E hene, 29.04.2024, 02:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Nderojmë Prof. Shaban Demiraj

E diele, 12.01.2014, 07:10 PM


Urim, në 94-vjetorin e lindjes:

NDEROJMË PROF. DR. SHABAN DEMIRAJ-AKADEMIK

(“Mësues i Popullit” dhe me dy “Çmime Republike”)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.-Megjithëse kanë kaluar disa vjet, si tani më kujtohet një festë e bukur e mbresëlënëse, që u organizua në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kur prof.dr. Shaban Demiraj kishte 80-vjetorin e lindjes. Ishte pikërisht ai institucion i lartë i vendit tonë, të cilin ai e kishte drejtuar për disa kohë, me vullnet e pasion profesional. Nga blloku i shënimeve, po shkëpus këto radhë, që i kam mbajtur atë ditë:

Në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në një mjedis të ngrohtë miqësh e kolegësh, u organizua ceremonia e dhënies së titullit të lartë, “Mjeshtër i Madh i Punës”, Akademikut prof.dr. Shaban Demiraj, “Mësues i Popullit”, në 80-vjetorin e lindjes së tij. Merrnin pjesë anëtarë të kësaj Akademie, punonjës të institucioneve qendrore shkencore dhe atyre të larta arsimore, kolegë e bashkëpunëtorë të afërt të tij”. Po aty, më tej, shënoja se foli prof.dr. Ylli Popa, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave. Ai theksoi punën shumëvjeçare, të gjërë dhe të frytshme të Akademikut Demiraj, këtij personaliteti të shquar të shkencës, arsimit e kulturës shqiptare. Nënvizoi veprimtarinë e madhe kumtuese e botuese të tij, brenda e jashtë vendit, sidomos në fushën e albanologjisë. Gjithashtu, u ndal në ndihmesën e dhënë nga prof. Demiraj në përgatitjen dhe edukimin e disa brezave të mësuesve të gjuhës e letërsisë shqipe, si dhe cilësitë e tij: thjeshtësinë e ndershmërinë, korrektësinë, përkushtimin në punë etj.

Pas dorëzimit të titilli të lartë, prof. Demiraj shprehu falënderimet për vlerësimin e madh, që i bëhej dhe premtoi se do ta vazhdonte më tej punën e tij, shkencore dhe arsimore. Gjithashtu, gjatë koktejit, të organizuar me këtë rast, u sollën kujtime intime e u bënë vlerësime të larta për jetën dhe veprimtarinë arsimore e shkencore të Prof. Shaban Demirajt. Kështu, folën kolegët e bashkëpunëtorët e tij: Bedri Dedja, Ethem Lika, Hamit Beqja, Tish Daija, Floresha Dado, Gjovalin Shkurtaj, Emil Lafe e Seit Mansaku.

Dhe ja, vitet rodhën si pa u kuptuar dhe Prof. Demiraj sot feston 90-vjetorin e lindjes. Ashtu si qindra kolegë e ish-studentë të tij, ndjej kënaqësi që më jepet rasti  të shkruaj përsëri për jetën dhe veprën e tij të nderuar dhe të çmuar nga të gjithë, në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në trojet tona amtare, në diasporë e më gjerë. Me këtë rast, atij i urojmë nga zemra: shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe të lumtur!

2.-Lindi në Vlorë, më 11 janar 1920. Pas çlirimit të vendit, punoi ca kohë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Në vazhdim të studimeve të tij, në vitin 1948 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës dhe atë 4-vjeçar, në vitin 1954. Si nxënës i gjuhëtarëve të shquar, Kostaq Cipos e Aleksandër Xhuvanit dhe më pas i Eqrem Çabejt, duke parë aftësitë e tij, që nga kjo kohë u emërua pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik, ndërsa më 1957 në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të sapokrijuar në Tiranë.  Dëshmi e qartë e përgatitjes së tij shkencore e pedagogjike ishte titulli “Profesor”, të cilin e meritoi më 1972.

Pas krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1989 prof. Sh.Demiraj u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj. Gjatë viteve 1962-1989, ka shërbyer përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe. Më 1977, iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”. U nderua me “Çmimin e Republikës” të klasit II, më 1979 dhe me “Çmimin e Republikës” të klasit I, më 1989. Në vitet e para, pas krijimit të Universitetit të Tiranës, lëndët albanologjike për ne studentët e Fakultetit Histori-Filologji ishin më të vështira dhe kërkonin më tepër vëmendje, djersë e përkushtim. Ndër këto lëndë ishte dhe morfologjia e shqipes. Leksionet e kësaj lënde na i jepte pedagogu Sh.Demiraj. Kishim dëgjuar se ai kishte nisur një shkollë fetare, por ishte larguar andej për t’u dhënë më pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në mendjen e ne të rinjve ai ishte pedagog shumë strikt, kërkues dhe rigoroz, çka na bënte të mos e nënvleftësonim aspak lëndën e tij. Përkundrazi, shkonim rregullisht në leksione e seminare dhe përgatiteshim seriozisht për kërkesat e tij.

Me gjithë këtë “rreptësi” të prof. Shabanit, ndjenim se ishte dhe mjaft dashmirës ndaj nesh. Këtë gjë e provuam dhe kur disave na u dhanë temat e diplomës. Ai u tregua i gatshëm të na ndihmonte dhe të na udhëzonte, për çka ne ishim të interesuar. Kjo përkujdesje e tij u duk edhe në kohën e mbrojtjes së diplomave, por dhe gjatë jetës.

Prof.dr. Shaban Demiraj u shfaq kurdoherë para kolegëve e studentëve:  punëtor i palodhur, me vullnet  të paepur dhe mjaft prodhimtar. Ai njihet autor i shumë veprave shkencore, sidomos në fushën e gjuhësisë. Provën e parë e dha me tekstin e gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike (1953). Ndër këto, përmendim edhe: “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971), “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972), “Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975), “Morfologjia historike e gjuhës shqipe”(I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980), “Gramatika historike e gjuhës shqipe”(1986) e ribotuar në Prishtinë (1988), “Gjuha shqipe dhe historia e saj”(1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989). Studime të tij me interes të veçantë janë ato për filologjinë e arbëreshëve.  Një libër të posaçëm (më 1990) i ka kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit tonë të madh e kolegut shumëvjeçar të tij, prof.dr. Eqrem Çabej-Akademik. Ndërsa më 1994 botoi në Shkup (shqip e maqedonisht) veprën “Gjuhësi ballkanike” dhe më 1996 “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”.

Me interes mjaft të  madh është libri i shkruar nga prof.Demiraj kushtuar çështjes së prejardhjes së shqiptarëve, duke e vështruar këtë aspekt kryesisht në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Rreth kësaj çështjeje madhore, ai botoi librin e spikatur me titull: “Prejardhja e shqiptarëve, nën dritën e dëshmive të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1999). Disa nga veprat e mësipërme janë botuar në vende të ndryshme të Evropës.

Ai ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa Kongrese e Konferenca, kombëtare e ndërkombëtare, për gjuhën e kulturën shqiptare dhe ka botuar artikuj të shumtë shkencorë, në revista të vendit e të huaja. Në “Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1972), lexoi kumtesën: “Çështjet gramatikore në Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Po kështu, ka mbajtur ligjërata pasuniversitare ose kumtesa, në Prishtinë, Shkup, Beograd, Sofje, Kluzh, Kopenhagë, Insburk, Vjenë, Romë, Paris, Këln etj.

Veçanërisht, është e dukshme ndihmesa e prof. Demirajt për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës letrare shqipe. Për këtë gjë dëshmon edhe përfshirja aktive e tij në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, por dhe përpjekjet e tij të mëpastajme. Ja çfarë thoshte ai kohë më parë, në një bisedë të tij, që mbetet aktuale edhe sot:

Të gjithë duhet të përpiqemi që ta përsosim vazhdimisht shqipen tonë letrare, e cila i ka përmbushur gjithnjë dhe më mirë kërkesat e një shoqërie me zhvillim të pandërprerë. Të gjithë duhet të përpiqemi ta zhvillojmë e ta pasurojmë atë dhe, njëkohësisht, ta ruajmë nga ndikimet e gjuhëve të tjera dhe sidomos nga vërshimi i fjalëve të huaja të panevojshme, dukuri kjo, që kohët e fundit ka marrë përmasa shqetësuese. Dhe, me këtë rast, një punë të madhe mund dhe duhet të bëjnë sidomos arsimtarët, shkrimtarët dhe gazetarët, të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi brezin e ri dhe mbi masat e gjëra të lexuesve”.

3.-Gjatë jetës, pas mbarimit të studimeve të larta, jam takuar shumë herë me prof. Shaban Demirajn. Këto kanë qenë në tubime të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare. Por dhe me rastet, kur kam biseduar me të, në detyrën e gazetarit. Edhe kur ai u bë Kryetar i Akademisë së Shkencave, në vitet e Demokracisë, gjithnjë vazhdoi të ishte i thjeshtë, dashamirës dhe i gatshëm për ato, që i kërkonin përfaqësuesit e shtypit. Megjithëse i moshuar e i pamundur nga gjendja shendetësorë, ai ka marrë pjesë e ka folur edhe në veprimtari të ndyshme të Shoqatës sonë të Arsimtarëve të Shqipërisë.

Janë me qindra e mijëra ish-studentët e bashkëpunëtorët e rinj të Prof. Shaban Demirajt, anë e mbanë Shqipërisë. Ai kurdoherë është treguar i pakursyer me këshillat e tij në leksione, udhëheqje diplomash e disertacionesh, me recenza etj. E gjithnjë u ka edukuar atyre dashurinë e vullnetin për punë, studim e krijimtari shkencore. Ja se si u drejtohej dhe si e shprehte besimin ndaj tyre, në një rast, që mbetet përherë me vlera të pamohueshme:

Mesazhi im për intelektualët tanë të rinj është që të punojnë me përkushtim, secili në fushën e tij, për të ndihmuar në zhvillimin dhe përparimin e gjithanshëm të vendit tonë. Shqipëria ka një potencial intelektual të pasur, i cili duhet nxitur që t’i shfrytëzojë sa më shumë aftësitë e tij për të mirën e vendit tonë. Por, për këtë qëllim, intelektualët tanë të rinj edhe duhen ndihmuar me të gjitha mënyrat që të mos detyrohen të braktisin Atdheun dhe të shkapërderdhin energjitë e tyre në dhe të huaj”.

…Ja, i tillë është, me pak radhë, portreti i këtij atdhetari, ish-pedagogu të sa e sa breza studentësh, studiuesit të pasionuar të shqipes dhe intelektualit të shquar, prof.dr. Shaban Demiraj-Akademik. Me figurën e tij shumëplanëshe, ai i bën nder  arsimit e kulturës mbarëkombëtare dhe shkencës shqiptare, tërë vendit e popullit tonë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora