E hene, 05.05.2025, 10:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Zog Hysenaj: N’Geg-hysen s’kej Kalasë së Lekës

E hene, 06.01.2014, 09:14 PM


N’Geg-hysen s’kej Kalasë së Lekës

-5 Cikle poetike (1)-

Nga: Zog Hysenaj

E nderuar Redaksi e ZSh-së,

I dashur Zeqir!

I kam mledhe nga thellësia e shpirtit tim këto vjersha dhe pritmi mirë sa të mundesh, jo si një mesazh i parandjenjës së fundit tim, por si mall i mbledhur vite e vite që patjetër një ditë shpërthejnë në shenjë mirënjohje ndaj atij vendi që na lindi dhe na rriti, të atyre prindërve të shkëlqyer që na rritën me shumë halle e derte, në rrespekt të rinisë sonë të atëhershme që na vjen në këtë moshë shumë e freskët dhe plot kujtime të bukura. Ato kujtime janë të njëjta si për lezetin që ia ndiem asaj moshe por edhe vuajtjeve që kaluam. Në respekt të atij “vend përmbi vende” që përherë përulem para tij, përpara emrave të mëdhenjë, vendi i burrërisë e i mençurisë njerëzore, vendi i kresnikëve.

E kush nuk frymëzohet e nuk shkruan pra?

Unë po t’i dërgoj një pjesë të vjershave të mija, të cilat, (nëse t’i merr mendja) pasi t’i shikosh me kujdes dhe t’i rregullosh ndoshta, mundesisht botoji në “Zemra Shqiptare”, si krijimtari malli për vendlindjen tonë Tropojën dhe veçanarisht Gegysenin tim të dashur.

Me shumë dashuri e respekt,

ZOGU… (I SOKOL RAMËS SË GEGË-HYSENIT)

 

Jam prej Gegyseni

 

Mblidhen malet ndër këto ana,

Ku unë shtatin e kam rritë,

Ku i kan’ trojet kreshnikë e zana,

Vend ma t’bukur s’më kan pa sytë.

 

Për rreth malesh lidhen retë,

Midis tyre jena rritë,

Shpirtbardhësinë aty e kam gjetë,

Ku bjen bora vit për vit.

 

Me m’dvet kush prej kahit je,

Jam prej malit ngjit me qiell,

Jam prej malesh ngjit me re

Dimër verë zdritet me diell.

 

Le e rrit n’malsi t’Tropojës,

Bash ku i nis rruga burrnisë,

Kryet e parë ku i rri shqiponjës

N’Gegysenin e djelmënisë.

 

Me m’dvet kush prej kahit erdha,

Edhe ku më lindi nana,

Ku luftojnë dielli dhe era,

Ku bëjnë dasëm orë e zana.

 

Me m’dvet kush ku e kam shpinë

Ku kam nis me ec, me folë,

Aty ku e bana fmininë

N’Gegysen, te shpia jonë.

 

Me m’dvet kush se ku jam rritë,

Ku i mora dorë e kamë,

Ku e ka shqiponja krytë,

N’Gegysen dy shqypet janë.

 

Po me m’thanë gja për ahishten,

Ku i mrizova dhëtë e dhitë,

Unë aty m’sova gegnishten,

N’Gegysen jam le e rritë.

 

Kur më thanë se ku u rrite,

N’at shpat mali t’Gegysenit,

Ku gjithmonë rrinë dy shqipe,

N’at shpatinë si brinjtë e njerit.

 

Përball kam Majen e Kores

Si kapuç lidhun jezeri,

Aty, ku dashi i kumonës

I prinë tufës 100 pri heri.

 

N’cilën bjeshkë ti ke verue?

Me m’thanë kush në atë fmini,

Në Lugbat unë n’bjeshk jam shkue

Uj’ langbore aty kam pi.

 

Ku ke pi tambël me borë?

N’Log t’Kunorës, mbi Meçinë,

Ku Ajkuna ndoi kunorë

N’at Mejdan sikur n’Jutbinë.

 

N’hije t’ahit e n’hije t’gdhënit

Kndojsha kang kur lshojsha gjanë,

Mall për gjithçka t’atij vendit

Veç kujtime të gjitha janë.

 

Mall për stanin, mall për bjeshkën

Mall i madh po m’merr për ju,

Për gërdhatën edhe për kreshtën

Mall për zogun n’mal tuj kndu.

 

Mall për rrugën e karvanit

Mall për bjeshkën e bjeshktarit,

Mall për daden që i kndoi djalit,

Mojemirës n’derë të stanit.

 

Kur i çojshim gjan’ me mrizue?

Bash te mrizi i madh prej ahit,

N’Rrodhe t’Epër kanë pushue

N’gji të Kreshtës së Ponarit.

 

Thik përpjetë ndihen kumontë

Kur po ngjiten për Lugbat,

N’Quk t’Kuale i kanë gjolltë,

Kryp me surfull qesin çobatë.

 

Ngrihen stanet e bahen gati

Luqt ja u qesim për me i mlue,

Gjith gjallni ndien Lugbati

Dhëtë n’torishta tuj ngujue.

 

Dhe vjen nata e milen dhetë

E ziejn tamlin aty baçicat,

Fill mas darke i lshojnë qëtë

Me ba çejzin nisin çikat.

 

Mos më pyetni se ku kam shkue

Edhe drynin derës ia k’dhanë,

As vet s’di për me kallxue,

Kur at shpi unë e kam lanë.

 

Të tan jemi të bijtë e dekës

Ba me m’dvet se ku m’rri malli,

N’Gegysen s’kej Kalasë së Lekës

Mbi livadhe, n’skaj t’njaj mali.

 

 

Qarri i Bregit

 

Ka shekuj që lisi i Gegysenit në Breg, jeton,

Histori lufte e gjaku, i lexohen nëpër lëvore,

I burrnuem përjetë ky lis, e përvjet dushkon,

Si një mal mbi kryet e burrnisë malsore.

 

Sa rrebeshe e furtuna priti e u përballoi,

Sa borëra e shira, breshër e stuhi përditë,

Në rathët e trupit të tij, vjetët ia numëroj.

Përvjetë e përshekuj i shtohet burrëria, e fisnikëritë.

 

Eh, n’fjalë burrash kuvendi, kur “djelt” duhej betuar,

Me dorë në Rrasën e Bregit, t’u Qarri betohej,

Në Qarr e n’koder, pak më larg, varresh rrethuar,

Si një pleqnar i lemë prej nane, historisë i shtohej.

 

Prej dhenave të tjera u çuan e erdhën furtunat,

E kurrë s’mujtën me shkulë “viranin” stuhitë,

Vetëm se rranjët i pat ngulë thellë në tokën vet,

Përcolli jetë, përcollën histori, përcolli traditë,

Përditë përcollën kuvendet ku u ndanë pleqnitë.

 

Prodhoi lënda shumë atëbotë, e mbinë të tjerë

U rritën e u bënë “burra” n’kodër, ku frynë veri,

Hije iu bëjnë atyre që prehen në botën tjetër,

Çdo vjeshtë kur gjethet ia u lëshojnë përmbi,

Çdo gjethe e atij qarri, një fletë në histori,

 

Herë qesh e her qanë në shi e në dëborë,

Në tel të lahutës qan e qeshë përherë,

Ku je Qarr i fshatit tim, lisi shekullor,

Në breg të Gegysenit, mononent me vlerë.

 

Edhe pse ka qarra plot, janë bijtë e qarrit të Gegysenit

Të Qarrit shekullorë, mbirë përpara shekujsh e motesh,

Aty në atë vend ku i mbeti emri “te Qarri i Bregit”

Vend mbledhjesh, përcjelljesh, pjekjesh e mortesh.

 

Kuvendet e burrave në hijeqarri, betimet në atë rrasë guri,

N’kushtrim të vatanit e të plisit t’burrit, thirrën betejat,

Qarr-si malet e parrëzueshme me borë si duhamë burri,

Duham burri të dheut, shenjë kuvendi e mburojë luftërash.

 

Qarri i Bregut - amanet që nga koha e Omerit kreshnik,

Përmendore e motshme e Gegysenit, monoment prej trungu,

Rritur prej degësh e gjethesh, për fisin gjithmonë besnik,

Kushtrim burrash për çdo shtëpi e bajrak, ky Lis bungu.

 

E pastaj mendoj për “Bregun”1 ku qarri e ka shtëpinë,

Se as lumë as det nuk ka për breg-lum as breg-det,

Se aty mbetën në pritë ata, që Gegysenin e mësynë,

Bregun s’e kaluan, që t’ia lënë këta emra, deshmi përjetë:

Qarri, Rrasa, Kisha e Prroni në Breg aty kanë mbetë.

 

Shterruar nga uji e ngjallur nga burrëritë, varka e vjetër

Në trupin e Qarrit, lidhur e shtrënguar, pa e lagur valët,

Breg i lumit të plakur kaherë, në një epokë tjetër,

Në rrënjët e Qarrit, ura e vjetër, si një qarje e largët.

 

Të Rrëzuenat: plot mure, shpatit deri në lum,

Të vjetra sa koha, para qarrit para nesh, hej se kurë,

Kush i ndërtoi, kush banoi në to e ku shkuan …

Kanë mbetur thjeshtë rrahina të themelta me gurë.

 

Në turrin e qëndresës e mbajtën vrapin djelt e Gegysenit,

Bash ulur nën atë Qarr, shumë herë mblodhën fisin,

Aty bënë pushimin e fundit, për në Shkallë të Grisë,

Në Shkallën e Grisë të 18-të u pushkatuan me plumat e maliherit,

S’ka tutë për lirinë, për diellin, s’ka tutë për gurin, për Lisin.

 

Nën hijen Atij virani të motshëm, përvjet’ vjen nga një pranverë,

Shekujt zhagiten në fjalët e burrave, në këngët e nënave,

Si binjakë burrërie: Qarri e gurët nën hijen e tij, mbetën përherë,

E prapë, bashkë i gjejmë përjetësisht derë më derë.

 

Në shekuj n’atë kodër ai Qarr, si një kronikë legjendash,

Frymëzim i gjallë në fjalët e poetëve, në këngët e rrapsodëve,

N’kushtrim të burrave t’gurit, dheut dhe t’vatanit-lista emrash,

Tek ai qarr i bregit thirrën betejat, iu bë apel heronjëve.

 

Si një mal i parrëzueshëm, i pathyeshëm, i paplakshëm,

Simbol i djepit, i kushtrimit, i bashkimit, i pajtimit, i kuvendit,

Mburojë e çelnikët për luftërat, për tubimet i gatshëm,

Monument historik e i përjetshëm i Geghysenit.

 

Monument i pavdeskshëm qarri trupmath vërtet,

Herë shikon Valbonen poshtë e hërë lart Shpatin e Kishës,

Krenaria e djemve të Gegysenit ia mban kryet përpjetë,

Hije u bën varreve shumëfeshë e shumëfisesh.

 

Zogjtë me këngë e fole, ty të mbajnë në këmbë,

Të mban dhe kurrë s’të lëshon historia ty,

Djelt e Gegysenit të ushqyen që në rrënjë,

Në çdo gjethe tënden është shkruar një histori.

 

 

Korja

 

Imazhi i im i fëminisë,

Imazh fotografuar në bebe të syrit, që atëhere,

Ndoshta një mijë vjetë më parë

E ndoshta hej se kurë:

Një rrugë bagëtishë nëpër shkëmb,

Në Stoma t’Sundes në atë kodër

Gjërë si supe burri,

Një lëndinë pas krahu ajo pushues për ne fëmijët

Më duket se duhej aty,

Dhe

Burimi me emërin Buxhil,

Burimi më i vjetër ndoshta në ato anë

Vetëm një gojë njeriu ujë,

E vetëm pak shpirtë, në atë quk

Të vogël sa një dorë, e kurrë nuk shterron,

Herë më duket si pus i vockël

Herë si oqean që shuan etjen e botës,

Gjiri i malit tim shekullor që kohën

Të parët tanë me hijen e tij matën,

Here më duket si sisë nëne,

Herë si gjiri i vajzës së bukur,

Pikë-pikë pikon e nuk shterrë

Si në dimër e si në verë,

As në fund të Kores as në krye të saj

Pikon ai buxhil në mes të shpatit

Sa një strofkë thëllënxe,

Sa për një palë buzë, e jo më

Edhe ato, të jenë të thara e të plasura

Malli apo etjeje, thua?

Se vetëm për dërman ka lindur ai buxhil

Sisë vajze, apo sisë zane qoftë,

Buzët të njomin djem e çika

Të njomin ato me ujin e ftoftë…



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx