E marte, 30.04.2024, 07:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Jorgo Bllaci - Saga e trishtë e poezisë

E premte, 03.01.2014, 07:35 PM


Jorgo Bllaci

Saga e trishtë e poezisë shqiptare

Nga Vangjush Saro

Po lexoj “Më zgjo pëllumb i Noes” të V. Zikos, një lirik i spikatur. Për shkak të afërive, si dhe të ndihmesës si përkthyes, mua m’u zgjua krejt papritur Jorgo Bllaci. E njihja si përkthyes dhe si poet, por e njoha edhe si njeri kur ai vinte mbrëmjeve në zyrat tona te gazeta “Sindikalisti”, për të na nderuar një copë herë me shoqërinë e tij të vyer. A. Bllaci, kryredaktor i gazetës, e kishte jo thjesht kushëri, por një mik. Shpesh rrinim në zyrë; ndonjëherë dilnim për kafe të tre. Ai ishte i ndjeshëm, i heshtur, i menduar, i shtruar, i qetë, i thellë, i gjerë, i mirë. (Kur të gjej epitete të tjera, do të rikthehem.) Po. Për jetën që kishte bërë, për hallet që kishte jetuar, ai ishte më shumë se i mirë. Nuk ishte ekstremist. Nuk mburrej për vuajtjet e veta. Por principet mbi poezinë dhe demokracinë, i kishte të plota dhe korrekte. Dhe fliste me një zë kumbues e burrëror, si prej aktori. Ishte bindës. Kur nuk e kuptonin, bëhej i furtunshëm; dhe ishte i papërballueshëm, në argumente e detaje.

Jorgo Bllaci u godit tre herë nga zemra. Por vazhdonte të përkthente dhe të shkruante. Poezitë e tij janë antologjike. Ai është një nga lirikët më të çmuar që kemi. E megjithatë, nuk e pashë të mburrej. Nuk e pashë të qahej. Ishte i ndërgjegjshëm për vlerat e kufizuara të atij vendi e të asaj shoqërie. Përveçse poet i njohur, lirik me emër, ishte edhe përkthyes i talentuar. Nuk kishte qenë asnjë ditë në Rusi, por atë gjuhë ai e kishte si të ishte lindur me të. Përkthimet e tij, veçmas poezitë e Eseninit, janë një kurorë në këtë pjesë të kulturës. Në një nga shkrimet e mia, kam nënvizuar se ky (i yni) është një shtet që s’njeh të vetët. Dikur e çuan për ca kohë në ambasadën tonë në Rusi. Kur ai ishte i sëmurë dhe i tejlodhur nga jeta e shkuar.

Monumentet a bustet i ndërtojnë popujt. Me ndihmën e intelektualëve dhe krijuesve më të qenë. Shteti thjesht bën tenderin. Shumë nga njerëzit e persekutuar u ngutën të shpalleshin poetë e shkrimtarë. Nuk kam tagrin të them se ç’mund të ndodhë me krijimtarinë e tyre. Por nga sa kulturë e dije unë kam, Bllaci, ashtu si u tha për Eseninin, të cilin ai e përktheu me aq mjeshtëri, ishte vërtet “një organ i lindur për poezi”. Ua tregoni pra, më të rinjve, poetët e vërtetë. Rishikoni tekstet. Rishikoni edhe brenda vetes. Që të mos thonë prapë nesër se ishim njerëz që…“s’njohën të vetët”. Jorgo Bllaci është një nga ikonat e sagës së trishtë të poezisë shqipe të kohëve e modeleve që askush nuk i ka pronë.

............

*Fragment nga libri në proces “Soc-realizmi dhe stinët e tij të çngjyrosura”; (përshtatur për këtë publikim).



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora