E marte, 30.04.2024, 08:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Vezir Ukaj: Një roman me fjalë prushi

E premte, 03.01.2014, 07:23 PM


NJË ROMAN ME FJALË PRUSHI

(Remzi Limani "Etja e lumit", roman – Shtëpia botuese “ARSA” - Prishtinë 2013, faqe 374)

Remzi Limani, tashmë dihet, është bërë mjeshtër i dialogëve, prandaj çdo personazh në këtë roman del i natyrshëm dhe artistikisht i kompletuar, e madje edhe gjuha e fjalët që përdor autori, bëjnë që ngjarja e shtjelluar të përjetohet me fuqinë e artit të tij. Bota e tij letrare, ashtu siç ia thotë e vërteta jetësore, mbështetur në një gjuhë të pasur e të pastër, trajton krejtësisht ndryshe problemin e dashurisë në realitetin e ri shoqëror, që sikur u theksua, ka munguar në letrat tona...

Shkruan: Vezir UKAJ

Në botimet tona letrare të deritashme, romani i dashurisë, si formë letrare, pothuaj nuk është lëvruar fare... Shfaqja e dashurisë së vërtetë shumë herë ka pasur pengesa të pakalueshme, përballimi i të cilave përbënte një sfidë dhe kjo sfidë vjen e na shfaqet në romanin "Etja e lumit" (shtjelluar në 374 faqe tekst), një vepër që zgjon kërshërinë dhe si tërësi letrare, lexohet me ëndje. Kjo vepër e ka idenë të mbështetur në realitetin jetësor - si përpjekje a alternativë për të krijuar njeriun dhe jetën e re ndryshe e pa paragjykime - të panjohur në letrat tona...

Remzi Limani është shkrimtari që po ngjitet me sukses në rrjedhat e veçuara letrare që për motiv kanë dashurinë me temë që preket rrallë nga shkrimtarët tanë... Vështruar edhe nga ky aspekt, romani "Etja e lumit", është interesant dhe duhet lexuar e rilexuar, sepse të "lidh" me imagjinatën e bujshme të një misteri që shpaloset nga faqja në faqe...

I shkruar me skena dashurie të jetuara, në këtë roman, gjejmë plot ankthe emocionale që të mbajnë pezull..., ngase profili erotik shpeshherë edhe godet... Autori shfleton jetën e një fantazie e tolerance, mbushur me ngrohtësi unike mbresëlënëse, që shtjellohet rreth dy personazheve - aq të dashur - Fisit dhe Hanës (pianiste). Fisi, në mungesë të një mirëkuptimi me Hanën - bën një flirt të vogël me zonjën Nita (mësuese e matematikës), me të cilën ishin njohur tek miku i tij - Vegimi. Aborti i Hanës pa pëlqimin e Fisit, i ndërron mendjen, prandaj në takime të papritura të fatit, ngohtësinë e humbur, e gjen tek Nita.

Këtu shihet fati i individit, shihen përjetimet e tij shpirtërore, sepse, përmes të veçantës, shprehet e përgjithshmja. Duke dhënë ngjarje e dëshmi të bollshme, autori nxjerr në pah vijat e karakterit të shumë personazheve aktive, të kompletuara artistikisht të romanit, ku shprehet besnikëria e tij ndaj kohës e fakteve të tjera jetësore - nga fillimi e në mbarim të romanit - të gjitha ato sillen të gjalla para lexuesve.

Remzi Limani, tashmë dihet, është bërë mjeshtër i dialogëve, prandaj çdo personazh aty del i natyrshëm dhe artistikisht i kompletuar, e madje edhe gjuha e fjalët që përdor autori, bëjnë që ngjarja e shtjelluar të përjetohet me fuqinë e artit të tij. Bota e tij letrare, ashtu siç ia thotë e vërteta jetësore, mbështetur në një gjuhë të pasur e të pastër, trajton krejtësisht ndryshe problemin e dashurisë në realitetin e ri shoqëror, që sikur u theksua, ka munguar në letrat tona...

Shkrimtari dhe piktori ynë i njohur - Remzi Limani, me frymën e veçuar artistike, shkruan bindshëm dhe ndryshe nga të tjerët. Ai, beson fuqishëm në njerëzoren me burime frymëzimesh të jashtëzakonshme e të natyrshme. Prandaj, vepra e tij ka një thellësi ende të pazbuluar, që duhet vështruar në një mënyrë krejtësisht ndryshe.

Në romanin "Etja e lumit", Remzi Limani fjalëve u jep një gjallëri plot harmoni duke i njomur me brumëgatimin e bollshëm të dashurisë a të dëshpërimit me trajta të llojllojshme përjetimi, qofshin ato edhe klithje të egra të kohës për dashurinë si kuptim jete. Pjekuria artistike, që fluturon në sferat e panjohura të jetës, sikur nëpër valët e baticave dhe të zbaticave, bën që të shpërthejë gëzimi i pritur jetësor me tema e motive të reja të shkruara me trajta të një freskimi të panjohur e të pathënë artistik më përpara...

Prandaj, Remzi Limani, si një individualitet i fuqishëm dhe origjinal, shkrimtar ngjarjesh dhe vërtetësish jetësore aq interesante e dëshmiplota, është padyshim një zë i merituar në prozën tonë që po vjen...

Remzi Limani u lind në Shalë të Drenicës. Është profesor i arteve figurative. Në Universitetin e Prishtinës, ka kryer Fakultetin e Arteve - Degën e Dizajnit.

Përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, të pikturës, të poezisë e të prozës, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore e të muzikës artistike, Remziu ruan baraspeshën e arsyes që arti të shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës.

Deri më tash ka realizuar dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali e një me karakter humanitar në Namibi. Në vitin 1999, nga senati i akademisë internacionale "Qyteti i Romës", është nominuar kryetar artistik për Kosovë. Nga fusha e letërsisë, ka botuar dhjetë libra, ndërsa romani "Etja e lumit", është libri i tij i njëmbëdhjetë. Përmbledhja me poezi "Tinguj të humbur", i është përkthyer në gjuhën rumune. Po ashtu, poezia e tij është përfshirë edhe në antologjinë poetike "Pagjumësia e fjalëve" e botuar në gjuhën rumune, në Bukuresht.

Remzi Limani, në cilësinë e udhëheqësit të kulturës, punon në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe të Sporteve, në Prishtinë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora