Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Përshpirtje otomaniste që marrin jetë jo vetëm për Halloween!
E premte, 01.11.2013, 10:18 PM
Përshpirtje
otomaniste që marrin jetë jo vetëm për Halloween!
Nga Elvi Sidheri
Mbrëmë pas
muzgut dhe darkës së errët (që si për koinçidencë, neve në gjuhën tonë të bukur
shqipe, i themi “darkë”...ashtu siç në anglisht “dark” domethënë pikërisht “errët)...bashkë
me fantazma të ndryshme të çdo lloji, njerëzish të vdekur e pakallur me hanxharë
majë kresë, me sy të varur e gojë të shqyer tërë pikla gjaku dhe mbetjesh trush
apo mishërash humanë, në këtë natë Halloween-i, ku bota kujton shpirtërat e “të
përtejshmes”, m’u duk si shpesh kohët e fundit, se një vello po mbulonte qiejt
shqiptarë.
Një fantazmë
e veçantë dhe unike në llojin e saj, kishte nisur tashmë prej vitesh (thonë se “mendimtari”
Davutogllu, andej nga 2001-shi pati hedhur idetë në kartë duke sajuar ashtu
edhe teorinë e re neo-otomaniste)...që të qarkullonte pandalur jo vetëm ditëve
shqiptare, por edhe gjatë natës së mistershme, pa bërë dallim midis agimit apo
muzgut, në funksion dhe punë papushim 24 orë në 24.
Fantazma
osmane, e personifikuar për të thënë të drejtën, deri para pak kohësh në mendjen
time, më tepër me pamjen e ndonjë sulltani çallmëmadh dhe harem-frekuentues, i
rrethuar përditë nga një shpurë grash dhe eunukësh, i shtrirë bythazi përmbi
shiltet komode të pallatit të Topkapisë (përveç Portës vërtetë të Lartë në hyrje
të tij dhe pamjes së pashoqe mbi Bosfor dhe Bririn e Artë, personalisht brendësia
e atij pallati pak përshtypje të vlerësueshme më ka lënë, me dritarëzat nga ku
sulltani i gjithëfuqishëm spiunonte gratë e veta të panumërta, apo me shfaqjen
për sytë kuriozë të turistëve, të veshjeve sulltanore, që prapa në kohë, i
tregojnë paturpësisht këta sundimtarë, si turko-mongolë të vërtetë, të shkurtër,
këmbështrembër dhe trupvegjël)...sesa nga fytyra e Davutogllut, nëpër troje
shqiptare, kjo fantazëm sidoqoftë nuk fanitet vetëm pas mesnate!
Davutogllu,
në trupin e të cilit, siç duken bathët, kanë depërtuar tejpërtej gjithë lugetërit
e osmanizmës ndër shekuj, duke ia pushtuar trutë e nënshtruar gjykimin e lirë dhe
duke e transportuar të ngratin nëpër shekuj të kaluar, ku “lavdia” osmane
ndihej fort në Stambollin sulltanor dhe kur këmba e jeniçerëve dhe bimbashëve
turq arrinte gjer pranë mureve të Vienës, kohë kur një Itali e tërë bërtiste “Mamma
li turchi” nën vizionin e ushtarëve osmanë dhe jataganëve të tyre të mprehtë, ai
pra është vënë në krye të kësaj teorie “fantazma”...-gorike, duke u vetëtransformuar
kështu, në një Princ të Errësirës, një Gjeneral Ushtrie të Vdekur siç do t’a
kishte titulluar mrekullisht i madhi Kadare!
Italianët
kanë një shprehje të bukur dhe tejet të përshtatshme në lidhje me këtë fenomen...që
thotë tekstualisht pra:”A volte ritornano”!-gjë që domethënë se “ndonjëherë kthehen”
disa specie të menduara dhe besuara të zhdukura, si kjo e ashtëquajtura neo-otomane
apo yeni-osmane a t’a quajmë si të duam.
Dikur, vite
më parë, ndërsa autori i këtyre rreshtave (unë)...vijonte me sukses relativ
shkollën atëherë ende 8 vjeçare, kujtoj se për hartim final të klasës së tetë (provimi
i letërsisë atëherë përbëhej nga prova në gjuhë shqipe dhe një hartim i tillë)...zgjodha
pikërisht një temë të tillë që kishte të bënte me “Ndonjëherë kthehen”.
Mbaj mend
që sado në moshë ende të mitur, kam pas shkruar për disa bunkerë që qenë “fundosur”
në dukje, diku në oborrin e ndonjë pallati në kryeqytetin tonë, në kopështet e
ndonjë shtëpie private të ndokujt, ashtu siç qëndronin “të fjetura” edhe
rifuxho të ndryshme antiajrore e budallëqe të tjera megallomane të regjimit të kaluar
enverist, nga ato që patën mbushur e bunkerizuar Shqipërinë ndërsa monizmi
ndihej në luftë imagjinare më botën e tërë, kapitaliste apo socialiste të ishte
ajo!
Këta
bunkerë mua atë kohë, nuk më dukeshin aq të paqtë sidoqoftë, po fare-fare të tillë
nuk i pandehja dhe gabim s’e kisha ndërkohë!
Kujtoj të kem përshkruar gjendjen e tyre, faktin që mbi betonin e bunkerëve, luanin fëmijët, si aty përplaseshin topat e futbollit apo edhe sesi brenda tyre, pasi qenë shqyer dyert e rënda prej hekuri, ndokush edhe gatuante ose shiste peshk e kështu me rradhë.
Por ajo që
më çukiste mua në tru atëherë, ishte që ata bunkerë, përveçse memorie e dukshme
e çmendurisë së regjimit diktatorial të kaluar, qenë edhe një pamje që të jepnin
të kuptoje, se ajo e kaluar, nuk qe larguar njëherë e mirë dhe rrezikonte që sërish
ndonjëherë të kthehej.
Sipas përshtypjes
sime të kohës, bunkerët dhe pesha e rëndë e sistemit që ata ngërthenin si
simbol opresiv në vetvete, nuk i pengonte asgjë konkrete, që të nxirrnin kryet
jashtë barishteve që i patën mbuluar gjatë viteve, të linin prapa oborret ku
qenë fundosur në llucë dhe harresë, e figurativisht, të ktheheshin edhe njëherë
mes nesh, bashkë me tërë ato gjëra që një fakt i tillë do të nënkuptonte
eventualisht për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare.
Konflikti
dhe lajthitja kolektive e 97-ës, më treguan sadoqë ende jo në moshë të konsiderueshme
edhe me ligj, si i rritur, se përshtypja ime, e kanalizuar dhe fokusuar tek
elementi “bunker” si reminishencë i një të shkuare të egër dhe vrasëse, që ende
mund të lëshonte hijen e saj të errët përmbi vendin tim, kishte qenë gjithësesi
e drejtë dhe mesa dukej, kisha goditur në shenjë.
Në fakt, zysha
ime e kohës në gjuhë-lexim, zonja Tefta, një mësuese e nderuar dhe me stazh të gjatë
pune tepër të respektuar tek shkolla ime traditë-gjatë në qendër të Tiranës, na
pati qëlluar të ishte edhe cazë si e majtë për nga bindjet politike.
Kështu që
falë edhe “titullit”...”Djali i Beut” që më kishte ngjitur ajo gjatë kohës kur
më pati dhënë mësim (s’thoshte dot “bir kulaku” a ndonjë gjë të ngjashme, se
qemë për fat në demokraci, por edhe se unë do të qeshë ndjerë tejet krenar për
ndonjë emërtim të tillë dhe ashtu qëllimi i saj s’do arrihej dot)...kuptova më pas
edhe arsyen përse hartimi im, që u përshëndet me ovacione nga “trupa” pedagogjike
që do vlerësonte përmbajtjen e tij, në të vërtetë, mori një notë inferiore nga “10”-a
që aty prisja me të drejtë dhe bindje (gjë që s’e kam pretenduar kurrë në matematikë,
fizikë e lëndë të tilla).
Të shkuara
sido që të jetë!
Zyshë Teftën
e kam harruar dhe kujtimi i saj, më kthehet në mendje, vetëm në tilla raste kur
evokoj atë kohë dhe mënyrën sesi unë “parapashë” (se parashikova nuk them dot)...sipas
syve dhe botëkuptimit tim ende adoleshent, ato zhvillime dramatike që Shqipëria
dhe banorët e saj, bashkë me mua, përjetuan në “vitin e çmendur”.
Nuk dua të
bëj asnjëherë krahasime, mes situatave të ndryshme, që në aparencë nuk kanë kurrëfarë
lidhje me njëra-tjetrën.
Bunkerët
dhe memoria kriminale dhe shkatërrimtare e regjimit monist, është diçka më vete
nga kujtesa e bëmave turke-osmane në tokat shqiptare.
Ç’kanë bërë
turqit është diçka që nuk lidhet me atë që i ka shkaktuar vendit tim Partia dhe
Kumandari për të cilin ende ndokënd se ç’e pret malli!
Por fakti
që vetë dora e Davutogllut na ka shkruar e zezë mbi të bardhë se:”Çdo element
tradicional islam i asgjësuar në kuptimin kulturor janë një gur themeli i
shkulur prej ndikueshmërisë përtej kufitare të Turqisë në këtë zonë.Tashmë Turqia
është e detyruar të prodhojë politika të mesme alternative.Është e pashmangshme
që në themel të këtyre politikave të mesme, të zerë vend mbajtja gjallë e
kulturës osmane-islame në Ballkan.Përpjekjet të dy elementeve themelorë të mbetjes
osmane në Ballkan, boshnjakëve dhe shqiptarëve...e bën të domosdoshme mbështetjen
e themelit të lidhjes historike-kulturore të përbashkët në mes të këtyre dy
aleatëve të natyrshëm dhe Turqisë”...të vë në mendime.
Së pari
njëherë, ky njeri mendje-currufjepsur nga kujtimet e një lavdie të rënë nga
fiku prej një shekulli, asaj osmane, mendon dhe gjykon se feja islame në territore
shqiptare ose boshnjake, buron dhe determinohet nga osmanët e sot turqit dhe jo
nga libri i saj i shenjtë (Kurani) ose edhe nga profeti të cilit myslimanët
mbarë bote i besojnë (Muhameti).
Unë vetë,
nuk mendoj fare se Jezusi apo Bibla, janë të të njëjtit nivel, me gjuhën greke
ose latine, që janë përdorur për shkrimin e fjalëve të shenjta pas aramaikishtes
së origjinës.
Më tej, bëhet
mëse e qartë edhe arsyeja e reagimit të ashpër, të shumëkujt kur kritikohen qëndrimet
dhe deklaratat injorante dhe dashakeqëse, si ajo e Erdoganit në Prizren.
Ka shumë njerëz
ndër shqiptarë, që turkun e barazojnë katërcipërisht me fenë myslimane dhe kjo
s’është aspak diçka normale.
Të mos
ndash të njëjtin qëndrim apo edhe të kesh ndonjë objeksion të drejtë ose të thuash
të vërtetën e zhveshur, lidhur me ato të këqija që ka lënë pas Perandoria
Osmane në trojet tona, nuk do të thotë së pari të kesh ndonjë gjë me vetë popullin
turk, aq më pak me lidhjet normale që pas shumë shekujsh (të cilat tejkalojnë ushqimet
e përbashkëta, serialet turke, fjalët e mbetura nga turqishtja në gjuhën tonë dhe
vijojnë të jenë të pranishme tek shumë tradita dhe sjellje të ngjashme)...janë vendosur
midis popujve tanë.
Edhe më pak,
kjo do të thotë të kesh gjë me fenë e turqve dhe atë të shumë bashkëkombasve
tanë të nderuar.
Por siç unë
nuk fyhem fare kur dikush shan apo kritikon qëndrimet apo sjelljet dhe të kaluarën
shpesh shoviniste të shtetit grek ndaj shqiptarëve, sadoqë me fe kam zgjedhur
dhe më është trashëguar nga familja të jem ortodoks, ashtu edhe një katolik nuk
e vë ujin në zjarr së tepërmi, po tha dikush gjë për italianët e kështu do të nevojitej
të ndodhte edhe kur flitet ndonjë gjë lidhur me turqit.
Pastaj
kur siç sipërcitova, se Davutogllu, qartësisht flet dhe dirigjon politikën neo-otomane,
me qëllim dhe objektiv të dukshëm, që të mbahet gjallë “kultura osmane” në Ballkan,
ai është normalisht në të drejtën e tij, teksa dëshiron të tilla gjëra, por për
ne si shqiptarë, kjo do të nevojitej të tingëllonte si një këmbanë alarmi.
Pse ç’qenkemi
ne, kulturë osmane kështu?
Kërpudha
që paskan mbirë pas shiut 5 shekullor osman, qënie që nuk paskan ekzistuar para
ardhjes së dhunshme dhe totalisht të paftuar të turqve në këto anë qenkemi ne gjë?
Davutogllu,
në vizionin e tij osmanist, na shikon dhe ëndërron të na përdori, për arritjen
e qëllimeve ekspansioniste turke dhe aq, asgjë më tepër!
Në përfytyrimin
e tij, shqiptarët, po edhe boshnjakët, nuk janë asgjë përveçse, mbetje osmane në
Ballkan dhe këtë gjë e ka shkruar hapur fare.
Pra s’bëhet
këtu fare fjalë, që të themi, të na kishte konsideruar të paktën si popuj më vete,
me historinë dhe traditat e tyre eventualisht edhe të lashta, të cilët për
shkaqe të ndryshme, të quheshin edhe si aleatë nga turqit.
Për të jemi
thjesht “mbetje osmane”, gjurmë të lëna prapa nga osmanët njëherë e një kohë, të
gatshme për t’u shkelur sërish nga turqit e sotëm, me oreks të zgjeruar
osmanist dhe për t’u përdorur për përfitimet e shtetit turko-erdoganist.
Fjalët e
bukura janë tjetërgjë, e vërtetë është kjo dhe Davutogllu ka menduar ekzaktësisht
ato që ka shkruar.
Unë “mbetje
osmane” nuk ndihem për vete, as fosil turk, as ndonjë gjë e përngjashme me këto!
Davutogllu
dhe shefi i tij hijerëndë, po të duan miqësi reciproke, pa prapamotive dhe
tendenca nënçmuese e shfrytëzuese, do t’a gjejnë atë tek unë dhe besoj edhe
shumë shqiptarë.
Ndryshe, edhe
këto lajthitjet e fundit neo-otomane, do t’i vështroj dhe quaj...”Përshpirtje të
rradhës (për Halloween)...të lugetërve osmanë”!
Lugetër e
gogolë, fantazi janë e mbeten, ashtu si edhe këto ëndërrat otomane.