Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Përse e vdiqën Sofie Qëndron?
E merkure, 09.10.2013, 09:22 PM
Përse e vdiqën Sofie Qëndron?
Nga Elvi Sidheri
Ndoshta po ose
do të shkruaj me nerva, por njëherë të paktën edhe më lejohet o njerëz.
Si është puna, përse
më djeg miza (gjithmonë sipas shprehjeve të të nderuarit dhe tejet respektuarit
popull), apo për çfarë arsye më kanë kërcyer rëndshëm kacabujtë?
Një arsye ka
përherë dhe më duhet të pranoj, se kësaj rradhe një dhe më shumë se kaq arsye, i
kam me shumicë dhe momenti e do që për këtë temë dhe ngjarje të flitet, të
flitet dhe flitet sa më tepër që të jetë mundësia.
Pak ditë më parë,
në mes të heshtjes së përgjithshme tipike shqiptare (se kur nuk ka mitingje apo
protesta politike, zgjedhje ose ndeshje futbolli europian në TV, shqiptari s’e
lëviz të pasmen nga kolltuku i ngrohtë shtëpiak)...në një atmosferë të tillë, një
vije të mesme debile midis groteskes dhe absurdit më të thellë, një e moshuar
më duket mbi të 80-tat në Durrës, humbi jetën në mes të vajit, i plasi zemra
nga marazi dhe vdiq poshtë disa kartonave të meremetuar shkel e shko, në një
lulishte thonë përballë bashkisë hijerëndë të portit tonë më të madh.
Përse kjo grua
në moshë, ky individ, kjo qytetare shqiptare me të drejta të plota (pra edhe me
të drejtën universale PËR TË JETUAR, mundësisht në kushte dinjitoze, që
përfshijnë doemos duke parë edhe moshën e saj, së paku një palo kulm mbi
kokë)...qëlloi të vdiste në atë mënyrë tepër rrënqethëse, për të mos thënë pa
mëdyshje, edhe makabre?
Ajo vdiq ashtu, e
vetme, e ftohur në palcë ndoshta nga netët e athta të Durrësit.
E prerë nga
thëllima që në atë qytet bregdetar, orëve të vona të natës, niset drejt e nga
valët e Adriatikut dhe arrin gjer nëpër rrugët e qytetit, si për shembull
mespërmes bulevardit Taulantia apo Rrugës Tregtare, deri tek sheshi i Bashkisë,
ku edhe kjo plakë tashmë e ndjerë, kishte ngritur “fushimin” e saj të detyruar,
aty ku siç tashmë e dimë, la edhe kockat në një mënyrë aspak dinjitoze apo për
më tepër njerëzore, një fund jete që çdokush nga ne, nuk do t’ia uronte as edhe
armikut më të keq dhe të betuar!
Si i bëhet që në
Shqipëri, edhe duke jetuar “figurativisht” ne të tërë banorët e këtij vendi, në
shekullin e 21-të, në vitin e 2013-të pas kryqëzimit dhe ngjalljes nga të
vdekurit të Krishtit (apo Erës së Re për ish komunistët, laikët dhe ata të
ndonjë feje tjetër të respektuar), ”realisht” dhe “mendërisht” ky vendi jonë i
përbashkët, ngjan shpesh sikur nuk ka dalë akoma nga humbëtirat e të kaluarës
më të errët?
E them këtë, edhe
duke qenë i bindur se shumëkush mund të vejë edhe me ndonjëfarë të drejte të
mendojë se po ia këpus kot ose se po flas cazë rëndë për atdheun tim të cilin e
dua vërtetë shumë, edhe më tepër se ç’e meriton ndoshta, por gjithësesi nuk
nguroj të pohoj një afirmim të tillë me plot gojën, sepse që të ndodhë nën
diellin apo shiun e rrebeshin e ditës dhe nën hënën apo reshjet e natës, që një
grua të lihet e vetme dhe pa strehë e mbështetje, derisa të vdesë si qyqare, si
njeri pa njeri, si kufomë e pakallur, megjithëse ishte e gjallë dhe e tillë
mund të mbeste po qe se ndonjë gisht do të kishte lëvizur për t’a ndihmuar, që
të shohim ngjarje të tilla në një të ashtëquajtur vend modern dhe demokratik, atëherë
këtu “PO RRIMË SHTREMBËR DHE FLASIM DREJT.”..ose e kundërta.
Shumë gjëra
ndodhin në Shqipëri dhe i lemë të na kalojnë shkitazi përpara “në dukje” pa na
cakitur, sikur të qenë ndodhi të një bote tjetër, të një universi të largët, të
një jete paralele me atë të tonën, të një dimensioni që nga neve e ndan vetëm
një shtresë e hollë qelqi, shtresë që ndonjëherë domosdo edhe do të kriset, në
mos thyhet dhe atëherë ky realitet shqiptar, ku edhe vetë bëjmë pjesë, do na
prekë nga afër edhe ne.
Këtë realitet
skadent do t’a takojmë personalisht sado t’i shmangemi, sadoqë të hiqemi apo
shtiremi (kokën në rërë gjithnjë, struci do ketë qenë shpend shqiptar në
origjinë, më pas ndoshta ia ka “mallar” për në Afrikën e nxehtë)...sikur ana
jonë e Shqipërisë, të jetë më e mirë, qytetëruar apo mbi të gjitha më
“NJERËZORE” sesa ajo tjetra ku gjindja vritet për asgjë (vija uji, sharje
banale, gërvishtje makinash), ku gruaja dhunohet, përdhunohet e shkelet me
këmbë e ku pleqtë rrihen barbarisht (dy vëllezërit e moshuar në Tepelenë së
fundi) apo edhe i lenë të vdesin rrugëve ose lulishteve bashkiake.
Zonjën e moshuar
Sofie, me ç’mora vesh, si një i interesuar i thjeshtë për fatkqesinë e saj
“Post mortem”, e kishin nxjerrë nga shtëpia, për shkak të një vendimi, do
pranuar sadoqë jam mjaftueshëm i djathtë për nga bindjet politike, sidoqoftë
minimalisht të diskutueshëm!
Të diskutueshëm
përse?
A nuk kanë vallë
të drejtë PRONARËT e ligjshëm, se termi “ish pronarë” është aq joadekuat dhe
anormal sa edhe t’i thuash dikujt që ndonjë regjim e ka privuar pa të drejtë
nga liria (plasur në burg)...t’a quash pra atë si njeri “ish të lirë”, gjithësesi
po thoja se pronarët që Shoku Enver dhe Nëna Parti u sekuestroi tokat me
përdhunë, pa të drejtë dhe duke shkelur me prapanicë çdo të drejtë normale dhe
demokratike pronësie, ata pra duhej dhe duhet të gëzojnë pronat e tyre.
Arsyet dhe
shkaqet përse në vendin tonë, ku ndër të tjera e djathta ka qeverisur me tre
mandate të plota (12 vjet rrumbullak, se një vit mes revolucionit dhe gati
luftës civile nuk ka sesi të llogaritet), toka dhe pronat, janë më lëmsh tani
se ç’ishin në 91-shin kur zyrtarisht u ndërrua sistemi që pronat i kishte
fshirë dhe pati bërë tokën e katandinë “pasuri të të gjithëve dhe njëkohësisht
të askujt” (përveç Byrosë dhe sharavidheve që i shërbenin dhe lëpiheshin
partisë dhe pushtetit popullor me anë të Luftës së Kllasave), akoma mbeten ende
të ngatërruara dhe vështirësisht të shkartisëshme e aq më pak të sqarueshme
brenda një shkrimi.
Po qe se regjimi
“rrënues” monist (meqë kjo fjalë ka ridalë në modë...ai po që ishte rrënim
epokal, unik në çmendurinë e tij dhe i papërsëritshëm) nga 1945 e gjer në 90-ën,
pronarëve u vodhi dhe shtetëzoi pa pikë të drejte pronën dhe pasurinë, ata vetë
i nxorri nga shtëpitë, sarajet dhe vilat e tyre me plaçka në krah dhe i degdisi
katundeve të humbura, i internoi, pushkatoi, vrau e poshtëroi për afër 50 vjet
me rradhë, sido që të jetë edhe pas 91-shit apo 22 marsit të 92-shit, mrekullitë
apo edhe thjesht larja e mëkateve kundrejt kësaj shtrese të vuajtur, nuk
ndodhën e ende nuk kanë ndodhur.
Nuk do shumë
mend që kur një tragjedie të tillë, përveç 50 vjetëve enveriste, u shton edhe
23 vjet demokraci ku prona akoma nuk ka takuar e as është përshëndetur së largu
të paktën me pronarin e ligjshëm, atëherë normal që gjërat do ecin si rëndom në
Shqipëri, mbrapsh!
Dhe kur jo
njeriu si individ, por kur ndërkohë vetë shteti ecën më tepër së prapthi sesa
përpara, atëherë punët venë e ngatërrohen e koklaviten aq shumë sa në fund
paevitueshmërisht, më falni që po e them në gjuhë të huaj...”Ci scappa il
morto”, pra “Dikush si pasojë e pashmangshme e rrethanave të tilla, vdes”!
U deshte gjë
domosdoshmërisht që të prisnim derisa edhe në këtë aspekt, ndokush të vdiste, në
mënyrë që kjo plagë e shumtë e shoqërisë sonë thellësisht letargjike dhe të
sëmure, shpesh të papajisur me ndjeshmëri njerëzore dhe të imunizuar ndaj së
keqes e derëmbyllur (me lloz, shul dhe bravë të blinduar)...ndaj së mirës
(populli i Nënë Terezës ne pastaj), ky turp pra të na godiste me tërë forcën e
peshës së fajit që nuk i takon vetëm një vendimi (në mos të gabuar, të
shpejtuar dhe elektoral) qeveritar, vetë shtetit, por edhe atij, popullit që
lejon që mënxyra të tilla të patregueshme të ndodhin në pafundësi, të
ripërsëriten rregullisht me doza gjithnjë e më të rënduara teksa askush nuk e
vë ujin as në zjarr, korent apo qoftë edhe gaz (kemi edhe TAP-in tani, gaz me
shumicë dhe pakicë)!
Zonja Sofie
tashmë nuk jeton më.
Një e moshuar, pa
patur bërë asnjë faj (vdektar kurrësesi), pa i bërë keq askujt, pa e shtrirë
dorën, pa u ankuar, pa bërtitur, pa ulurirë (kur ulurijnë shqiptarët ndërkohë?...Në
stadium, në miting zgjedhor, nëpër protesta partiake, ndaj gruas në shtëpi dhe
në kazino kur pasi kanë humbur milionat dhe mbetur letrarisht “me
brekë”...fitojnë nja 20 mijë lekë të vjetra, por kur ka nevojë vërtetë për
ulurima dhe britma alarmi apo proteste, nuk gjendet kush t’a çjerri zërin dhe
të kërkojë zgjidhje e përgjegjësi tek ndokush)...një grua e nderuar vdiq sepse
e nxorrën nga shtëpia (me pronar)...si leckë pa vlerë, si objekt dhe kurrësesi
jo si një qënie njerëzore me të drejta dhe dinjitet, atë të mjerën e flakën
përjashta dhe e lanë të vdiste (të më falin animalistët)...SI QEN!
Dhe miq të
dashur, si qen nuk do të duhej të vdiste askush, jo më një njeri në moshë që
nuk ka bërë asgjë për të merituar një fund të tillë të tmerrshëm!
Është e vërtetë,
pronarët kanë të drejtë të ankohen deri në Gjykatën e Strasburgut, çështja e
pronave, sadoqë bëjmë sikur nuk e dimë, është nga ato kushtet e pashkruara, por
vendimtare, që na mbajnë akoma tepër larg BE-së, sepse në Europën ku synojmë
ende vetëm me fjalë aq të mëdha sa edhe të zbrazëta nga çfarëdolloj kuptimi
real, që të hyjmë dhe integrohemi, aty prona është një “must” një detyrim dhe
vlerë e patjetërsueshme.
Neve me ligjet e
“tokës për të gjithë” të 45-ës, me shtetëzimin edhe të pulave dhe gjelave
shtëpiakë të shokut Ramiz, me famëkeqin ligj 7501, me legalizimet e çmendura të
“favelave” tiranase dhe të çdo qyteti të madh (ku janë zënë pa asnjë lloj
kriteri dhe të drejte ligjore jo vetëm prona shtetërore, por edhe toka me
pronar të ligjshëm), me këto budallëqe me brirë, kemi bërë që një bombë me orar
dhe afat, të jetë vendosur mes banorëve të këtij vendi.
Kjo sepse tashmë
konflikti për pronën, ka dalë nga binarët e një përplasje ekskluzive “shtet-ish
pronarë të shpronësuar forcërisht dhe arbitrarisht”.
Tani në konflikt
janë futur gjer në grykë vetë njerëzit, të ngatërruar siç janë mes ish
pronarësh, migrantësh të brendshëm, uzurpues dhe “të legalizuar” nëpër periferi
urbane, në përfitues të “ligjit 7501”, në mashtrues ordinerë dhe të pushtetshëm
që kanë përlarë apo mbivendosur pronësi fiktive trojesh, një “mish-mash” pafund
pra, ku edhe e ngrata dhe pafata zonjë Sofie u gjend e pambrojtur, e bënë pjesë
të kësaj vorbulle dhe ajo doemos që u mbyt!
E hodhën si mall
pa zot jashtë një shtëpie që e saja për hir të së vërtetës nuk ishte, por ku
shteti monist e pati futur pa e pyetur aspak (shtëpi që ndonjë të ngrati tjetër,
ish pronari i ishte sekuestruar pa të drejtë).
Tashmë shteti
demokratik i tha pa u menduar gjatë:”O gruje, e di ça, dil içik ti tashi jasht,
se ashtu osht i muhabet”!
Jashtë në mes të
jo katër, por njëqind rrugëve, e nxorën dhe aty e lanë të dergjej poshtë ca
kartonave derisa nuk mori më frymë, e vdekur, viktimë e monstruozitetit të një
demokracie të papjekur!