| E premte, 03.01.2014, 07:23 PM |
NJË ROMAN
ME FJALË PRUSHI
(Remzi Limani "Etja e lumit", roman – Shtëpia botuese “ARSA” - Prishtinë 2013, faqe 374)
Remzi Limani, tashmë dihet, është bërë mjeshtër i dialogëve, prandaj çdo personazh në këtë roman del i natyrshëm dhe artistikisht i kompletuar, e madje edhe gjuha e fjalët që përdor autori, bëjnë që ngjarja e shtjelluar të përjetohet me fuqinë e artit të tij. Bota e tij letrare, ashtu siç ia thotë e vërteta jetësore, mbështetur në një gjuhë të pasur e të pastër, trajton krejtësisht ndryshe problemin e dashurisë në realitetin e ri shoqëror, që sikur u theksua, ka munguar në letrat tona...
Shkruan: Vezir UKAJ
Në botimet tona letrare të deritashme, romani i dashurisë, si formë letrare, pothuaj nuk është lëvruar fare... Shfaqja e dashurisë së vërtetë shumë herë ka pasur pengesa të pakalueshme, përballimi i të cilave përbënte një sfidë dhe kjo sfidë vjen e na shfaqet në romanin "Etja e lumit" (shtjelluar në 374 faqe tekst), një vepër që zgjon kërshërinë dhe si tërësi letrare, lexohet me ëndje. Kjo vepër e ka idenë të mbështetur në realitetin jetësor - si përpjekje a alternativë për të krijuar njeriun dhe jetën e re ndryshe e pa paragjykime - të panjohur në letrat tona...
Remzi Limani është shkrimtari që po ngjitet me sukses në rrjedhat e veçuara letrare që për motiv kanë dashurinë me temë që preket rrallë nga shkrimtarët tanë... Vështruar edhe nga ky aspekt, romani "Etja e lumit", është interesant dhe duhet lexuar e rilexuar, sepse të "lidh" me imagjinatën e bujshme të një misteri që shpaloset nga faqja në faqe...
I shkruar me skena dashurie të jetuara, në këtë roman, gjejmë plot ankthe emocionale që të mbajnë pezull..., ngase profili erotik shpeshherë edhe godet... Autori shfleton jetën e një fantazie e tolerance, mbushur me ngrohtësi unike mbresëlënëse, që shtjellohet rreth dy personazheve - aq të dashur - Fisit dhe Hanës (pianiste). Fisi, në mungesë të një mirëkuptimi me Hanën - bën një flirt të vogël me zonjën Nita (mësuese e matematikës), me të cilën ishin njohur tek miku i tij - Vegimi. Aborti i Hanës pa pëlqimin e Fisit, i ndërron mendjen, prandaj në takime të papritura të fatit, ngohtësinë e humbur, e gjen tek Nita.
Këtu shihet fati i individit, shihen përjetimet e tij shpirtërore, sepse, përmes të veçantës, shprehet e përgjithshmja. Duke dhënë ngjarje e dëshmi të bollshme, autori nxjerr në pah vijat e karakterit të shumë personazheve aktive, të kompletuara artistikisht të romanit, ku shprehet besnikëria e tij ndaj kohës e fakteve të tjera jetësore - nga fillimi e në mbarim të romanit - të gjitha ato sillen të gjalla para lexuesve.
Remzi
Limani, tashmë dihet, është bërë mjeshtër i dialogëve, prandaj çdo personazh
aty
Shkrimtari dhe piktori ynë i njohur - Remzi Limani, me frymën e veçuar artistike, shkruan bindshëm dhe ndryshe nga të tjerët. Ai, beson fuqishëm në njerëzoren me burime frymëzimesh të jashtëzakonshme e të natyrshme. Prandaj, vepra e tij ka një thellësi ende të pazbuluar, që duhet vështruar në një mënyrë krejtësisht ndryshe.
Në romanin "Etja e lumit", Remzi Limani fjalëve u jep një gjallëri plot harmoni duke i njomur me brumëgatimin e bollshëm të dashurisë a të dëshpërimit me trajta të llojllojshme përjetimi, qofshin ato edhe klithje të egra të kohës për dashurinë si kuptim jete. Pjekuria artistike, që fluturon në sferat e panjohura të jetës, sikur nëpër valët e baticave dhe të zbaticave, bën që të shpërthejë gëzimi i pritur jetësor me tema e motive të reja të shkruara me trajta të një freskimi të panjohur e të pathënë artistik më përpara...
Prandaj, Remzi Limani, si një individualitet i fuqishëm dhe origjinal, shkrimtar ngjarjesh dhe vërtetësish jetësore aq interesante e dëshmiplota, është padyshim një zë i merituar në prozën tonë që po vjen...
Remzi Limani u lind në Shalë të Drenicës. Është profesor i arteve figurative. Në Universitetin e Prishtinës, ka kryer Fakultetin e Arteve - Degën e Dizajnit.
Përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, të pikturës, të poezisë e të prozës, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore e të muzikës artistike, Remziu ruan baraspeshën e arsyes që arti të shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës.
Deri më tash
ka realizuar dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali e një me
karakter humanitar në Namibi. Në vitin 1999, nga senati i akademisë internacionale
"Qyteti i Romës", është nominuar kryetar artistik për Kosovë. Nga
fusha e letërsisë, ka botuar dhjetë libra, ndërsa romani "Etja e lumit",
është libri i tij i njëmbëdhjetë. Përmbledhja me poezi "Tinguj të humbur",
i është përkthyer në gjuhën rumune.
Remzi Limani, në cilësinë e udhëheqësit të kulturës, punon në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe të Sporteve, në Prishtinë.