Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Zëri i Kryepotit Agim Shehu
E hene, 06.01.2014, 09:28 PM
Zëri i Kryepotit Agim Shehu Eshtë si Zëri i Një Perëndie
Në prag të 80 vjetorit të lindjes së Tij
Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri. Nga libri "Mëngjez Kosove" A.Shehu
Nga Keze Kozeta Zylo
Në portën e një poeti kombëtar mund të shkohet dhe pa trokitur siç ndodh rëndom, ta vizitosh, të bësh foto me poetin, t'i publikosh, të marrësh vetëm energji pozitive prej tij, se kjo racë poeti veç këtë lloj energjie njeh, por të shkosh realisht në portën e Labërisë, apo në Zvicër ku jeton azilanti politik poeti tepelenas Agim Shehu ka ca kode të shenjta, që jo kushdo mund t'i zbërthejë.
Perëndia i dha bekimin e parë në
Progonat të Tepelenës, në zemër të Labërisë, ai erdhi si një kalorës magjik, si
Pegasi i Poezisë me flatra mbi malet kryelartë që bisdojnë vetëm me Zotat. U rrit me ninullat e nënës
Lirika e hollë dhe fine e poetit ka rrëmbyer zemrat e mijëra lexuesve të vërtetë, por jo të pushtetarëve çmimdhënës, dhe kjo është meritë e krijimtarisë së tij që s'ka tërhequr vëmendjen e pushtetarëve, pasi çmimet e tyre janë kthyer në tinguj funebre për atë lloj art që ata publikojnë me së shumti. Por çuditërisht apo diçka hyjnore është se poetët e gjejnë ngushëllimin tek poezia dhe ja si shkruan:
“Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita/ kolegët në pushtet i kisha prita/ Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere/ ku piva një gëzim që s’e arrita. Nga poema: (Bisedë me rubairat).
Librat e tij janë bashkimi i trevave shqiptare paçka se Europa plakë dhe fuqitë e mëdha famëkeqe e ndanë dhe e copëtuan si zemrën e poetit që e hodhën në moshën e bardhë të pleqërisë tutje dhe larg Atdheut. Arti i poetit Shehu është një shkollë e nivelit të lartë, është një Harvard shpirtëror aty ku Baladat e Lirisë së Kosoves dhe Shqipërisë trondisin kontinentet me aktet e tragjedive që janë luajtur mbi popullin shqiptar. Foshnjat e Kosovës të lidhura në djep mbahen mbi shpinë të poetit ndaj dhe ai përvajshem ligjëron me kuje labi: Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi. Kushdo që e lexon Baladën për Kosovën, me siguri Zoti i shfaqet thinjur, meket përballë kanibalëve serbë që hanë sy fëmijësh. Metaforat e poetit janë gjerdanë në gushën e bukur të Atdheut, janë hymn për trojet tona ndaj dhe i këndon: Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri.
Poeti është një patriot i madh, e do demokracinë nuk e kupton atë pa Kombin dhe ja si thotë në librin me 1000 proverba që ka krijuar në mërgim: "Demokracia pa kombin është si lule në kostumin e të vdekurit; nëse kombi është treni, demokracia janë shinat mbi të cilat ecën treni; i pari është mjet i udhës; i dyti, ‘kombi’ është qëllimi".
Hapat e poetit prekja e tokës së Kosovës i bëhet drithërimë, ka hyrë në gjirin e saj dhe aty mbeti përgjithmonë. është poeti që i ra pashë më pashë Atdheut me penë për më shumë se gjysmë shekulli dhe për këtë ndihemi me fat që të jetojmë brenda kësaj kohe së bashku me Poetin. Shkëlqimi i penës së poetit bën që edhe gurit t'i jap jete, edhe guri të rrahe si zemër fëmije. E ndjejmë këtë në librin "Argjendi i Gurit", nje libër që i kushtohet Gjirokastrës, ngase poeti erdhi aty për studime qysh në moshën 13 vjeçar. Sot poeti i ngre përmendore të artë qytetit të bukur të Gjirokastrës ashtu sic di vetëm një kryepoet. Poeti Shehu ka vuajtur rëndë në kohën e diktaturës, jo vetëm si dhëndër në derën e njohur të Kokoshajve të Vlorës nga ka origjinën Zana e tij fisnike si bijë në këtë derë të madhe të persekutuar, por njëkohësisht dhe për qëndrimet e tij aq të vendosura dhe të prera karshi diktaturës, ndaj ai dhimbshem kujton dhe proteston në mërgimin e tij duke ikur larg, larg, por është aq brenda në bërthamë të Atdheut: Mirupafshim Shqipëri/ Ika se të dua shumë/ se desha të jem gjallë/ dhe ca kohe për ty/... Natën e mirë tokë shqipërie/ Sot jam një meteor i djegur/ që këputet e s'di ku bie/... Aty lashë lopatën time të punëtorit/ në vitet me dënim të zi/ Lashë pa bërë vizitën e fundit/ në varret e prindërve të mi/...Poeti Shehu është një intelektual erudit, që duhet të vihet atje ku e kanë vendin Elita dhe Burrat e Kombit.
Ai është një publicist i
jashtëzakonshëm që nëpërmjet opinioneve dhe qëndrimeve të tij karshi bishës
serbe dhe fashistëve grekë, lexuesit kanë njohur më nga afër problemet,
kalvarin e vuajtjeve, dredhitë e politikanëve të huaj dhe dallkaukeve ballkanas
që duan si e si ta rënojnë kulturën e Kombit shqiptar dhe ta shkatërrojnë
Shqipërinë. Pena e tij në këto raste
kthehet shpatë e Skënderbeut dhe bëhet mburojë, kala e patundur për Shqipërinë,
bëhet nagant i Isa Buletinit dhe shark legjende i Selam Musait, sy shqiponjë e
akademikut ushtarak Asim Zenelit që vëzhgon nga
Bënë udhë të gjatë/ te ingilizi vinin/ Ismail Qemali Isa Buletini/ Hynin dy shqiptarë/ brenda në pallat/ njeri luftëtar/ tjetri diplomat. "Marre nga Naganti i Isa Boletinit".
Qëndrimet e shkrimtarit karshi realitetit të hidhur janë të një kryepoeti patriot që zgjon dhe civilizon lexuesin, ndërkohë të sjellë aq pranë mendimin e shkrimtarit disident botëror Salman Rushdie i cili thotë: "Puna e nje poeti është të përmendë të papërmendurit, të verë gishtin mbi mashtrimet, të qendrojë në anë të përparimit, të fillojë argumente, të ndryshojë botën dhe ta ndalojë atë nga gjumi letargjik".
Ndonëse është e pamundur të permblidhen në një esse të vetme krijitmaria, librat poetik, publicistika, reflektimet tona karshi veprës së autorit përsëri mbi flokët e argjendta të një 80 vjeçari reflekton mahnitshëm dritëza e hënës së Progonatit, edhe pse ajo është larg, larg Zvicrës ku jeton Poeti vitet e Tij. Poezitë e tij sjellin të gjallë heroizmin e popullit, luftën e Tij që s'iu nda kurrë. Selam Musai ngeli Lugjesh në ato vite si Veri, furtune ndaj dhe e fryemëzon poetin në çdo qelizë poetike të shpirtit të tij aq të pasur:
Buzët ti te kënga/ ballin te liria/ Lule Selam Labi, Selam Salaria/ Çdo tufan zbërthyer/ gjoksin ty ta gjeti/ sharku si legjendë/ telave të mbeti. I lexoj dhe i them përmendsh dhe prapë emocionohem, se jane vargje që të japin Atdheun, historinë në pëllëmbë të dorës, janë vargje që i bëjnë sfidë historisë së deformuar të zhvirgjëruar nga pseudot e ndryshëm, çka më kujton Platonin i cili thotë se poezia është më afër të vërtetës vitale se historia.
Në nderimin që organizoi Bashkia e qytetit të Tepelenës dhe populli i saj duke i dhënë titullin "Qyetar Nderi i Tepelenës", shkrimtari Shehu nëpërmjet një letre falënderimi ndërmjet të tjerash iu kujton bashkatdhetarëve historinë e famshme të këtij qyteti nga e ka dhe origjinën: "Nuk është e rastit që Tepelena "e vogël" me densitet aq të madh trimërish e atdhedashurie nxori një vigan të tillë si Ali Pashë Tepelena.
Burri që si askush tjetër nga fqinjët guxoi e brenda Perandorisë së madhe e të frikshme osmane krijoi shtetin e vet me qendër kryeqytetin shqiptar të kohës, Janinën. Me veprën e tij të madhe Rilindësve u dha në duar idenë e fjetur se: "ne jemi Shqipëri më vete" e u vlerësua aq lart në botë sa Hygoi e quajti “Bonaparti Muhamedan”.
Agim Shehu është një krye lirik që me vargjet e tij herë të përkëdhel si fijëza Hëne Progonati e herë të qeras si një amvisë e bukur me mjaltë taze nga hojëzat e nje shpirti poetik. Qysh në rininë e hershme të befason me figuracionin e dendur metaforik apo dhe paralelizmin figurativ që përdor midis dy lëndëve ekstreme letërsi dhe matematikë, por dhe aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën. Le ta ndjekim në poezinë: "Të dashurohesh nga nje matematikan" poezi që ndihet dhe duket sikur skuq honet dhe lëshon bisqe nën trungje të vjetra: "Ty po të drejtohem, vajze moj syzesë/ më do a po s'më do kjo është hipotezë/ Pamja jote e ëmbël, posi teoremë/ kur të shoh përpara sikur zgjidh problem/ Ti je elegante si ekuacion/ mesi yt i hollë posi ypsilon...
Poeti tretet dhe shkrihet si nje copë akulli përballë dashurisë hyjnore: Më trete formulë më shkrive të gjallë/ si një copez akull në plus njëqind gradë/ Folëm shpirti im, shpirt me maksimum/ se pa ty s'kam gjum as në minimum...
Kontrastet dhe antitezat e përdorura e bëjnë dhe më të bukur dhe dashuria fshihet si yjet nën gjirin e poetit.
Krijimtaria e tij eshte nje Diell që ndriçon botën e errët, shkrin akullnajat cinike që varren si degë të plakura gati në pëgërje, dhe me majën e penës së artë ngjyer në qerpik të syrit shkruan historinë. Librat e Shehut jane si malet hijerendë të Shqipërise që s'tronditen kurrë nga tërmetet, por ato vetëm dëshmojnë dhe mbrojnë çka të kujton shkrimtarin e famshëm amerikan Walt Whitman i cili thotë: Unë veproj si gjuha që është e lidhur në gojën tuaj, nje minierë që fillon të jetë e lirë...
Ja pse Agim Shehu është një kryepoet dhe duhet t'i jepet titulli "Nderi i Kombit".
Në intervistën që kemi pasur në
Janar, 2014