E hene, 29.04.2024, 04:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Besim Perjuci: Faik Mustafa - ''Shembja e ëndrrës''

E shtune, 11.01.2014, 04:10 PM


“SHEMBJA E ËNDRRËS” : EPIGRAME/ autor FAIK MUSTAFA,

Arbëria Design, Tetovë, 2013

SHKRUAN BESIM PERJUCI

“Urtësi poetike të një ëndrre ndryshe”

/… Vargje mendimesh sakaq të peshuara, të mbarsura me humor të lehtë, satirë e ironi sarkastike, të larmishme e të shprehura me plotë guxim e sinqeritet/.

Sot, më shumë se kurrë, jeta njerëzore, me veçanti ajo kosovare, me të gjitha melmesat e saja shoqërore, politike, ekonomike, shkencore, kulturore, por edhe ato ideore, etike dhe materiale shpirtërore, ka marrë teposhtëzën, rrugën e skamjes, të shembjes e të dështimit të njëpasnjëshëm, duke avancuar, me apo pavetëdije, izolimin dhe infektimin në shkallën më të gjerë, karshi botës përparimtare.

Pikërisht në këto kohë të brishta e skandaloze kërkohen modele e personalitete të shëndosha të mendjes e të penës, si misionarë të pushtetshëm e të natyrshëm për t’i trajtuar këto tema të përditshmërisë së plagosur, e në përpjekje për kthesa të mëdha të shoqërisë dhe ndreqje gabimesh të ngulfatura deri në pafundësi.

Ky epitet patjetër i takon z.Faik Mustafës, një specializanti  dhe shkruesit të madh të llojit letrar EPIGRAME, për të shtuar se ishte dhe mbeti njëri prej figurave të shquara në faqet e shtypit si gazetar dhe publicist meritor në spiralën e mëndësisë sonë shqiptare.

Patjetër, e në veçanti me kontekstin e saj, por edhe me fuqinë e fjalës na del vepra e katërt e autorit Mustafa “Shembja e ëndrrave”, me një titull shumë simbolik, i modeluar me invecë dhe domëthënie përtej vetvetes dhe urtësisë poetike që i tejkalon, mbase, edhe  përmasat e një ëndrre ndryshe.

Edhe kopertina e stilizuar me personazhin e ravijëzuar, në sfondin e saj, si nëpër një dritare që ngadalë hapet, figurativisht na thotë se në ç’drejtim dhe kundër kujt është adresuar shikimi aq i rreptë dhe shumë domëthënës.

Vepra, në fjalë, përmes një arkitekture shumëdimensionale, e cila në tërë shtrirjen e saj poetike, prek në thellësi realitetin aktual dhe ndërton në vetvete fenomene paradoksale, të cilat vetë njeriu i reziluar me absurdin më të madh e më të gjatë të kohës, e koncepton jetën larg realitetit dhe të asaj që, faktikisht duhet të ndodhë si e bukur, si e imagjinueshme dhe njerëzore për vlerë. Ndaj, në këtë rrugëtim metaforik autori godet ashpër të paimagjinueshmëm, të rrejshmën, të lakmueshmën, zgërdheshjen hipokrite, si dhe absurdin kohor që i ka djegur e po i  shkretëron ëndrrat dhe fatet e jetës, dhe çdo gjë që ndodh në adresë të gabuar. Thënë ndryshe, godet të ligën në mungesë të pranisë së pikëpamjeve të drejta me koncepte dhe ide të qartësuara që i adresohen përditshmërisë sonë të begatë e të kultivuar me identitet ndër shekuj.

Prandaj, autori i veprës “Shembja e ëndrrës” niset nga këto premise e përmes këshillave të sinqerta dashamirëse, me qëllim të përmirësimit dhe ndreqjes së tyre. Ai këtë nuk e thotë vetëm sa për t’ia servirë lexuesit, por synim parësor ka që ta vendos subjektin njeri përballë sfidave të shumta dhe kohëve memece.  Kjo, pa dyshim, do ta vëjë në siklet të madh autorin, i cili tërë energjinë mendore e shpirtërore emocionale do ta shpërfaq në thelbin e ngjarjeve që prekin dhimbshëm përditshmërinë tonë safi të mjerë.

Infektimi i shoqërisë, për interesa të ngushta grupore, partiake, klanore e politike, farefisnore e individuale, reflekton përmes vargjeve si diagnozë e sigurtë që kërkon

medikamente të tipit”shërues”, në kuptim të shmangies së nënshtrimit të shumicës, në emër të së cilës sot qeverisin autokratët, burokratët, teknokratët e të tjerët, si pushta fodull përmes “ndërgjegjës demokratike”që nuk sjell asgjë të mirë, përkundrazi…/Për demo/n/kraci luftoi si burrë,/ fitoi besimin i dhanë pushtet,/ sa çel-mshel sytë, vuri diktaturë/ rreth vetes afroi tarafin e vet/./”Demo/n/krati”/. Vargjet, përmes katrenave, tregojnë të vërtetën e presencës së autorit në kohën e pakënaqësive të mëdha, por edhe kohën e hajdutërisë së paparë ndonjëherë, pa e kursyer as vendin e kombin, as shoqërinë dhe individin.

Vepra, poashtu, na flet për një dokument të shkruar në stilin e epigrameve. Por jo si një përrallë me heronjë të trilluar e të mistifikuar, por, gjithsesi me përmbajtje serioze e pororsi të qarta për ata që kanë veshë. U flet me gjuhën më të ëmbël të nxjerrë nga shpirti e zemra e plastë.

Axhenden e temave e ka të përqendruar e të nduarnduarshme të orientuar kah përdit-shmëria, jeta, shoqëria, dashuria, socialja, pushteti dhe qelepirxhinjtë e formateve të ndryshme. Ai kontakton me fenomenet  që prekin fizikun, por edhe shpirtin sublim të njeriut më të zakonshëm që ka kulturë, etikë njerëzore dhe ndërgjegje të virtytshme,/”Ku mungon ndërgjegja”,”Premtuesi”, “Dredhia”,etj.

Autori, na bëhet sikur i ka kaluar vitet e moshës nëpër oda burrash, ku janë tjerrë e tëholluar çështjet  kombëtare e jetike nga mendje të ndritura pleqnarësh. Përceptimi dhe përkushtimi i tij, për ta vënë në skenë përditshmërinë, me të gjitha lakuriqësitë e saja, por edhe duke kaluar nëpër lakorën e vështirë të jetës, atij nuk i mungojnë, ashtu sikur përpjekjet për t’u ngritur mbi ato nivele të bisedave të pathëna me guxim/Fjalët e plakut kush i dëgjon/ dhe i ruan si vathin në vesh,/ ai në jetë kurrë s’e pëson/ me asgjë nuk bie ndesh”//Fjalët e plakut”/.

Vargu i tij s’mund të persekutohet, sepse në brendi të tij qëndron e vërteta e paluejtshme.

Epigramet e lëvruara me shumë sens e  kujdes mendor, e kanë lashtësinë shumë të largët. Kultivimi i sotëm i shkrimeve të tilla, sikur është harruar me mbetje të stagnueshme e pa ndonjë kujdes të duhur. Megjithatë, kjo, si përparësi, i takon autorit Mustafa, i cili nuk po heziton që kësaj rryme letrare t’i japë shpirt e gjallëri, për ta bërë njëherë e përgjithmonë pjesë të pandashme të trungut të letërsisë sonë shqipe.

Sot, në këto kohë të pakapërdijshme, populli vërdallët spiralës së jetës dhe ballafaqohet me paturpësitë e zhveshura moralit nga specie të ndryshme kolltukofagësh të kancelarive të leshta.. Pra, krejt ndryshe nga ç’na flet ndërgjegja njerëzore dhe karakteri etik që forcon urtësinë, vetëdijen dhe unitetin e shëndetshëm të njeriut tonë.

Syri i njeriut është vrojtuesi më i sigurtë, i cili shigjeton andej kah zhurmohet, ku e keqja do të lë gjurmë të thella. Përndryshe, autori nuk e pranon kërrusjen, para fortunës që e prishë barazpeshën shoqërore, si p.sh. poezia”Shembja e ëndrrës”. Ndaj dhe, me mjaft finesë epigramopoeti Mustafa i portretizon personazhet e veta, si heronjë të epigrameve, gjithnjë sipas hierarkisë dhe veprimeve që bëjnë, si: miopët, interesagjinjtë, lakmitarët, butakët, pakurrizorët, matrapazët, pushtat fodull, pushtetarët maskarenjë, vazalët, spekulantët, horrat, qelepirxhinjtë, mediokrët, sahanlëpirësit, puthadorët etj., bëmat e të cilëve bukur pasqyrohen në epigramet: “Politika”, “Nderi”, “Ndjenja e përgjegjësisë”, “Diploma” etj.

Me sa energji i ka shkarkuar nga shpirti këto vargje që parodojnë kohën dhe pushtat fodull që me aq verbëri e agresivitet konsumojnë energjitë, duke favorizuar të ligën dhe të prapshtën.

Autori nuk ndihet i qetë dhe neglizhent ndaj dukurive negative të shpërfaqura gjithandej shoqërisë. Ato ia grimcojnë shpirtin dhe e bëjnë të pëlcas, ngaqë gjithmonë mundet ndryshe e më mirë, nga ajo që përjetohet me dhëmbje, thotë autori/”Çlirim shpirtëror”/.

Njeriu nuk pushon së kërkuari të vërtetën. Hulumton dhe “gjezdisë”në kërkim të forcës pozitive për ta mposhtur të pavërtetën, duke e shndërruar dhe bërë atë në diçka si të pathënë apo krejtësisht të huaj e të padukshme. /”E vërteta”/.

Autori e ka të vështirë të jetojë me të tilla “marifete” që sot i serviren popullit duke e servilizuar e ndrydhë gjer në palc. Prandaj shpeshherë do të shpërfillet qetësia e tij shpirtërore dhe ajo butësia këshillë-dhënëse e fjalës. Pastaj, deri në një masë, do të rebelohet bashk me vargun dhe do ta ngre zërin për të shpreh kundërshti…Disa herë mund të nënkuptohet e lexohet mes reshtave, kur autori  reagon dhe pyet vetveten: Pse ndodh kështu?! Ç’është kështu me ne?! Ku dhe në ç’drejtim po shkojmë?! Ç’mbeti nga liria e pavarësia?! etj.etj. Pyetje retorike e pa qime në gjuhë.Përgjigjen e dimë të gjithë.S’ka nevojë të hulumtohet dhe, pikë.

Vargjet janë të veçanta dhe me veçanti mund t’i formësojë dhe modelojë me një gjuhë që shenjëzon aktualitetin tonë vetëm ai që i sheh, i prekë dhe i ndjen me thellësinë e metaforikës, të fiksuara me nuanca ironike e alegorike të veshura me petkun e sarkazmës deri në absurd.

Gjuha e vargut dhe e mendimit poetik nuk duket të jetë e rreptë, në kuptim të parë, është ajo e përditshmja e humorit ironik e sarkastik, që synon të fshikullojë çdo të keqe që cenon un-in e njeriut, të drejtën e tij universale dhe të bukurën institucionale. Do t’i jep zjarr urrejtjes mes veti dhe mes etnisë sonë/“Gjuha e urrejtjes”/

Përndryshe, gjuha e autorit është vetë shpata e Demokleut që vret të pavërtetën, të rrejshmën dhe të bloztën gri, gjithmonë pa hezitim.

Me shumë elokuencë futet në mëndësinë psikologjike të shoqërisë shqiptare. E përjeton në thellësi e gjerësi çdo problem njerëzor, prandaj vuan dhe e ndjen me emocion pa gjetë ngushëllim.

Thjeshtë përmes vargut alegorik dhe gjuhës ironike që parodon, autori nënvizon paaftësinë për të udhëhequr shtetin dhe shpirtin e korruptuar të tyre, si /”Kur udhëheq injoranca”, “Një pushtetar”, “Karrigëliga”/etj.

Veshja e thjeshtë me lëkurë njerëzore, zakonisht do shndërrohet në veshje politike me lëkurë qengji e veprime ujku – pangopësie. Qeshjet bëhen qeshje hipokrite e plotë paternalizëm me derdhje lotësh krokodili të rrejshëm, për shtresën e varfër skajshmërisht të zhveshur gjer në lëkurë/Mos u gëzo fare kur qengj të thonë/ më mirë t’jesh ujk nga frika t’nderojnë/t’butin e butësinë mjeshtërisht e shfrytësojnë/n’fund n’theqafje të gjithë e çojnë/”Më mirë ujk”/.

Autori preferon vlera të mirëfillta të bazuara në  drejtësi e ligjshmëri për t’ju shmangur devijimeve dhe pellgut të pafund prej nga vështirë mund të dilet përmes një instalimi të tillë udhëheqës.

Veprat pararëndëse, pothuajse i japin forcë shtyse, veprimit në faza të ndryshme kohore,  për aktualitetin dhe favorizimin e largpamësisë së autorit, për t’i tejkaluar dobësitë dhe

brohoritjet e pathëmelta me material safi të brishtë që përdhosin, mbase, identitetin dhe legjitimitetin tonë, karshi botës inferiore për shumçka tashmë.

Të jeshë bisedarë për veprën e Faikut do të thotë të jeshë i pandalshëm në përcjelljen e gjendjes dhe zhvillimeve socio-politike të vendit.

Autori është edhe analist i gjendjes në të cilën përpëlitet shoqëria. Ai, më shumë kujdes e kujtesë analizon, deri në perimtësi situatat,e pastaj e bën që dora t’ia lëvizë pendën në fushën e bardhë të letrës. Në të njëjtën kohë nuk i mungon artikulimi i mirëfilltë në aspektin didaktik. Epigramet karakterizohen edhe si mësime me përmbajtje domëthënëse, për të përmbushë, pak a shumë vakuumin e ndërgjegjësimit e të vetëdijesimit mbarëshoqëror. Në essencë ato përbëjnë një tërësi të fuqishme unike shoqërore e individuale në kapjen e mundësive për t’i shndërruar veprimet gjithëkohore në diçka me peshë dhe vlerë.

Vepra “Shembja e ëndrrës” spontanisht mbushë mozaikun e pikëpamjeve tona me porosi e mendime të rrasta filozofike, për ta sfiduar secilin në rrugëtimin tonë në kahje e drejtim të duhur, sikundër vepra në fjalë, frymëmarrjen e vet do ta nxjerrë vetëm atëherë nëse lexohet me kujdes e interes. Kjo do të jetë mënyra për të rigjetur ëndrrën e vërtetë të fatit, dhe për ta rikthyer jetën reale të kuptimtë edhe në rrethana sakaq të parëndomta, si dhe për ta thëlluar besimin tek vetvetja dhe më gjerë.

/Autori është arsimtar i pensionuar i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë/



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora