E diele, 04.05.2025, 11:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: A je burrë i mirë, siç të njohin!?

E enjte, 16.01.2014, 08:27 PM


A JE BURRË I MIRË, ASHTU SIÇ TË NJOHIN!?

Tregim nga Kadri Tarelli

Çdo të shtunë si fundjave dhe ditë pushimi, një grup shokësh, mësues dhe drejtorë shkollash, mblidhen në kafen pranë TELEKOM-it në Durrës. Disa janë në punë e disa të tjerë porsa kanë dalë në pension. Bisedat bëhen rreth problemeve që ka shkolla, shpeshherë ato që rrëfehen edhe përsëriten, po bëjnë sikur nuk i venë re. Ka raste kur tavolina zgjerohet shumë, atëherë muhabeti bëhen hidh e prit, e secili mundohet të dalë më i zoti se të tjerët, ndaj ndodh që edhe e ngrenë zërin.

Një ditë prej ditësh në “shoqërinë” e tyr erdhi Bajrami, koleg e drejtor shkolle. U përshëndet me ta dhe u ul.

- Burra! – tha me të folurën e tij në dialektin e Kosovës. –Kafet dhe rakinë sot e kini prej meje. Kam dalë në pension, ndaj dua që të më uroni.

- Eeee Fadil, u shtuan rradhët, - foli duke qeshur Ganiu, si më i vjetri ndër ne dhe shkeli syrin.

-Shtohen, por edhe rrallohen.- ja preu me të parën Fadili dhe s’e la Ganiun ta zgjaste fjalën.

Pasi i trokitën gotat dhe e uruan shokun e tyre, biseda rrodhi qetë me pyetje e përgjigje, jo sa vonohet, sa shkon shuma e pensionit me pagat e ditëve të fundit, kur qeveria do t’ia ngrerë përsëri, etj, etj. Kur u zgjat pak si tepër kjo temë dhe u bë pa interes, ndërhyri Kadriu, për t’i dhënë tjetër drejtim, më shumë për ta respektuar “Pensionistin e ri”.

- Bajram ! Të uroj pensionin e të shkojë sa më gjatë! Po a ke menduar si do ta mbushësh kohën? Besoj se e ke vënë re, se shumë nga ne pensionistët, s’dinë ç’të bëjnë e mblidhen, ja tek lulishtja këtu përballë, duke parë lojë dominoje apo shahu, ose ngrohen në diell duke bërë muhabet, për të shtyrë kohën, se i përzenë plakat nga shtëpia.

-Të them të drejtën, punë në shtëpi kam sa të duash, por kam menduar të merrem me diçka tjetër. Dua t’i hyj bërjes së historikut të shkollës time në Shënavlash, madje kam filluar që tani,- dhe nxorri nga xhepi një fletore të vjetër katërlekshe, e palosur më dysh, ku mbi kapak shkruhesh me një shkrim jo të bukur, “Historiku i shkollës”. Të gjithë e morën në dorë si një relike të çmuar, kur në të kishte shumë pak histori. Vetëm gjysma ishte mbushur, ndaj Faja u shpreh i pakënaqur: Historik i thënçin, se histori s’ka Brenda. Është bërë sa për të kaluar radhën. Flamuri që s’i përton romuzet, ngre zërin e thotë pak me ironi  dhe pak me të drejtë:

- lum si ti, o Bajram! Tani “patkoin” e gjete, s’të mbeti tjetër veç kali,  paimet e tre patkoj të tjerë”. – U duk hapur, se Bajramit nuk i erdhi mirë, por heshti.

Biseda tani mori tjetër drejtim. Sikush mundohej të jepte mendime, disa e lavdëruan, disa shprehën mosbesim, disa e zgjatën muhabetin duke gjykuar mbi vështirësitë që ka kjo sipërmarrje fisnike. Bajrami i dëgjonte në heshtje dhe s’jepte përgjigje. Nuk i lëvizte qerpiku edhe kur Fatmiri i tha, se shumë e kanë nisur, por s’e kanë bitisur këtë punë.

- Bajram! E shoh se e ke marrë seriozisht, - ndërhyri Kadriu me mirësjellje, - ndaj të uroj që edhe mos të ndërosh mendje, pasi është vërtet një punë e fisme, por e vështirë. Unë kam pak haber nga këto punë, pasi jam marrë dikur me studime për ngritjen e muzeumeve. Kjo punë, or lum miku, së pari do kohë, e më pas vullnet për të mos u tërhequr, do që të mos mërzitesh, po do edhe ca shpenzime, të cilat sot s’para i mendon, po dalin vetvetiu gjatë rrugës. Ti s’e beson, po ndodh edhe kështu, i thotë duke qeshur: E thërret dikë për intervistë, i bën fotografi, e nxjerr birin e botës në gazetë dhe në fund, i paguan edhe kafen. - Të gjithë qeshën dhe hodhën sytë nga Mema, i cili bëri shurdhin dhe s’e prishi fare terezinë. Vetëm Myftari qëndronte serioz, s’fliste, veç dëgjonte. Bajrami e dëgjoi me vëmendje, nuk i ktheu përgjigje. Si duket deshte të blinte përvojë, paçka se nuk ishte plotësisht në një mendje me të e me të tjerët. Vështirë të besosh në të tilla raste.

Tani çdo të shtunë, mes tyre ishte i kërkuar edhe Bajrami, i cili sapo ulej u vinte në tavolinë të rejat e punës së tij. Të gjithë e përgëzonin për ç’kishte gjetur, në veçnti më shumë Faja dhe Fatmiri. Kënaqeshin, sepse u sillte në kujtesë pjesë nga jeta e herëshme, si nxënës shkolle e më pas si mësues. Edhe Bajrami kënaqej kur merrte lavdërimet, të cilat ishin të sinqerta, sidomos kur gjente dokumenta të vjetra, si ç’ishte rasti i dëftesës shkollore të vitit 1934, ose të librezës së notave për nxënësin e shkollës fillore të vitit 1954, etj. Një ditë mbi tavolinë vuri librin “Ditari dhe korespodenca intime”. Volumi i III-të, të lirikut të madh Lazgush Poradeci, i cili vinte shpesh në Shënavlash për të takuar të fejuarën e tij Nafie Mema, mësuese në shkollën e fshatit. Një ditë tjetër me një krenari të heshtur, por që lexohej dukshëm në sytë e tij, u tregoi një foto të zverdhur nga koha, ku dukeshin dy të rinj. Bajrami sqaroi, se ishin Bajram Gashi (Salihi) dhe Haki Taha, dy mësues kosovarë në shkollën e Shënavlashit, të dy heronj të Kosovës. Bajram Salihi u vra në përpjekje me ushtritë serbe në prag të ripushtimit të Kosovës, ndërsa Hakiu vrau Miladin Popoviçin, person shumë i përfolur në historinë shqiptare.

Puna e historikut u zgjat ca si shumë. Kaluan dy e më shumë vjet, ndaj shokët e ngacmonin shpesh: Hë Bajram, kur do ta shohim atë “Kryeveprën” tënd të botuar? Ai s’kthente përgjigje. Veç një ditë disi i mërzitur u thotë: “Këjo puna e historikut qënka sa e bukur aq edhe e vështirë. E nisa si me vrull, i bindur se do ta mbaroja shpejt, po paska punë, puna. Në Kosovë përdoret një fjalë e urtë: “Nga mullari hiq një kashtë e të dalin pesë a gjashtë”. Porsa vendos që e mbylla, del një dokument, apo fotografi që ma prish mendjen dhe them: E vlen, ndaj duhet të vendoset në faqet e librit. Më duket sikur s’do të ketë fund kurrë. Tani s’tërhiqem do ta mbaroj se s’bën”.

Një ditë tjetër, kur ishin mbledhur si zakonisht, Bajrami i pa që nga rruga dhe po qeshte. Edhe kur u ul, nuk po e mbante do gazin e brendshëm. Nuk i la kohë pyetjeve dhe thotë: Kam që dje që s’më hiqet e qeshura, sepse m’u kujtuan fjalët që më kini thënë këtu e kohë më parë. Shkova deri në Elbasan. Takova një mësues të vjetër për t’i marrë disa të dhëna. Kisha kohë që e kërkoja e mezi e gjeta. Më në fund e kapa. U ulëm në një kafene, porosita kafe dhe për ta zgjatur kohën e bisedës edhe nga një raki. Miku në tavolinë ishte usta i asaj të bekuare. E pinte me shumë lezet, ndaj më pas porosita edhe dy herë për të. U bëmë gati të ngrihemi. Mendova se s’do më linte të paguaja. Ai s’u tund fare. Nxorra 1000-lekshin dhe kamarieri më ktheu kusur. S’mu durua dhe i them si me shaka:

Nga Durrësi erdha e të begenisa, emërin dhe portretin do ta vendos në libër, kafet dhe rakinë e pagova unë, besoj se je i kënaqur. Edhe ai duke qeshur më thotë:

“Mirë, mirë, po çoje deri në fund! Që të jesh burrë i mirë, ashtu siç të njohin, më lerë edhe kusurin”!!!!

Të gjithë qeshën me lot. Shpesh i thonë, kur bëhen gati të ngrihen nga tavolina: “Eee… Bajram! Do të na lesh edhe kusurin, që të jesh burrë i mirë!?”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx