E hene, 05.05.2025, 07:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Katarzë

E merkure, 08.01.2014, 08:33 PM


Katarzë

Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë. (Sami Frashëri)

Tregim nga Bedri TAHIRI

Kur qe larguar nga shtëpia, e ëma plakë e kishte përcjellë deri te shtegu i lëmës. Aty, pasi kapërcyen trinën me thupra lajthie, mpleksur si gërshetë nimfash, u ndanë pa frymë e gati pa thënë gjë me gojë. Memecëllëku i asaj zymtësie fliste vetë, të keqen vëllai. Sytë e tyre qenë lëbyrur nga lotët. Fjalët u kishin tretur si qiriu i djegur në fundin e shandanit.

-Biro, kudo që të shkosh, vendin tënd mos e harro!

Vetëm këto fjalë kishte arritur t’i mërmëriste nënëshkreta, duke mbllaqitur nofullat e gropëzara me ata dy dhëmbë që i kishin ngelur si të grabujës së shkallmuar prapa stogut të sanës gjysmë të kalbur. Ai e kishte shikuar drejt në sy, ishte kërrusur për ta puthur në ballin e rrudhosur dhe nuk kishte arritur të nxirrte zë nga goja. Vetëm me një lëkundje të lehtë koke, miratoi kërkesën e saj.

Dhe, me këmbët zvarrë, fare ftohtas mori atë rrugë të farmakosur. Këtë po e bënte, jo nga qejfi, por nga zori. Ishte një kohë e pakohë. Zullumi i hasmit shekullor kishte arrirë kulmin. Cerberët ardhacakë po bënin kërdi mbi vendësit autoktonë. As shtëpinë e tyre kurrë nuk e lanë të qetë. Njëherë i qenë vardisur të atit, që e quanin ballist. E patën torturuar aq shumë sa në trup ia ngjallën krimbin e vdekjes. Me javë e muaj lëngoi në shtrat, i mbështjellë në lëkurë ogiçi, të regjur në kripë. Zaten, ajo e zezë edhe ia solli vdekjen e hershme, pa i mbushur të gjashtëdhjetat...

I njëjti avaz nisi edhe për djaloshin. Disa herë i rrahur e i dënuar për pjesëmarrje në demonstrata. Ato, edhe do t’i kapërdinte disi, por kjo e fundit, ftesa për shërbim ushtarak, i vuri kapak së keqes. Ah, jo qebesa, jo, ia bëri vetes. Kurrën e kurrës nuk do t’i shërbëjë armikut tim. Pas gjithë atyre mynxyrave, të shkonte e t’i bënte argat dreqit! Jo, jo.  Të pashpirtët, kohëve të fundit kishin zënë që t’i vrisnin tinëzisht e përdhunisht lulet e rinisë shqiptare dhe paskëtaj t’i quanin vetëvrasës! Hajde, mendjeligësi, hajde!

Dhe, pasi e grisi, fët e fët, ftesën e tretë, të nënvizuar me laps të kuq, vendosi ta braktiste vendlindjen e dashur dhe ta linte nënoken të vetmuar e të mbytur nga mërzia...

... Ecte ngadalë e mendueshëm. Largohej e largohej, gjithnjë me kokën prapa. Fjala e fundit e nënëlokes nuk i shqitej dot nga mendja. Atë e kishte ngulitur thellë në mendje dhe do ta bartte vath në vesh.

Edhe ajo e shkreta, aty kishte ngelur kërcune dhe nuk lëvizte dot nga vendi. Këmbët nuk po e shpinin tutje. Me dorën thatuke, që mezi e mbante gjysmë të ngritur, mbështetur mbi kërrutën dredharake prej thane, e përcolli derisa ai u fsheh në kthesën e madhe te Lugut të Llubureve...

E gjora plakë! Sokolin  e kishte të vetmin djalë. Ai ishte drita e syve të saj. Pa të nuk mund ta mendonte as edhe një natë të vetme. Kurrë nuk e kishte ndarë nga vetja. Thënë të drejtën, për të qe gëzuar gjithë katundi. Edhe trarët e shtëpisë patën lotuar nga gëzimi, siç i thonë një fjale. Një djalë pas pesë vajzave, të cilat nuk i kishin rrojtur as nga gjashtë muaj. Krismat e mazerës patën jehuar në shtatëdhjetë e shtatë  lugjet e Qyqavicës mitike. I shoqi, xha Ujkani, një mesoburrë, me sull e me kanun, një pajtimtar zemrash që ndante mirë drejtësinë, fjala e të cilit zinte vend në çdo kuvend, qe  gëzuar shumë dhe ia kishte shkrehur tri herë sipas traditës...

Për të qenë, gjatë lindjes i pati ndihmuar shumë “mamia”, siç e quanin të gjithë hallën Halë, plakën kurrizdalë, pa asnjë dhëmbë në gojë, pa të cilën do të vdisnin shumica e lehonave në këtë malësi të braktisur e të lënë pasdore nga njeriu e nga Zoti. Ajo ishte e regjur në vaj e në uthull dhe nuk ia hante dot qeni shkopin. Kishte parë e kishte përjetuar shumçka. As vetë nuk e mbante mend sa e sa kërthiza kishte prerë. Të djemve e të vajzave. Zakonisht, ajo luante edhe rolin e nunit, vetë ua caktonte edhe emrat. Askush nuk ia bënte dysh mendimin e saj, sepse edhe ia qëllonte.

Ashtu pati vepruar edhe asaj radhe. Të porsalindurin e pagëzoi Sokol. Ashtu ishte, i shëndoshë, i zhdërvjelltë e symprehtë. Tamam Sokol mali. Ndoshta e kishte menduar edhe kreshnikun, Sokole Halilin, i cili u kishte përballuar sulmeve të shtatë kralave. Ku ta dishë! Dhe, për të duhej kujdesur paksa më shumë. Lë që nuk duhej ta shihte syri i keq, por ndërmori edhe masa të tjera mbrojtëse. Shtatë net radhazi, sipas zakoneve ilire, foshnja i kaloi në odën e burrave, pranë  Mëkroshit. Për shtatë net, në gjirin e lehonës qëndroi një dërrasë e mbështjellë mirë me hyram e me lulakun kuqezi, në mënyrë që shtriga t’i thente dhëmbët çatall, nëse provonte për t’ia pirë gjakun...

... Këto po i mendonte nënëshkreta dhe ende qëndronte aty ku qe ndarë me shpirtin e shpirtit, edhe pse muzgu krahëzi kishte mbuluar vendin.

As shtëpia nuk e tërhiqte gjithaq brenda. Burri i kishte vajtur në atë botë para një dekade. Ashtu, qyqe kalli vetëm, do ta hanin ato mure të çara e  të blozuara nga vjetërsia.

Sidoqoftë, jeta, sado e hidhur, duhej jetuar. Po, edhe ashtu, mordja e zezë të sillet vërdallë e nuk të merr dot, pa iu mbushur mendja vetë. Madje, si për inat, po e kërkove, ajo ikën prej teje si djalli nga temjani. Kështu i ngjiste edhe hallës Fatë. Çdo natë kur errëj e çdo ag kur çelej, ajo e luste Zotin t’ia merrte shpirtin. Por, kot.

Sakaq plasi edhe lufta çlirimtare. Malet u mbushen me luftëtarë të lirisë. Sa gëzohej kur i shihte ata trima që vdekjes i thoshin plaç, aq edhe ngushtohej. I vinte keq dhe ndjehej si e turpëruar që nga dera e saj e njohur denbabaden për trimëri, nuk kishte dalë një pushkë liridashëse. Interesant, kishte ca që bënin çmos për t’i larguar djemtë nga zjarri i luftës e kjo mërzitej që të vetmin djalë nuk e kishte përkrahë çlirimtarëve. Këtë ia tha një ditë edhe komandantit të katundit, i cili po kujdesej edhe për plakën.

-O djali jem, po ua kam lakmi që po u dilni zot këtyre trojeve, por zemra po më çahet dysh për djalin që nuk është në mesin tuaj!

-Rrofsh oj Nënëloke që po na jep zemër e sa për djalin mos u merakos se, nëse në damaret e tij ka gjak të babait që e lozi aq mirë dyfekun dhe të kësaj nëne trimëreshë, së shpejti do të trokas në derën e madhe të lirisë!- ia priti ai, duke e përqafur përmallshëm

Dhe, ditët ecnin lumë. Liria trokiste në çdo cep të Arbërisë. Trimat tanë thurnin himne lavdie. Lugetërit  e kukuriqët po e hanin veten me dhëmbë nga marazi. Planet e tyre djallëzore po u shkonin huq. Kufiri i mallkuar vëllandarës po shkrinte nga gjaku i valë i vullnetarëve që kishin mësyrë këtej, ku matej burrëria.

-Tak- tak- tak,- u dëgjuan tri krisma të thata natën e errët sterrë, në derën e plakës, mbërthyer me ngujore druri.

-Kush tallet më mua, mos je vdekja që të kam thirrur disa herë?!- mezi erdhi një si mërmëritje e përgjumur nga brendësia vrastare e asaj vatre gjysmë të fikur.

-Jam djali yt, Sokoli, oj Nënëloke!

-Të thashë, mos u tall me mua, nëse je vdekja, nuk ta hapi dot se tashti nuk jam  e gatshme për të vdekur, po e pres lirinë që po agon...

-Sokoli jam, oj nëna ime e dashur!

-Sokoli...Cili Sokol, ore...Mirë...mirë... po e hapi veç...

Ciatja vajtuese e derës ia shtoi edhe më ankthin natës.  Nënë e bir ballë për ballë. Ajo, ashtu siç e kishte lënë. Ai, katarosh, me armatim e me uniformën e bukur të UÇK-së, që i rrinte për shtatë palë qejfe.

-Nënë!!!

-Bir!!!

Hëna, si nuse e praruar e vellobardhë, u shfaq midis resh dhe ndriçoi qiellin e mërrolur. Dy silueta ishin shkrirë e bërë NJË. Sytë e tyre oqean lotësh gëzimi. Një spastrim shpirtërash nga malli i mbledhur lëmsh për vite me radhë. Një katarzë e paparë aristoteliane. Pa fjalë e pa zhurmë. Shkëlqimi i një meteori mbi kokat e tyre, që përfundoi  tek Kroi i Marës, spikati trupat e tyre si të fosilizuar para derës së shtëpisë...

-Ogur ndjellamirë,- thanë që të dy përnjëherësh, dhe u kujtuan të futeshin Brenda.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx