E shtune, 26.07.2025, 01:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Dino Kubati: Kalosh Çeliku në dritën e diellit

E marte, 14.01.2014, 07:50 PM


Shtëpia botuese greke “Shkronjat e Erës” publikoi përmbledhjen poetike “Plaga e dhjetë me hënën”

Kalosh Çeliku në dritën e diellit dhe të hënës

Fakti që mbaj në duar përmbledhjen e tij poetike «Plaga e dhjetë me hënën», e përkthyer në greqisht nga miku ynë përkthyes i mirënjohur Iliaz Bobaj, është një kontakt drithërues me vet shpirtin e poetit, një takim me një fragment mjaft frytdhënës nga vepra e tij, një njohje më e thellë me mendimin e tij, ashtu sikurse shprehet në vargjet e tij, një herë rimë e një herë varg i lirë, por gjithnjë të thella, akoma edhe kur tall e përbuz.”

Lajmi

Këto ditë shtëpia botuese greke «Shkronjat e Erës» publikoi përmbledhjen poetike «Plaga e dhjetë me hënën» të Kalosh Çelikut. Me këtë rast shkrimtari dhe përkthyesi i shquar Iliaz Bobaj organizoi një shfaqje në Patër. Shkrimtari i mirënjohur grek Dino Kubati foli për poetin Kalosh Çeliku.

Nga DINO KUBATI

Përktheu Ira Llangozi

Njoha poetin Kalosh Çelikun para disa vitesh dhe më bëri një përshtypje të veçantë pamja e tij, që karakterizohej nga një vetëbesim tejet dinamik, të cilin e transmentonte fytyra e tij dhe besova se ajo pamje do të ishte e njëjtë me karakterin e tij. Trupmadh, i drejtë, i qeshur, pasardhës i figurave biblike do thoje, me mjekër dhe mustaqe, të cilat i rrit me kujdes, me një mbulesë të përhershme që mbron një kokë plot me ide dhe frymëzime.

Që prej atëhere, takohemi shpesh herë nëpër kongrese letrare ndërkombëtare, ndërsa këtë vit nuk munda të marr pjesë në konferencën e organizuar nga ai vet si çdo vit në Shkup, e cila quhet «Takime nën Rrap», për shkak të detyrimeve të mia në Greqi.

Por, fakti që mbaj në duar përmbledhjen e tij poetike «Plaga e dhjetë me hënën», e përkthyer në greqisht nga miku ynë përkthyes i mirënjohur Iliaz Bobaj, është një kontakt drithërues me vet shpirtin e poetit, një takim me një fragment mjaft frytdhënës nga vepra e tij, një njohje më e thellë me mendimin e tij, ashtu sikurse shprehet në vargjet e tij, një herë rimë e një herë varg i lirë, por gjithnjë të thella, akoma edhe kur tall e përbuz. Tall dhe përbuz çdo tekst në jetë, në shoqëri, në politikë, që lundron me Njeriun dhe me ndjenjat e tij, të cilat rrallë njihen dhe inkurajohen, sepse në të shumtën e rasteve shtypen si çdo ndjenjë e jona, sikur të jetë shënjestër për talljen dhe indiferencën e të tjerëve.

Me një shtat imponues Kalosh Çeliku pranohet menjëherë nga shoqëria përreth dhe nga marrëdhëniet sociale. Me të njëjtën madhështi dhe veçanti në krijimtarinë e tij poetike, tërheq dhe nxit kënaqësinë e lexuesit të rreptë dhe të analistit ndoshta, ndërkohë pasuron me ngjyra emocionale lexuesin e ndjeshëm.

I ngopur nga dashuria dhe erotizmi poeti, adhurues dhe njëkohësisht «viktimë» e dashurisë, e lavdëron por edhe e dënon gruan që do, pa mundur që ta rrefuzoj, por nuk pranon kurrsesi të bëhet i nënshtruari i saj. Kështu që ndërsa shpall me ndërgjegjie të plotë se: «Jeta dhe vdekja janë gratë», dhe ndërkohë pranon që:

«Unë të jap një lule, të marr dy puthje

Ti më jep dy puthje, më merr livadhin»

Nuk harron të tërheq vëmendjen e gruas për çdo të keqe të pritur: «Kujdes, flutur, mos digjesh./ Rrezik! Edhe unë jam një fener i natës...». Luan me gruan, luan dhe me dashurinë, me të cilën sillet sikur nuk i jep rëndësi, por ndjen nevojën e një pranie të dashur, të një dore të ngrohtë të shtrëngojë të tijën dhe arrin në përfundimin: «Puthja nën hënë/ Laura, mos e harro!».

Përmbledhja poetike e Kalosh Çelikut «Plaga e dhjetë me hënën», do mund të thoja që karakterizohet nga katër pasione të fuqishme të poetit. Të parin e përmendëm tashmë: është dashuria. Tjetri është vdekja. «Zonja Vdekje qëndron e ulur në fron si mbretëreshë», thotë dhe e sheh «përtej flakës» dhe i ndez një qiri. «Do vdes në shtratin e lumit», vijon dhe thekson se «Dashurinë e mbajmë të gjallë në varr». Dhe ndërsa thërret «Çohu nga varri», pret dhe shpreson që «një ditë të vij përmbytja e botës / të vdekurit do kthehen në shtëpitë e tyre...».

A mund ta harroj njeri vdekjen? Ndoshta duhet harruar dhe vera, përbën dhe mënyrën më të mirë të harresës. Është pra shija e verës dhe dehja e saj që japin një element të tretë karakteristik në këtë përmbledhje poetike. Kështu, ndër të tjera, «i vetmuar», do ta gjej veten duke e pritur në qendër të Prishtinës, në poezinë e tij «E kalova natën», duke kërkuar të lëndohet «dhjetë herë» nga ajo, ndërsa ajo nuk do të mbërrij, do të konkludoi ai: «Verën e kam besnike...». Diku tjetër do të nxisë «Shpirti im u deh dhe unë jam verë», ndërkohë paralelisht rrëfen: «Më mbytën fantazmat sepse pi verë». Në fund do të theksoj: «Kur hesht telefoni/ shishja me verë fillon e më flet». Në këtë përmbledhje e gjejmë poetin të «lahet» në kuptimin e plotë të fjalës nën dritën e Diellit dhe të Hënës, dy planete, të cilët ndriçojnë paralelisht jetën tij duke përhapur dritën më të fortë njëri dhe më të dobët tjetri. «Sytë e Diellit e kanë lidhur», frikësohet, ndërkaq «Dielli djeg mbi kokë», si dhe «dielli është zjarri». Në kundërshtim, «me Hënën e plotë mbi liqen» dhe përherë «zgjuar me Hënën» shkruan poezi, ndërsa «siç duket Hëna e ka marrë për burrë» dhe «kur do të dal Hëna e plotë», kërkon të gjej «në cilën Hënë u vra» secili, «me cilën Hënë bën dashuri...!».

Poeti e do atdheun e vet dhe flet me emocion për të, lufton për të pranë Vdekjes me armët e mendjes. Kështu do të thotë: «Vetëtimthi mbrojmë atdheun», duke shpjeguar se e bëjnë Vdekja me ekzekutimin e armiqve dhe ai me vargjet e tij.

Kalosh Çeliku, pavarësisht shtatlartësisë së tij, fsheh në brendësi të trupit të tij, një shpirt të ndjeshëm. Frikësohet nga bota, në të cilën është i detyruar të jetojë, në botën e korrupsionit dhe të atyre që luftojnë për një karrige, të cilët i quan «palaço» dhe betohet se do ti zbresi «nga bodrumi» i tyre, ndërkohë nuk heziton të kapet me klerikët, të cilët shfrytëzojnë dhe përfitojnë nga situatat, duke i djegur kështu në poezinë e tij «Në koshin e plehrave»:

Shenjtëri, sa aftësi

maskat i ndërroni me kohën,

nëpër karrige zvarrisni të ndenjurat tuaja

në çdo pushtet nxirrni të brendshmet tuaja

për një grusht grurë.

Shenjtëri, kush do t’ju varrosi

me gjithë ato mëkate mbi supet tuaja

dhe koka të huaja mbi grykët tuaja

kur një jetë u shitët në Bit Pazarbei

në koshet e plehrave

për një grusht grurë...

Por atje, ku personalisht shikoj ndjeshmërinë e tij të tepërt, është tek dashuria dhe vlerësimi i prindërve të tij. Nënë dhe baba, monopolizohen shkëlqyeshëm, në vargje të dala nga thellësia e shpirtit. Në vjershën e tij «Aradha e babait», fillon me një thirrje: «Katër duar të nxjerrin prej dere. / Nëna sot nuk do të shoqëroi te fusha». Përsa i përket Nënës, mban kujtime emocionuese, nga gëzimet, nga hidhërimet, të ngjethurat që i sjell loti i saj dhe duke ju drejtuar Tokës, që të gjitha i mbulon, e pyet me agoni: «Tokë, ku e fsheh lotin e nënës!...».

Në një poezi të shkurtër të tij me titull «Petullat e nënës sime dhe të vdekurit i ringjallnin», lexuesi i ndjeshëm do të mallëngjehej nga thjeshtësia e vargut, i cili të kujton naivitetin fëminor, por ja që thotë shumë të tilla për nënën dhe sa të tjetra të mira mbajmë mend që ka bërë për ne dhe për të tjerët. Po e citoj të pandryshuar:

Në fshat, kur vinin shpesh miq

thërrisnin nënën time të bënte petulla.

Nëna ime bënte petullat më të mira

ose, siç thoshte babai: petullat e nënës

sime ringjallnin dhe të vdekurit.

Në fshat nuk vinin më miq si më parë

Nënës sime nuk ka kush ti bëj petulla

Që ta zgjoj edhe atë nga varri...

Një poet nga zemra është Kalosh Çeliku, i cili në këtë përmbledhje poetike të tij, na privon në veçanti burimin e tij të humorit, siç na kompeson me shpirtin e thellë që vijos vargjet e tij dhe na mallëngjen ashtu siç duhet.



(Vota: 253 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx