Kulturë
Qazim Shehu: Fillimi i marrëzisë sonë kolektive
E hene, 04.11.2013, 08:30 PM
FUNDI I DELIRIT OSE FILLIMI I MARRËZISË SONË KOLEKTIVE
Shënime për romanin :”Fundi i një kryeministri” të autorit Mystehak Xhemali
Nga Qazim Shehu
Kohët e
fundit lexova, e them me një kënaqësi befasuese, romanin e Mystehak Xhemalit:”Fundi
i një kryeministri”, një roman të temës politike,sociale dhe psikopolitike, një
roman të një autori të heshtur, po të një prozatori të sigurtë.Duhet thënë që në
fillim, jo pa një drojë brengosëse se shumë autorë të mirë kalojnë në heshtje
para vëmendjes së lexuesit, për faktin se jetojmë në kohra çorientuese dhe të hutisë
e mospërqëndrimit sa duhet ndaj vlerave. Dhe të vjen keq për këtë, sot, në një kohë
të lavdërimeve pa hesap e të hosanarave bezdisëse, po edhe të mungesës së një kritike
konstruktive. Romani në fjalë kap një moment të rëndësishëm të historisë sonë:vrasjen
apo vetëvrasjen e kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, pastaj një çmenduri të tërë
kolektive nga ata njerëz që dridheshin prej tij apo ngritën kultin e tij, të gatshëm
e të etshëm, për të zhdukur çdo gjurmë të tij, pllaka përkujtimore, lapidare,
madje edhe shtëpinë e tij.
E këtë autori
,pa dashjen e tij, prek një nga të metat kryesore të një aradhe të tërë njerëzish
dyfytyras, njerëzish pa integritet moral, as ndonjë status të veçantë,njerëzish
të verbuar nga ideologjia që mohojnë aty për aty atë që kanë bërë, që bëhen të këqinj,
lapangjozë e kriminelë, njerëz të cilët edhe sikur të mundohesh kështu t`i
kurdisësh s`mundesh,sepse aq të prerë aq të vetëpërsosur janë në udhën e së keqes,
sa nganjëherë, po të bëheshin një çast të ndërgjegjshëm,ata do ia kishin zili
edhe vetes.Mungon arsyetimi, mungon burrëria, flitet me slogane po nuk mungon
zelli i së keqes.
Autori e
ngre një ide të fortë që shkon në formëzimin e një sentence filozofike se
krijimi i idhujtarive të rreme gjithnjë sjell edhe rrëzimin e tyre të menjëhershëm
, fshirjen e tyre nga kujtesa, sidomos kur kjo idhujtari është imponuar në sajë
të pushtetit diktatorial, fshehjes dhe manipulimit të së vërtetës.Andaj nga
diktaturat ,kur ato rrëzohen së bashku me figurat e saj, s`mbetet asgjë, veçse
një kujtim i lig si një ëndërrr e keqe.Por mos harrohet se çfarë është bluar nën
këtë idhujtari të rreme, sa kohë e harxhuar dëm, sa ëndrra dhe fate njerëzore,
në emër të përpunimit të një egoje të pakuptimtë, si është diferencuar jeta
duke u çuar deri në zgrip,sa dëm dhe humbje e përfillshme gjer në një dramatikë
ngjethëse i është sjellë shoqërisë.
Të gjitha
këto mendime të përftohen në një shtrat ndjesish, tekas lexon romanin e
Mystehak Xhemalit, një roman i shkruar me një njohje të sigurtë të materialit lëndor,
po edhe i shtruar në hullitë e një rrëfimtari të këndshme, njëkohësisht
kompozuar në një ngrehinë elegante të barazpeshuar dhe solide.Duhet thënë se
autori jo vetëm që tregon njohje, por ai e di mirë se kjo nuk mjafton, pa
ngritur trillin ideoestetik të rrëfimit, duke u ruajtur të mos bjerë në propagandë
të thatë ,rrezik që e mbartin vetiu temat politike, e nga ky kuth ka shpëtuar
me sukses, duke e sjell gjithçka vetishëm në mënyrë të natyrshme, të besueshme,.
Qëllimi
ka qenë të tregojë se me rrëzimin e kryeministrit nuk rrëzohet vetëm ai, po rrëzohen
bashkëluftëtarët e tij(Mestani), rrëzohen jo vetëm lapidarët dhe pllakat përkujtimore,
po rrëzohet një kulturë historike,gjurmët e luftës dhe të paqes ngatërrohen,
krijohet një kaos ; rrëzohen dhe bien dashuri, rrëzohet e bie në gremina egoja
njerëzore e prej aty ngrihet me flakët e së keqes për të përvëluar ç`të dalë përpara.Krijimi
i boshtit organizues të romanit e ka ndihmuar autorin jo vetëm të qëndrojë aty,
por edhe ta shtrijë vështrimin më gjërë në dy plane reale:kush ishte jeta e
kryeministrit me dritëhijet e saj(ajo e një luftëtari të lirisë, po e një luftëtari
që i tradhëtoi idealet shpejt në emër të pushtetit, që u tjetërsua e më vonë të
kaluarën e merrte vetëm si dekor për të zbukuruar të tashmen;sesi edhe
pasvdekja e tij bëhet shkas për të prodhuar një diktaturë të pakuptimtë, vrasje
dhunime, shfryrje, egërsi të pashoqe.
Këto dy
plane lidhin e zgjerojnë plane të tjera paraqitje,duke treguar një jetë në diktaturë
duke e zgjeruar tablonë paraqitëse të një realiteti të zymtë, të errët,
paradoksal, ku tëhuajzimi i njeriut, shndrrimi i tij, degradimi moral dhe fizik
bëheshin dita ditës një qëllim sa më i përforcuar i njerëzve të krimit dhe të veglave
qorre të diktaturës.Shtrirja e këtyre degëzimeve narrative bëhet nga autori me
masë, në mënyrë të zgjuar për të mos na dhënë një realitet skematik , po një realitet
të caktuar ashtu siç vërtet ka qenë.Si u besua vallë që ryeministri ishte
armik, a e dinin njerëzit këtë gjë dhe pse duhej ta besonin?
Autori
tregon se indoktrinimi ishte kaq i madh,se ai nganjehërë shërbente edhe për të nxjerrë
gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve, se kërkonte një shkas një pretekst.
Dhe autori vizaton shumë bukur operativ Mehmetin, sekretarin e partisë,
ministrin e sigurimit, e figura të tjera të përçudnuara, ata njerëz që mbillnin
terror dhe grabisnin qetësinë dhe dashurinë e njerëzve të tjerë, që sajonin dhe
çfarë nuk intepretonin ndryshe, vetëm e vetëm që të ishin të devotshëm para
partisë dhe të realizonin qëllimet e tyre të mbrapshta.Kështu mbetet tragjike
dhe dramatike dashuria e Sif Kularit me Rinën, mbeten në mendje edhe fakte të tjera
të një imoraliteti shpirtëror e një përdhune të pashembullt të këtyre njerëzve
veshur me pushtet.
Duket se
autori ka përdorur trashjen artistike për t`i shpënë këto figura deri në karakaturizim
apo grotesk, po duhet besuar se ata nuk ishin disa individë rastësorë të këqij,
po i shin pjellë e atij sistemi që tjetërsonte njeriun dhe shplante mendjen.Ndaj
bëhet e besueshme vizatimi i tyre me atë zell të tepruar të së keqes. Dhe ky
vizatim jepet me tone të forta, me theksime e detaje që ngyrosen dramatikisht përmes
thyerjes së fatit të të pafajshmëve.
Duket
sikur rrëzimi i kryeministrit i ngjan një lisi të rrëzuar nga stuhia, që me të rënë
ka zënë përfundi shkurre, driza, kaçuba, filia të njomë. Ky lis duhet shkulur
megjithësej,duhet prerë, transportuar diku, asnjë gjurmë e tij të mos mbesë.Po
a mund të zhduken gjurmët?E pamundur. Figura e Mestanit, është figuara
interesante e njeriut të ndershëm e patriot, e njeriut me merita reale dhe që përfaqëson
luftëtarin trim e sypatrembur.Po atë që nuk mundën ta bëjnë armiqtë e tij e bëjnë
ata njerëz që Mestani u dha lirinë, dhe këtu qëndron paradoksi,çmenduria dhe
mungesa e arsyes.Një nga veçoritë e prozës romanore të Mystehak xhemalit është se
ai e shtron rrëfimin në detaje, në përshkrime me masë dhe dialogë interesantë dhe
të natyrshëm.
Përdorimi
i teknikës së retrospektivës krijon një plotësim dhe ndërlidhje kohore dhe u
jep një motivim më të besueshëm personazheve të romanit.Retrospektiva na sjell
gjithashtu mundësinë për t`i parë personazhet në disa plane ,siç edhe
personazhin e kryeministrit,ajo e veçon individin në çaste të caktuara
,gjithashtu e përsjell idenë e namit dhe të dhunës diktatoriale mbi këtë vend.Loja
me kohën i jep frymëmarrje tregimit të ngjarjeve dhe krijon paralelizma ose
vijimësi.Si e tillë, kjo mënyrë , teknikë krijon modernitet dhe mundësi për t`i
ristrukturuar ngjarjet brenda ideve të besueshme.Një nga veçoritë e një romani,
qoftë klasik apo modern është se duhet të ketë ngjarje dhe këto ngjarje duhet të
përmbajnë në vetvete tharmin e tyre, trillin dhe autori në këto raste duhet të mprehë
intuitën e vet artistike që t`i rrëfejë me masë, bukur dhe duke e ditur se çfarë
këto ngjarje duhet të presin ngjarje të tjera mbështetëse për t`u zgjeruar e bërë
e plotë tabloja e tyre.
Këtu ,në këtë
roman,siç shprehet shkrimtari Koço Kosta-kemi ngjarje dramatike që rrokullisen
si ndonjë film, me skena makabre.Dhe kjo është e vërtetë sa nganjëherë ndalesh
dhe mendon se si mund të ndodhë kështu.Po ja që ka ndodhur dhe një nga arritjet
e romanit është së rrëfimtaria e Mystehakut e krijon një efekt të tillë, arrin
ta trondisë lexuesin me fatet njerëzorë që përshkruan duke i çuar këto fate në teh
të thikës.Sepse fundi i një kryeministri është fillimi i fundit të një diktature,
fillimi i jnjë frike të llahtarshme për këtë fund, ashtu siç edhe realiteti e
tregoi.
Nëse
autori do na kishte treguar diçka vetëm për atë kohë ne vetëm do kënaqnim
kureshtjen tonë dhe romani do na kishte krijuar disa çaste relaksi,por vlera e
romanit është më përtej.Autor ka ditur të sintetizojë dhe krijojë pamjen e një diktature,
e cila është gjihnjë një rrezik real, sa herë që njerëzit i nënshtrohen psikozës
së njerëzve me pushtet në mënyrë të paarsyeshme, dhe sa herë njerëzit do jenë indiferentë
ndaj së keqes dhe nuk do bashkojnë mendjet e tyre.Nga kjo mungesë gjithnjë diktaturat
gjejnë të çara dhe spekullojnë, sepse çdo diktaturë ngrihet përmes spekullimit
dhe propagandës fiktive.Romani I Mystehak Xhemalit është një nga romanet e mirë
botuar kohët e fundit, bashkë me romanin “Murgu”,që trajton një temë tjetër
interesante…
Trajtimi
i temave kaq delikate dhe të vështira, të lehta në pamje të parë, jo vetëm që kërkon
një punë këmbëngulëse, por bart edhe rreziqe. Sepse duhet të dalësh nga
politika, për ta parë atë në një rrafsh të gjërë jetësor dhe filozofik, duke
kapur gjithnjë trysninë vrasëse të politikës mbi fate njerëzish për shkak të absurditetit
të saj, për shkak të politikëbërësve demonë, të cilët për hir të pushtetit dhe
egos së tyre janë gati të çojnë në satër këdo.Dhe vemë re se viktima të egërsisë
së tyre bëhen edhe ata vetë, gati si pakuptuar. Nuk është ndonjë ndëshkim hyjnor,
as ndonjë teprim i dhunës që kthehet në boomerang, po gjithësesi është një lojë
e çdo diktature dhe diktatori, që përdorimin e njeriut e çon deri aty, ku ai
nuk i duhet më, ose me zellin e vet e ka gërvishtur pak fasadën e saj të ngjyrosur
me pamje rozë. Edhe kjo ide