E diele, 04.05.2025, 11:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Fije bari mbi rrjedhë

E marte, 14.01.2014, 08:11 PM


QAZIM SHEHU

 

FIJE BARI MBI RRJEDHË

 

Eja të rrimë bashkë këtë natë,

Me çuçurimën e rrjedhës në bar,

Të dalim nga bar i harresës,

Duke u futur në brilant të vesës.

Ne s`jemi njerëz të mëdhenj,

S`kemi dalë në televizor,

Le të ngrihen ngjarjet si shkëmbej,

Të denjë për filma horror.

Eja të rrimë bashkë këtë natë,

Pa imituar asnjë dashuri,

Qezarin me Kleopartë,

Paolën me Françeska Da Rimni.

Pa imituar kërkend këtë natë,

Vetëm fijen e barit mbi rrjedhë,

Që kthehet në vijë të zjarrtë,

Duke të kaluar mes për mes…

 

 

NGA IKJET E MËSOJMË

 

Çdo ditë e ndërtojmë nga pak,

Për ta prishur dyfish kur duam,

Si të ngrinim një statujë në park,

Në një tokë që luan.

Dhe e sajojmë Itakë të shpikur,

Dhe mall e dhembje e dashuri,

Kozmopiltin më të çmeritur,

E bindim me rëndësinë etij.

Kur të joshur  jemi gjer në skaj,

Pa një dyshim ,pa hamendje,

Dhe pse e duam ,pse prandaj,

E mbajmë si diell nëpër mendje.

Dhe nuk e dimë kur do e sjellim,

Portretin e tij më të plotë,

Por e ndjejmë  se sado bredhim

Vetëm nga ikjet e mësojmë…

 

 

TIRANI E BUKURISË

 

Kjo botë ka shumë tirani,

Tirania më e madhe je ti, bukuri,

Shkon pa arsye dhe shijohesh,

Në prehër të arrogantëve ngrohesh,

Kujtojmë se të kemi, na ik,

Kujtojmë se na ike, vjen,

Dhe s`ngopemi me ty kurrë,

Grua qoftë apo burrë.

Dhe faj nuk ke pse e bukur je,

E lartë ,e mistershme, gatuar për ne,

Për dobësinë tonë, tirani, sa herë e re.

Në botë ka shumë tirani,

Veç tirania jote meriton lavdi…

 

 

DEGË E THYER

 

Vijat e horizontit që priten në largësi,

Dikur kanë qenë aq të drejta,

Sa shkonin në pafundësi,

Enigmave më të fshehta.

Dolën malet dhe i prenë egër,

Fati doli  dhe i theu si degë,

Si degë që s`binden për tu djegur,

Tani u ngjajnë lapsave që shkruajnë qiejve,

Ëndrrën e monotonisë së vdekur….

 

 

PSHERËTIMA

 

Me një ndjesi falje midis u lehtësua psherëtima,

Siç u turfullua dhe u pendua të djegë vetëtima

Duke mbjellë hapësirën ku një filiz buis,

Dhe sa lule do çelin pas saj,

Një kopësht i bukur, falur nga një psherëtimë në faj…

 

 

KJO PEMË

 

Kjo pemë dhe pema tjetër,

Dhe tjetrën që shkuli stuhia,

Na kujtojnë një trini të vjetër,

Një herioglif shpirti sa dashuria.

Dy të parat në këmbë,

Njëra tjetrën dot s`ndihmojnë,

E nga kjo qajnë rëndë,

Lotët e gjetheve lëshojnë.

Mbi trotuarin pllakashkulur,

Dhe mbi asfaltin e vjedhur,

E mbi rrëkezat ku loti i pemëve,

Të tjera, është derdhur…

 

 

KUNDRASHIJET

 

Mjaltë i buzëve pa një pikë helm do qe pa shije,

Ashtu si marri e fjalëve pa një dozë arsye.

Sa herë e kam vrarë mendjen për kundërshijet,

Si dielli që s`kuptohet pa hijet….

 

 

KUR FJALA S`DËGJOHET

 

I flas erës fjalë dhembshurie,

Kështu duhet të kenë folur poetë të tjerë,

Kur ndjenjat e tyre nuk i nxinte kraharori, sado i gjërë.

Era fjalët merr dhe i çon në maja pemësh,

në qiej të tjerë,

Atje ku njerëzve u mungojnë fjalët,

Atje ku fjalët tona s`i duan fjalamanët pa vlerë.

I flas erës fjalë dashurie.

Ndonëse shpejtësi e fjalës është më e madhe se e saj.

Kur fjala s`dëgjohet s`ka më mirë se lutja ndaj erës,

Ta marrë e diku ta shpërndajë…

 

 

E VJETËR SA BOTA

 

E vjetër sa bota maska ime je,

Dredharake si një gropë mbuluar me gjeth,

Të fshehtat përvëluese i rrëmbe,

Prapa teje me trill i fsheh.

Sa herë jam dashur të të dua,

Edhe pse s`të desha kurrë,

Si një djegie lëkure nën thua,

Si një lëkurë mbi lëkurë.

Ka kohë po mendoj të lë,

Pres përmirësimin e njeriut,

Që ikën e rrëmbe,

Genin e humbur të origjinës.

Vuaj  të kap kur ti nuk je,

ngazëllehem të shoh kur s`të shoh,

Po ti vjen pa u vënë re,

Të zgjedhësh shtegun që më ngroh.

Sa kaloj rrezikun pendohem,

Ty të hedh tej,

E bash për këtë dënohem,

Duke të bërë më të re…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx