| E diele, 12.01.2014, 02:01 PM |
Autor në
“Obelisk”, Nexhat Halimi
Poezia ose fyelli i gjallë
(Nga botimet “Buzuku” Kosovë)
Përgatiti Anila Xhekaliu
Letërsia kosovare kulmon në vitet `60 me rilindjen, ku mund të themi se kemi të bëjmë me avantgarde në letërsinë shqipe për vetë specifikat e këtij termi letrar. Nexhat Halimi, 1949, është njëri nga zërat e fuqishëm të poezisë moderne në Kosovë, krijimtaria e të cilit ka ngacmuar vetëdijen kritike me veçantinë e saj unike të ligjërimit poetik e cila për Sabri Hamitin është “ligjërim i ashpër dhe i dhembshëm në të njëjtën kohë, i kapur për ashti të fjalës e të ligjërimit, poezi që përmban në vete ethet e kohës”. Mensur Raifi thekson se vjershat e Gazmend Papës (Nexhat Halimit) janë margaritarë të vërtetë poezie - kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet, me strofa e rima të caktuara, të rregullta, si dhe krijimet në varg të lirë – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një - tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim. Ramadan Musliu e sheh si shpalim të fotografisë personale, ku janë lidhur e gërshetuar imazhe të shumta, ide, reminishenca, të gjitha të dhëna me ligjëratën e reduktuar, të kursyer dhe eliptike deri në atë masë sa nga imazhi mbetet koloriti, kurse nga ideja thelbi kuptimor. Studiuesi Ali Aliu vë në pah momentet asociative që nxisin njëra tjetrën, harmonizohen në shumë aspekte duke krijuar një tërësi... Poezinë e këtij autori me talent e kreativitet të gufueshëm, i cili, që me librin e parë premtonte një poet të rrallë te ne, Beqir Musliu e apostrofon - sintetizim të përvojës krijuese bukur të çuditshme, të cilën e mban tërësia si element mjaft funksional dhe të harmonizuar. Xhemail Mustafa shkon deri në vetëdijen krijuese të autorit kur thotë se ajo është ndërtuar mbi parimin: “S` dua të ligjëroj për botën, idetë dhe format e ndryshme, por synoj t`i krijoj ato në vetë ligjërimet, të marrin shpirt në fjalë dhe njëkohësisht ta shpirtëzojnë fjalën.” Jusuf Buxhovi gjen tek kjo poezi të sintetizuar me sens krijues tërësinë brenda tërësisë, vështrimin brenda vështrimit dhe hulumtimin brenda hulumtimit, që frytin e vet e ka të individualizuar fund e krye me një gjuhë unike. Për Prend Buzhalën është njëri nga modernët e rilindjes moderne në Kosovë. (Pikërisht në vitet `60 kur poezia shqipe shpalohej me një shprehje të re, ekspresive, imagjinatave dhe tejet figurative, me përfaqësuesit më të denjë: Dedaj, Shkreli, Gunga, Gjerqeku, Mehmeti, Ujkani, Dërvishi, Podrimja, Gajtani, Kërveshi... etj). Poezia e Nexhat Halimit është fyell i gjallë, thotë Teki Dërvishi dhe shton se “Ai në tekstin poetik kultivon shijen e masës, ta bëjë shprehjen sa më koncize, sa më të mprehtë e sa më të përmbledhur në kuptimin e saj qoftë simbolik, qoftë metaforik”. Ndërsa për Nehas Sopaj, ai është poet hermetik, ithtar i gdhendjes maksimale të vargut, luftëtar për formalizim të poezisë. Për Abdullah Zenelin, botues i disa veprave të tij, poezia moderne shqiptare nuk mund të kuptohet pa Nexhat Halimin. Tingëllimat e tij pasqyrojnë majat e mjeshtërisë së vargëzimit, rrinë me vargun e bardhë maestral në çdo analizë e rrethanë. Ligjërimi më experimentues që ekspresivitetin e mbart në formë, përmbajtje për të shpaluar universin e tij poetik dhe tematik të ndërthurur me një botë sa individuale shpërfillëse, aq kolektivisht të ndërgjegjshme.
Ka udhëtuar me libra, e ka kaluar kufirin absurd mes dy trojeve shqiptare disa herë vitet e fundit në panairet vjetore të Tiranës, por askush nuk e ka vënë re, asnjë lajmërim në media nuk e gjen për praninë e librave të tij, krejt sikur nuk ekziston një emër i tillë në letërsinë shqipe, krejt sikur ai të mos jetë autor i 16 librave me poezi, 16 etnive, i tre librave me tregimeve, i dy romaneve, i tre librave me poezi për fëmijë, i katër dramave për fëmijë, një mozaik perlash që daton në vitin 1969 me “Parakalimi i etjeve” gjer te libri i fundit i publikuar më 2012 “Dritarja me pamje në lumë”. Si mundet poetin t`ia fshehësh, heshtësh e ndalosh kombit të vet për kaq shumë kohë të gjatë?! Është klithma që më gjëmon ndër vete. Lëvrues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë
100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”. Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë.
Cikël poetik nga
Nexhat Halimi
ulliri në hi
prek hirin dhe ndiej frymën e zjarrit
pikën e gjakut nga pik prej plagës
e kafkës qet krye rrënja dhe ik lart
për palcë trungu ngjitet nga dega e vet
majë dege farfurit mollë e mishit tim
e më dhemb ti e pëlcet vetëtima
e më dhemb gjiDheu e pëlcet ulliri
e më dhemb deti e pëlcet qielli
dhemb atDheu kokë në majë shtizë
dhemb atDheu zog në flatrim ëndrrës
e derdhet për hundë e gojë gjak i fjalës
e poeti me vdekje në zemër digjet
mes hënës mbi det e ullirit në hi
veç zjarri mund të këndojë fedora
ma more zjarrin ma le etjen
ra nga dega molla e përgjysmë u ça
mbet veç heshtja kurrë e paNjohur
një dizgë nga shndërrohej në gjarpër
t`i lidhej jashtë e brenda trungut
asgjë s`u dëgjua më nga kroi im
veç pikëllimi i degës e vaji i gjethit
`i zog në përplasje të verdhë erës
ulur mbi rrënjën e mollës i verbër
seç m`i ngrinte dejtë zjarr i vjetër
syrit më binte hëna në floknajë gjaku
e plagës së përjetshme ndizej ëndrra
zot pse ma le veç etjen zot im
këlyshët e mirë
vetmia çel lulen e vet të zezë e digjet
as gjethet tunden mbi dritaren e mbytur në natë
as librat lëvizin as dashuria e ndo`i sharje në fjalë
në gjakshkrimin e shpirtit të varur
as krahët e fajkoit mbi dollap s` hapen në ajër
lëviz veç e vetmja pikë gjaku nga ashti i thyer
për të mbetur fjala nga digjet në kryengritje
e flutura e verdhë ëndrrës mbi flakën e qiririt
e `i vibrim shpirti kujtim për zotin e poezisë rr d
në qefin nga kthehet në atdhe mes qensh
ja nga e lehin dhe hijen e vet frikës ksenofobe
ç`akrobacione bëjnë tash ngaqë ndërruan padronin
mund të mos ngelin më këlysh të mirë të vjetër
vetmia çel lulen e vet të zezë e digjet
trëndafili i kafkës
shiu i syrit kaq vjet pik në varrën e gjallë
ta zgjojë trëndafilin e rrënjës së fjetur
ti e unë i binin fyellit të harruar të ashtit
me fytyrë nga qielli i rënë `i pëllëmbë mbi hi
me gishta të gjelbër nga dhembja e këngës
nën pikë të fjalës nga pik etjes së vjetër
ndërmjet mbiu pyll i dendur i paNjohur
as gjeja kokën as gjeje dorën e digjej ylli
urës me harqe kërkonim syrin e humbur
e zjarri i njëjtë tremijë vjet në asht shfaqej
e gji yt i majtë pik në gur tambël e gjak
veç ta zgjojë trëndafilin e kafkës nga ëndrra
krejt të gjelbër nga dhembja e këngës
nën pikë guri nga pik gjithësisë së etjes
hi yti
kurrë s` ngjau ajo që pritej të kthehej
qerrja kaq vjet digjej mes fushës memece
lulja kaq vjet priste shiun e syrit të gjethojë
e flutura pezull mes hijes së vet e qiririt
kurrë s` ngjau ajo që pritej të kthehej
zogjtë e prisnin qiellin e qelqtë për zemër
ndërmjet pikte gjak në rrënjët e ëndrrat
kodrat përplaseshin pikës së ujit e zjarrit
asgjë s`i ngjante yllit më e yll mitik qe
hi yti njëjtë me valixhen e vjetër të lëkurës
e endte zemrën e shpirtin fundit të botës
ja tash unë veç cung mes plepit dhe pusit
tremijë vjet mjekërbardhë i djegur nën hënë
e hëna e vdekur fund syrit në kafaz
shfaqja me dy hije e një qen
ora në vete pik pikën e gjakut në huti
ja ra dhe gjeth i fundit i ëndrrës në qiri
hija e flakës mishëron figurën e fluturës
e as ka flutur as qiri ka veç grahmë
hënë e verbër luhatet mbi degë
e në kroin e rrënjës digjet trungu
çdo gjë bie në mua ik ik e prapë vjen
përbiron paepur dete male e përgjakur
në netët e acarta të krijimit të zjarrit
ja fedora unë krijuesi yt dhe robi yt
kaq herë të vras dhe kaq herë të kthej
në të njëjtën shfaqje me dy hije e një qen
me ashtin e gjithësisë sime në gojë
çdo gjë megjithatë është reprizë hiri
kot pse e shpik fjalën e e vë mbi plagën
tremijë vjet pik pikën e pashëruar
vaj për fedorën
pëlcet vetëtimë papritur liqenit të qiellit
e fajkoi ik kthehet ik mbi vigmën e vet
bie pisha në shkëmb e zemrën e merr flaka
syri yt a qe gjaku im a qe zjarri vaj
syri yt nuk qe liria fedora syri yt liqen
nën qerpikë pishash të rëna dritë mbi ujin
syri yt robëria ime qe fedora zinxhiri
tash kaq i verbër e kërkoj veten në erë
mes të të pastrehësh në sheshe të ndyra
me zemrën time të vogël në dorë
syri yt nuk qe liria fedora vrasja ime qe
ylli i ngrirë mes netësh të prera në vetmi
nofullës së ujkut
natë e verdhë mbi kafkën e vet të thyer
hënë e verdhë në degën e tharë mbi pus
e `i tjetër hënë fund ujit në flakë
çdo gjë e verdhë me hije të vdekjes
në kalë të argjendtë të ngritur kas
mes tiktaku të pikës së gjakut brenda meje
e therjes së gjithësisë fund fushës së syrit
mes etjes së shpirtit në perin e imagjinuar
ende nga e mba` mollën e kuqe pezull mbi hi
ulërimës së verdhë të nofullës së ujkut
udha nga humb pyllit e prapë shfaqet
ti do të vish patjetër te guri i vjetër
mbi të cilin i lajmë për herë të fundit yjtë
për rrënjën e lules së gjakut nga digjet