Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Nishani vs Ismail Bej Vlora, një duel në diell
E shtune, 21.09.2013, 09:00 PM
Nishani vs Ismail Bej Vlora, një duel në diell (se i ka rënë dielli në kokë kujt e propozoi)!
Nga Elvi Sidheri
Jemi në ditët e para të qeverisë dhe qeverisjes së re dhe
shumëçka për të folur apo komentuar s’është se ka.
Ndaj edhë gjëja apo evenimenti më kuptimplotë (zbrazur) që më
zuri veshi dhe më panë sytë (politikisht) këto ditë, ishte zëvendësimi sa hap e
mbyll sytë, me një shpejtësi rrufe, i fotos presidenciale, me atë të
kryeministrit të parë të shtetit modern të pavarur shqiptar.
Ismail Bej Vlora (Qemali) s’do shumë mend që të cilësohet
pikërisht ashtu siç kjo figurë tejet madhore e historisë sonë e meriton, pra si
një nga etërit themelues të pamohueshëm të Shqipërisë së pavarur.
E dimë dhe na e kanë thënë historianët, burimet e asaj
periudhe, dëshmitarët dhe librat e shkollës, që plaku i urtë dhe i mençur i
Vlorës, la pas ofiqet dhe mundësitë e panumërta në kryeqytetin perandorak buzë
Bosforit dhe e mbajti vrapin e pandalur drejt një të ardhme aq të shpresuar dhe
pritur për plot 4 shekuj e gjysëm, sa edhe utopike dhe jashtëzakonisht të
vështirë për t’u imagjinuar dhe aq më tepër realizuar, siç ishte pra bërja nga
e para e Shqipërisë tonë të “mosvarme”!
Iu deshën peripeci nga më të ndryshmet, pengesa, tradhëti e
shumë mund, por në fund ia doli ky njeri i madh që pavarësinë e shtetit dhe
popullit të tij, t’a shpallte pikërisht aty ku ai vetë ndihej më i sigurtë, në
Vlorën e tij të origjinës, portit të bukur strategjik të cilin vendasit ende e
quajnë me modesti të pakët “Vlorë e bukur në gropë, skelë e parë në Europë”!
Të jetë realisht apo jo qyteti i lashtë i Vlorës,
vendndodhja e takimit të pareshtur vëllazëror mes dy detrave të qetë apo
valëzuar (Jon e Adriatik)...skelë aq me rëndësi sa ç’vlonjatët dëshirojnë t’a
përshkruajnë, kjo pak peshë shton në një temë të tillë.
Fakti është që Vlora ngriti flamurin, aty u vulos pavarësia
shqiptare pas gati pesë shekujsh, atje u morën për leckash dhe u vërvitën pa
hezitim italianët pushtues në det në 1920-ën pas gunave mbi tela ndërsa topi ia
bënte “bam” e Muçua shkonte tutje dhe sot e kësaj dite biri i Kaninës përmbi
Vlorë, mbetet babai i mëvetësisë shqiptare.
Pra çfarë po rrekem të them më këtë introduksion?
Po i jap edhe unë si miliona shqiptarë të tjerë...”Çezarit
atë që është e Çezarit”, asgjë më tepër apo më pak se kaq.
Çezarët ndërkohë, për një popull tejet të lashtë dhe me
rrënjë shumë të thella, por po aq edhe cazë të vogël numerikisht si ky i yni,
të tilla figura përbashkuese aq sa edhe madhështore dhe të pacënueshme nga
kushdo, janë të pakët dhe padyshim Ismail Bej Vlora është njëri prej tyre.
Domethënë e gjithë kjo, se fotoja apo piktura e këtij burri
shteti, të parit kryeministër të Shqipërisë së pavarur, e nderon së tepërmi jo
vetëm sallën e qeverisë, hapësirën murale përmbi kokën e kryeministrit aktual
(këtij të riut), apo edhe sfondin prapa çdo kryeministri shqiptar të ardhshëm
si dhe muret, këndet apo cepat e secilës ministri dhe institucioni në Shqipëri
sot dhe kurdoherë.
Të kundërshtosh si figurë Ismail Bej Vlorën është baraz me
ndonjë vepër si për shembull që t’i qëllosh me batare automatiku asgjëje më pak
sesa vetë Kryqit të Kuq!
“E ho detto tutto”...pra...“Dhe e thashë të gjithën tani”
siç kanë zakon të thonë italianët kur mbyllin një shtjellim me rëndësi të
veçantë pasi kanë vënë disa pika kardinale përmbi “I”.
Ndërkohë nuk do ndonjë intelekt të lartë për të kuptuar se
heqja e fotos së zotit president, është kryer si një gjest i mirëfilltë
simbolik nga partia më e madhe në mazhorancën e re ende foshnje sa i përket
ditëve të saj efektive në pushtet.
Pse e kanë hequr?
Punë e tyre!
Ndoshta nuk u pëlqen shumë si tip, do pranuar se nga
z.Berisha në ditë më të herëta të tij, tek z.Meidani, duke harruar për arsye
objektive z.Moisiu dhe duke ridalë tek z.Topi, ndoshta për nga paraqitja fizike
presidentët e tjerë kanë qenë më të preferueshëm.
Por ndërkohë po ashtu e dimë mirë se posti presidencial nuk
fitohet pas pjesëmarrjes në ndonjë konkurs “Miss ose Mister-ësh”, ndaj edhe
sikur presidenti ynë të mos shquhet për ndonjë super pamje të jashtme apo trup
“body builder-i”, ai meqë demokratikisht me nja 73 vota e kanë zgjedhur
përfaqësuesit tanë legjitimë në parlament, atëherë në rregull është aty ku vetë
e çuam të ushtrojë funksionet tij kushtetuese.
Dhe këto funksione kushtetuese që do zgjasin gjithmonë
“ligjërisht” edhe për katër vjet (sa edhe mandati demokratik i qeverisë së re,
domethënë njëlloj gjer më 2017-ën)...parashikojnë kushtetueshmërisht që ky
president të na jetë edhe figura përbashkuese sipas frymës pikërisht të kësaj
kushtetute që për mirë apo për keq kemi në funksion prej vitet 1998!
Figurë pra që si post dhe funksion më i lartë institucional
shtetëror, prej ardhjes së demokracisë në vendin tonë, përveçse ka kryer më
tepër formalisht detyrën e Komandantit të Forcave të Armatosura, ka pasur në
dorë sistemin e drejtësisë, drejtues prokurorie dhe shërbimesh inteligjente, ka
shpërndarë anë e kënd dekorata pa limit, na ka përfaqësuar në Asamblera OKB-je
etj, sidoqoftë po ashtu dhe mbi të gjitha, me pamjen e vetë të personifikuar
qoftë nga Berisha, Meidani, Moisiu, Topi apo Nishani, na ka “ndrirë” muret e
zyrave shtetërore nëpër institucionet tona dhe me pamjen e presidentit tonë të
rradhës, të ketë qenë ai doktor, fizikan i respektuar, pensionist i rithirrur
nën armë (pasi ushtrinë dhe bunkerët i kishte bërë njëherë), apo politikan dhe
tanimë ish ushtarak e ministër rendi, ne të gjithë jemi takuar ndonjëherë kur
fati na ka shpënë në ndonjë zyrë shtetërore.
Tani e tutje duket se nderin e veçantë që të na presë aty
brenda kornizës së vet, i pikturuar nga kushedi se kush, me sytë e gjallë dhe
të menduar për fatet e atdheut dhe mjekrën e bardhë, do t’a ketë vetëm Ismail
Bej Vlora dhe askush tjetër më!
Z.Nishani presidenti ynë i tanishëm, se të kam edhe ish të
partisë që i mbaj anën vetë, keq më vjen, po sot e tutje mjaftohu me godinën e
presidencës aty në majë të bulevardit Dëshmorët e Kombit, bulevard që na e
ndërtuan italianët me ftesë të atij “satrapit” siç ende ua ka ënda t’a quajnë
të majtët Zogun mbret, kryeministër dhe president të këtij vendi nja 70-80 vjet
më parë, godinë që mos gabohem ka shërbyer edhe ajo si ambasadë e rusëve para
se partia dhe “kumandari që na mori malli”, të prisheshin edhe me ta për të
vazhduar në “barngrënien me forcat tona”!
O i dashuri president, hë se të nxorrën nga do zyra, por
pallatin që s’merret vesh a është akoma “i Brigadave” që e pushtuan në 45-ën
ndërsa xhaxhi Enveri bënte xhiro triumfaliste nëpër Tiranën e çliruar ku natë
për natë këta “çlirimtarët” patën shkuar në plumba tërë parinë e kryeqytetit
vetëm se nuk ishin të krahut të tyre politik, a është Pallat Mbretëror apo
thjesht, normalisht Presidencial, atë gjithësesi e ke të tëndin për katër
vjetët që vijnë dhe s’ta lëviz dot kush!
Fundja njerëz me shije të hollë estetike, ndoshta edhe me të
drejtë tek presidenti ynë aktual, mund të kenë vënë re gjëra që nuk shkojnë,
mustaqe të themi.
Z.Berisha që para 21 vjetësh në 1992-shin, shquhej për zërin
e tij të lartë dhe frazat e zgjatura apo momentet “Ala Çelentano” kur kalonte
sekondat apo minutat pa thënë gjë, ndërsa kjo vlente dhe dukej sikur të kishte
bërë apo menduar kushedi se çfarë!
Z.Meidani, njeri i qetë dhe i zgjuar, figurë normale në vite
anormale si ato pas përgjakjes së 97-ës, sido që të jetë, se ç’kishte dhe ai
një si zë hundor, që ndokujt edhe nuk i pati shkuar shumë përshtat.
Z.Moisiu pastaj...jo ia patën marrë në qafë pensionin e
qetë, jo kishte supervizionuar personalisht shumë bunkerë e gërr-vërr pesë vjet
nuk pushuan kritikët.
Z.Topi njëherë na ishte shumë i PD-së, njëherë më pranë
PS-së e njëherë tepër tirons (mbaj mend vetë në Nartë të Vlorës që një plak
peshkatar ngjalash të dhjamura i asaj zone të mrekullueshme lagunore, pas një
fjalimi të z.Bamirit në TV, ishte kohë fushate elektorale për 3 korrikun
2005...pasi i dëgjoi të tëra ato që z.Topi tha, m’u kthye mua si “njeriu ynë
nga Tirana” që njihte dhe më pyeti direkt “Po ki lumëmadhi çfarë tha, nuku mora
vesh gjë fare u”).
Domethënë që si në një vend mjaft divergjent për gjithçka më
tepër se shumëçka siç është Shqipëria jonë e dashur, normalisht edhe për
presidentët, figura të supozuara si unitare për tërë popullin tonë përveçse
“trim dhe liridashës”...gjithashtu edhe kokëfortë, rajonalist, të majtë, të
djathtë, anarkist, komunist, socialist, demokrat, të djathtë, ballist apo
legalist, edhe për ata pra do të ketë mjaft pikëpyetje dhe përplasje apo
mospërputhje idesh dhe mbështetje ndaj tyre.
Atëherë ja t’i biem shkurt sepse doemos që kemi gjëra më të
rëndësishme se kaq për të bërë...dhe “hop si top” e presidentin e “qisim për
zhelesh” siç na mëson akoma ish kryetarja e bukur, e vendosur, e hekurt dhe
shkodrane qytetare e borgjeze e ish parlamentit të kaluar...e nxjerrim pra pa
na lëvizur as më i imti i qerpikëve “fishek” nga kornizat e fotove të tij dhe
bashkë me to e “përjashtojmë” për arsye madhore, nga çdo zyrë e institucioneve
tona shtetërore!
Kështu një rrugë e shumë punë, edhe kontestime të mëtejshme
rreth figurës “njerëzore” si dhe ish partiake (se përveç z.Moisiut, gjithë
presidentët e tjera “hua” me kamatë, nga partitë politike janë marrë
përherë)...të presidentit që kemi tani apo atyre që do e pasojnë, nuk do kemi
më.
Në sallë qeverie dhe zyra të mëtejshme, mbajmë fort plakun e
Vlorës dhe u mbyll kjo çështje që në fillim!
Ndërkohë meqë në demokraci jemi, një Gjykatë Kushtetuese
edhe ekziston, kush ka dëshirë e çon aty ndonjë ankimim të shëndetshëm lidhur
me një vendim të tillë, e më pas “shohim e bëjmë” apo për të t’a thënë në
mënyrë shqiptare...”bëjmë e shohim” (si në këtë rast kur vendimi u mor shpejt
dhe u zbatua edhe më shpejt, megjithëse ishte paralajmëruar si i tillë qysh në
fushatën zgjedhore, duke pritur dhe parë se çfarë do bëjë pala tjetër, qoftë
ajo presidenciale, apo ajo që është akoma “fresh” në opozitë)!
Për t’i rënë shkurt sepse kjo punë edhe t’i biesh tepër
gjatë nuk e meriton, mua vetë Ismail Bej Vlora apo siç e njohim Qemali, më
nderon dhe më ngjall në mendje vetëm imazhe të mira, respekt dhe vlerësim të
pakufijshëm për emrin dhe veprën e tij të pashlyeshme në historinë e vendit dhe
popullit tim.
Po ashtu, siç i kam respektuar tërë presidentët tanë për
shkak të postit të tyre dhe asaj çfarë funksioni i tyre madhor përfaqëson për
mua si shtetas dhe qytetar i vendit tim (edhe kur krahu i tyre i origjinës
politike nuk më ka pëlqyer fare), ashtu respektoj edhe presidentin e
Shqipërisë, të jetë fotoja e tij e varur nëpër zyra qeveritare ose shtetërore
apo jo, pak rëndësi ka kjo gjë!
Duel totalisht pa asnjë kokërr të vetme sensi, shkaku apo
nevoje reale ky!