Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Import plehërash Jo, po vendit gjithë plehëra si t’ia bëjmë ndërkohë?
E premte, 27.09.2013, 06:00 PM
Import plehërash JO, po vendit gjithë plehëra si t’ia bëjmë ndërkohë?
Nga Elvi Sidheri
Një nga tre
vendimet e qeverisë së re, përveç punës së koklavitur dhe tejet të cekët me
çështjen “madhore”...”t’a vëmë apo t’a heqim presidentin” nëpër zyra shteti,
lidhej pra edhe me çështjen vërtetë të ndjeshme të importit të plehërave.
Ideja bazë e
këtij diskutimi duket të jetë gjithësesi, mosdëshira e shumëkujt,
ambientalistë, qeveritarë rioshë në pushtetin e sapozënë dhe qytetarë të
thjeshtë, për të importuar brenda kufinjve tanë, sasi të mëdha tonelatash me
mbetje, ose siç i quan populli, PLEHËRA!
Kush mund t’a
kundërshtojë një iniciativë të tillë vallë?
Askush besoj dhe
kjo nuk do shumë mend që të pohohet.
Neve sigurisht
që nuk jemi për shembull sa për t’u thënë...Danimarka që siç kam dëgjuar dhe
parë, importon me shumicë plehëra nga tërë Europa...edhe të Italisë dhe mjaft
qyteteve jugore të saj si Napoli i mrekullueshëm, i bukur, historik, mëmëdheu i
picës, mandolinës, ”O sole mio-s”, makaronave dhe Enriko Karuzos, por edhe një
qytet i ndotur gjer në palcë për shkak të një mbledhje dhe mosriciklimi e mosgroposje
të rregullt të mbetjeve urbane të një qyteti rreth dymilonësh.
Puna e plehërave
napoletane lidhet me korrupsionin tipik italian (se mos jemi edhe ne të vetmit
aman, se si shumë kemi cazë qejf t’a shajmë vetveten me një mazokizëm ekstrem
shpesh)...me infiltrimin e thellë të Camorra-s nëpër tërë labirintet e
institucioneve lokale në zonën e Kampanias (krahina italiane me
“capoluogo”...kryeqëndër Napolin)...dhe me marrjen në dorë nga
“malavita”...kriminaliteti lokal napolitan, i gjithë proçesit të mbledhjes dhe
groposjes së mbeturinave urbane të atij rajoni.
Aq keq dhe larg
kanë vajtur gjërat atje, sa edhe gropat apo “Landfill-ët” ku supozohet të venë
plehërat e Napolit, i përcakton dhe menaxhon Camorra, organizatë që nxjerr
miliarda me këtë biznes të veçantë dhe tejet fitimprurës (plehëra ka dhe do
ketë gjithmonë, aq kohë sa ky planet i bukur, do të banohet dhe dominohet nga
rraca jonë njerëzore, se mbetjet organike të kafshëve, siç e dimë shërbejnë si
ushqim për tokën, në ndryshim nga qeset, hekurishtet apo deri tek ndotjet
bërthamore që lë pas kur nuk i nevojiten më specia jonë).
Situata e
mësipërme napoletane nuk është gjë e re dhe në Itali ka vite që flitet dhe nuk
zgjidhet gjë në këtë drejtim!
Duke u kthyer në
vendin tonë ndërkohë, këto ditë po thuhet ndoshta me të drejtë, se janë mjaft
firma ose ndërmarrje (me shumë të punësuar në një kohë krize si kjo që po
kalojmë)...të cilat po ngrenë zërin se me një ndalim të tillë të importit të
plehërave, puna e tyre praktikisht është shuar njëherë e mirë.
Kontekst që do
pasur sigurisht parasysh edhe ky.
Por mes dy të
këqijave, zgjedhim më të voglën zakonisht dhe kur peshohen dy versionet, në
shikim të parë të paktën, i bie mjaft më e pranueshme që të mos marrim edhe
plehërat e botës (se kemi mjaftueshëm të tonat) dhe t’a bëjmë këtë edhe duke
rrezikuar mbarëvajtjen e një lloj industrie riciklimi që ekziston në vendin
tonë.
Hipotezat në
rast të vazhdimit apo edhe kanalizimit në ndonjë drejtim të veçantë të importit
dhe përpunimit apo riciklimit të plehërave të huaja në vendin tonë, do të ishin
realisht të shumta.
Dhe duke e
njohur Shqipërinë, pikëpyetjet që lindin në të tilla raste, nuk janë fare të
pakta!
Kush na siguron
dhe do të na garantonte për një mirëpërdorje, pikërisht për atë qëllim (ligjor
dhe të parrezikshëm për mjedisin e vuajtur dhe të dëmtuar thellësisht
shqiptar)...që do të importoheshin, të këtyre plehërave të huaja?
Ku e dimë dhe
ç’garanci kemi (garanci prej vërteti, se me llogje në ajër dhe ligje që
s’zbatohen nga askush, na ka ardhur jo në majë të hundës, po deri mbi vetulla
rrezik)...që këto mbetje nuk do i plaste dikush nëpër lumenj, gropa të
pambyllura mirë e ku di unë më tepër?
Se të bëjmë
sikur nuk e dimë si funksionojnë gjërat në vendin tonë, do të thotë të fshihemi
pas gishtit dhe një gjë e tillë nuk tingëllon aspak normale.
Pra ky ligj ka
“pro dhe kundër” të tij si çdo vendim tjetër madhor dhe me efekte të forta, që
merr një qeveri, aq më tepër një qeveri dhe mazhorancë e re në hapat e para të
pushtetit, si kjo që kemi ne.
Mendoj se i takon
specialistëve që t’a diskutojnë një vendim të tillë dhe shkaqet apo të mirat e
të këqijat eventuale që sollën deri këtu e që më pas burojnë nga kjo
vendim-marrje e qeverisë.
Ndjeshmëria
publike më duket se është e mirë dhe mbështetëse lidhur me këtë vendim
ndërkohë.
Plehërat (aq më
tepër ato të botës)...nuk i preferon e as honeps askush!
Po me të tonat
si i bëhet?
Se mirë që të
huajat nuk i duam, lidhur me importin e tyre protestojmë, marrim iniciativa, na
organizohet shoqëria civile etj, po këto të tonat se na janë bërë male anë e
kënd dhe për pak do na mbysin fare?
Se të vjen habi
e madhe që i njëjti popull dhe e njëjta shoqëri civile që kundërshton me mjaft
të drejtë importimin e plehërave të botës, ndërkohë është mësuar të
bashkëjetojë në një “harmoni” të vyer, jo vetëm me religjionet e ndryshme që
përbëjnë thesarin e kombit tonë, me mendimet divergjente politike të
shqiptarëve, me ndonjë diferencë rajonale, por edhe mbi të gjitha...me
plehërizimin masiv të gjithë ambientit të shtetit shqiptar!
Jo rrallë edhe
ballkonet e ndokujt në kat të dytë, janë arritur nga kodrat me plehëra të
qelbura dhe të kalbura nga mosmbledhja, por ky nuk përbën problem akut për
ndokënd (përveç pikërisht banorëve të katit dhe ballkoneve në fjalë e padyshim
kolegëve të tyre në kat të parë që tashmë do jenë mësuar me kalimin si në tunel
mes mbeturinave, me erën e kërrmëzuar dhe me mizat e insektet që me plehërat
zakonisht për arsye të kuptueshme “bëjnë dasëm”).
Puna është se
ndërkohë, ata që banojnë dhe kanë fatin t’a kenë shtëpinë një kat më lart sesa
pika maksimale ku arrin pirgu erëqelbur i plehërave (pra që si struci me kokën
ngulur në rërë, e ndjejnë të pasmen të qetë dhe larg rrezikut), nuk e çajnë as
edhe më lehtësisht kokën (dhe jo vetëm atë)...për katastrofën mjedisore në mes
të së cilës jetojnë ata vetë dhe ku po ashtu po u rriten fëmijët e tyre!
E kur diçka e
tillë, një ndotje e përmasave gjiganteske ndodh ditën për diell dhe natën për
hënë, në qytete, aty ku supozohet të lulëzojë kultura dhe sjellja e quajtur jo
rastësisht “qytetare” (term alien ky shumë shpesh dhe tejet i pamerituar po të
gjykohet nga sjelljet dhe përgjegjshmëria sikur edhe vetëm mjedisore e
shqiptarëve me banim në qytet), atëherë çfarë presim të shohim tjetërkund?
Në qytete, në
Tiranë, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Kukës, ka kosha nëpër cepa
rrugësh e lagje, ka edhe landfille ose thjesht fusha plehërash ku pasi mblidhen
nga ndërmarrjet bashkiake të pastrimit, plehërat dhe ndotjet e shumta urbane,
hidhen në fushë të hapur (për gëzimin e shumë të varfërve jo vetëm romë të
ngratë, që ashtu gjejnë mundësinë e vetme për të mbushur sadopak dhe modestisht
barkun, mbledhur kanoçe apo qelq e fituar ndonjë lek, me mbeturinat e flakura tej
nga bashkëqytetarët e tyre që për fat e kanë barkun të mbushur dhe që kanë
“luksin” që ndonjë gjë t’a hedhin)...ose groposen direkt.
Po në fshatra që
as kosha përgjithësisht nuk ka?
Atje i flakim
anës rrugës se çfarë do bëjmë tjetër!
Aty ndënë rrugës
nacionale ose katundare, plehërat bëhen si fillim kapicë, qelbin ajrin aq shumë
sa edhe lopa e jo më njerëzit sëmuren seriozisht, ndotin deri në thellësi tokën
dhe burimet ujore, kanale ujitëse e përrenj dhe krijojnë kështu mijëra
katastrofa të vockëla “në dukje” mjedisore, që e kanë bërë Shqipërinë tonë një
konglomerat pikash të kuqe në hartë, nga ato që duan të thonë se kudo kanë
plasur e shpërthyer alarme të panumrueshme që natyrën dikur të virgjër
shqiptare (tashmë të dhunuar shtazërisht), po e rrënojnë dita-ditës më tepër.
Të mos harrojmë
se normalisht, në ato toka fshatare, banorët për t’u ushqyer vetë apo për të
dalë sa për të shitur ndonjë gjë poshtë në qytet, mbjellin edhe frutat, perimet
e nganjëherë edhe drithin që pastaj të gjithë ne, do i përdorim si ushqim.
Ushqim që ka
përthithur gjatë rritjes nga “farë” e gjer në frut, perime apo grurë e misër,
tërë pasojat e plehërave që kanë pushtuar anembanë tokat tona dhe që sigurisht
janë ujitur me ujin e ndotur prej së njëjtës arsye tashmë tejet të njohur fatkeqësisht!
Nuk nevojitet
fare që njeriu të jetë ndonjë specialist mjedisi kushedi se çfarë, që të
kuptohet se dëmi që ne vetë, banorët e këtij vendi, po i bëjmë “qëllimisht”
ambientit dhe natyrës, pyjeve, lumenjve apo bregdetit shqiptar, është i
parekuperueshëm, i turpshëm dhe kriminal!
Nuk erdhën as
serbët, turqit apo grekët, meqë këta i kemi armiqtë parësorë në imagjinatën
tonë kolektive, që të na hanë bregdetin, që të na ndërtojnë idiotësi
megallomane pesë hapa nga bregu, që të presin gjithë kurorën me pemë të plazhit
të vjetër të Durrësit dhe të natyrës së gjelbër të Golemit.
Në vitet 80-të,
mbaj mend që për t’u nisur për tek deti, nga dhomat me qera që ndodheshin pas
shinave të trenit dhe matanë një kanali me ujë të ndenjur, tërhiqnim ombrellat
e plazhit dhe këmbët tona, nëpër rërën e pafund dhe brezin me pemë, midis
hijes, ajrit të pastër dhe këngëve të zogjve përzjerë me zhurma gjinkallash që
dukej sikur nuk mbaronin kurrë, kurse sot se ç’bëhet në plazhin e Durrësit dhe
ish brezin e tij të pemëve dhe rërës (iu ndrittë shpiriti në parajsë, se janë
bërë për t’u quajtur “të ndjerë”)...e dimë të gjithë.
Po ashtu nuk ka
qenë asnjë armik shekullor i jashtëm apo katastrofë natyrore (se neve që i
bëjmë dëm me papërgjegjshmëri gati vdekjeprurëse vetes, na mbron Zoti dhe nuk
na dënon me ndonjë mënxyrë të tillë)...që ka gërryer një për një çdo lumë në
vendin tonë, nuk kanë qenë të huajt që kanë prerë tërë masivin drusor të ish
zonës së mrekullueshme të Liqeneve të Lurës dhe nuk po na e zhdukin të huajt,
por ne vetë “Koranin” e shijshëm dhe unik të liqenit në Pogradec (se në anën
tjetër, 11 muaj në vit sllavët nuk i lejon kush t’a gjuajnë me asnjë mënyrë dhe
në asnjë rrethanë “Pastërmkën” siç i thonë ata koranit).
As andej nga
aeroporti ynë i vetëm ndërkombëtar i Rinasit (i vogël, por modern dhe
dinjitoz)...të huajt (se ne jemi mësuar, prandaj s’ka asgjë, sado e shpifur të
jetë, që të na vrasi sytë).., nuk kanë as kohën e duhur që të krijojnë
përshtypjen e parë për atdheun tonë të dashur, të vlerësojnë bustin e Nënë
Terezës, kësaj gruaje dhe figure që na zbardh faqen botërisht me jetën dhe
veprën e saj, sepse sapo të nisin rrugën gjarpëruese drejt autostradës
Tiranë-Durrës, përveçse do kalojnë mes një gjelbërimi të respektueshëm, do të
vënë re domosdo, në skarpatet e çdo përroi të zonës, vargmale plehërash, grupe
qensh rrugaçë që enden mes tyre në kërkim kockash dhe një ndotje që nuk kursen
asnjë cep!
Pra...import
plehërash jo, por edhe një ndërgjegjësim të brendshëm anti-plehrë, PO!