E marte, 30.04.2024, 10:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Vera Istrefi: Në akuj digjem

E premte, 03.01.2014, 06:45 PM


Vera Istrefi

Në akuj digjem

Dy fjalë për vëllimin poetik

Vëllimi i tretë poetik i Vera Istrefit “Në akuj digjem”,

duket se ka përcaktuar e orientuar qartë rrugën artistike të

poetes. Poezitë e këtij vëllimi, në fakt, janë krijuar fill pas

daljes në dritë të vëllimit të dytë të saj “Nënqeshje e

ëmbël”, por hezitimi për t’i botuar shpejt, kishte të vetmen

arsye, mëdyshjen e poetes. Ajo hamendej, se këto krijime,

do të ishin më të arritura se dy vëllimet e para, apo jo. Kjo

dilemë, së pari, dëshmon vetëdijen krijuese të poetes, dhe së

dyti, përgjegjësinë që ka ajo kur shkruan poezinë, misionin

që mbart ajo, efektin që shkakton kur del në dritë etj.

Krijuesi gjithnjë duhet t’i mendojë këto, po qe se do të

gjykohet drejt.

Në këtë vëllim të Vera Istrefit, ka një përpjekje të qartë

e të sukseshme, për të përgjithësuar idetë përmes një vargu

të saktë e me një ritëm të brendshëm, që ngjiz mendimin

poetik dhe e bën më të qartë qëllimin. Nga ana tjetër, Vera

Istrefi, përmes vëllimit të tretë poetik “Në akuj digjem”,

provon edhe një herë, por tashmë në një nivel edhe me

lartë, se jo vëtem ka ide, por di t’i shtjellojë ato për të

arritur në gjykime e përfundime artistike përgjithësisht të

drejta.

Fakti se Vera Istrefi del para opinionit të gjerë me

vëllimin e tretë të saj, tregon për pasuri idesh, dhe larmi

trajtimi. Ajo i përket atij grupi krijuesish, të pajisur me

aftësine për të observuar gjithçka, çdo gjë rreth saj, ku

jeton e vepron. Në qënien e poetes lëvrijnë shumë ide, sepse

ajo është një vëzhguese e imët e realitetit. Madje, ajo në

asnjë rast nuk do të jetë pasive kundrejt gjithçkaje që

ndodh brenda shoqërisë, pjesë e së cilës është edhe ajo vetë.

Ajo e konsideron jetën si një dramë me një akt në të cilën

poetja thotë:”Aktorë në të janë/të gjithë/ose një i vetëm”.

Prandaj Vera Istrefi ndalet edhe vrojton një cigare të

hedhur në rrugë. E analizon atë dhe kërkon të zbulojë

misterin prapa saj. Ec pothuajse pa asnjë qëllim shëtitores

së qytetit, por edhe ulet në një sofër grash, në të cilën nuk e

gjen vetveten.

Një praktikë e tillë hulumtuese dhe vëzhguese të jetës

së përditshme, e ka ndihmuar shumë poeten për të trajtuar

një gamë të gjerë problemesh dhe për të përdorur mjete e

teknika të shumëllojshme artistike.

Poezia e Vera Istrefit mund të veçohet në poezi

meditative-filozofike, ku poetja rreket të gjykojë

fenomenin shoqëror, kërkon të gjejë pozicionin e vet në

këtë fenomen, mundohet që të imponohet në ndryshimin e

dukurive sociale dhe të lërë gjurmë në të. Ajo kërkon me të

drejtë që të jetë diçka në këtë jetë. Për poeten, heshtja e

indeferenca kundrejt jetës dhe sfidave që ajo ka, nuk mund

të pranohet. Jeta merr një kuptim, vetëm atëhere kur i

imponohesh shoqërisë që të rrethon, kur ti vuan e

gëzohesh, ”qan e qesh” bashkë me të, kur përjeton të

njëjtën veprimtari në jetën e përditshme.Vetëm këtu

gjendet vetvetja sipas poetes.

Kur është e vetmuar, poetja ndjen nevojën e bisedës

edhe me një zog. Prandaj ulet në tavolinë me vetveten dhe

ndjen nevojën e komunikimit.”…me ndjenja të

paqarta/bashkë jemi lidhur/Edhe gjumi/S’na pushton të

dyjave/njëherësh”, thotë poetja Vera Istrefi në çastin kur e

shikon veten të dyzuar dhe në ndonjë rast ku ajo hahet me

vetveten, grindet me të, fle me të, por përsëri gjumi nuk i

zë njëherësh. Grindja e mosmarreveshjet, por edhe

domosdoshmëria e mirëkuptimi, kanë derën e hapur për

nesër.

Grupi i dytë i krijimeve poetike në këtë vëllim, është

poezia ku natyra ndikon shumë te bota shpirtërore e

krijueses. Shpeshherë, ajo ndjen se ka një stuhi në shpirt,

stuhi e cila shkaktohet nga një dimër i akullt, nga një rigë

shi që futet ngadalë nga flokët e qafa deri në palcë të

shpirtit, po edhe nga pushi i plepave, apo bora e dimrit.

”Dega e kumbullës/hesht mbi vazon e thjeshtë/thith ajrin

e s’ngopem/me erën e luleve të saj/Dimri akoma s’ka

ikur/dimri akoma s’ka ardhë/Si, ti, lulekumbull/ke çelur

në këtë kohë, vallë?”. Kështu shkruan Vera Istrefi, duke

nënvizuar ndikimin që ka çdo gjë natyrore në shpirtin e

saj, por edhe në universin e saj krijues.

Vëllimi i Vera Istrefit, ”Në akuj digjem”, pa dyshim

është një arritje e çmuar e poetes në fushën e krijmtarisë

poetike. Ajo, tashmë, ka fizionominë e profilin e vet në

krijimin poetik. Besim R. Cengu

=============================

*

Hutimin tënd

Si ta marr ?

Ç’të shashtisi, kalimtar ?

Flokët e dendur

A syri ulli?

Ti s’ke faj

Ka kohë

Që kam ndjerë

Nevojën e mbledhjes së flokevë.

*

Ti ec, kalimtar.

Me vete merr

Imazhin e mosbindjes

Dhe mbaj mend

Sa herë të kalosh këtu

Në këtë vend,

do të shohësh patjetër një vajzë

me flokë të shkurtër a të të gjatë

*

Shkujdesur në to,

Do të kalojnë gishta, erëra, mendime…

Jam e bindur.

Nuk do ta harrosh

Flokëkurorën time.

Hutimin tënd

Si ta marr?

Ç’të shashtisi, kalimtar?

Nga heshtja jote,

Shqetësimin me vete marr.

Pjesa e parë

1

Eja me mua, Drin,

Të vershojmë udhëve

S’di kush vuan më tepër,

A më pak nga ne.

Ty të ndryshojnë shtratin,

Mua më bëjnë pre.

Eja me mua, Drin,

Të vershojmë udhëve

T’i themi lamtumirë

Qetësisë së gënjeshtërt

Se të dy të lirë,

Këtu, jemi të tepërt.

Eja me mua, Drin,

Tëvershojmë udhëve.

Të vij unë tek ti,

Më duket e thjeshtë.

Por s’di cilin Dri të zgjedh,

Këtë fundvjeshtë.

Eja,

Drini i bardhë dhe i Zi

i bashkuar, eja tek une,

ti.

Të vërshojmë udhëve

Të dy

2

Më vjen gjumë

Edhe nata kur ka ikur.

Kapitem.

Natë e ditë pa gjumë.

Për mua

Nata vetëm dridhet,

E ditën,

Dridhem unë.

3

Ku jam?

Këtu

Apo aty?

Diku jam.

Por,

Nuk e di.

As këtu,

As atje

Jemi bashkë.

Ti dhe unë,

Unë dhe ti.

Vërtet!?

Të heshtim,

A të klithim?

4

Të humbur e fatkeqë,

Shëtisim bashkë,

Në shëtitoren e vetme të qytetit.

Pa dashur,

Pa ditur,

Pushtojmë hapat e njëri-tjetrit.

Të lumtur e fatkeqë

Shëtisim bashkë.

Pa dashur,

Pa ditur,

Në shëtitoren e vetme

Të qytetit.

5

Trëndafili,

sado i bukur që të jetë

pas vyshkjes,

le veç gjembat.

Shtrëngoj fort

Duart e femijëve të mi,

E lë pas hamendjet.

6

Rrekem të mbaj rob

Një çast,

I cili më shkakton

Një ndjesi të akullt,

Transparente.

Në këtë çast,

Lidhje të panumërta,

Realizohen.

Në paqartësi,

Më pushtojnë zhurmat

E ardhura nga jashtë

7

Erë qepësh të njoma

Vijnë duart e tua

Ndërsa trupi

Aromë epshore

Jargaviten burrat

E harrojnë të hanë

Ushqimin e servirur

Nga ti

8

E vërenjtur

Nën rroba të zeza

Të dridhet trupi, vejushë.

Diçka

Për të të ngrohur

S’të ofron askush.

Nëse të nesërmen,

prapë do të jetë kështu

mos ardhtë kurrë për ty

mëngjesi

9

Ma tha lypsarja në rrugë;

-Të gjatë paq rininë.

Loti më mbeti në sy,

duke rrëshqitur jo faqeve,

por shpirtit të plagosur.

Ma krypi plagën,

lypsarja në rrugë

10

Sivjet,

Bora duket se ka frikë

Nga nxehtësia

E tendosjes së nervave të njerëzve.

Në pritje të saj,

Fsheh zjarrminë time

11

Tek ju,

Do të hyjë vargu im

Nga dritarja,

Nëse ia mbyllim portën.

Nuk do të dorëzohet,

Pa ju imponuar,

Qoftë edhe një rrokje,

Do të takoni

Veten dhe mua.

12

Në sofrën tuaj të madhe,

Po të afrohem, e di,

do të më cysni si macen,

poshtë sofrës me bezdi.

Një lugë e rënë në tokë,

një nemur në erë,

Të mjera.

Sidoqoftë,

përherë mbetem “verë”.

T’ju shoh nga lart, unë dua,

S’ka rëndësi, ju mua.

Për këtë arsye të thjeshtë,

Ju, mbeteni «mbarimvjeshtë ».

13

Funddimri.

pragpranvere.

Ndiej ngrohtësi nga brënda.

Nga funddimri,

Më ngjethet trupi.

Nga pragpranvera,

vërshojnë brënda meje,

përrenj

dhe mbeten ujëvara,

që s’dijnë ku të derdhen.

Kërkoj me ndjesinë time

Muzikën e Shvartcit,

a të Verdit.

Moxarti ,më ushton në veshë

Dhe në ujëvarën time,

një pulëbardhë,

kërkon pak ujë të qetë.

14

Zorinë

Për zor.

Sose,

u sosshin.

Mbarime,

u mbarofshin.

Kështu tek- tuk,

mbase më shpesh,

thuhet për vajzat,

pas dyshes në rrjesht.

Unë

Kam në mëndje

Sihanen,

Lulemirën,

Floridën.

Kërkoj ndryshimin.

15

Kur të kalosh, ti, rrugës time,

mbaj vesh.

Aty është zëri im prej fëmije,

e qeshura pa kufi.

Edhe të qarat, janë aty.

Zhurmshëm,

hapat e mij do të zgjohen.

Ka kohë që nuk ndihen.

Ke për të parë një vend,

ku jam ndalur,

bashkë me frikën,

për të hequr një dhëmb.

Aty do të jetë,

drithërima e shprehjes

së dashurisë së parë .

Edhe lotët,

po aty.

16

Kur të kalosh, ti, rrugës sime,

do të xhelozosh,

e di,

por, aty e deri këtu,

kemi qenë veç une e ti.

Kur të kalojmë bashkë,

s’do të kemi kohë të kujtojmë,

se sa jemi dashtë.

Femijët,

Do të na tërheqin

Të luajnë,të qeshin,të qajnë,

si unë.

Dhe unë e ti,

do të duhemi më shumë.

17

S’do të më mjaftojnë ditët,

Për t’u sosur dhimbja,

Për humbjen e foshnjes time

Të parë.

Unë

S’kisha mbushur

të njëzetat.

Foshnja,

Shkatërruar ish,

Brënda meje.

Heshtje në lotë,

Mbrëmjeve të vona,

E mëngjeseve të hershme.

Zërat e fëmijëve,

Më ftojnë,

Në monotoninë e jetës,

Më imponohen natyrshëm,

Si bijtë e nënës.

Ngashërimi ,

Mbetet diku,

Brënda meje,

Në pritje

Të ndonjë mbrëmje të vonë,

E të ndonjë mëngjesi,

Tepër të hershëm.

18

Në shpirt,

Më fle dhimbja.

Në zemër diçka tjetër,

Më shumë se neveria.

Për ty, ndjenja e vjetër,

Herët, apo vonë?

Kur do të ndodhë,

Që përballë të jemi,

Unë dhe ti,

E njëra-tjetrën

Ta shohim në sy?

Ti më fshihesh,

Ndryshe, s’ka se si

19

Më rëndon mbi qerpikë,

Pushi i rënë nga plepat,

Parregullsisht.

Vshtrimi më humb qartësinë.

Ecjen time, vazhdoj.

Edhe rrapëllime qepallash.

Shkund flokë e qerpikë,

Nga pushi i plepave

Dhe ec mes tij.

20

Nuk jam ëngjëll.

Kujtimet nuk më janë

Vetëm të fjetura.

ëndrrat,

Varur më janë qerpikve.

Në heshtje lyej qerpikët

Me rimel të trashë,

Blu.

Ndërsa kujtimet struken,

Sa aty, këtu.

21

Tok me foshnjen,

Përkund ëndërrat e mia,

Në djepin e drunjt.

Shpresa e ankthi,

Bashkë!

Përkund

Foshnjen ta zërë gjumi,

E ëndërrat të heshtin.

Më fle trupi

Mbi shtrat mendimesh

22

Çdo vit pyes veten:

Si vjen pranvera

Në këto rrugë?

Ikin pranverat,

Edhe vitet,

Bashkë me to.

Unë i jetoj

Dhe s’i ndiej

I jap vetes të drejtë,

Se asnjëherë mbi këto rrugë,

Nuk shoh diçka të blertë.

Pjesa e dytë

1

Ditët që do të vijnë,

Kur të kalojnë,

Me hapat e hekurt,

Do të ndalen të dëgjojnë,

Klithmat e dhimbjes time.

Dhimbja ime,

Vetëm do të heshtë,

E heshtazi do të gjëmojë

Mbi dhimbjen time,

Mundet që atë ditë,

Të shihet një karafil,

Ose…

I gjakut, një cërril.

2

Jam lot në sytë tuaj,

Nuk rrëshqas poshtë tyre,

S’jam lot që fshihet,

Me një veprim të dorës.

Lot gëzimi e hidhërimi.

Lot mpleksur në dhimbje.

3

Këtë mëngjes,

Të gjithë duken të fjetur.

Dhe mjergulla mbi qytet,

Fjeti.

Ndërsa, unë tërë natën,

Me dorën te djepi.

4

Mos ma harro dritaren ,

Trumcak.

Eja përsëri.

Bashkë, do të flasim ngapak,

Se merremi veshë,

E di.

Nëse do,

Eja dhe në pranverë,

Pranë dritares do jem,

E heshtur si përherë.

5

Bryma në lëndinë

Më ka pushtuar,

Qënësia-nënë.

Kam një ngrohtësi,

E të vetmin mendim.

Kjo ngrohtësi ime,

brymën e shkrin

6

Mes perdeve të tylta,

Natyra më fal,

Qindra rreze përtëritesë,

Që mblidhen të tëra,

Petal,

Mbi fytyrën e foshnjes time.

7

Qetësirat e netëve,

Notojnë detërave të trazuar,

Në shpirtin tim.

Dhe s’ndalen.

Se asgjë tjetër s’dinë.

Veçse të notojnë.

Qetësirat e netëve,

Tretur janë,

Fortunave të shpirtit tim.

8

Trupi yt,

Në akuj digjet.

Duart,

Mbi prush të merdhijnë.

Me të qara,

Luan simfoninë.

Mes belbëzimesh,vallëzon,

Jeta.

Une të tërheq

Për dore,

Nga vetja.

9

Nuk bien lotët,

Por ritmojnë zhurmshëm,

Lotët e dhimbjes.

Hesht, heshtja.

Në zemër ther,

Pamundësia për të folur.

Shpirti stonon,

Në vajin e brëndshëm.

Buzët qesin,

E mërzia varet,

Në qosh të tyre.

10

Zhurmore,

Lotët e mij në rrokullisje.

Përcëllues.

Rrëshqasin poshtë në tokë,

E ngrihen me tërbim.

Zënë një vënd të kotë,

Diku në syrin tim.

11

Dhimbjet tuaja rrëke,

Mblidhen në detin tim

Të dëshpërimit.

Heq copëra nga shpirti,

T’i bëj vënd qetësimit

12

Kam menduar

Duke kujtuar porositë e tua

Kam shkruar për ty.

Të kam përshëndetur,

Ngrohtë, në rrugë,

Ashtu, thjesht.

Nuk e dija,

Se pikërisht, thjeshtësia ime,

Do të tërbonte mendimin tënd,

Për mua.

S’ka rëndësi

Unë do të vazhdoj të mendoj

Të shkruaj

Përshëndetja për ty

Është tretur në qënien time

Ashtu si për herë

E thjeshtë

S’ka si të bëjë bujë

Është delikate

Si vetë unë

13

Është dramë jeta

Me një akt

Është e pafund

Aktorë në jetë janë

Të gjithë

Ose një i vetëm

Gjithçka tjetër

Mbetet pas kuintave.

Suksesshëm kush luan

Del i kërusur.

Pafundësia e të vetmit akt

Tretur nuk ka.

14

Rradhërradhë,

Janë vënë ditët e netët

Në rrugët e qytetit tim.

Shikimet dhe bliret,

Sundojnë mbi to.

Nuk e di,

Të qaj, a të qesh,

Për t’u nisur,

Tek i pres.

15

Mbeten rrugëve,

Dashuritë.

Të braktisurat.

Të fshehurat.

Të vjedhurat.

Të shtirurat.

Zabtojnë familjet.

Ku mbeti dashuria e vërtetë?

16

Dehur, qenkam sonte.

Era, qielli, toka…

Kërkoj,

Të mbledh ciflat

E gotës së thyer.

Kam veshur

Kepucë të veçanta,

Nga frika e kristaleve.

Etje kam,

Për dehje.

17

Koha,

U suall dinakërisht me mua.

Edhe përkëdheljet e saj,

Ishin dinake.

Mëkatarët,

Vrapojnë pas kohës

Dhe koha,

I zhyt në marrëzi të tjera.

Vuajtja ime,

Është shumëngjyrëshe

Kam frikë nga e kaluara.

I zgjas dorën vetes

Dhe i themEja.

Na pret e ardhmja!

18

Iki shpesh nga vetja,

Ngaqë nuk mbush dot,

Zbrastësinë e brendshme.

Copëzuar më është jeta.

Në ikje,

Si e krisur, shtrëngoj në gji

Padjallëzinë.

I jepem harresës.

E lodhur, tërheq flokët.

19

Unë dhe vetvetja,

Kam diçka të shtrenjtë.

Në tavolinë,

Ulemi çdo mbrëmje.

E gënjejmë njëra - tjetrën,

Me ngopje kafshërore,

Prej shuarje urie.

Me ndjenja të paqarta,

Bashkë jemi lidhur.

Edhe gjumi,

S’na pushton të dyjave

Njëherësh.

20

I vetëm pa ty

Dridhem si gjethja

E ahut në vjeshtën e vonë.

Pranë meje kur je

Jeshilin e gjithë drurëve marr.

Kristalet e pikave të vesës

Mësojnë ato fjalë

Që dua të them ty.

Askush tjetër…

As drurët…

As zogjtë

As fëshfëritja e gjetheve.

S’dua të përfundojë

Asnjëherë

Takimi ynë i pafajshëm

E hyjnor,

Kur sytë tanë

Gjithçka thonë…

21

U mësova me dhimbjen e plagëve,

e therjen në zemër.

Stuhinë e ëndërrave,

e mposhta.

Në fitore e humbje,

Njëlloj,

Veçse jam femër.

22

Gonxhe prapa gjethes.

Syri nën qerpik.

Frika në zemër.

Me të njëjtin emër.

Krejt tjetër është,

ajo që dua,

nga ajo që ndiej…

23

Nën re,

unë do të jem,

më e bukur.

Më e re.

24

Tjetërsoj ndihem,

kur pikat e shiut,

depërtojnë flokët e mij.

E ndonjë syresh,

Rrëshqet poshtë supeve

Dhe e ndiej në trup.

Harroj ku jam.

Harroj ku vete.

Orkestër e tërë,

Organet e mia.

Lagështi e shiut,

Ujit gonxhet,

Që mbetur kanë pa çelur,

Në kaq vite.

Mundohem të largoj

Pikat e shiut

Nga qerpikët.

E kotë…

Bashkë më mblidhen të tëra,

Në mjekërr.

E vrullshëm më pikojnë në gjoks,

Në zemër.

Presim gonxhet e paçelura,

Hapkë e kohes,

Rrezet e diellit.

25

S’di ç’stinë,

Çmenden mendimet e mia.

Në pranverë?

Jo!

Aroma e luleve,

Më fal qetësinë.

Në verë?

Nxehtësia më struk,

Në shtëpi me hijen.

Vjeshta?

Veç dëshirës për fruta,

Asgjë tjetër.

Edhe dimri,

M’i ngrin mendimet.

Ç’është kjo stinë,

Që s’di kur vjen,

E kur shkon?!

26

Tej vetes time,

Është pendimi.

Etalon,

Për matjen e mallit,

S’kam.

Ëndërronte mëndja,

Ë ëndrra fundoset në jetë.

Tej vetes time,

Është pendimi.

27

Me panjat delikate,

Miqësi kam zënë.

E di.

Se rreth tyre prehen,

Dashuri të hershme,

E të vona.

Edhe lot.

Psherëtima e jetës,

Po aty.

Me panjat delikate,

Miqësi kam zënë.

Rreth tyre,

Asgjë veç heshtjes,

S’kam lënë.

28

Pëlhura e merimangës,

Ka zaptuar qoshen e murit,

E shëndrit,

Nga rrezet e para të mëngjesit.

Në të,

Më janë ngatërruar frazat.

29

Dega e kumbullës,

Hesht mbi vazon e thjeshtë

Thith ajrin e s’ngopem

Me erën e luleve të saj.

Dimri, akoma s’ka ikur.

Dimri akoma s’ka ardhë.

Si, ti, lulekumbull,

Ke çelur në këtë kohë, vallë?

30

Të huaj,

Nuk ka mes nesh,

Në këtë qytet të vogël.

Në pritje të borës,

Bashkë prapë,

Në këtë dimër të thatë!

31

Ajo që mund t’i themi

Njëra - tjetrës,

Qëndron jashtë nesh.

Shenjat janë farë të qarta.

Me to,

Mund të sajojmë një përshesh,

Pa shije.

As të ëmbël, as të thartë.

E njohim rrugën, që do të ketë

Miqësia jonë.

32

Erë .

Shi.

Vetëtima.

Koka me oshëtin.

S’di ku është stuhia,

Brënda a jashtë kokës time.

Dua t’’i largoj stuhitë.

33

Shoh jashtë dritares

Shkëlqimin e rrezeve të fundit,

Të diellit të sotëm.

Cigare të rastit

Të ndezura në rrugë,

Shoh.

Pi kafenë, tek jam e pazonja,

Të nxjerr një fjalë.

34

Ti nënqesh,

Ose me saktë

Për xhaketën time

Të dalë boje

E mirë!

Në fund të fundit

Unë do të kem

Kujt t’’i them lamtumirë

Ndërsa ti

Do të lësh pas

Vetëm një garderobë

Jo të lirë.

35

Angështia e pluhuri,

Po zaptojnë hapësirën

Pas mornicave të dimrit

Djerësij

Ndiej lodhjen pa fund

Pa nisur ende dita

Vërtet,me aq padurim

Këtë mot prita?

Përmbahem

Kështu mendoj

Kur mpleks

Gërshetin në mëngjes

Dhe e shpleks

Në mbrëmje.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora