E shtune, 26.07.2025, 12:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemaledin Salihu: Qenan Kumanova - Ditari...

E premte, 03.01.2014, 01:32 PM


Recension

Fjalë me rastin e promovimit të librit: Ditari i rrugëtimit që mban vulën e shekullit, të autorit Qenan Hamdiu-Kumanova,më  28 nëntor 2013, në sallën e Kuvendit komunal të Preshevës.

Shkruan: Prof. Xhemaledin SALIHU

Libri i Qenan Hamdiut-Kumanova, Ditari i rrugëtimit që mban vulën e shekullit, botohet nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Vlorës, me redaktor dhe recenzues Dr. Sulejman Abazi/Neshaj/ që shton vlerat e këtij ditari të autorit në fjalë, u shtyp në Tiranë, më 2013.

Libri në fjalë përmban në vete 36 nëntituj me 124 ftografi dhe 1 hartë me ngjyra që pasqyrojnë gjithë rrugëtimin e autorit me Flamurtarët e të gjitha trojeve shqiptare. Ato kur shikohen hollësisht dhe me një vëmendje të përqëndruar nga lexuesi i këtij libri, jo vetem që njihen me rrugëtimin e Flamurtarëve të trojeve shqiptare, por edhe shijojnë idealet e tyre, mesazhet e tyre, gëzimin e tyre, qeshjet e tyre, si dhe krenarinë se do të rrugëtojnë për në Vlorën legjendare, ku Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912. Rrugëtimi i 11 Flamurtarëvë atdhetarë sa ishin në grup,  bie mu në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe atë Pavarësi të Shqipërisë e ndien të gjithë Shqiptarët kudo në trojet shqiptare, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, partiake, ideologjike e tjerë.

Libri i autorit Qenan Hamdi-Kumanova, ndoshta është dashur Presheva, se prejardhja e autorit është nga Presheva, e prindërve të tij, por Qenani kështu e ndjeu dhe kështu e shkroi, është një ditar përkah gjinia letrare, por me përshkrime historike, me ngjarje historike përplot, pra me shkrime historike, kronikë me ngjarje historike, kujtime, biografi e autobiografi.Libri në fjalë është edhe një udhëpërshkrim nëpër Shqipëri, ku në detaje përshkruhen vendbanimet, qytetet nëpër të cilët kalon Rrugëtimi i Flamurtarëve.

Libri :Ditari i rrugëtimit që mban vulën e shekullit edhepse e thamë se është një ditar përkah gjinia letrare, por ai lirisht në klasifikimin decimal universal, në bibliografi mund të radhitet në libër historik dhe sipas Tabelës së klasifikimit në vend të shenjës: 821.18-94/ditar i letërsisë shqipe/ mund të marre shenjën e grupit histori: 9.

Ditari i Rrugëtimit është një tërësi e shënimeve të përditshme me datë, me shumë përpikëri të këtij udhëtimi nëpër Shqipëri deri në Vlorë. Ditar udhëtimi i autorit

me Flamurtarët e grupit që morën rrugëtimin në këmbë që nga Kosova për në Vlorën Festive me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë.

I gjithë libri përshkruhet me shenjën/ëmblemën / e 100 vjetorit të shtetit shqiptar dhe dominon ngjyra kuq e zi e Flamurit kombëtar, çka edhe më tepër e rrit vlerën për ta lexuar pa pushim, me një frymë qysh thuhet në popull.

Më lartë e ceka se libri përmban 36 nëntituj që kanë lidhshmërinë organike dhe ashtu në mënyrë kronologjike e përcjellin krejt rrugëtimin e 11 Flamurtarëve për në Vlorë. Titullin e nëntitujt i keni në libër dhe nuk po e ndie nevojën ti ceku një nga një, por do të ndalem në ato nëntituj që sipas meje meritojnë një vëmendje të veçantë, edhepse libri duhet të lexohet i gjithi. I gjithë ditari i autorit përshkruhet me një saktësi të datave, të ngjarjeve gjatë rrugëtimit të Flamurtarëve për në Vlorë.

Libri fillon me Thënie të të pavdekëshme: Sami Frashërit, Ismail Qemalit, Emil Zola, Hasan Prishtinës, Maks Veberit. Autori ka ndie nevojën e të shkruarit të thënieve të këtyre të të Mëdhenjve shqiptare e të tjerë.

Libri vazhdon me nëntitullin: Për Ju vëllezër e motra shqiptarë, ku autori i drejtohet vëllezërve dhe motrave shqiptare me këto fjalë: Këtë libër ua kushtojë mijra motrave dhe vëllezërve të mi, që dhanë jetën për Ribashkimin e Shqiprisë tonë, që nga viti kur Shqipnija u shpall e pamvarur, më 28 Nëntor 1912 e deri më 28 Nëntor 2012, në festën e 100 vjetorit të saj.

Libri vazhdon me citatin e Dr. Sabit Sahitit: Qenan, ju e ringjallët historinë.

Rrugëtimi i Flamurtarëve filloi më 11 Nëntor 2012, ditë e dielë, me pyetjen e Enesës, mbesës së autorit: Baba gjysh, sa do të vonohesh në Vlorë, deri më 28 nëntor 2012 në Vlorë, autori duke i përshkruar të gjitha ndodhitë, ngjarjet, peripecite me shëndetin e Flamurtarëve, me pritjet madhështore gjatë udhëtimit ne detaje. Por gjithë kjo mrekulli e udhëtimit shijohet vetëm me leximin e këtij libri të rrallë në letrat tona.

Libri është një ditarë shumë i saktë, në vete përmban shumë ngjarje jo vetëm nga rrugëtimi i Flamurtarëve, por edhe nga historia shqiptare, çka autori na bind se ka lexuar edhe histori shqiptare, edhe e njeh ate dhe se është mishëruar dhe krenar me historinë shqiptare si dhe ndihet krenar për prejardhjen shqiptare që e ka. Do të thosha se autori frymëzohet nga trimat shqiptarë për Shqipërinë etnike, e ndien këtë histori, e përjeton dhe si duket frymëzimi i lind diku në Preshevën kreshnike, vazhdon me Kumanoivën dhe Vlorën e tij Festive dhe ëndërrore shqiptare. E gjithë kjo i bëhet realitet dhe  mbushet  shpirtërisht me të gjitha ngjarjet, përjetimet, sakrificat me shëndetin e Flamurtarëve, me buzëqeshjet e shqiptarëve, me mikëpritjen e shumë vlera të tjera dikur edhe sot të Shqiptarëve.

Për autorin më e madhja, më madhështorja ishte arritja e Flamurtarëve në Vlorën Festive, në Sheshin e Festës dhe ngjitja e Flamurtarëve në skenën e Manifestimit të Pavarësisë ku i pritën të Mëdhenjtë, kryeministri Sali Berisha, presidenti Bujar Nishani dhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Pra, për Flamurtarët i gjithë mundi nuk shkoi huq Flamurtarët duke rrugëtuar i përcollën mjetet e informimit në Kosovë, Shqipëri dhe gjetiu, sepse arriten synimin, qëllimin e tyre që ta çojne në vend sakrificën e Isa Boletinit, por edhe të gjithë atdhetarëve shqiptarë për Ribashkimin e Shqipërisë.

Ndoshta u dashtë ta mbarojë këtu, por i mbetem borxh këtij auditoriumi pa thënë se libri është punuar shumë bukur teknikisht, me çka rriten vlerat artistike të librit, por ndoshta për fund duhet thënë jo për t,ia zvogëluar vlerat artistike librit, por po ndie nevojën ta them, libri do të peshonte edhe më tepër përkah vlerat sikur të kishte një rezume në gjuhën angleze, për ta kuptuar vlerën e madhe të librit dhe të rrugëtimit edhe të huajt si dhe ndoshta ta shkruante burimet dhe literaturën e përdorur.

Këto vetëm do ta smadhonin vlerën e librit , me vlera të mirëfillta të shkruar nga një autor, që ka profesionin inxhinier i turbinave që punon dhe jeton në Zvicër.

Për fund të them se autori i urojë shëndet të mirë, suksese, lumturi dhe punë të mbarë, me libra artistic, ditare, kronika në të ardhmenë.

Për mua ia vlejti që më ra në dorë ky libër i mirë, sepse mësova shumë për një rrugëtim, për një ditar udhëtimi që nuk shkruhet dhe praktikohet ndër letrat shqipe, sespe përpara shqiptarët i iknin përvojave të shkrimit të ditarëve, të të dhënave, të ngjarjeve, të ndodhive, duke u frikësuar se ato do të bijnë në duarë të armiqëve që gjithmonë na ndjekën pa mëshirë. Por ja mbetëm gjallë, po gjallërojmë dhe sigurisht si shkruan një poet i Preshevës, Mirko Gashi do të vijë një ditë e bardhë. Ajo është shumë afër. Me fat na qoftë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx