Kulturë
Kostaq Duka: Monolog në formë dialogu
E enjte, 16.01.2014, 07:41 PM
Kostaq Duka
Monolog në formë dialogu
(Nipit të lindur në dhjetor)
-Triptik-
E qeshura në gjumë
Kur unë
thërrmoj padurimin
me ty një ditë të flas
ti veç të qara lëshon pa orar
dhe herë, herë një buzëqeshje të ëmbël
nëpër gjumë fal.
Për të qarën
gjej shpjegim.
E qeshura më mrekullon e më ve në mendim…
Flet me ëngjëjt-thotë gruaja.
-Mirë bën
që nesër në jetë me djajtë mos afrohet
mes njerëzve të mirë
buzëqeshjen ta falë pa kursim.
Më shumë se dhuratë
Ti mbrite në dhjetor
në muajin e Lindjes së Madhe,
më shumë se dhuratë ishe yll
me një dritë të bardhë qiellore.
Duhet të vije ti
Duhet të vije ti
të shihja në sytë e djalit,
pjekurinë e burrit,
krenarinë e merakun e babait
për t’i dhënë rritjes tënde të madhen udhë.
Duhet të vije ti
një tjetër motiv t’i vija vetes si gjysh
për të rrojtur më shumë.
Janar 2014.