë: e mira (vepra), e madhja (puna), e shkuara  (periudha), e ardhmja (ardhmeria),  e  kështu me radhë.

Edhe në Gramatikën e Akademisë mbiemrat e emërzuar si nocione abstrakte si: e mira, e vërteta, e bukura  shënohen vetëm në trajtën e shquar.

Së këtejmi në analiza si trajtë e vetme përfaqësuese ose mbizotëruese për këtë nëntip emrash del, pra, patjetër, vetëm trajta e shquar, duke e lënë nën hije ose duke e anashkaluar fare trajtën e pashquar.

Së pesti, edhe në shqipen e sotme, ndonëse si trajtë përfaqësuese, siç u tha, merret trajta e pashquar e të dy gjinive aktive, femërore e mashkullore, siç dalin edhe shembujt në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe 1973, kur është fjala tek emrat gjeografikë e shembuj të emrave të veçantë, e ndër ta edhe emra të përveçëm etj., ndryshon paksa respektimi konsekuent i rregullës në fjalë, sepse shembujt e tillë, shikuar sipas formantit fundor a tipit të ndërtimit të emrit përkatës, shënohen kryesisht në njëjësin e shquar, e më pak në njëjësin e pashquar. Dhe pikërisht së këtejmi përdorimi i trajtës së shquar në mjaft rastee lë nën hije ose edhe e përjashton fare të pashquarën, prandaj kur kemi të bëjmë me kategorinë e shquarsisë për këta tipa emërtimesh themi se çështja del e diskutueshme. edhe për këtë pikë.

Po e përmendim faktin se në Fjalorin e astronomisë (1978) emrat dalin të shënuar në trajtën e pashquar, ndërsa në Fjalorin e mitologjisë (1988), pra, botuar 10 vjet më vonë, emrat (edhe ata  të përgjithshëm) dalin të shënuar vetëm në trajtën e shquar. Po kështu. ndërsa në Fjalor emrash gjeografikë të RSH-së, Tiranë 2002 thuhet se tek emërtimet e pathjeshta (emër+mbiemër, emër+emër në gjinore, emër+parafjalë+emër) gjymtyra e parë është dhënë (si rregull vetëm) në trajtën e shquar, p.sh. Katundi i Ri, në Regjistrin e standardizuar të emërvendeve të Kosovës, Prishtinë 2005 edhe gjymtyra e parë shënohet në trajtën e pashquar, p.sh. Katund i Ri. Dhe ne këtu shohim një viktimizim të hartuesve prishtinas nga hiper-respekti ndaj rregullës gramatikore në fjalë, siç po trajtohet ose si u cek disa herë prej nesh.

Së këtejmi, pikërisht rreth shquarsisë së emrave gjeografikë do të bëjmë fjalë në krye të veçantë po në këtë pjesë të punimit, ngase rreth kësaj problematike nuk e kemi një dorë përdorimi nga studuesit tanë dhe kjo problematikë është e pranishme në realitetin tonë gjuhësor

Së gjashti, po në kontekst me pikën e mësipërme edhe më të diskutueshme e bën këtë trajtë, lënda e regjistruar në Fjalorin e emrave të njerëzve “emra shqiptarësh” (1982), dukuri kjo që del e tillë edhe nëFjalorin enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985, ku ka raste që jo vetëm emrat e përveçëm, por edhe ata të përgjithshëm në zërat përkatës dalin  të regjistruar vetëm në trajtën e shquar. Siç do të shohim më poshtë edhe sipas këtij rregulli, pra, bëhen përjashtime, por sidoqoftë edhe nga ky konstatim tema rreth trajtës përfaqësuese del e diskutueshme.dhe ka mendime se trajta me –Ë fundore e emrave të tipit Shpresë-a tashmë e kanë humbur trajtën e pashquar(!) (A. Vehbiu). Së këtejmi, edhe Vladimir Zoto, autor i librit Fjalor emrash megjithëse, siç do të shohim, edhe vetë  bën përjashtime, megjithatë, si me thënë, është mjaft kategorik në shpjegim e interpretim:

“... duke ndjekur rregullin e përgjithshëm të përdorimit, emrat e gjinisë mashkullore janë dhënë në trajtën e pashquar, kurse emrat e gjinisë femërore, janë dhënë, sikurse përdoren, kryesisht, në trajtën e shquar”. (Dh Zoto, Fjalor emrash, Tiranë 2005, f. 4.)

Së shtati, edhe emrat përmbledhës sipas Gramatikës së Akademisë me nocionin e tyre kolektiv që kanë të pazbërthyeshëm në pjesë-pjesë, dalin zakonisht të shënuar në njëjësin e shquar në të dyja gjinitë. Ja ndonjë shembull:

a) si femërorë ndeshim edhe këta emra: djalëria (djalëria shqiptare),  graria (u mblodh graria), njerëzia (erdhi njerëzia e nuses), fëmija (fëmija pa nënë si nata pa hënë) bota (bota e mbarë) etj., ndërsa

b) në gjininë mashkullore (ndonëse në numër më të vogë) po ashtu shembujt i ndeshim kryesiasht a vetëm në trajtën e shquar: proletariati (proletariati botëror), njerëzimi (historia e njerëzimit), populli (populli punëtor)  e ndonjë tjetër.

Në të vërtetë vetëm trajta e shquar shpreh qartë nocionin e kolektivitetit e jo trajta e pashquar si bot/ë-, njerëzi- etj., sepse në raste të tilla, trajta e njejësit të pashquar ngatërrohet me koncepte të tjera polisemantike.

Së teti,   të gjithë emrat e shteteve dhe të organizmave shtetërorë pushtetorë si dhe politikë, nga vendi dhe nga bota shënohen zyrtarisht parësorisht në trajtën e shquar, qoftë si emrta gjeografikë, qoftë si emra zyrtarë sipas sistemeve qeverisëse. Shqipëria ose Republika e Shqipërisë, Kosova ose Republika e Kosovës, Shtetet e Basgkuara të Amerikës, Komunvellti, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe etj. 

Së nënti, jo aq për kërshëri po si çështje me prirje diskutueshmerie dalin, disa shembuj si raste, të cilat edhe në Gramatikën e Akademisë i ndeshim të shënuara  zakonisht në trajtën e njëjësit të shquar, si p.sh.:

a)  Emrat  në funksion të termave të terminologjisë tekniko shkencore që më tepër se në shumës përdoren në numrin njëjës dhe në trajtën e shquar si p.sh. emri, mbiemri, folja, rasa, lakimi etj., siç janë edhe emërtimet e gjuhëve, të shkencave edhe të lëndëve etj. si b.f.: shqipja, latinishtja, greqishtja; gjuhësia, kimia, matematika; shuma, mendimi, identiteti, politika etj. (Aty f.  1204.)

b) Emrat me kuptim përgjithësues (gjenerik), unik si hiperonime, bashkë me sinonimin sqarues që në analiza përdoren zakonisht në trajtën e shquar  Të korret gruri (nënkupto: të lashtat, thekra, tërshëra, elbi etj.).Kot nuk krenohet bujku (nënkupto:  fshatari, lavërtari, fermeri etj.), për rendimentet e larta etj.

c) Edhe disa nga fjalët përcaktuese të ngurosura para emrave të përveçëm të të dy gjinive domosdo shënohen në trajtën e shquar  si:

- i  përndershmi, i lumturueshmi, i lumnueshmi N.N.,

- zoti (zonja, zonjusha) N.N.

- baci (axha ose axhi, bali,  baba ose babi, aga ose agi, xhaxhi) N.N

- dada (teta, halla) N.N. etj.

sepse kanë kuptimësi të mirëfilltë përcaktuese shoqëruese me emrin e përveçëm vetëm në trajtën e shquar, madje këto fjalë i shtrohen lakimit pa i ndryshuar fare trajtën emrit të përcaktuar. P.sh zoti (zotit zotin) profesor ose zonja (zonjës zonjën) profesore profesoreshë, e kështu me radhë.

ç) Edhe emrat e përbërë kryesisht femërorë, por edhe mashkullorë nga inicialet e shkurtesave si AP-ja, PS-ja, AK-ja, SHBA-ja; TEC-i, DEBATIK-u, UÇK-ja etj., dalin (ose lexohen) më natyrshmëri të plotë vetëm në trajtën e shquar.

Së dhjeti,  një tip më vete përbëjnë emrat e përgjithshëm të konvertuar në emra të përveçëm që zakonisht i ndeshim në trajtën e shquar (kryesisht në togfjalësha dhe si të tillë kanë kuptim parësorisht ose vetëm në atë trajtë:

a)  emërtimet e periudhave dhe të ngjarjeve të caktuara historike, jo vetëm si emra të përveçëm): Rilindja Kombëtare (rilindje-j/a) Lufta NÇ (luftë-a) etj. Revolucioni i Qershorit  (revolucion-i) etj

b)  Edhe te nocionet e hyjësive mbizotëron trajta e shquar, pra, edhe kur përdoren si emra të përgjithshëm ose me kuptim figurativ, si: Toka (tokë-a) Marsi (mars-i) Ylli (yll-i)

c) Edhe kur tregohet një diçka e veçantë në fushën astronomisë, si: Arusha e Madhe,  Arusha e Vogël, Kashta e Kumtrit etj.

ç) Gjithashtu edhe emrat eufemikë e të tjerë (të identifikuar si sinonime dhe të shkruar me shkronjë nistore të vogël ose të madhe) si qoftlargu. (dreqi), gojëmbyllti (ujku), mëshirues-i /Mëshiruesi, mëshirmadh-i/Mëshirmadhi, fuqimadh-i Fuqimadhi (Zoti), Fuqiploti (ministri), Madhëria  (mbreti) etj. kanë kuptim parësor vetëm në trajtën e shquar dhe që të dy tipat (pra edhe sqaruesi edhe i sqaruari) shënohen  në trajtën e shquar.

d) Emrat e përveçëm toponimikë dhe sqarimi sinonimik i tyre paralel po ashtu bëhet në trajtën e shquar, si p.sh. Theranda (Suhareka), Kastrioti (Obiliqi) etj.

dh) Gjithashtu te emrat e përbërë gjymtyra e parë e tyre shënohet vetëm në trajtën e shquar ashtu si edhe sqarimi njëfjalësh. P.sh.. Deti Jon (Joni), Deti Adriatik (Adriatiku), Mali i Tomorrit (Tomorri) Mali i Dajtit (Dajti), Kodra e Qabratit (Qabrati)  etj.

e) Emrat e qyteteve në tabelat përkatëse që tregojnë drejtimin shënohen në trajtën e pashquar p.sh. (Rruga për...) Tiranë, Prishtinë, Gjilan, Peqin etj., ndërkaq kur arrihet në vendbanimin ose emërvendin përkatës ose kalohet përballë tij, emërvendi shënohet vetëm në trajtën e shquar, ngase i përgjigjet përcaktimit: ky ose kjo është:: Prishtina, Tirana, Shkodra, Gjilani, Peqini, Berati, etj. ose (Këtu ndodhet)  Shpella e Gadimës, Varri i Luftëtarit të Panjohur, Përmendorja e Nënës Shqipëri, Ura e Mbretit, e kështu me radhë.

ë) Titujt e librave dhe të ndërmarrjeve zakonisht shënohen në trajtën e shquar: Afërdita (roman), Trimoshi (tregime); Përparimi (ndërmarrje), Dhurata (market), Molla (shitore pemësh) etj.

f) Gjithashtu edhe termat, të përgjithshëm e të përveçëm, në elaborate, harta, plane, skica etj. zakonisht  shënohen në trajtën e shquar, edhe pse ende ka laramani përdorimi në kontekste të caktuara.

g) Të 12 termat: shenjat e zodiakut (yjësi) shkruhen me shkronjë të madhe dhe në trajtën e shquar mashkullore njëjës: Akrepi, Bricjapi, Dashi, Demi, Luani  Shigjetari, Ujori, përkatësisht në shumësin e shquar të mashkullores Binjakët, Peshqit, dhe në njëjësin e gjininë femërore: Gaforrja,  Peshorja, Virgjëresha.

 të gjitha rastet sipas dhjetë pikave të mësipërme kryesisht u trajtuam shembuj të emrave të përgjithshëm që në raste dilnin, madje edhe mund të dilnin edhe si emra të përveçëm, siç dalin në pikën e fundit, ndërsa në mjë punim tjetër do t’i trajtojmë, si me thënë, kryesisht a vetëm emrat  e përveçëm, të mirëfilltë, siç janë emrat gjeografikë e të tjerë, për me dalë më konkretisht nergut si temë e veçantë tek emrat antroponimikë ose emrat e përveçëm të njerëzve ose të frymorëve.

Përmbyllje

Në këtë krye të punimit u analizua (pa)qëndrueshmëria e trajtës përfaqësuese të fjalës (lemës) në të dyja sistemet fjalësore të shqipes, si në sistemin foljor ashtu edhe në atë emëror. Siç na është e ditur, në Gramatikën e Akademisë është përcaktuar trajta përfaqësuese e sistemt foljor që është veta e parë njëjës e kohës së tashme e mënyrës dëftores, diateza veprore, si p.sh. punoj, gjej, shkruaj e kështu me radhë, ndërsa në sistemin emëror është caktuar trajta e njëjësit të pashquar të rasës emërore. Edhe pse ne nuk e kontestojmë një zgjidhje të tillë, megjithatë duke u mbështetur në fakte konstatojmë se në analiza gjuhësore secila nga këto trajta  përfaqësuese ka nevojë për plotësim, madje në raste edhe për zëvendësim.

1. Kështu si zëvendësim ose si element ndihmës i trajtës foljore të kohës së tashme të dëftores del pjesorja e shkurtër, e cila merr frymë kuptimi më lirshëm vetëm në kuadër të paskajores së mirëfilltë me + pjesore, e cila edhe më përpara, si në shumicën e gjuhëve indoeuropiane edhe në gjuhën tonë cilësohej si trajtë përfaqësuese e sistemit foljor, prandaj ne mendojmë se në burimet e ardhme normative, për çka kemi bindje se do të integrohet edhe paskajorja e mirëfilltë, përkatësisht roli i pjesores së shkurtër në kuadër të përfaqësimit sidomos në fjalëformim, formëformim e kohëformim do të jetë më i qartë, por pa e harruar të vërtetën se edhe pjesorja  e zgjeruar  e letrarishtes së sotme si temë prodhuese fjalëformuese kryen të njëjtin funksion, por për tipa të tjerë emrash e mbiemrash. Sidoqoftë propozohet që në gramatikën e ardhshme të zënë vendin e merituar të dy tipat e pjesores, edhe ajo e shkurta, bashkë me paskajoren e mirëfilltë (gege), por edhe e zgjeruara e standardit të sotëm (toske).

2. Nga sa pamë më sipër çështja e përcaktimit të njëjësit të pashquar të emrit të përgjithshëm kryesisht si trajtë përfaqësuese del e diskutueshme për këto dhjetë arsye:

Së pari, sepse te emrat e gjinisë asnjanëse, si trajtë përfaqësuese më tepër parapëlqehet trajta e njëjësit të shquar.

Së dyti, sepse në Fjalorin e F. Bardhit vetëm emrat e gjinisë mashkullore dalin kryesisht në trajtën e pashquar, ndërsa ata të gjinisë femërore në trajtën e shquar.

Së treti, ka raste që në ligjërimet  e caktuara të gjuhës sonë, diku përdoret vetëm trajta a pashquar e emrit përkatës e diku tjetër, me shtrirje më të gjerë, vetëm  trajta e shquar e të njëtit emër e më gjerë, p.sh.:Hipun në kalë shkon me marrë bar(ë) kundrejt  /Hypun në kali shkon me marrë bari.

Së katërti, për arsye praktike, tipi i emrave të paranyjëzuar abstraktë, zakonisht me kuptim të fytyruar, për dallim nga trajtat e tjera homonimike mbi të njëjtën bazë, dalin të shënuara në trajtën e shquar, e cila konsiderohet si trajtë përfaqësuese, përkatësisht trajtë mbizotëruese.

Së pesti, tek emrat e përgjithshëm e të përveçëm të njerëzve  në të dyja gjinitë ka tipa shembujsh që trajta e pashquar nuk respektohet si trajtë përfaqësuese ose mbizotëruese, kështu ndeshim p.sh. në Fjalorin e mitologjisë, në Fjalorin enciklopedik etj.

Së gjashti, tek emrat e përgjithshëm të njerëzve dhe të tjerë zakonisht shihet një prirje e trashëguar që emrat e gjinisë femërore që marrin –Ë,  në trajtën e pashquar, por shquhen me –A mbizotëron bindje se ata duhet shënuar vetëm në trajtën e shquar, ndërsa emrat e gjninisë mashkullore mbi temë në konsonant të shënohen vetëm në trajtën e pashquar. Krahaso f.  pula, fusha ndaj  qingj, mal.

Së shtati,  konstatohet se zakonisht emrat përmbledhës (kolektivë) në analiza dalin në trajtën e shquar, për arsye se janë të pazbërthyeshëm në pjesë-pjesë. Këtu trajtohen 4 nënpika. Kjo dukuri rreth shquarsisë së tyre vërehet sidomos tek mjaft emra të përveçëm dhe në veçanti tek ata që emërtojnë njerëz, por edhe emra të përgjithshëm të të dy gjinive natyrore e gramatikore, siç janë shembujt e regjistruar në Fjalorin e emrave të njerëzve (1982) dhe në Fjalorin enciklopedik shqiptar (1985), ashtu siç i hasim aktualisht edhe në burime të tjera të kohës.

Së teti, empërtimet e të gjitha shteteve dhe të organizmave shterërorë  vendës e të huaj shkruhen në trajtën e shquar

Së nënti, sa i përket  shquarsisë disa raste dalin të diskutueshme, ngase siç u konstatuar në katër nënpika, trajta e pashquar mbetet nën hije ose nuk përdoret fare Ja ndonjë shembull:

-          emrat në cilësi  terminologjike,

-          emrat hiperonimikë,

-          disa fjalë përcaktuese që parashoqërojnë emrin e përveçëm  të njerëzve në të dyja gjinitë, si zoti (zotni), i përndershmi, baci, bali, xhaxhi N:N, përkatësisht: zonja, zonjusha, tezja, halla, dada N.N. etj. dhe

-          emrat në shkurtesa (iniciale) si b.f : AFP-ja, SHNA-ja, LDK-ja, UÇK-ja etj.

Së dhjeti, çështje më vete përbëjnë emrat e përgjithshëm dhe të përveçëm, të cilët si me thënë në shumicën e rasteve nga trajta e pashquar konvertohen në emra të përveçëm ose të përgjithshëm po tashti në trajtën e shquar, që në analizë u paraqiten në tetë nëntipa, këtu po mjaftohemi vetëm me ndonjë shembull  rilindje-a - Rilindja (kombëtare), dash-i –Dashi (term në hyllësi), Suhareka (Theranda) Deti Jon (Joni),  Mali i Tomorrit (Tomorri), rruga për Tiranë, Prishtinë, Peqin, Gjilan por kur arrihet në cak ose parakalohet emri i tillë shënohet në trajtën e shquar, sipas kuptimit: Ky (kjo) është: Tirana, Prishitina, Gjilani, Peqini e kështu me radhë. Po me shkronjë të madhe në trajtën e shquar shënohen titujt e veprave, letrare, flmike etj.

Sidoqoftë, vetë qasja e analizës nga pikëpamja e sfidës së trajtave përfaqësuese si të sistemit foljor ashtu edhe atij foljor nxori në shesh mjaft  probleme që patjetër duhet pasur parasysh gjatë analizave morfologjike të gjuhës standarde shqipe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora